Tommaso Rocchi ka shënuar një gol të vonshëm për t’i dhënë fitoren Lazios në derbin e sotëm italiano-spanjoll të Europa League përballë Villarrealit të zhvilluar në Olimpiko të Romës.

Argjentinasi Mauro Zarate i kaloi italianët në epërsi pas 20 minutash lojë, me Sebastian Eguren që barazoi pas po kaq minutash tjera (40’).

Vendasit pësuan një goditje kur Francelino Metuzalem u përjashtua nga loja në minutën e 68-të të lojës për shkak të dy kartonëve të verdhë. Por kjo nuk i ndaloi italianët të nxjerrin tre pikë, të cilat i siguroi kapiteni i ekipit, Rocchi, në kohën shtesë të ndeshjes.

Ky është takimi i dytë brenda dy ditëve në garat evropiane që një ekip italian del fitues ndaj një ekipi spanjoll. Dje Milani mposhti me rezultat 3-2 Real Madridin në takimin e Ligës së Kampionëve të zhvilluar në Bernabeu.

Në ndeshjen tjetër të grupit G të Ligës së Evropës, Red Bull Salzburg ka shënuar fitore minimale ndaj bullgarëve të Levski Sofia, për të ruajtur kreun e tabelës. Austriakët kanë maksimumin e pikëve, nëntë nga tre takime, dhe ndiqen në pozitën e dytë nga Lazio me gjashtë pikë.
Portugezët e Benficas kanë dërrmuar ekipin e Evertonit në takimin e sotëm të Ligës së Evropës, duke e mposhtur në fushë vendore me rezultat të thellë prej 5-0.

Evertoni kishte dy fitore në dy takimet e para të kësaj gare dhe pësoi humbjen e parë në mënyrën më të papritur. Nga dy gola shënuan Javier Saviola (14’ dhe 83’) dhe Oscar Cardozo, ky i fundit brenda një minute (47’ dhe 48’), ndërsa në listën e golashënuesve u përfshi edhe kapiteni Luisao (52’).

Në takimin tjetër të Grupit I, BATE Borisow u rikthye nga disavantazhi 1-0, për të fituar në fund me 2-1 në fushë vendore ndaj AEK. Grekët në fund mbetëm me nëntë lojtarë në fushë pas përjashtimit të Majstorovic (53’) dhe Arce (90’).

Benfica kryeson grupin me gjashtë pikë, sa ka edhe Evertoni, derisa BATE dhe AEK mbeten në kuotën e tre pikëve.
Mbrojtësi i Liverpoolit, Andrea Dossena, beson se ekipi i tij do të kthehet në formën më të mirë pas paraqitjeve të dobëta në katër ndeshjet e fundit.

Të dielën Liverpooli do të jetë nikoqir i Manchester Unitedit në Anfield, ndërsa mbrojtësi italian mendon se Redsat mund të kthehen pikërisht nga kjo ndeshje.

“Mendoj se mund të rikthehemi. Nuk kemi fituar në katër ndeshjet e fundit, ndërsa sërish kemi ndeshje të vështira kundër Manchester United dhe Lyon”.

“Shpresojmë që të rikuperohen Fernando Torres, Albert Riera dhe Steven Gerrard, të cilët janë lojtarët kryesorë në këtë skuadër”, ka thënë Dossena për Tuttonapoli.it.
Gonzalo Higuain i ka dalë në mbrojtje trajnerit të Real Madridit, Manuel Pellegrini, pas humbjes së të mërkurës mbrëma në Santiago Bernabeu.
Mbretërit shpenzuan afër 250 milionë euro gjatë këtij afati kalimtar për të ndërtuar një skuadër të fortë, ndërsa në dy ndeshjet ‘e vërteta’ (kundër Sevillas dhe Milanit) Reali dështoi. Këto dy humbje kanë filluar të nxisin kritika se Pellegrini nuk është trajner i cili mund të drejtojë ndeshje të rangut të lartë. Mirëpo sulmuesi argjentinas i ka dalë në krah trajnerit të tij duke thënë se ai është i aftë ta drejtojë Realin. “Padyshim që është. Kjo është arsyeja që ai është sjellë këtu. Ai po ashtu ka skuadrën e duhur me të cilën mund të arrijë sukses”. “Duhet të përmirësohemi në mbajtjen e formës nëpër ndeshje të ndryshme... Gjithçka varet nga ne, ne jemi aq të mirë saqë mund të arrijmë atë që duam”, ka thënë Higuan në një konferencë për shtyp të enjten.
Sulmuesi italian Christian Vieri thotë se nuk dëshiron më t’i kthehet futbollit pasi që i mungon vullneti për të luajtur.
“Nuk kam më vullnet për të luajtur, madje nuk joshem as nga skuadrat jashtë vendit”, u ka thënë Vieri gazetarëve në Milano. Ish-sulmuesi i Interit mori pjesë në një seancë gjyqësore, në kuadër të padisë që ka ngritur kundër Nerazzurëve, për të cilët thotë se ia kanë përgjuar telefonin gjatë kohës kur ka luajtur atje.
Sulmuesi i Milanit, Ronaldinho, beson se fitorja e të mërkurës mbrëma në Santiago Bernabeu kundër Real Madridit, mund të jetë pikë kthyese drejt sukseseve të Rossonerëve.
“U kthyem në Milano mëngjesin e sotëm dhe jemi shumë të lumtur, sepse shkruam historinë, duke qenë se kjo ishte hera e parë që kemi fituar në Bernabeu, prandaj jemi të kënaqur”. “Ishte shumë e rëndësishme për ne në rrugën për të vazhduar tutje në Ligën e Kampionëve. Këto pikë janë të çmueshme. Dëshmuam se mund të luajmë mirë”. “Megjithatë, ende nuk ka marrë fund, sepse kemi ndeshje të vështira, por kjo do të na bëjë më të fortë”, ka thënë braziliani për “Sky Sport Italia”.
Kapiteni i Chelseat, John Terry, është shprehur i kënaqur me fitoren e të mërkurës mbrëma kundër Atletico Madridit në kuadër të fazës grupore të Ligës së Kampionëve.
“Mendoj se bëmë atë që duhej pas humbjes zhgënjyese nga (Aston) Villa, dhe morëm atë që deshëm”. “Mendoj se kemi filluar mirë në Ligën e Kampionëve me tri fitore të pastra”, ka thënë Terry për faqen zyrtare të Bluve.
Kampioni i Spanjës dhe i Evropës, Barcelona, raportohet se është e gatshme të harxhojë për të transferuar sulmuesin e Ajaxit, Luis Suarez.
Drejtuesit e klubit holandez deklaruan këtë javë se ata do të dëgjojnë seriozisht ofertat për lojtarin e kombëtares së Uruguait, i cili aktualisht është golashënuesi më i mirë në kampionatin holandez.Burime nga Barcelona bëjnë të ditur se ky ekip ka kthyer vëmendjen kah Suarez pasi është lodhur me përpjekjet për të transferuar Robinhon nga Manchester City. Për të hequr dorë nga shërbimet e Suarez, Ajax mendohet se do të kërkojë 16 milionë funte.
Ish-trajneri i kombëtares gjermane, Jurgen Klinsmann, është duke u lidhur me një angazhim sensacional të ekipit të ligës së dytë spanjolle, Real Betis.
Përpjekja e Betis për të dalë në Primera Divizion është duke dështuar nën drejtimin e trajnerit Antonio Tapia dhe drejtuesit e klubit janë duke menduar të bëjnë ndryshime. Burime nga Sevilla bëjnë të ditur se ish-trajneri i Bayern Munichut dhe i kombëtares gjermane, Klinsmann, është një prej opsioneve të klubit spanjoll.Klinsmann është jashtë futbollit që kur u largua nga Bayern Munich sezonin e kaluar dhe nuk e ka përjashtuar një rikthim në stolin e menaxherit, pavarësisht përvojave të vështira.
Në prag të takimit të Ligës së Evropës në mes të Villarrealit dhe Lazios, sulmuesi i ekipit spanjoll, Giuseppe Rossi, thotë se di gjithçka për trajnerin e ekipit kundërshtar, Davide Ballardini.
Para kalimit në Manchester United, Rossi kishte punuar me Ballardinin te Parma dhe thotë se njeh mirë taktikën e këtij të fundit.“E kam pasur atë trajner për dy vite në Parma. Edhe ai dhe lojtarët e tij më njohin mua shumë mirë. Presim një ndeshje shumë të vështirë, por mund të rikuperohemi dhe të bëjmë lojë të mirë. Personalisht nuk kam shumë fat për momentin me përfundimet e mia, megjithëse jam i sigurt se golat do të vijnë”.“Një kalim në Juventus? Janë vetëm artikuj në gazeta, ka shumë pak të vërtetë në gjithë atë që lexoni”, ka thënë Rossi.
Ylli i Real Madridit, Leite Kaka, ka mbetur kokulur pas humbjes 3-2 nga ish-klubi i tij, Milani, në takimin e mbrëmshëm të Ligës së Kampionëve në Bernabeu.
“Jam i zhgënjyer që Pato luajti aq mirë sonte kundër ekipit tim. Por ai është një sulmues i shkëlqyeshëm dhe nuk është e drejtë që të bëhet aq shumë presion mbi shpatullat e tij. Ai së shpejti do të tregojë se çfarë mund të bëjë”, ka thënë kaka.“Pas gjashtë vitesh të kaluara në Milan, e di se ky ekip gjithmonë del në pah në momente vendimtare të Ligës së Kampionëve. Ata e kanë këtë aftësi dhe vendosmëri. Sidoqoftë, Leonardo na befasoi kur nxori në fushë një formacion shumë sulmues dhe shumë agresiv”.“Ishte një ndeshje me shumë emocione, të përballem me ish-bashkëlojtarët dhe klubin tim të vjetër. Ne kemi pritur fitore për të qenë më të qetë në grup, por nuk e arritën dhe shpresoj se së shpejti të rikthehemi në rrugë të duhur, për të përfunduar fazën e grupeve ashtu siç duhet”, ka shtuar braziliani.Megjithatë Kaka mendon se barazimi do të ishte rezultati i duhur, pasi thotë se arbitri ua ka mohuar mbretërve një penalti.“Në pjesën e parë kemi luajtur shumë mirë. Nuk dua të flas shumë për arbitrin, por mendoj se ndërhyrja e Gianluca Zambrotta në Karim Benzema ishte penalti”, ka thënë më tej ish-mesfushori i Milanit.
Menaxheri i Evertonit, David Moyes, ka frikë nga rivali i sotëm i Ligës së Evropës, Benfica, veçanërisht nga lojtarët jugoamerikan të këtij ekipi.
Klubi portugez ka nënshkruar me dyshen e Real Madridit, Saviola dhe Javi Garcia, mesfushorin e Cruzeiros, Ramirez, dhe atë të Real Zaragozas, Pablo Aimar.“Ne kemi shumë pak opsione dhe lojtarët që kemi do të duhet të përballen me këtë situatë. Ka mundësi që një nga lojtarët e rinj të ketë shansin, por do të mendohem për këtë”, ka thënë Moyes.“Ne luajmë kundër një ekipi të mbushur me brazilianë dhe argjentinas, dhe vetëm dëshiroja ta nxjerr formacionin më të fuqishëm. Ata janë vërtet një ekip shumë sulmues. Aimar dhe Ramirez janë një kërcënim i madh që nga mesfusha, ndërsa Saviola në ballë të golit”.“Aimar ka rikthyer veten në kombëtaren argjentinase gjatë disa ndeshjeve të fundit dhe është me ndikim në Benfica. Është e qartë se do të na duhet shumë punë për t’ia dalë”, ka shtuar anglezi.
Antonio Valencia ka filluar të përshtatet mirë në Manchester United, sipas menaxherit të klubit anglez Sir Alex Ferguson.
Ekuadoriani, i cili erdhi në Manchester nga Wigan Athletic gjatë kësaj vere, shënoi golin e parë me United në Ligën Premier në fitoren ndaj Boltonit gjatë vikendit dhe e përsëriti atë duke shënuar edhe golin e fitores në takimin e mbrëmshëm të Ligës së Kampionëve ndaj CSKA Moskës.“Ai ka qenë disa pikë plus në dy javët e fundit. Ai është duke u adaptuar në klub, vetëbesimi i tij është më i fuqishëm dhe ai ka vlera të larta, fuqi, ekuilibër, këmbë dhe një harkim të mirë të topit”.“Ajo ku ai nuk ishte dëshmuar ishte aftësia për të shënuar gola. Kemi thënë kur nënshkruam me të se kjo do të ishte sfida e tij për t’u përmirësuar si futbollist. Tash ai ka shënuar dy gola në dy ndeshje dhe kjo do t’i ndihmojë atij”, ka thënë trajneri skocez.
Sulmuesi i Chelseat, Salomon Kalou, ka pranuar lëvdata nga menaxheri i klubit Carlo Ancelotti, për paraqitjen e mbrëmshme në Ligën e Kampionëve kundër Atletico Madrid.
Lojtari nga Bregu i Fildishtë shënoi dy gola, një në fund të pjesës së parë (41’) dhe një në fillim të pjesës së dytë (52’), për të ndihmuar blutë të shënojnë fitore me rezultat 4-0 ndaj ekipit spanjoll.“Ndeshja ishte e ekuilibruar. Por pas golit të parë të Kalou ne bëmë një lojë të mirë, një ndryshim në sulm dhe luajtëm shumë mirë. Kalou është një lojtar i rëndësishëm për ne, pasi kur jemi pa Drogban, ai mund të luajë dhe të luajë mirë”.“Ai e filloi ndeshjen jo aq mirë pasi bëri disa gabime të mëdha, por pati motivim dhe fokusim të mirë në këtë ndeshje për të shënuar dy herë më pas. Për të ka qenë shumë e rëndësishme të shënojë. Edhe për ne. Ai luajti shumë mirë”, ka thënë Ancelotti pas ndeshjes.
Gjiganti italian Juventus raportohet se është duke kërkuar mesfushorin shqiptar të West Ham United, Valon Behrami.
Sipas Daily Mail, trajneri i biankonerëve, Ciro Ferrara, është në kërkim të një mbrojtësi të ri të krahut të djathtë dhe drejtori sportiv i klubit, Alessio Secco ka shtuar edhe kosovarin me nënshtetësi zvicerane në këtë listë.24-vjeçari Behrami është një opsion ideal për biankonerët pasi ai mund të luajë përgjatë gjithë krahut të djathtë si dhe në qendër të mesfushës, ndërsa tashmë është i njohur mirë në Serie A, pas disa sezoneve mbresëlënëse që i kaloi në Lazio.Problemet financiare të West Hamit dhe sezoni jo aq mirë i filluar, mund ta detyrojnë klubin ta shndërrojë lojtarin në para që në afatin kalimtar të janarit.Juventusi është lidhur edhe një varg lojtarësh tjerë si Pablo Zabaleta (Manchester City), dyshen e Arsenalit, Bacary Sagna dhe Emmanuel Eboue, Marco Motta (Roma), dhe me dy lojtarët e Bundesligës, Andreas Beck (Hoffenheim) dhe Rafinha (Schalke).
Sulmuesi i Manchester Cityt, Craig Bellamy, thotë se ai ka më shumë kënaqësi kur krijon gola se sa kur i shënon ato.
Bellamy ka qenë larg formës së tij golashënuese këtë sezon, por sulmuesi uellsian mbrohet duke thënë se ai më shumë preferon të asistojë.“Më shumë preferoj të krijoj gola për dikë. Kurrë nuk e kam ndërtuar ndeshjen time duke u bazuar në gola, është më shumë paraqitja dhe etika e punës. Mendoj se fansat më përshëndesin duke më dhënë gjithçka”.“Dua të jam gjithçka pasi e di se jam një lojtar i kufizuar. Nëse e bëj këtë, kjo më jep shansin më të mirë të luaj mirë”, ka thënë sulmuesi i Cityt.
Menaxheri i Liverpoolit, Rafa Benitez, thotë se ai i ka thënë drejtpërdrejt Barcelonës se Javier Mascherano nuk është për shitje.
Drejtori sportiv i Barcelonës, Txiki Begiristain, u përpoq të nënshkruajë me argjentinasin gjatë verës së kaluar dhe mbetet në ndjekje të tij edhe për afatin kalimtar të janarit.“Txiki Begiristain më kontaktoi por ia bëra të qartë se Javier nuk është për transferim, duke e ditur shumë mirë se Xabi Alonso ishte në rrugë për në Real Madrid. Barcelona mund të kishte bërë një ofertë shumë të rëndësishme për Javier, por ata kur nuk e bënë”, ka thënë Benitez për El Mundo Deportivo.“Ai është një lojtar shumë i rëndësishëm për ne, për ekipin tonë. Ai ka kontratë të mirë dhe duhet ta respektojë atë, siç edhe po bën”, ka shtuar spanjolli.
Grafite u përjashtua me karton të kuq. Wolfsburgu dhe Besiktasi kanë luajtur baras në ndeshjen e zhvilluar të mërkurën mbrëma në Volkswagen Arena.
Kampioni gjerman nuk ka arritur të shënojë fitore si nikoqir i skuadrës turke në ndeshjen që ka përfunduar pa gola, duke përmendur se në pesëmbëdhjetë minutat e fundit të ndeshjes, vendasit luajtën me një lojtar më pak, pasi Grafite u përjashtua me karton të kuq. Takimi tjetër i Grupit B është zhvilluar më herët ndërmjet CSKA Moskës dhe Manchester Unitedit, me ç’rast mysafirët kanë shënuar fitore minimale prej 1-0. Golin e vetëm për Djajtë e Kuq e shënoi Valencia për të siguruar pikë të plota nga të tria takimet e fazës grupore. Pas kësaj xhiroje, në Grupin B prin Manchester Unitedi me nëntë pikë, ndërsa Wolfsburgu mban vendin e dytë me katër pikë.
Juventusi ka regjistruar fitoren e parë në fazën grupore të Ligës së Kampionëve këtë sezon duke mposhtur Maccabi Haifan me rezultat minimal prej 1-0.
Tri pikë të plota Zonjës së vjetër ia siguroi qendërmbrojtësi italian Giorgio Chiellini, i cili kërceu më së larti pas një krosimi të Diegos për të shënuar në portën mysafire (47’). Ndeshja tjetër e Grupit A, e zhvilluar ndërmjet Bordeaux dhe Bayern Munich, i ka takuar skuadrës franceze, e cila ka mposhtur bavarezët me rezultat prej 2-1. Bordeaux do të kishte shënuar fitore edhe më të lartë, mirëpo vendasit nuk u treguan të saktë nga ekzekutimi i dy penaltive, me ç’rast dështuan Gourcuff dhe Jussie. Pas xhiros së tretë, Grupit A i prin Bordeaux me shtatë pikë, ndërsa Juventusi mban vendin e dytë me pesë pikë.
Autori i dy golave, Salomon Kalou Blutë e Chelseat kanë shpërthyer duke mposhtur me rezultat 4-0 ekipin e Atletico Madridit në takimin e grupit D të Ligës së Kampionëve të zhvilluar në Stamford Bridge.
Humbja ndaj Aston Villas gjatë vikendit ishte një stimulim i madh për ekipin e trajnerit Carlo Ancelotti, që dominoi tërësisht ndeshjen.Salomon Kalou shënoi dy golat e parë, nga një në secilën pjesë, për t’i dhënë epërsinë e dyfishtë ekipit londinez. Goli i parë i sulmuesit të Bregut të Fildishtë erdhi në fund të pjesës së parë (41’) pas një asistimi nga Michael Ballack, ndërsa tjetri erdhi disa minuta me të filluar pjesa e dytë (52').Serinë e golave për blutë e vazhdoi Frank Lampard në minutën e 69-të, ndërsa dështimin e plotë të ekipit madrilen e vulosi një autogol nga Luis Perea në çastet e fundit të ndeshjes.Chelsea ka tre fitore nga tre takime në grupin D të Ligës së Kampionëve dhe kryeson me nëntë pikë, derisa ndiqet nga Porto me gjashtë, që po ashtu shënoi fitore në fushë të vet ndaj APOEL Nicosia me rezultat 2-1.
Manuel Pellegrini ka pranuar se ai është i brengosur që Real Madridi është mposhtur dy herë nga tre ndeshjet e fundit. Sidoqoftë, ai mendon se skuadra e tij është e njëjta.

“Çdo disfatë është brengosëse. Të dyja ekipet, Sevilla dhe Milan, kanë skuadra që njihen një kohë më të gjatë. “

“Nuk e konsideroj këtë diçka normale, por është brengosëse, dhe ne duhet të vazhdojmë së punuari.”

“Kemi dy objektiva: që të kualifikohemi për rethin tjetër të Champions League, dhe do të provojmë të i rikthejmë pikët nga ndeshja me Milanin.”

“Në ligë, jemi në rrugë të mirë, por duhet të punojmë më shumë.” deklaroi Pellegrini.

Njëri prej protagonistëve kryesorë deri tani për Fiorentinën në Serie A padyshim ishte Juan Manuel Vargas.
26 vjeçari është vënë nën radarin e Real Madridit, me këta të fundit duke i ofruar Fiorentinës 20 milion euro, shumë për të cilën Viola nuk deshi të dëgjoj.
Mirëpo, sipas 4-4-2.com Inter duket të jetë në pole pozicion që ta transferoj Vargas, pasi që një ofertë e fshehtë tanimë është bërë në drejtim të Violas.
Kontrata e Vargas tek Fiorentina skadon më 30 qershor të 2013.
Inter ndaloi paksa kundër Dynamo Kiev në Champions League të martën mbrëma,ndeshje e cila përfundoi me rezultat 2-2.
Dejan Stankovic mendon se do të jetë më e lehtë për italianët për të fituar jashtë Italisë për shkak të gjendjes së San Siros.
“Kjo fushë është një katastrofë dhe gjendja nuk ka të bëjë me reshjet e shiut”,është cituar të ketë thënë serbi për Goal.com Italia.
“E vërteta është se është e papranueshme për një ekip si jemi ne të luajmë në një fushë të tillë”.
Në anën tjetër shoku i tij i skuadrës,Wesley Sneijder e miratoi këtë mendim.
“Është e vështirë për ne të luajmë këtu”,deklaroi ish-lojtari i Real Madridit.
Interi dhe Dynamo takohen përsëri me 4 Nëntor në stadiumin Lobanovsky.
Fusha në Milano është ri-shtruar disa herë viteve të fundit për shkak të problemeve të vazhdueshme.