Të dielën në Olimpico të Torinos takohen Juventusi dhe Bologna, ndërsa mesfushori bardhezi, Christian Poulsen, thotë se Zonja e Vjetër nuk duhet të mendojë për rezultat tjetër veç fitores.Juve barazoi në mesjavë ndaj Genoas duke lejuar kështu që të barazohet me pikë me Interin pas xhiros së pestë, prandaj Poulsen kërkon pikë të plota në fundjavë. “Luajtëm mirë dhe bëmë presion te Genoa që nga fillimi. Përkundër rezultatit, luajtëm futboll të shkëlqyer”. “Kundër Bolognas luajmë në shtëpi dhe është e qartë se kjo është një tjetër ndeshje e rëndësishme për ne. Shpresojmë ta marrim rezultatin e duhur”, ka thënë Poulsen për “Il Corriere Dello Sport”.
West Ham United është i interesuar ta huazojë sulmuesin italian të Bayern Munichut, Luca Toni.Sipas itasportpress.com ekipi nga Liga Premier planifikon ta huazojë italianin gjatë afatit kalimtar të janarit. Toni konsiderohet tepricë në Allianz Arena dhe do ta ketë shumë të vështirë të zë një vend në formacionin bazë duke llogaritur transferët e rinj të bavarezëve, Mario Gomez, Arjen Robben dh Ivica Olic.
Sulmuesi maqedonas Goran Pandev ka kërkuar zyrtarisht përfundimin e kontratës me skuadrën e Lazios.La Repubblica, Ansa dhe Goal.com Italia njoftojnë se Pandev, dëshiron t’i japë fund bashkëpunimit të tij me skuadrën italiane që tani, duke mos dashur të presë deri në qershorin e vitit të ardhshëm kur edhe i përfundon kontrata. 26-vjeçari është mbajtur jashtë ekipit të Lazios që nga momenti kur shprehu dëshirën për t’u larguar nga skuadra, ndërsa presidenti Claudio Lotito e konsideroi atë, bashkë me Lorenzo De Silvestrin (që tash luan te Fiorentina) dhe Cristian Ledesman, si ‘rebelë’. Nëse lojtari arrin ta prishë kontratën me Lazion, atëherë në garë për shërbimet e tij do të vërsulen Interi, Bayern Munichu dhe Juventusi.
Daniele De Rossi mund të mungojë në ndeshjen e fundjavës ndaj Catanias si pasojë e dhimbjes në shpinë.Forzaroma.info njofton se mesfushori italian është paraqitur të premten në fushën stërvitore në Trigoria duke u ankuar për dhimbje të shpinës. Si pasojë e kësaj dhimbjeje, De Rossi nuk ka mundur të bashkohet me grupin e tjetër të lojtarëve për të vazhduar seancën e sotme stërvitore, ashtu që është në dyshim që mund të inkuadrohet në ndeshjen e të dielës kundër Catanias. Trajneri Claudio Ranieri do të ketë telashe në formacion, duke qenë se edhe Philippe Mexes, Rodrigo Taddei dhe Jeremy Menez nuk janë stërvitur sot.
Pep Guardiola nuk pajtohet me mendimet se gara për titull gjatë sezonit 2009/2010 në La Liga do të zhvillohet vetëm ndërmjet Barcelonës dhe Real Madridit.“Është mungesë respekti, të mendosh pas vetëm katër ndeshjes se lufta do të jetë vetëm në mes Barcës dhe Madridit. Unë nuk besoj në diçka të këtillë”.“Nëse i kemi fituar të gjitha ndeshjet deri më tani, do të thotë se të dyja ekipet jemi në formë. Fakti që i kemi fituar ndeshjet është vetëm se kemi qenë më të fortë se kundërshtarët tanë”, ka thënë trajneri i Barcës, i cili thotë se edhe Sevilla, Valencia, Villarreali dhe Atletico Madridi do t’u konkurrojnë dy gjigantëve spanjollë për titull.
Trajneri i Malagas, Juan Ramon Lopez Muniz, thotë se ekipi i tij mund të nxjerrë rezultat pozitiv në ndeshjen e të shtunës kundër Barcelonës.“Jam i bindur se ata nuk do të mund t’i fitojnë të gjitha 38 ndeshjet në Primera Division”.“Ne kemi shpresat tona dhe unë nuk do të heq dorë nga ndeshja dhe ta konsideroj humbje, por ne do të mundohemi dhe do t’i shfrytëzojmë të gjitha opsionet që i kemi”, ka thënë Lopez Muniz për “AS”.
Trajneri i Interit, Jose Mourinho, do të ketë probleme në zgjedhje në ndeshjen e fundjavës kundër Sampdorias, pasi që nuk do të mund të llogarisë në shërbimet e Wesley Sneijder dhe Sulley Muntari.Sneijder ende nuk është rikuperuar nga lëndimi i muskulit që pësoi në ndeshjen kundër Napolit, ndërkohë që edhe Muntari nuk është në gjendje të luajë.Të dy lojtarët janë lënë jashtë stërvitjeve të premten, për t’iu nënshtruar fizioterapisë, ashtu që nuk bëjnë pjesë në grupin e lojtarëve që do të jenë në dispozicion të trajnerit të Nerazzurëve.
Menaxheri i Arsenalit, Arsene Wenger, thotë se ekipi i tij është shumë më i fuqishëm se dy rivalët tjerë të Ligës Premier, Manchester United dhe Manchester City.Ishin pikërisht dy skuadrat nga Manchesteri ato që ia shkaktuan dy humbje Arsenalit në Ligën Premier, por strategu francez megjithatë mendon se ekipi i tij është më i mirë. “Mendojmë se jemi më të fuqishëm se Manchester United dhe Manchester City dhe duhet ta transformojmë këtë në pikë dhe fitore. Kundër Wiganit ne fituam 4-0 me Nicklas Bendtner në stol dhe me Theo Walcott, Andriy Arshavin, Samir Nasri dhe Denilson që nuk luajtën”. “E dini, ne erdhëm nga dy ndeshje ndaj Cityt dhe United, duke ndjerë tërësisht të kundërtën e asaj çfarë njerëzit mendojnë, se ne vërtet kemi potencial të madh. Ne duhet ta kthejmë këtë në një opsion real për të fituar Ligën Premier. Duke u bazuar në ndeshjen ndaj Manchester United nuk duhet të kemi komplekse të inferioritetit. Në fund do të shohim se kush është më i fortë”, ka thënë Wenger.
Shqetësimet e Milanit për një largim të mundshëm të sulmuesit Alexandre Pato po bëhen gjithnjë e më të shprehura.Pato ka dështuar të gjejë rrjetën në pesë ndeshjet e fundit me Milanin dhe kjo e përkeqëson edhe më shumë situatën. Corriere della Sera shkruan se frika se Pato dëshiron të ribashkohet me ish-trajnerin, Carlo Ancelotti, i cili drejton Chelsean, po rritet brenda rosonerëve, dhe kjo ndikon edhe në formën e vetë lojtarit në fushë. Megjithatë një kalim i tij në Stamford Bridge mund të ndodhë vetëm nëse FIFA zbut ose heq ndalimin e klubit anglez për të transferuar lojtarë në dy afatet e ardhshme kalimtare.
Strategu i Real Madridit, Menuel Pellegrini, thotë se ai i din qëllimet e klubit dhe se çfarë duhet të bëjë që ato të realizohen.Kiliani pranon se Reali duhet të përmirësohet edhe më shumë dhe shton se është i pari i cili dërgon kritika për paraqitjet e ekipit. “Nuk jam i befasuar nga kritikat për mënyrën e lojës, pasi gjithmonë jemi në kërkim të së përkryerës. Kritikat nuk janë gjithmonë të njëjta dhe unë jam i pari që i kritikon paraqitjet e ekipit”. “Ekipi mund të përmirësohet dhe ne punojmë në këtë drejtim. Shumica menduan se tash do të fillojmë të përballemi me probleme, por ekipi është duke u përgjigjur mirë. I dimë cilat janë qëllimet tona dhe se si duhet t’i realizojmë”, ka thënë Pellegrini.
Mbrojtësi brazilian Lucio ka thënë se Juventusi është rivali kryesor i Interit në garën për skudeton, por se fokusi i nerazurëve do të jetë edhe në Ligën e Kampionëve.Lucio shënoi gol në fitoren 3-1 ndaj Napolit, derisa Juventusi dje vetëm barazoi me rezultat 2-2 në fushë të Genoas. “Kishim një fillim të mirë të sezonit, por mund të ishte edhe më i mirë. Tashmë jam i lumtur në Inter. Duhet të vazhdojmë të jemi të fokusuar, pasi para nesh ka shumë takime dhe është e nevojshme të luajmë mirë, për të arritur te rezultati i dëshiruar”, ka thënë Lucio. “Juventusi është një ekip që ka kualitet të shkëlqyeshme, edhe krahas asaj që ka shumë ndeshje deri në fund, pa dyshim ata do të jenë rivalë për skudeton”, ka shtuar braziliani.
Mbrojtësi i Real Madridit thotë se mezi pret të rikthehet në fushë dhe se shpreson se do të luajë në takimin e vikendit kundër Tenerife.Portugezi përfundimisht e tejkaloi suspendimin e gjatë dhe është në kombinim për takimet e radhës në La Liga, pasi në takimin kundër Zurichut, e pati debutimin e tij në sezonin e ri. “Dua të luaj dhe t’i ndihmoj ekipit në çfarëdo forme me të cilën mundem. Por, po ashtu dua të fitoj tituj, pasi kjo është e rëndësishme për karrierën e çdo futbollisti, siç është për çdo klub, veçanërisht Real Madridin”, ka thënë Pepe. Finalja e Ligës së Kampionëve këtë sezon do të zhvillohet në Bernabeu dhe Pepe thotë se gara më prestigjioze është ajo që i motivon lojtarët. “Liga e Kampionëve është ajo që na motivon, të gjithë jemi të ngazëllyer të luajmë në finale pasi kjo është një mundësi e madhe për ne. Do të punojmë me ngulm për të arritur atje”, ka shtuar Pepe.
Sulmuesi italian Antonio Cassano, thotë se para nëntë vitesh ka bërë gabim të madh kur ka vendosur të transferohet te Roma dhe ka shtuar se karriera e tij do të ishte shumë më e mirë nëse ai do të transferohej në Juventus.“Nëse para nënë vitesh në vend të Romës do të kaloja në Juventus, do të shënoja shumë më shumë.... Flas për futbollin dhe sjelljen, pa dyshim do të kisha fituar më shumë”, ka thënë Cassano për Gazzeta dello Sport. “Karakteri im do të ishte i njëjtë, por në Juventus do të gjeja një ambient më të mirë. Atëherë gabova shumë”, ka shtuar italiani.
Sulmuesi i Arsenalit, Theo Walcott, beson se ekipi aktual i Arsenalit ka mjaft kualitet për të fituar trofe këtë sezon.Anglezi do të ketë mundësinë të luajë takimin e parë të sezonit këtë vikend kundër Fulhamit, pasi përfundimisht u rikuperua nga lëndimi në shpinë. “I kemi ruajtur lojtarët. Nëse arrini të mbani një grup të caktuar të lojtarëve, shpresoni se kjo do t’ju mundësojë të fitoni trofe”, ka thënë Walcott. “Mendoj se këtë vit e kemi përvojën nga pjesëmarrja në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve dhe është e nevojshme të bëjmë vetëm një hap më tej. Duhet të fitojmë diçka për fansat, pasi ata janë shumë të padurueshëm”, ka thënë Walcott.
Ngasësi i Ferrarit, Felipe Massa, është duke u rikuperuar nga lëndimi në kokë që i kërcënoi madje edhe jetën, dhe ka thënë se do të jetë pjesë e ngjarjes të famshme të vozitjes në muajin nëntor në Brazil.Massa pësoi çarje në kafkën e tij në muajin korrik, kur një pjesë e veturës së bashkëkombësit të tij Rubens Barrichello (Brawn GP), e goditi atë në syrin e majtë gjatë kualifikimeve për Çmimin e Madh të Hungarisë. “Do të jem sërish pjesë e sfiduesve të yjeve, që është një prej ngjarjeve më trendi në fund të vitit. Është një organizim i shkëlqyeshëm, ku bashkohen të gjithë ngasësit më të mirë në të gjitha kategoritë e botës: Formula 1, Formula Indy, të veturave me bagazh (kampionati brazilian)”, ka thënë Massa në një video të publikuar. Ngjarja, ku Massa është një prej organizatorëve, mbahet çdo vit në Florianopolis në Brazilin jugor, nga data 27 deri më 29 nëntor. Ndërkohë, 28-vjeçari nuk do të rikthehet në Formula 1 deri në vitin e ardhshëm dhe është zëvendësuar nga italiani Giancarlo Fisichella. Massa ka thënë se në ngjarje do të jenë edhe kampioni i shtatëfishtë i Formula 1, Michael Schumacher, dhe Rubens Barrichello, që renditet i dyti në kampionatin e këtij viti.
Ylli i Real Madridit, Cristiano Ronaldo, thotë se ai është shumë i qetë kur është në pyetje Topi i Artë, pasi tashmë e ka të fituar atë një herë.Sulmuesi i Barcelonës, Lionel Messi, është favoriti kryesor për ta fituar Topin e Artë këtë vit, pas një sezoni të shkëlqyeshëm me klubin katalanas. Dy yjet e futbollit këtë sezon janë rivalë edhe në kampionatin spanjoll, dhe pritet të luftojnë në të ardhmen për të njëjtin çmim. “Topi i Artë? Kam pasur privilegjin tashmë ta fitoj atë njëherë, shpresoj se do ta fitoj edhe shumë herë, por për momentin jam i qetë. Unë tash vetëm i kryej detyrat e mia dhe dua të vazhdoj me paraqitje të mira”, ka thënë Ronaldo. “A më pëlqen loja e Barcelonës? PO, është një ekip shumë i mirë me lojtarë që kanë kualitete të shkëlqyeshme. Ata janë përbërje e mirë, por ne do të luftojmë me ta deri në fund të sezonit dhe do të shohim kush do të fitojë”, ka shtuar portugezi.
Sulmuesi francez, David Trezeguet, thotë se Juventusi ka treguar pjekuri të madhe në takimin e mbrëmshëm ndaj Genoas, edhe pse nuk shënuan fitore.Biankonerët kishim mundësinë të fitojnë tre pikë në udhëtimin e mbrëmshëm te Genoa, por pas dy golave të anuluar për shkak të pozicioneve jashtë loje, ata në fund nxorën një barazim falë një goli të vonshëm të shënuar nga Trezeguet. “Ne jemi katër sulmues dhe të gjithë jemi të fuqishëm. Iaquinta është një futbollist i jashtëzakonshëm, Amauri jep maksimumin çdo javë dhe së shpejti do të fillojë të shënojë, ndërsa Del Piero është para rikthimit”, ka thënë Trezeguet. “Unë do të vazhdoj të stërvitem me përkushtim të madh dhe do të përpiqem t’i shfrytëzoj shanset të cilat më jepen. Sonte barazuam kundër një ekipi të shkëlqyeshëm. Luajtëm një takim të mirë dhe treguam pjekuri të madhe edhe krahas asaj që nuk arritëm të fitojmë”, ka shtuar francezi.
Strategu i Arsenalit, Arsene Wenger, muajin e ardhshëm do të mbushë 60 vjet, por insiston se nuk ka në plan të tërhiqet nga futbolli.Francezi, i cili është me topçinjtë që nga viti 1996, thotë se ende është i etur për sukses dhe ka fuqi fizike për t’i dhënë trofe klubit. “Nuk besoj në pensionim, përveç nëse është e nevojshme ta bëni këtë. Kurrë nuk kam pasur një ditë kur kam menduar se mund të jetoj pa futboll”, ka thënë Wenger.
Sulmuesi i Manchester Cityt, Emmanuel Adebayor, thotë se ata mund ta fitojnë titullin këtë sezon.Ish-sulmuesi i Arsenalit mendon se klubi i tij nuk duhet të luftojë për të qenë në top katërsh, por ka kualitet të mjaftueshëm për të fituar Ligën Premier. “Ne kemi lojtarë për të garuar me cilindo ekip në Evropë, andaj po, ende më pëlqen të them se ne mund ta fitojmë titullin që në këtë sezon”, ka thënë Adebayor. Pas katër fitoreve radhazi, City së fundi u mposht nga Manchester United, në derbin e dy rivalëve të qytetit.
I është dhënë lamtumira e fundit në qytetin e Lezhës, sulmuesit të ekipit Kombëtar shqiptar Shpresa, Brian Filipi, i cili humbi jetën tragjikisht në Itali.Arkivoli me trupin e pajetë të futbollistit 20- vjeçar është vendosur në stadiumin Beslidhja, ku qenë të pranishëm autoritete të larta të futbollit, politikanë, të afërm të familjes dhe qytetarë të shumtë. Presidenti i Federatës së futbollit të Shqipërisë, Armand Duka e cilësoi humbjen e tij si humbje për gjithë futbollin shqiptar. Ndërsa drejtori i sporteve Bici theksoi se ka humbur një talent i ri që do ti jepte shumë edhe Kombëtares. Në ceremoni nuk kanë munguar as zyrtarët më të lartë të komunës së Lezhës. Brian Filipi ishte vetëm 20 vjeç dhe luante me Ravennan në Serinë C në Itali. Të premten ai u aksidentua nga një makinë që drejtohej nga një grua 52- vjeçare, me shpejtësi tejet normave të lejuara. Për nder të tij, ish-kapiteni i Kombëtares kuqezi, Igli Tare, ka organizuar edhe një miqësore mes Lazios dhe Ravennas.
Presidenti i Corinthians, Andres Sanchez, ka udhëtuar në Evropë për ta joshur yllin e Milanit, Ronaldinho, që t’i bashkëngjitet klubit brazilian në sezonin e ardhshëm.“Folha de Sao Paulo” njofton se Sanchez mund ta bindë Ronaldinhon që të transferohet te Corinthians para vitit që vjen, ashtu që mund të shtohen shanset e lojtarit që të luajë në Kampionatin e ardhshëm Botëror me Brazilin. Corinthians planifikon ta fitojë Copa Libertadores në vitin e ardhshëm, ashtu që pas transferimit të Ronaldos, Ronaldinho do të ishte një tjetër lojtar i madh në skuadër, porse problem është paga e tij e lartë, për të cilën duhet të diskutohet gjatë.
















