Trajneri i Real Madridit, Manuel Pellegrini, thotë se ai nuk po mundohet ta kopjojë stilin e lojës së Barcelonës, duke shtuar se dy ekipet janë plotësisht të ndryshme.
“Nuk po mundohem të bëj Real Madridin të luajë si Barcelona”. “Ato janë dy skuadra të dallueshme, dy institucione të ndryshme, dy grupe të ndara tifozësh dhe dy mënyra shumë të ndryshme qasjesh ndaj futbollit”, ka thënë Pellegrini për “Marca”, i cili të mërkurën do të ndeshet me ish-skuadrën e tij, Villarreal. ‘Kthimi te Villarreali është gjithmonë kënaqësi. Kam kaluar pesë vite në një superklub, ku kam pasur mundësinë të njoh njerëz të shkëlqyer të cilët udhëheqin institucionin, të formoj një ekip nga lojtarë të mëdhenj dhe të kompletoj pesë sezone të jashtëzakonshme”, ka shtuar ish-trajneri i Villarrealit.
Trajneri i Chelseat, Carlo Ancelotti, thotë se mesfushori i tij Frank Lampard ka aftësi të shumëanshme dhe është njëri nga lojtarët më të rëndësishëm në fushë.
“Ai është i shumanshëm. Ai ka kualitet të ndryshëm nga Kaka, Ribery ose Maradona, por e ka të njëjtën vlerë për skuadrën”. “Ai është i jashtëzakonshëm kur arrin brenda gjashtëmbëdhjetëmetërshit në kohë, dhe shënon shumë gola”, ka thënë Ancelotti për “The Daily Telegraph”.
Të mërkurën nga ora 15:00 zhvillohen ndeshjet e xhiros së tetë në Raiffeisen Superligën e Kosovës në futboll.
Lideri i tabelës, Flamurtari, pret skuadrën e fundit në renditje, Gjilanin, mirëpo sigurisht se do të ketë punë të vështirë për t’u rikthyer tek fitorja pas humbjes në Merdar, ndërkohë që skuadra gjilanase nga ndeshja në ndeshje po tregohet skuadër më kompakte. Kampioni në fuqi, Prishtina, pas fitores së fundjavës në kryeqytet do të udhëtojë në Skenderaj, ku e pret ballafaqimi me Drenicën, me synimin për të nxjerrë rezultat pozitiv nga kjo ndeshje dhe për të lënë prapa serinë e rezultateve negative. Lojë interesante pritet edhe në Kastriot, ku KEK-u synon të mposht Trepçën që ka mbetur pa trajner. Mbrëmë trajneri i Trepçës, Gani Sejdiu, ka dhënë dorëheqje si pasojë e dënimit që ka shqiptuar kryesia e klubit ndaj futbollistëve, pas humbjes ndaj Ferizajt në fundjavë. Ndeshje interesante pritet të shihen edhe nga përballjet Vëllaznimi-Kosova (V) dhe Besa-Hysi.

Ndeshjet që do të zhvillohet këtë mesjavë në Raiffeisen Superliga:


Vëllaznimi-Kosova (V)
Ferizaj-Liria
KEK-u – Trepça
Flamurtari – Gjilani
Besa – Hysi
Drenica – Prishtina

Të mërkurën Roma udhëton në Palermo për ndeshjen e xhiros së pestë në Serie A, ndërsa trajneri Claudio Ranieri shpreson që të zgjedhurit e tij do ta shfaqin atë që treguan kundër Fiorentinas të dielën.
“Nuk e kam kritikuar askënd, thjesht u tregova lojtarëve se çfarë dëshiroj, ndërsa unë dëshiroj që ata të japin gjithçka”. “Dëshiroj ta shoh më shpesh ‘Romën e cila u ndesh me Fiorentinan’. Kërkohet angazhim i madh dhe thjeshtësi. Duhet të jemi vazhdimisht të nxitur. Nuk e di se sa kohë do të kalojë derisa ta shoh Romën të cilën unë e dëshiroj”. “Kemi një ndeshje të vështirë kundër Palermos dhe unë dëshiroj një ekip të gatshëm për të reaguar”, u ka thënë Ranieri gazetarëve.
Sulmuesi i Juventusit, Alessandro Del Piero, është pranë rikthimit në fushë, duke qenë se ende nuk ka luajtur në sezonin e ri si pasojë e lëndimit.
“Tuttosport” njofton se kapiteni bardhezi i është nënshtruar një programi të veçantë trajnimi të planifikuar enkas që ta përshpejtojë rikuperimin. Kështu, Del Piero pritet të jetë i gatshëm për lojë në ndeshjen e të dielës kundër Bolognas, ndërkohë që do të mungojë në mesjavë ndaj Genoas.
Melo dhe Diego Dy mesfushorët e Juventusit, Diego dhe Felipe Melo, mund të mungojnë në ndeshjen e të enjtes kundër Genoas.
Tuttomercatoweb.com njofton se dy brazilianët janë rikuperuar nga lëndimet, mirëpo ende nuk është sigurt nëse ata do të luajnë. Diego u lëndua në ndeshjen kundër Lazios, ndërsa Melo pësoi një tërheqje muskulore kundër Bordeaux. Sido që të jetë, trajneri Ciro Ferrara nuk dëshiron të rrezikojë, prandaj udhëtimi i tyre te Genoa është vënë në dyshim.
Sulmuesi i Interit, Samuel Eto’o, i kërkon Barcelonës 15% nga çmimi i shitjes së tij te Nerazzurët, gjatë këtij afati kalimtar.
“Sport” njofton se kamerunasi e ka bërë kërkesën te Balugranët për shumën e parave që mendon se i takojnë atij, por ende nuk ka marrë përgjigje. Sipas të njëjtit burim, nëse dy palët nuk arrijnë marrëveshje, atëherë çështja mund të shkojë në gjykatë. Eto’o u transferua tek Interi si pjesë e marrëveshjes për kalimin e Zlatan Ibrahimovicit te Barcelona. Mendohet se kamerunasi është vlerësuar afër 20 milionë euro, që do të thotë se Barca duhet t’ia kompensojë afër tre milionë euro.
Sulmuesi italian Luca Toni, i cili ende nuk ka luajtur për Bayern Munichun këtë sezon, si pasojë e lëndimit të tetivës së këmbës, thotë se është i gatshëm dhe në formë të mirë për të qenë pjesë e skuadrës kryesore bavareze.
“Të luaja me lojtarët rezervë nuk ishte ndonjë problem për mua. Unë jam futbollist dhe jam mësuar të luaj edhe në ligën e tretë. Mua më nevojitej kohë vetëm që të luaja dhe tash e kam rikthyer shpejtësinë”. “Unë mendoj se jam në formë dhe i gatshëm për skuadrën e parë. Jam në dispozicion për përzgjedhje dhe shpresoj që trajneri do të më thërrasë shumë shpejt. Dëshiroj të jem në ekipin e seniorëve sa më shpejt që është e mundur”, ka thënë Toni për faqen zyrtare të Bayernit.
Mbrojtësi i Milanit, Thiago Silva, do të qëndrojë tri javë jashtë fushe, duke përfshirë edhe ndeshjen kundër Zurichut në Ligën e Kampionëve.
“Sky Sport Italia” njofton se braziliani është larguar nga fusha stërvitore në Milanello mëngjesin e të martës duke u ankuar në dhimbje. Sipas ekzaminimeve të para mjekësore, Silva e ka lënduar muskulin e këmbës së djathtë, ndërsa gjatë ditës së sotme do të bëhen edhe ekzaminime shtesë për të caktuar shkallën e saktë të dëmtimit.
Përzgjedhësi i kombëtares së Anglisë, Fabio Capello, thotë se sulmuesi i Sampdorias, Antonio Cassano, është lojtari më i talentuar që ka Italia.
“Kur e shoh Cassanon duke luajtur, më kujton lojtarin që kisha në Roma. Gjithmonë kam thënë se ai është talenti më i madh italian dhe shpresoj se një ditë ai do të jetë pjesë e ekipit për Kupën Botërore”, ka thënë Capello. I pyetur nëse ai do ta ftonte atë, Capello është përgjigjur thjesht, “Ai nuk është anglez!”.
Portieri i Juventusit, Gianluigi Buffon, thotë se biankonerët duhet të kenë kujdes nga Genoa, kur dy ekipet takohen të enjten në kuadër të javës së pestë të Serie A.
“Do të jetë një takim i rëndësishëm për ne, jo vetëm për shkak të pikëve, por po ashtu edhe për aspektin psikologjik. Ne do të duhet të bëjmë një paraqitje të mirë në Marassi dhe të fitojmë me qëllim që të tregojmë vlerat tona të vërteta”, ka thënë Buffon. “Ata kanë një ekip të mirë dhe shumë të rrezikshëm, veçanërisht kur luajnë në shtëpi në stadiumin e tyre fantastik. Atmosfera në Luigi Ferraris mund të jetë problem dhe ne do të duhet të jemi të kujdesshëm për këtë dhe të mos ndikohemi”. “Genoa humbi ndeshjen e parë të sezonit këtë vikend dhe ata do të jenë edhe më të vendosur në këtë takim”, ka shtuar italiani.
Sulmuesi i Real Madridit, Ruud van Nistelrooy, do të qëndrojë dy muaj jashtë fushe për shkak të lëndimit në kofshë.
Holandezi pësoi lëndim derisa shënoi golin e tij të parë këtë sezon në fitoren e thellë prej 5-0 të Real Madridit ndaj Xerez të dielën. Kjo është një dëshpërim i madh për Van Nistelrooy, pasi bëri një rikthim të suksesshëm pas lëndimit të tij të fundit që e la atë jashtë për nëntë muaj. Sulmuesi pritet të mungojë në 12 takimet e radhës për Realin.
Sulmuesi i Sevillas, Frederic Kanoute, është i gatshëm ta mbyllë karrierën e tij me klubin spanjoll.
Ish-sulmuesi i West Ham United dhe Tottenham është lidhur vazhdimisht me një rikthim në Ligën Premier, por ai thotë se ndjehet mirë në Sevilla dhe se dëshiron ta mbyllë karrierën atje. “Ndjehem shumë mirë. Jam shumë i lumtur në Sevilla. Është një qytet të cilin e dua dhe ndoshta do ta përfundoj karrierën këtu”, ka thënë Kanoute.
Ish-numri një i botës në tenis, Justine Henin, është e etur të rikthehet në tenisin botëror, dhe pritet sot të zbulojë lajmin për rikthim.
Henin, 27-vjeçare, do ta publikojë lajmin sot në mbrëmje në mediat në Belgjikë, raportojnë mediat e huaja. Henin, e cila hoqi dorë nga tenisi në muajin maj të vitit 2008 në moshën 25- vjeçare, është fituese e shtatëfishtë e turneve Grand Slam, dhe duket se ka lakmuar rikthimin e suksesshëm të bashkëkombëses së saj Kim Clijsters, e cila fitoi në US Open javën e kaluar, vetëm një muaj pas rikthimit në fushat profesionale.
Sulmuesi i Evertonit, Louis Saha, thotë se ekipi i tij është shumë më i fuqishëm këtë sezon se në atë të kaluarin.
“Është shumë herët në sezon, por e kemi vënë veten në pozitë të vështirë ku nuk duhej të ishim. Kemi punuar shumë për t’u siguruar se në fund të sezonit do të përfundojmë në të njëjtën pozitë ku përfunduam sezonin e kaluar”. “Mendoj se kemi një ekip më të mirë se ai i sezonit të kaluar. Nuk kemi humbur shumë lojtarë, e kemi forcuar ekipin dhe jemi plot vetëbesim se kemi një ekip që mund t’ia dalë”, ka thënë sulmuesi francez.
Menaxheri i Chelseat, Carlo Ancelotti, thotë se kualitetet e të qenit lider e bëjnë Didier Drogban një sulmues më të kompletuar se ai i Liverpoolit, Fernando Torres.
“Mendoj se ai është një prej më të mirëve në botë. Do ta krahasoja atë me Zlatan Ibrahimovic, Fernando Torres dhe Samuel Eto'o, por nuk do ta shkëmbeja atë me asnjërin”, ka thënë Ancelotti. “Ndoshta nëse e shihni teknikën, Torres mund të jetë më i mirë, por ka diçka më shumë në futboll se sa kualitetet teknike. Ka shumë lojtarë me teknika fantastike, por ata nuk janë liderë”. “Ata nuk kanë ndërtuar ndonjë karrierë të qëndrueshme, pasi nuk kanë karakter, personalitet dhe kurajë të fortë. Keni nevojë për këto gjëra më shumë se sa për teknikën. Didier i ka këto”, ka shtuar italiani.
Sulmuesi i Manchester Cityt Craig Bellamy ka patur dje një konflikt me një tifoz të United, i cili pas ndeshjes kapërceu në fushë për ta goditur Bellamyn, dhe tani policia e Manchesterit ka konfirmuar se është duke e hetuar rastin.
Tifozi i United ishte ndalur nga punonjësit e sigurisë në stadium edhe gjatë ndeshjes, por pas kësaj Bellamy kaloi fushën dhe shkoi për ta sulmuar atë.
FA është duke e hetuar incidentin, pasi që ka shumë gjëra për tu sqaruar, dhe njëra prej tyre është mosaftësia e punonjësve në Old Trafford për ta ndalur tifozin pas golit të çmendur në sekondën e fundit të Michael Owen, moment në të cilin ndodhi dhe incidenti.