Festa e andaluzianëve pas golit të Navas. Në sfidën e parë të vërtetë, në mungesë të Cristiano Ronaldos, Real Madridi ka pësuar humbje nga Sevilla, në ndeshjen e zhvilluar të dielën mbrëma në Roman Sanchez Pizjuan, me rezultat 2-1.
Një fitore plotësisht e merituar e andaluzianëve, të cilët vunë në vështirësi Los Blancos gjatë gjithë ndeshjes. Vendasit kaluan në epërsi me anë të Jesus Navas në minutën e 33-të dhe me këtë rezultat përfundoi edhe pjesa e parë e takimit. Në minutat e para të pjesës së dytë (49’), Mbretërit arritën ta barazojnë rezultatin, mirëpo ky gol ishte krejt çka treguan në këtë ndeshje. Renato ishte heroi i Sevillas në mbrëmjen e sotme, pasi që shënoi golin e dytë dhe të fitores (66’), për t’ia shkaktuar Realit ndalesën e parë të sezonit. Pas kësaj ndeshjeje, Barcelona qëndron në krye të tabelës me tri pikë diferencë nga Real Madridi dhe Sevilla që tashmë kanë pikë të barabarta.
Festa e lojtarëve të Palermos. Juventusi ka pësuar humbjen e parë të sezonit në Serie A, pasi është mposhtur në udhëtim te Palermo.
Takimi i zhvilluar të dielën mbrëma në Stadio Barbera, ndërmjet Palermos dhe Juventusit, ka përfunduar me fitoren e sicilianëve me rezultat 2-0. Vendasit shënuan dy herë në pjesën e parë, me anë të Edinson Cavanit (37’) dhe Fabio Simplicios (42’) për t’ia shënuar humbjen e parë të sezonit Zonjës së Vjetër. Pas kësaj humbjeje, Juve pozicionohet në vend të tretë me 14 pikë, aq sa ka edhe Fiorentina që mban vendin e katërt, ndërsa Sampdoria dhe Interi mbajnë dy vendet e para me nga 16 pikë.
Deco dhe Anelka festojnë golin e parë Supersfida e javës së tetë në Premier Ligë është zhvilluar në Stamford Bridge ndërmjet Bluve dhe Të Kuqve.
Ndeshja e zhvilluar të dielën, ndërmjet Chelseat dhe Liverpoolit, ka përfunduar me fitoren e vendasve me rezultat prej 2-0. Pjesa e parë e kësaj sfide përfundoi pa gola, mirëpo nuk ndodhi ashtu në pjesën e dytë. Pas plotësisht një orë lojë, Chelsea arriti deri te goli i avantazhit, kur Didier Drogba pasoi te partneri i tij në sulm, Nicolas Anelka, i cili ndëshkoi portierin Pepe Reina, dhe skuadrën e tij të dikurshme. Derisa mysafirët nuk arritën ta barazojnë rezultatin, Blutë shënuan sërish në minutat shtesë të takimit (90’+1), me golin e Florent Malouda, derisa edhe në këtë gol asistues ishte Didier Drogba. Me këtë fitore Blutë marrin kreun e tabelës me dy pikë më shumë se Manchester United që gjendet në vendin e dytë.
Kampioni në fuqi Raiffeisen Superligës, Prishtina, është turpëruar para tifozëve të vet, pasi është mposhtur me rezultat të lartë nga fituesi i Kupës së Kosovës, Hysi.

Takimi zhvilluar të dielën në Stadiumin e qytetin ndërmjet Prishtinës dhe Hysit, ka përfunduar me fitoren e lartë të skuadrës mysafire prej 4-1.

Ndeshja e rivalëve të vjetër Besa dhe Trepça që u zhvillua në stadiumin “Shahin Haxhiislami” në Pejë ka përfunduar pa gola, megjithatë Trepça mbetet në krye të tabelës me pikë të barabarta me Flamurtarin që e ka mposhtur Lirinë me rezultat minimal prej 1-0.

Vëllaznimi është mposhtur nga Ferizaji me rezultat 1-0, para tifozëve të vet në stadiumin e qytetit në Gjakovë.


Në javën e njëmbëdhjetë (7 tetor) takohen:


Hysi - Vëllaznimi
Gjilani - Prishtina
Trepça - Drenica
Liria - Besa,
Kosova - Flamurtari
Ferizaj - KEK