Robin Van Persie feston golin Takimi i zhvilluar të martën mbrëma në Emirates Stadium, ndërmjet Arsenalit dhe Olympiakos Piraeus, ka përkundur me fitoren e vendasve me rezultat prej 2-0.
Është dashur të pritet deri në minutën e 78-të që të shënohet goli i parë në ndeshje, ndërsa golashënues ishte Robin Van Persie. Katër minuta pa përfunduar koha e rregullt e takimit (86’), Andrey Arshavin vulosi fitoren e Topçinjve duke dyfishuar rezultatin. Përballja tjetër e Grupit H, e zhvilluar ndërmjet AZ Alkmaar dhe Standard Liege, nuk dha fitues pasi të dyja skuadrat shënuan nga një gol. Pas xhiros së dytë, në Grupin H kryeson Arsenali me gjashtë pikë, ndërsa vendin e dytë e mban Olympiakosi me tri pikë.
Festa e andaluzianëve Sevilla ka shënuar fitore të lartë prej 4-1 si mysafir skuadrës skoceze Rangers.
Pjesa e parë e takimit të zhvilluar në stadiumin Ibrox, përfundoi pa gola, por pesë minuta brenda pjesës së dytë (50’), Abdoulay Konko i kaloi mysafirët në epërsi. Pas golit të parë, andaluzianët shënuan edhe tri herë, me anë të Adriano (64’), Luis Fabiano (72’) dhe Frederic Kanoute (74’). Golin e nderit për vendasit e shënoi Nacho Novo dy minuta pa përfunduar koha e rregullt e takimit (88’). Në ndeshjen tjetër të Grupit G, Stuttgarti ka barazuar si mysafir i skuadrës rumune Unirea Urziceni, me rezultat 1-1. Pas xhiros së dytë, Sevilla vazhdon t’i prijë Grupit G me gjashtë pikë, ndërsa Stuttgarti man vendin e dytë me dy pikë. Dy skuadrat tjerë të këtij grupi, Unirea Urziceni dhe Rangers kanë nga një pikë.
Largimi i Balotellit nga fusha. Interi nuk ka arritur më shumë se një barazim në ndeshjen e zhvilluar të martën mbrëma përballë skuadrës ruse Rubin Kazan. Nerazzurët ishin mysafirë të rusëve në stadiumin Tsentralnyi, për ta zhvilluar ndeshjen e vlefshme për Grupin F, mirëpo nuk arritën të nxjerrin më shumë se një pikë nga ky takim. Të parët kaluan në epërsi vendasit me golin e Alejandro Dominguez (11’), ndërsa zikaltrit arritën ta barazojnë rezultatin me golin e Dejan Stankovic, mirëpo kjo ishte krejt çka treguan në këtë ndeshje. Duhet përmendur se nga minuta e 60, Interi luajti me një lojtar më pak në fushë, pasi që Mario Balotelli u përjashtua me kartonin e dytë të kuq. Në takimin tjetër të Grupit F, Barcelona e ka mposhtur Dynamo Kyivin në Camp Nou me rezultat prej 2-0, me golat e Leo Messi (26’) dhe Pedro Rodriguez (76’). Pas xhiros së dytë, Grupit F i prin Barcelona me katër pike, vendin e dytë e mban Dynamo Kyiv me tre pikë, ndërsa Interi gjendet në vendin e tretë me dy pikë.
Bafetimbi Gomis duke festuar golin Lyon duket se do të shkel sivjet çdo gjë në këtë garë. Pas turpërimit që ja bëri Fiorentinës para dy jave, kësaj radhe francezët shkelën rumunët e Debrecen.
Epërsia fillestare u arrit në minutën e 3 kur Kim Kallstrom shënon për 1 me 0 në të mirë të Lyonit.
Në minutën e 13 arrihet dyfishimi. Golashënues, Pjaniç. Heshtja në stadiumin rumun u kompletua në minutën e 24 kur Sidney Govou shënon për 3 me 0.
Mirëpo kjo nuk ishte e tëra. Shkatërrimi u kompletuar nga Bafetimbi Gomis në minutën e 50.
Shënuesi i dy golave për Fiorentinën, Stevan Jovetic. Fiorentina e ka mposhtur Liverpoolin në xhiron e dytë të fazës grupore të Ligës së Kampionëve, në ndeshjen e vlefshme për Grupin E.
Takimi i zhvilluar të martën mbrëma në Artemio Franchi, ndërmjet Fiorentinas dhe Liverpoolit, ka përfunduar me fitoren e vendasve me rezultat prej 2-0. Njeriu fatal për Redsat mbrëmjen e sotme ishte sulmuesi Stevan Jovetic, i cili shënoi dy herë për t’i sjellë fitoren Fiorentinas. Me dy golat e shënuar brenda më pak se dhjetë minuta (28’ dhe 37’), Jovetic mbylli gjithçka që në pjesën e parë duke vendosur fituesin e takimit. Në pjesën e dytë, mysafirët nuk arritën që të ndryshonin asgjë në rezultat, kështu që u kthyen në shtëpi duarthatë.
Në takimin tjetër të Grupit E, Lyoni e ka dërrmuar Debrecenin me rezultat 4-0, dhe tani kryeson pastër grupin me gjashtë pikë, ndërkohë që Fiorentina dhe Liverpooli kanë nga tri pikë.
Para ndeshjes në Emirates Stadium të martën mbrëma, qendërmbrojtësi i Olympiakosit, Olof Mellberg, mendon se Arsenali ka njërin nga sulmet më të mira në Evropë.
“Do të jetë një ndeshjen shumë e vështirë. Duhet të jemi në top-formë në të gjitha repartet në fushë”. “(Arsenali) është padyshim njëra nga skuadrat më të mira në Evropë që luan futboll të shpejtë. Jemi mbrojtur mirë deri më tani këtë sezon dhe duhet ta bëjmë të njëjtën gjë për ta ndalur Arsenalin”. “Kur shkojnë në sulm, (Topçinjtë) janë ndër ekipet më të mira, jo vetëm në Angli, por edhe në Evropë”, ka thënë suedezi për faqen zyrtare të Arsenalit.
Michael Owen Të mërkurën Manchester Unitedi pret Wolfsburgun në Old Trafford për ta zhvilluar xhiron e dytë të fazës grupore të Ligës së Kampionëve, ndërsa Djajtë e Kuq kanë disa mungesa në formacionin bazë.
“Sky Sports News” njofton se Michael Owen, Ji-Sung Park dhe Owen Hargreaves vazhdojnë të mbesin jashtë fushës stërvitore, ndërsa edhe pse kishte qenë në stërvitje, portieri Edwin van der Sar nuk do të jetë i gatshëm të luajë përballë gjermanëve. Sir Alex Ferguson do të duhet sërish të improvizojë për të zgjedhur një skuadër fituese, e cila do të nxjerrë pikë të plota në përballjen me kampionin e Gjermanisë.
Roberto Mancini ka njoftuar se dëshiron ta ushtrojë sërish zanatin e trajnerit, por ka mohuar të ketë kontaktuar me ndonjë skuadër për profesionin tij.
Mediat italiane kanë njoftuar se pozita e Roberto Donadonit si trajner i Napolit po luhatet, ndërsa këtë vend mund ta zë pikërisht ish-trajneri i Interit. “Dëshiroj të kthehem të punoj si trajner dhe nëse më vjen rasti do ta shfrytëzoj. (Por) nuk kam kontaktuar me askënd”, ka thënë Mancini për Ansa.it.
Kreu i bordit të Bayern Munichut, Karl-Heinz Rummenigge, thotë se Real Madridi është favoriti kryesor për ta fituar Ligën e kampionëve këtë sezon.
Rummenigge mendon se duke llogaritur shpenzimin e 250 milionë eurove gjatë këtij afati kalimtar dhe se finalja e Ligës së Kampionëve do të luhet në Santiago Bernabeu, atëherë Mbretërit medoemos duhet të kurorëzohen me trofeun e garës më prestigjioze të futbollit evropian për klube. “Nëse (Reali) nuk e fiton Ligën e Kampionëve do të jetë një humbje në të gjitha aspektet për ta”. “Të gjithë e dinë se sa shumë kanë shpenzuar dhe të gjithë i njohin lojtarët e atij ekipi, prandaj Reali është favoriti absolut në këtë garë”, ka thënë Rummenigge për “Welt”.
Sulmuesi i Juventusit, Vincenzo Iaquinta, nuk ia ka frikën Bayern Munichut, skuadër ndaj të cilës do të luajë të mërkurën mbrëma në Allianz Arena.
Iaquinta ka përkujtuar fitoret e sezonit të kaluar ndaj Real Madridit si frymëzim për ndeshjen kundër bavarezëve. “Bayern Munichu? Ne kemi fituar në Bernabeu. E dimë se do të jetë vështirë kundër tyre, mirëpo ne i kemi përbërësit e duhur për të zhvilluar një ndeshje të madhe”. “Ne mendojmë vetëm për ndeshjen e të mërkurës mbrëma dhe përqendrimi i skuadrës është atje”. “Do të jetë bukur nesërmbrëma, sepse ne nuk mendojmë për barazim, por do të hyjmë në fushë me një mentalitet fituesi”, ka thënë sulmuesi më në formë i Juves këtë sezon për “Tuttosport”.
Trajneri i Milanit, Leonardo, shpreson që ndeshja ndaj FC Zurich në kuadër të Ligës së Kampionëve ta rikthejë buzëqeshjen e Rossonerëve.
“Kam folur me ekipin dhe duhet të gjejmë zgjidhje- nuk duhet t’i ndryshojmë gjërat sa herë që nuk shkojnë mirë për ne”. “Kemi pasur një sezon me ngritje dhe rënie, ndërsa jemi të vetëdijshëm që takimi kundër Zurichut është i rëndësishëm”, ka thënë Leonardo.
Sergio Ramos dhe Guti janë përfshirë në skuadrën e Real Madridit që do të përballet me Olympique de Marseille të mërkurën mbrëma, megjithatë ata edhe njëherë do t’iu nënshtrohet ekzaminimeve para ndeshjes.
Trajneri Manuel Pellegrini ka publikuar skuadrën prej 19 lojtarësh në faqen zyrtare të Realit, ku përfshihet edhe dyshja spanjolle, mirëpo mungesa kryesore është mesfushori Lassana Diarra, i cili nuk është në gjendje të luajë si pasojë e një lëndimi të shpatullës.

Skuadra e plotë e Real Madridit që do të jetë në dispozicion të trajnerit:

Casillas, Dudek, Marcelo, Albiol, Sergio Ramos, Garay, Pepe, Diarra, Xabi Alonso, Gago, Guti, Van der Vaart, Granero, Drenthe, Kaka, Cristiano Ronaldo, Higuain, Benzema, Raul.
Të mërkurën mbrëma Bayern Munichu do të jetë nikoqir i Juventusit në Allianz Arena për të zhvilluar ndeshjen e vlefshme për fazën grupore të Ligës së Kampionëve, ndërsa trajneri i bavarezëve Louis van Gaal pret një ndeshje të veçantë.
“Juventusi është (ekip) shumë i mirë. Lojtarët janë në formë, edhe pse barazuan këtë fundjavë. (Juve) gjendet në vendet e para në tabelë. (Juve) është njëra nga skuadrat më të mira në Evropë”. “Takimi ndaj Juventusit natyrshëm që do të jetë i veçantë. Duhet të përgatitem paraprakisht për këtë skuadër, mirëpo unë e bëj të njëjtën gjë para se të takohem edhe me skuadrat tjera”. “Mirëpo, unë nuk kam kujtime të mira nga Juve. Kur isha trajner i Ajaxit të Amsterdamit, humbëm nga ata në Finale të Ligës së Kampionëve pas penalltive”, ka thënë Van Gaal për faqen zyrtare të Bayernit.
Në spitalin e Beogradit ka vdekur tifozi francez i ekipit të futbollit të Toulous, i cili u sulmua nga huliganët serb një javë më parë.
Një Javë më parë 30 tifozë serbë sulmuan barin ku gjendeshin mbështetësit e ekipit francez dhe i sulmuan ata fizikisht. Bris Tato ishte një nga dy mbështetësit e ekipit francez që u plagosën nga sulmet e huliganëve serbë, i cili edhe bëhet viktima e parë e këtij akti të shëmtuar. Ndeshja mes ekipit të Toulous dhe Partizanit të Beogradit, që përfundoi me fitoren e francezëve, u luajt në kuadër të ligës evropiane.
Ekipi i Real Madridit, mbrëmë ka pohuar se marrëveshja e sponsorimit me Bwin është vazhduar dhe logoja e bastores online do të vazhdojë të qëndrojë në fanellën e mbretërve deri në vitin 2013.
“Jam i lumtur që mund t’ju informoj se Real Madridi do ta ketë partner kompaninë Bwin edhe për tri vite të tjera”, ka thënë presidenti i klubit mbretëror Florentino Perez. “Bwin është një partner besnik, i cili e kupton sportin, veçanërisht futbollin dhe din të bëjë përfitime nga emocionet të cilat i gjeneron Real Madridi nëpër botë”. Bwin për herë të parë u paraqit në fanellën e Real Madridit në fillim të sezonit 2007-2008. Besohet se bastorja online do të ndajë rreth 23 milionë euro në vit për logon e cila do të qëndrojë në fanellën e Realit, ose rreth 6 milionë më shumë se vitet e kaluara.
Mbrojtësi i Real Madridit, Pepe, është i lumtur që tashmë e ka tejkaluar suspendimin e gjatë dhe ka kthyer përqendrimin e tij kah triumfi në Ligën e Kampionëve.
Të shtunën Pepe u rikthye në fushë ndaj Tenerife, pasi e përfundoi dënimin prej 10 ndeshjes mos-lojë, pas incidentit të sezonit të kaluar kur u goditi dy futbollistë kundërshtar. “Për sezonin e ri, synim i imi është të triumfojmë në Ligën e Kampionëve”, ka qenë shumë i qartë Pepe rreth ambicieve të tij. Finalja e garës evropiane këtë sezon mbahet pikërisht në stadiumin e Real Madridit, Santiago Bernabeu.
Sulmuesi i Sampdorias, Giampaolo Pazzini, ka shprehur kënaqësinë për golin e fitores të shënuar në takimin e të shtunës kundër Interit, që i ndihmoi ekipit të tij të marrë kreun tabelës së Serie A.
“Goli kundër Interit ishte një prej më të rëndësishmëve. Të qenit i pari në renditje është kënaqësi e madhe, personalisht kam marrë shumë urime”, ka thënë Pazzini. “Jam i lumtur, por për skudeton do të jetë vështirë. Tash le të shijojmë këtë moment, pasi tashmë i kemi caktuar vetëm synimet afatshkurtra. Do të shohim se çfarë do të ndodhë në shkurt dhe mars”. Sampdoria do të jetë nikoqire e Parmës gjatë të dielës në javën e shtatë në Serie A.
Sulmuesi i Manchester Cityt, Robinho, pritet të jetë jashtë fushe edhe për tre javë të tjera, derisa ai vazhdon rikuperimin nga lëndimi në nyjën e këmbës.
Robinho pësoi lëndim derisa ishte në detyrë me kombëtaren e Brazilit më herët gjatë këtij muaji, dhe ka munguar në katër takimet e fundit me Cityn. City priti që nënshkrimi i tyre rekord të qëndronte jashtë fushe për vetëm katër javë, por duket se kjo do të zgjatet deri në fund të tetorit, kur ai pritet të jetë i gatshëm të rikthehet. “Ai ende nuk është i gatshëm, ai nuk është duke u stërvitur, vetëm po angazhohet në gjimnastikë. Mund të parashikoj se ai do të qëndrojë jashtë edhe për dy deri në tre javë”, ka thënë menaxheri i klubit Mark Hughes.
Mesfushori i Barceloës, Xavi, thotë se blaugranët, si gjithmonë, janë të uritur të fitojnë tituj, pavarësisht se fituan gjithçka sezonin e kaluar.
“Ekipi është ende i uritur të fitojë tituj dhe dëshirojmë të japim maksimumin që nga minuta e parë në çdo ndeshje”, ka thënë ai për sportiven spanjolle Sport. Barcelona sonte do të përballet me Dinamo Kievin në kuadër të grupit F të Ligës së Kampionëve, ndeshje e cila edhe pse do të zhvillohet në Camp Nou, nuk është aspak e lehtë, sipas Xavit. “Nuk kemi asnjë ndeshje të lehtë në këtë grup. Dynamo Kiev dhe Rubin Kazan janë relativisht të panjohura këtu, por ata janë kampionë në ligat e tyre dhe duhet ta kemi këtë parasysh”, ka shtuar mesfushori.
Kapiteni i Liverpoolit, Steven Gerrard, thotë se Fernando Torres është sulmuesi më i mirë në botë.
Torres ka shënuar 58 gola në 92 ndeshje me Liverpoolin që kur ka bërë debutimin e tij në muajin gusht të vitit 2007, derisa Gerrard ka shënuar 123 gola në 492 takime. Por sigurisht se suksesi më i madh vjen nga 77 takimet ku dyshja kanë luajtur së bashku, kur ata kanë shënuar 86 gola të dy, Gerrard me 39 dhe Torres me 47. “Nuk do ta shkëmbeja Fernandon për asnjë sulmues tjetër në botë, ai është më i mirë”, ka thënë Gerrard. Torres ka shtuar, “Nëse dëshironi të luani krahas dikujt si Stevie, i cili është më i miri në botë, kjo vetëm mund t’ju ndihmojë juve. Ai është një pasues i shkëlqyeshëm dhe mund të shënojë gola”.
Menaxheri i Manchester Cityt, Mark Hughes, ka lavdëruar autorin e dy golave në takimin e mbrëmshëm, Carlos Tevez, pas fitores 3-1 ndaj West Ham United.
“Carlos ishte i shkëlqyeshëm, në lëvizjet e tij dhe shkëmbimet me Craig Bellamy, Martin Petrov dhe me mesfushorët. Dhe me kalimin e sezonit ai do të bëhet edhe më i mirë”, ka thënë Hughes pas takimit të mbrëmshëm. “Carlos është një lojtar i jashtëzakonshëm. Ai e di dhe e ka të qartë se ku ndodhen lojtarët e tjerë dhe mënyrën se si ai mund të ndikojë në lojë. Me lojtarë të kalibrit të tij, keni një miks të gatshëm”. “Keni nevojë për lojtarë të cilët kanë aftësinë për të krijuar të papriturën dhe për t’i bërë gjërat nga asgjëja. Pasi do të kemi ndeshje ku nuk do të luajmë ashtu siç duhet. Atëherë kemi nevojë për dikë që krijon diçka nga asgjëja”, ka shtuar trajneri anglez.
Menaxheri i Arsenalit, Arsene Wenger, thotë se humbja e Chelseat ndaj Wigan Athletic është dëshmi se gjithçka mund të ndodhë në Ligën Premier këtë sezon.
“Kjo ka treguar se këtë sezon gjithçka është e paparashikueshme dhe se çdokush mund të mposhtë çdokënd”. “Kjo e bën kampionatin më interesant, pasi Wigan bëri një befasi të madhe të shtunën, pasi ne e mposhtëm atë bindshëm një javë më parë”, ka thënë Wenger. Francezi po ashtu i ka thënë shtypit se rezultati është pozitiv për Arsenalin, pasi ngushton diferencën dhe i ngrit topçinjtë më afër rivalëve të Ligës Premier.
Portieri i Juventusit, Gianluigi Buffon, thotë se ndeshja e të mërkurës mbrëma kundër Bayern Munichut do të jetë një ndeshje historike.
“Kundër Bayernit do të jetë një ndeshje për ata me zemër guximtare, është një ndeshje të cilën mezi e presin futbollistët”. “Të mërkurën nuk do të kemi as hezitim as frikë, sepse luajmë ndaj një ekipi shumë të fortë në një kontekst të jashtëzakonshëm. Në letër, bavarezët janë rivalët tanë në grup, mirëpo ne duhet të përballemi me ata dhe me Bordeaux për vendin e parë”, ka thënë portieri italian për “Datasport”.
Manchester City ka shënuar fitore komode përballë West Ham United me rezultat prej 3-1, në ndeshjen e zhvilluar të hënën mbrëma në stadiumin e qytetit në Mançester.
Me të filluar ndeshja (5’), sulmuesi argjentinas Carlos Tevez shënoi golin e parë në ndeshje, ndërsa pas afro njëzet minutash Carlton Cole barazoi shifrat. Vendasit i kaloi sërish në epërsi bullgari Martin Petrov (32’), i cili vuri rezultatin e pjesës së parë. Në pjesën e dytë u shënua vetëm një gol, ndërsa golashënues ishte përsëri ‘Carlito’ (61’), i cili me golin e dytë personal në ndeshje, vulosi fitoren e ‘pasanikëve’.
Kreu i komisionit mjekësor të Organizatës Botërore të Futbollit, FIFA, deklaroi se ndërhyrjet e rrezikshme kanë ndikuar në përfundimin e karrierës futbollistike të shumë lojtarëve në dy vitet e fundit.
Mishel Hozh u bëri thirrje referëve që të tregojnë më shumë kartonë të kuq, ndërsa u apeloi trajnerëve që të angazhohen për të zvogëluar dhunën në teren. Ai tha se disa ndërhyrje e thyejnë “boshtin kurrizor”, dhe shtoi se ato duhet të incizohen në DVD me qëllim që t’u dërgohen federatave kombëtare të futbollit, për t’u eliminuar nga loja. Sipas tij, ka dy lloje të ndërhyrjeve të rrezikshme: goditja prapa shpine dhe shfrytëzimi i palejueshëm i bërrylit, të cilat do të duhej automatikisht të sanksionohen me karton të kuq.
Menagjeri i Liverpoolit Raffa Benitez ka rikonfirmuar se superylli i tij Fernando Torres nuk është në shitje. Bossi i ‘ The Reds ‘ ka pranuar shumë super-oferta nga disa klube të premier ligës verën e kaluar.

“Sa është ai i vlefshëm? Mirë, do thonit 70 milion funta ? ,” tha Benitez sipas agjencisë AFP.

“Nuk po them që është më i miri në botë pasi që është i ri dhe mund të përmirësohet, por natyrisht, ai është njëri prej më të mirëve, dhe ai mund të përmirësohet nëse dëshiron.”

“Këtë vit kan ardhur shumë agjentë të klubeve angleze për të pyetur rreth Torres-it dhe e dini çfarë u thashë? Ai nuk është në shitje.” deklaroi Benitez