Legjenda italiane Roberto Baggio është i mendimit që Juventusi mund ta fitojë Scudetton këtë sezon.
“Bianconerët janë më të fortë sesa ishin sezonin e kaluar, dhe mendoj se mund ta fitojnë Scudetton”, ka thënë ish-sulmuesi i Juves. Të dielën, bardhezinjtë udhëtojnë në Palermo ku do të mundohen të nxjerrin tri pikë për t’i konkurruar Sampdorias në tabelë.
Të shtunën mbrëma Interi është nikoqir i Udineses në Giuseppe Meazza, ndërsa sulmuesi mysafir Antonio Di Natale thotë se është i përgatitur për të shënuar në portën e zikaltërve.
‘Toto’ ka shënuar tetë gola në gjashtë ndeshjet e para duke arritur rekordin e vendosur nga Gabriel Batistuta para dhjetë vitesh. “Julio Cesar është një portier i mirë, por unë do të mundohem të shënoj kundër tij”. “Mendoj se mund t’i vëmë në vështirësi me mënyrën tonë të lojës. Ata nuk e kanë pasur asnjëherë të lehtë që të fitojnë ndaj nesh”, ka thënë Di Natale për “Tuttosport”.
Ish-trajneri i Milanit, Alberto Zaccheroni, mendon se trajneri aktual i Rossonerëve, Leonardo, ka nevojë për më shumë kohë për të ndërtuar një sistem të mirë të lojës.
“Leonardo është sikurse Pato. Është i ri dhe nevojitet durim. Kur një trajner përjeton përvojën e parë, atëherë rezultatet do të vijnë më vonë”. “Nuk mendoj se Milani është në krizë. Kampionati është ende i hapur”, u ka thënë Zaccheroni gazetarëve.
Sulmuesi i Barcelonës, Zlatan Ibrahimovic, mund të thyejë rekord të ri në Camp Nou nëse arrin të shënojë gol kundër Almerias në ndeshjen e të shtunës mbrëma.
Nëse Ibracadabra shënon, ai do të jetë sulmuesi i parë i Barcelonës që ka shënuar në të gjitha gjashtë ndeshjet e para të sezonit, duke tejkaluar Cesar Rodriguezin, i cili ka shënuar në pesë ndeshjet e para të sezonit 1950/1951. Nëse Ibra thyen këtë rekord, ai do të jetë në rrugë për të thyer edhe rekordin tjetër,të vendosur nga legjendari Ronaldo, i cili në sezonin 1996/1997 shënoi në dhjetë ndeshje radhazi.
Piloti i skuderisë Red Bull, Sebastian Vettel, ka siguruar ‘pole position’ për garën për Çmimin e Madh të Japonisë që mbahet të dielën në Suzuka.
Piloti i Toyotas, Jarno Trulli, do të startojë i dyti, ndërsa Lewis Hamilton (McLaren) dhe Adrian Sutil (Force India) pas tij. Lideri i Kampionatit të sivjetmë në Formula 1, Jenson Button, ka siguruar vetëm vendin e shtatë, dy pozita prapa bashkanëtarit të Brawn GP dhe sfiduesit kryesor për titull, Rubens Barrichello. Për të siguruar Kampionatin, Button duhet të fitojë me pesë pikë diferencë nga Barrichello në Japoni.
Sulmuesi i Juventusit, Vincenzo Iaquinta, kërkon pikë të plota nga udhëtimi në Palermo.
Zonja e Vjetër ka barazuar katër ndeshje radhazi (dy në Serie A dhe dy në Ligën e Kampionëve), prandaj Iaquinta mendon se është koha për fitore. “Do të shkojmë në Palermo për të fituar tri pikë. Ne përballemi me çdo skuadër për fitore. Edhe kundër Munichut bëmë disa gabime dhe për këtë arsye duhet të përmirësohemi, mirëpo jemi në rrugën e duhur”. “Kemi mentalitet të shkëlqyer për të zhvilluar një sezon të jashtëzakonshëm në Serie A dhe të shfaqim një fushatë të mirë në Ligën e Kampionëve”, ka thënë italiani për itasportpress.it.
Trajneri i Chelseat, Carlo Ancelotti, kërkon nga lojtarët e tij që të përdorin inteligjencën në ndeshjen e të dielës kundër Liverpoolit në Stamford Bridge.
“Objektivi ynë është që të luajmë mirë, sepse nëse luan mirë, atëherë mund të fitosh. Do të më pëlqente ta shihja Chelsean duke kontrolluar lojën me inteligjencë të dielën”. “Nuk do të jetë lehtë përballë Liverpoolit, sepse ata kanë një organizim të mirë në mbrojtje, dhe njëkohësisht shfrytëzojnë kualitetin e lojtarëve ofanzivë-si Torres dhe Gerrard për të sulmuar”, ka thënë Ancelotti në një konferencë për shtyp.