(Nga e majta) Belleti, Anelka dhe Ivanovic, festojnë golin. Chelsea ka arritur të nxjerrë tri pikë të rëndësishme si mysafir i skuadrës ku aktivizohet mesfushori shqiptar Altin Haxhi, APOEL Nicosia.
Të vetmin gol në ndeshje e shënoi sulmuesi francez Nicolas Anelka, i cili shfrytëzoi asistimin e Salomon Kalou, për ta mposhtur portierin Chiotis (18’). Në ndeshjen tjetër të Grupit D të zhvilluar në Dragao, Porto e ka mposhtur Atletico Madridin me rezultat prej 2-0, me golat e Falcaos (75’) dhe Rolandos (82’). Pas xhiros së dytë, Grupit D i prin Chelsea me gjashtë pikë, në vendin e dytë gjendet Porto me tri pikë, ndërsa APOEL Nicosia dhe Atletico Madridi kanë nga një pikë.
Festa e Mbretërve Skuadra e Milanit ka vazhduar me formën e dobët edhe në ndeshjen e të mërkurës mbrëma duke u mposhtur nga FC Zurich para publikut të vet.
Takimi i zhvilluar në San Siro, ndërmjet Milanit dhe Zurichut, ka përfunduar me fitoren minimale të mysafirëve prej 1-0. Të vetmin gol në ndeshje, e shënoi Hannu Tihinen (10’) duke ia siguruar tri pikë skuadrës zvicerane. Në ndeshjen tjetër të Grupit C, Real Madridi ka fituar bindshëm në Bernabeu kundër Marseille, duke shënuar tri herë brenda gjashtë minutash. Njeriu i ndeshjes ishte Cristiano Ronaldo, i cili shënoi dy gola (58’ dhe 64’) dhe nxori një penallti të cilën e shndërroi në gol Ricardo Kaka (61’). Pas xhiros së dytë, në Grupin C udhëheq Reali me gjashtë pikë, ndërsa Milani dhe Zurichu kanë nga tri pikë.
Festa e Djajve të kuq pas golit të Giggs. Manchester United ka shënuar fitore në Old Trafford përballë kampionit të Gjermanisë, Wolfsburg, duke e mposhtur me rezultat prej 2-1.
Të parët në epërsi kaluan gjermanët me golin e Edin Dzekos (56’), mirëpo pas vetëm tre minutash (59’), mesfushori veteran i Djajve të Kuq, Ryan Giggs, barazoi rezultatin nga gjuajtja e lirë. Fitoren finalistit të sezonit të kaluar i siguroi mesfushori tjetër, Michael Carrick, i cili shënoi në minutën e 78-të pas asistimit të Giggs. Përballja tjetër e Grupit B, e zhvilluar ndërmjet CSKA Moskës dhe Besiktasit, ka përfunduar po ashtu me rezultat 2-1, në favor të rusëve. Pas xhiros së dytë, në Grupin B prin United me gjashtë pikë, ndërsa Wolfsburgu dhe CSKA Moska kanë nga tri pikë.
Arjen Robben dhe Fabio Grosso Sfida kryesore e xhiros së dytë në fazën grupore të Ligës së Kampionëve ka përfunduar me rezultat të barabartë.
Takimi i zhvilluar të mërkurën mbrëma në Allianz Arena, ndërmjet Bayern Munichut dhe Juventusit, ka përfunduar pa gola.
Bavarezët ishin skuadër më e mirë në pjesën e parë të ndeshjes, mirëpo nuk arritën t’i përfundonin me sukses aksionet e tyre, ndërkohë që bardhezinjtë ishin të rrezikshëm kohë pas kohë.
Në pjesën e dytë pamë një ndeshje më të balancuar, me ç’rast të dyja skuadrat zhvilluan lojë më të kujdesshme.
Takimi tjetër i grupit A, i zhvilluar ndërmjet Bordeaux dhe Maccabi Haifa, i ka takuar skuadrës vendase, e cila ka fituar me rezultat prej 1-0.
Pas xhiros së dytë në këtë grup, Bayerni dhe Bordeaux kanë nga katër pikë, ndërsa Juventusi ka dy pikë.
Sulmuesi i Real Madridit, Karim Benzema, thotë se Mbretërit kanë gjithçka në dispozicion për ta fituar trofeun e garës më prestigjioze të futbollit evropian.
“E di se mund ta fitojmë. Futbolli është përplot befasi, por ne e duam këtë titull”. “Ky trofe ka shumë rëndësi për ne. Do të jetë vështirë, por ne kemi një skuadër të shkëlqyer”. “Ne kemi gjithçka që i nevojitet një ekipi që ta fitoje Ligën e kampionëve. Do të japim më të mirën nga vetja për të fituar, sepse ky është një titull mjaft prestigjioz dhe shumë i rëndësishëm për këtë skuadër të madhe”, ka thënë francezi për faqen zyrtare të Los Blancos.
Altin Haxhi në një duek me Agueron. Të mërkurën mbrëma zhvillohet ndeshja ndërmjet APOEL Nicosias dhe Chelseat, e vlefshme për xhiron e dytë të fazës grupore të Ligës së Kampionëve, ndërsa në skuadrën vendase pritet të aktivizohet mesfushori shqiptar, Altin Haxhi.
Duke llogaritur moshën e Haxhit (34-vjeç), trajneri i Nikosias, Ivan Jovanovic, e pushoi atë në ndeshjen e fundjavës, ashtu që të jetë në formë për takimin e mbrëmjes së sotme përballë Bluve. Haxhi është futbollisti i vetëm shqiptar që luan në Ligën e Kampionëve këtë sezon, ndërsa dy javë më parë zhvilloi ndeshje të plotë përballë Atletico Madridit, me ç’rast skuadra e tij nxori barazim në Vicente Calderon.
Alexandre Pato dhe Kaka Sulmuesi i Milanit, Alexandre Pato, ka thënë se i mungon ndikimi i Ricardo Kaka te loja e Rossonerëve.
“Kaka është një mik i mirë i imi. Më mungon, mirëpo unë dëgjohem me të”, ka thënë braziliani për revistën “Chi”. Pato ka folur edhe për formën e dobët të Milanit, duke thënë se po luajnë shumë ndeshje dhe është i bindur se së shpejti do të rikthehen në formën e tyre më të mirë.
Para ndeshjes së të mërkurës mbrëma, shefi ekzekutiv i Bayern Munichut, Karl-Heinz Rummenigge, thotë se Juventusi ka gjasa që ta fitojë Ligën e Kampionëve.
Derisa të martën, Rummenigge pohoi se Real Madridi është favorit absolut për trofeun graës më prestigjioze të futbollit evropian, ai mendon se transferi i sivjetmë i Bianconerëve, Diego, mund ta udhëheqë Zonjën e Vjetër drejt trofeve këtë sezon. “Juventusi është ndërtuar shumë mirë. Mendoj se është në gjendje që të luftojë për Scudetto dhe të arrijë sukses edhe në Ligën e Kampionëve”. “(Juve) është një ekip i ringjallur, pas asaj që ndodhi në vitin 2006 (Calciopoli). Kjo është njëra nga ndeshjet kryesore në grup, dhe pritjet janë të mëdha”, ka thënë Rummenigge për “Tuttosport”.
Sulmuesi i Marseille, Fernando Morientes, thotë se nuk ka ndonjë fshehtësi se si ta mposhtësh Real Madridin në Bernabeu, por pohon se edhe superyjet e Los Blancos mund ta kenë një ditë të keqe.
“Nuk ka fshehtësi se si të fitosh këtu (në Benabeu). Ne thjesht duhet të shpresojmë që ata të kenë një ditë të keqe, ashtu që ta shfrytëzojmë rastin”. “Ne duhet të japin 100% nga vetja (për të shënuar fitore)”, ka thënë ish-sulmuesi i Real Madridit në një konferencë për shtyp.
Të mërkurën mbrëma FC Zurich është mysafir i Milanit në San Sirto, ndërsa trajneri i zviceranëve Bernard Challandes thotë se do të provojë gjithçka për të mposhtur Rossonerët.
“Tash për tash Milani po ka probleme dhe ne shpresojmë që mund ta shfrytëzojmë rastin, por nuk është lehtë. Është e vërtetë se nuk kanë shënuar shumë gola, por njëkohësisht as nuk kanë pranuar shumë”. “Kam përcjellë ndeshjet e tyre kundër Olympique de Marseille dhe Bolognas, dhe ata nuk u jepnin shumë mundësi kundërshtarëve, prandaj do ta kemi vështirë. Megjithatë, besoj në kualitetet e skuadrës time, prandaj nuk dëshiroj të flas shumë për Milanin”, ka thënë Challandes për uefa.com.
Presidenti i Real Madridit, Florentino Perez, ka zbuluar se ai ka dashur të angazhojë dyshen italiane Francesko Totti dhe Paolo Paldini, dhe thotë se ëndërron ta ketë kundërshtar Milanin në finalen e Ligës së Kampionëve.
“Nga lojtarët në Itali, gjithmonë kam dashur ta angazhoj Tottin, por lojtarët si ai vështirë i lëshojnë klubet e tyre. E doja edhe Maldinin, doja ai të luajë në Real, por nuk është gjithçka e mundshme”, ka shtuar spanjolli.“Do të isha shumë i lumtur nëse në finalen e Ligës së Kampionëve do të takoheshim me Milanin. Kjo është ëndrra ime”, ka thënë Perez.Perez po ashtu ka thënë se ka menduar të angazhojë edhe trajnerin e tashëm të Chelseat, Carlo Ancelotti, por nuk ka gjetur kohë për ta kompletuar këtë.
Heroi i Fiorentinës, Stevan Jovetic, është i ngazëllyer pas triumfit në ndeshjen e mbrëmshme të Ligës së Kampionëve ndaj Liverpoolit.
“Ende nuk e kuptoj se çfarë kam arritur. Të shënoj dy gola kundër Liverpoolit është një gjë shumë e madhe. Dua të falënderoj bashkë-lojtarët, të gjithë kemi qenë të shkëlqyeshëm”.“Jam shumë më i qetë se vitin e kaluar dhe jam i lumtur për të gjithë golat. Të largohem nga Fiorentina? Jam mirë këtu, pjesa tjetër nuk më intereson. Baggio? Ai ka qenë një lojtar i shkëlqyeshëm, shpresoj të bëhem si ai”, ka thënë Jovetic pas ndeshjes.
Sulmuesi i Manchester Cityt, Carlos Tevez, thotë se ndryshe nga rasti kur shënoi golat kundër West Hamit, ai do të ketë kënaqësinë të festojë nëse shënon kundër Manchester United.
“Kam vendosur të mos festoj golat e mi në shenjë respekti për West Ham. Ky ishte klubi im i parë anglez dhe, në zemrën time, një pjesë e imja gjithmonë do të jetë atje. Në aspektin profesional jam vërtet i kënaqur për golat e parë të mi në City, por personalisht, do të preferoja të mposhtnim një klub tjetër”.“Në derbin kundër United po ashtu vendosa të mos festoj golin tonë, por pas trajtimit të pakëndshëm që pranova nga fansat atë ditë, kam vendosur ta ndryshoj qëndrimin tim. Nëse shënoj në takimin tjetër derbi, atëherë jam i sigurt se do të festoj”, ka thënë argjentinasi.
Menaxheri i Manchester United, Sir Alex Ferguson, thotë se sulmuesi Wayne Rooney nuk mund të krahasohet sa i takon klasit me yjet e Real Madridit, Kaka dhe Cristiano Ronaldo.
“Wayne shumë lehtë mund ta arrijë atë nivel (të Kaka dhe Ronaldo). Kur ne nënshkruam me të si fëmijë, ne vërtet menduam se ai do të bëhet një top lojtar. Pa dyshim ai shkon në atë drejtim”, ka thënë Ferguson. “Ai është i bekuar me disa prej karakteristikave të cilat vetëm futbollistët e mëdhenj i kanë. Ai ka një vendosmëri të madhe dhe uri për të fituar çdo ndeshje dhe çdo seancë stërvitore. Kjo kurrë nuk do të ndryshojë”, ka shtuar skocezi.
Ylli i Real Madridit, Kaka, thotë se fansat e Milanit, e dinë se pse ai tashmë nuk është me rosonerët.
“Transferimi im ishte i patjetërsueshëm për klubin. Gjithmonë kam lënë mundësi për të qëndruar me Milanin, ose për t’u larguar”, ka thënë Kaka.“Kur u riktheva në Milanello, shumë fansa e thërrisnin emrin tim. Ata kanë kuptuar se pse unë u largova, dhe e vërteta tashmë është kuptuar”, ka shtuar braziliani.
Menaxheri i Interit, Jose Mourinho, thotë se ai është i kënaqur pas barazimit 1-1 në Ligën e Kampionëve, ndaj Rubin Kazan.
Vendasit kaluan në epërsi me golin e hershëm të Alejandro Dominguez, ndërsa për nerazurët barazoi Dejan Stankovic që në pjesën e parë.“Duke parë rrethanat, është një pikë e fituar dhe një rezultat pozitiv. Është e qartë se ne dëshirojmë të kualifikohemi sa më herët që është e mundshme. Ne barazuam në një ndeshje e cila lehtësisht mund të ishte e humbur. Në fund, kjo më duket pozitive mua”, ka thënë Mourinho për Sky Sport Italia.
Menaxheri i Arsenalit, Arsene Wenger, ka thënë pas fitores ndaj Olympiakosit në Ligën e Kampionëve, se klubi nuk duhet të harxhojë shumë, pavarësisht se ka në dispozicion mjete financiare.
“Për faktin se klubi ka rezultate të mira financiare, çdokush dëshiron që unë t’i harxhoj ato për menjëherë. Por për momentin nuk ka afat transferues. Nuk ka një shitore për të blerë lojtarë. Nuk mund ta blini askënd, madje edhe nëse dëshironi. Është e mbyllur”, ka thënë Wenger.Wenger po ashtu ka thënë se ai është i kënaqur me paraqitjen e Andrey Arshavin, i cili shënoi njërin nga golat.“Kur luani kundër 10 personave në vetëm gjysmën e fushës, është e rëndësishme të keni lojtarë të cilët mund të luajnë në një hapësirë të ngushtë dhe Arshavin është specialist në këtë. Ai ishte i kthjellët dhe i vendosur. Në këtë lloj loje, ai gjithmonë është kërcënues”, ka shtuar Wenger.
Portieri i Fiorentinas, Sebastien Frey, duket i pushtuar pas fitores 2-0 ndaj Liverpoolit në takimin e mbrëmshëm të Ligës së Kampionëve.
“Nuk e di nëse do të shoh edhe ndonjë ndeshje tjetër si ajo, ishte e përkryer. Shpresoj. Kurrë nuk kam parë një Fiorentinë aq të mirë, veçanërisht në pjesën e parë, por edhe gjatë gjithë 90 minutave".“(Stevan) Jovetic? Jemi të lumtur që e kemi atë, pasi vitin e kaluar ai e kaloi vetëm duke iu adaptuar futbollit tonë. Tash, ai çdo herë luan dhe është vendimtar. Ai është një prej armëve më të rrezikshme të sulmit tonë”, ka thënë Frey.
Bosi i Liverpoolit, Rafa Benitez, është i bindur se ata do të jenë të gatshëm për takimin e të dielës kundër Chelseat, pavarësisht humbjes në takimin e mbrëmshëm ndaj Fiorentinës në Ligën e Kampionëve.
Klubi anglez pësoi me rezultat 2-0 në Firencë, me të dy golat e shënuar nga sulmuesi malazias Stevan Jovetic.“Mendoj se do të jetë krejtësisht ndryshe. Shpresoj se do të shihni Liverpoolin që patë në pjesën e dytë të takimit dhe do të jemi edhe më të mirë”, ka thënë Benitez.
Ylli i Real Madridit Leite Kaka ka dhënë arsyet e largimit nga Milani verën e kaluar.
Maestro brazilian është duke u kënaqur me jetën në Bernabeu, por ai gjithashtu foli dhe për largimin e tij nga Milani, duke pohuar se klubi dëshironte ta shiste.
“Shitja ime ishte e nevojshme për klubin. Gjithnjë e lash në dorë të klubit nëse donin të më transferonin apo jo.”
“Kur u ktheva në Milanello, të gjithë tifozët më mirëpritën, duke ma thirrur emrin. Ata e kuptuan arsyen se pse u largova. Në fund, gjithmonë e vërteta del në shesh.” përfundoi Kaka.