Presidenti i FIFA-s, Sepp Blatter, ka njoftuar se komisioni disiplinor i kësaj organizate do të hapë një rast kundër trajnerit të Argjentinës, Diego Maradona, si pasojë e reagimit të tij pas kualifikimit të Argjentinës në Kampionatin Botëror.
“Njoftimet që i kemi marrë deri më tani nuk na japin alternativë tjetër veçse të kërkojmë nga komiteti disiplinor i FIFA-s që të fillojë një rast kundër trajnerit Diego Armando Maradona”, tha Blatter.

Pas fitores kundër Uruguait, kur edhe siguroi kualifikimin për Kampionatin Botëror, Maradona i ofendoi kritikët e tij, sidomos gazetarët, të cilët vazhdimisht kishin krijuar presion ndaj tij.
Simboli i Romës, Francesco Totti, ka njoftuar se ai ka refuzuar katër oferta së fundmi me qëllim që ta vazhdojë qëndrimin e tij te Giallorossët.
Pritet që kapiteni së shpejti të nënshkruajë kontratë pesëvjeçare me skuadrën kryeqytetase, mirëpo për shkak të disa hezitimeve nga Roma për t’ia vazhduar kontratën, kanë reaguar menjëherë disa skuadra për të shprehur interesimin e tyre për Tottin.

“Së fundmi kam pasur katër oferta. Një klub i madh italian dhe tri skuadra të huaja më bënë oferta, por unë do të nënshkruaj kontratë të re me Romën, dhe krejt çka mungon është një marrëveshje pas karrierës time (si futbollist aktiv)”, ka thënë Totti për revistën “Rivista Romanista”.
Menaxheri i Manchester Cityt, Mark Hughes, beson se sulmuesi brazilian Robinho ka një të ardhme afatgjate në Eastlands.
Ish-lojtari i Real Madridit, i cili është jashtë fushe për shkak të lëndimit në gju, javën e fundit vazhdimisht është lidhur me një kalim në Barcelona, por Hughes thotë se nuk ka ndërmend të heqë dorë nga shërbimet e tij.

“Gjithmonë ka spekulime rreth të ardhmes së Robinhos. Kështu ishte edhe kur ai erdhi në fillim në klub. Ai është një djalosh i shkëlqyeshëm”.

“Ne nuk jemi në proces të shitjes së lojtarëve më të mirë të ekipit. Ne dëshirojmë t’i ruajmë futbollistët e shkëlqyeshëm. Ne synojmë kah ndërtimi i një ekipi dhe jo kah shkatërrimi i tij”, ka thënë Hughes për mediat angleze.
Strategu i Interit, Jose Mourinho, ka pranuar se Samuel Eto’o ka pak gjasa për të luajtur në takimin derbi të vikendit përballë Genoas, por ka besim në aftësitë e David Suazo.
“Ndeshja e nesërme nuk do të jetë monolog, do të jetë dialog, dhe të dy ekipet do të luajnë lojë të hapur. Pres rënie individuale të lojtarëve të caktuar, por pres luftë ekipore”, ka thënë Mourinho në konferencën e sotme të shtypit.

“Eto’o? Ai duhet të stërvitet dhe të tregojë se është i aftë për lojë, nuk do të luajë nëse nuk është i gatshëm. Suazo mund të jetë lojtarë kyç në takimin e nesërm, por ai ishte në detyrë me kombëtaren dhe ende nuk ka arritur”, ka shtuar portugezi.
Sulmuesi i Sevillas, Alvaro Negredo, thotë se ai nuk është i interesuar të rikthehet te Real Madridi.
Negredo u raportua se mund të rikthehet në Santiago Bernabeu me Realin që mund ta humbë Ruud van Nistelrooyn, kontrata e të cilit skadon në fund të këtij sezoni. Por një të tillë e ka mohuar vetë lojtari.

“Fansat e Sevillas nuk duhet të mendojnë për këtë. Mendja ime është te Sevilla. Jam i lumtur pasi këtu më kanë dhënë mundësinë të luaj për një ekip të madh dhe gjithmonë duhet të jem mirënjohës. Kam nënshkruar kontratë pesëvjeçare dhe dua të kjo të mbyllet”, ka thënë Negredo.
Sulmuesi anglez Wayne Rooney nuk është në kombinim për takimin e të shtunës ndaj Bolton Wanderers, që do të zhvillohet në Old Trafford.
Rooney u lëndua gjatë kohës sa ishte në detyrë me kombëtaren angleze dhe mund të mungojë edhe në takimin e Ligës së Kampionëve kundër CSKA Moskës. Por në ekipin e Sir Alex Ferguson është rikthyer portieri Edwin van der Sar.

“Rooney nuk është në kombinim për takimin me Boltonin, kjo është e sigurt. Dhamë maksimumin për ta pasur të gatshëm për takimin e të mërkurës, por ai mbetet i dyshimtë edhe për këtë takim”, ka thënë Ferguson në konferencën e sotme të shtypit.

“Edwin është i gatshëm dhe nesër mund të luajë. Ndeshja me ekipin rezervë ishte e mirë për moralin e tij dhe vetëbesimin”, ka shtuar skocezi.
Milan ka kthyer vëmendjen kah mbrojtësi i ekipit turk Fenerbahce, Andre Santos, shkruajnë mediat italiane.
Sipas Sportmediaset, Milani është duke synuar të transferojë Santos pasi dështoi të mbyllë transferimin e Aly Cissokho gjatë kësaj vere.

Në anën tjetër edhe Fenerbahce thuhet se është e gatshme të shesë lojtarin, por nuk do të marrë parasysh asnjë ofertë e cila është nën vlerën e 8 milionë funteve.
Trajneri i kombëtares italiane Marcello Lippi ka thënë se ai ka qenë ca i ‘ashpër’ kur ka thënë se fansat e azurëve janë ‘turpërim absolut’.
“E nxora me vrull dhe mbase ishte ca e ashpër por, duke njohur djelmoshat dhe çfarë entuziazmi, pasioni dhe urie kishin ata, nuk mund të qëndroja i qetë”.

“Isha i nervozuar dhe reagova, por kjo është mënyra se si unë i mbroj ata. Kritikat dhe fishkëllimat gjithmonë kanë qenë ngazëlluese, edhe ato të drejtuara ndaj meje, por unë mbetem në detyrën time për të realizuar qëllime të caktuara”, ka thënë Lippi.

Azurët u kualifikuan për të Kupën Botërore, Afrika e Jugut 2010, duke u renditur në pozitën e parë të grupit.
Kampioni i Spanjës dhe Evropës, Barcelona, raportohet se është duke menduar të përfshijë sulmuesin francez Thierry Henry në marrëveshje, në tentim për të sjellë në Camp Nou yllin brazilian të Manchester Cityt, Robinho.
Daily Mail shkruan se Barcelona do të kërkojë të marrë shërbimet e Robinhos që në afatin kalimtar të janarit, ndërsa nëse në drejtim të kundër lëviz Henry, trajneri i Cityt Mark Hughes, mund të pajtohet të heqë dorë nga shërbimet e brazilianit.

Krahas Henry, edhe kapiteni Carles Pyyol përmendet si një opsion i mundshëm për të kaluar në Ligën Premier.
Kapiteni i Arsenalit, Cesc Fabregas, thotë se ai tash është më i vendosur se kurrë të fitojë titullin e Ligës Premier.
Mesfushori spanjoll pranon se Liga Premier është titulli më i vështirë për t’u fituar dhe do të bëjë gjithçka në fuqinë e tij për të ndihmuar topçinjtë të bëhen kampionë.

“Kam kuptuar çdo vit se sa e madhe është Liga Premier. Derisa rriteni qëllimi juaj është Liga e Kampionëve dhe Kupat e Botës. Por, sapo luani këtu, kuptoni se si fansat jetojnë për Ligën Premier”.

“Liga është vërtet konkurruese dhe më pëlqen shumë. Mendoj se në Angli, Liga Premier është më e madhja. Të gjitha top ekipet evropiane dëshirojnë t’i fitojnë ligat e tyre, por ajo angleze është më e vështira për t’u fituar. Dua ta fitoj atë tash, edhe më shumë se sa kur kam arritur së pari”, ka thënë kapiteni i topçinjve.
Klubi spanjoll Atletico Madrid raportohet se dëshiron të transferojë mesfushorin e Arsenalit, Emmanuel Eboue, sipas mundësive në muajin janar.
Përfaqësuesi i Bregut të Fildishtë është lidhur me Atletico Madridin edhe gjatë kësaj vere, por klubi spanjoll nuk dëshironte të paguajë shumën e kërkuar nga topçinjtë, që arrin vlerën e 9 milionë funteve.

Por tash duket se spanjollët dëshirojnë të ngritin ofertën e tyre, pas fillimit të dobët të sezonit në La Liga. Menaxheri Abel Resino është i etur të transferojë Eboue për t’i dhënë një stimulim ekipit të tij, por vetëm nëse edhe 26 vjeçari do të pajtohet të qëndrojë në linjën e pagave të këtij klubi.
Menaxheri i Chelseat, Carlo Ancelotti, thotë se kapiteni i bluve John Terry është një lojtar shumë i rëndësishëm në Stamford Bridge, po aq sa ishte mbrojtësi Paolo Maldini për Milanin.
Ancelotti këtë verë u largua nga rosonerët duke marrë drejtimin e Chelseat, ndërsa edhe Maldini u pensionua dhe që të dy lanë një zbrazëtirë të madhe që u vërejt këtë fillim sezoni te Milani.

“Sikur Maldini në Milan, Terry është lindur në këtë klub. Si Maldini, ai ka kaluar nëpër akademinë e këtij klubi. Dhe ai ka një ndjenjë të mirë për këtë klub, që është shumë e rëndësishme”, ka thënë Ancelotti për BBC.
Sulmuesi i Barcelonës, Thierry Henry, do të qëndrojë dhjetë ditë jashtë fushe si pasojë e një lëndimi që pësoi me përfaqësuesen e Francës në ndeshjet kualifikuese për Kampionatin Botëror.
Stafi mjekësor i Barcës ka vërejtur një lëndim te francezi, ndërsa “Marca” njofton se ai do të mungojë në ndeshjen e rëndësishme të cilën Blaugranët e zhvillojnë në Mestalla kundër Valencias.

Nga ana tjetër, lajme të mira vijnë sa i përket Zlatan Ibrahimovicit, i cili pësoi një lëndim të gjurit gjatë ndeshjes kundër Shqipërisë, mirëpo lëndimi është i lehtë dhe Ibracadabra pritet të jetë në fushë të shtunën mbrëma kundër Los Che.
Simone Perrotta, Foto:AP ~ SportiSot.Këtë fundjavë Roma do të jetë mysafir i Milanit në San Siro për ta zhvilluar ndeshjen e javës së tetë në Serie A, ndërsa mesfushori romak Simone Perrotta thotë se Rossonerët do të jenë një test i vështirë për Romën.

“Mendoj se pavarësisht të gjithave, Milani është njëra nga skuadrat më të forta në Kampionat. Mendoj se dallimi i vetëm është se ata e kanë shitur një lojtar të madh si Kaka, dhe të gjithë e dinë se ai ka qenë çelësi i lojës së tyre. Pastaj u largua edhe trajneri...”.

“Skuadra jonë ka mbetur e njëjta, ndoshta kemi më shumë entuziazëm dhe mentalitet tjetër, ndërsa nën udhëheqjen e Ranierit kanë filluar të vijnë rezultatet. Duhet të luajmë deri në fishkëllimën e fundit, ne jemi Roma dhe mund ta mposhtim këdo”, ka thënë Perrotta për “Il Corriere dello Sport”.