Një ndeshje e bukur dhe mjaft ritmike është zhvilluar në stadiumin El Molinon, ndërmjet Sporting Gijonit dhe Real Madridit, që fatkeqësisht përfundoi pa gola.Të shtunën mbrëma Mbretërit kanë zhvilluar ndeshjen e javës së tetë, me ç’rast nuk kanë mundur të fitojnë përballë Sporting Gijonit, në një përballje ku barazimi ishte epilogu real nga ajo që u tregua në fushë nga të dyja skuadrat. Me këtë barazim Reali pozicionohet në vend të parë me pikë të barabarta me Barcelonën, mirëpo Blaugranët të dielën do ta kenë mundësinë që të distancohen për tri pikë nga Los Blancos, nëse fitojnë kundër Real Zaragozas.
Skuadra e Lyonit është mposhtur si mysafir i Nice, humbje e cila i ka kushtuar me zhvendosje në tabelë, nga vendi i parë në të tretin.Ndeshja e zhvilluar të shtunën mbrëma në Stade du Ray, ndërmjet Nice dhe Lyon, ka përfunduar e fitoren e skuadrës vendase me rezultat prej 4-1. Serinë e golave e filloi Mamadou Bagayoko në minutën e 16-të, ndërsa pas një autogoli të shënuar nga Remy Vercoutre (39’), vendasit krijuan epërsi të dyfishtë dhe me këtë rezultat shkuan në pushim. Në pjesën e dytë, Nice shënoi edhe dy herë me anë të David Hellebuyck(68’) dhe Loic Remy (75’), për të siguruar fitoren përballë një kundërshtari të vështirë. Krejt çka bëri Lyoni ishte një gol i nderit i shënuar nga Ederson, gjashtë minuta pa përfunduar koha e rregullt e takimit (84’). Pas kësaj humbjeje, Lyoni është zhvendosur në pozitën e tretë në tabelë, pasi që pozitën e parë e ka marrë kampioni në fuqi Bordeaux që të shtunën ka shënuar fitore prej 3-0 kundër Le Mans, ndërsa në vend të dytë është pozicionuar Monaco që ka mposhtur Boulognen me rezultat 3-1.
Chelsea ka fundosur skuadrën e Blackburn Rovers duke e mposhtur në Stamfrod Bridge me rezultat prej 5-0.Serinë e golave e filloi Gaël Givet, i cili shënoi në portën e tij (20’), pas një goditjeje të Nicolas Anelcas, dhe me këtë diferencë minimale përfundoi pjesa e parë. Me të filluar pjesa e dytë (48’), mesfushori Frank Lampard dyfishoi epërsinë pas një pasimi të Didier Drogbas. Katër minuta më pas (52’) radha i erdhi Michael Essienit, i cili shënoi një supergol nga një distancë prej afro 32 metrash. Frank Lampard shënoi edhe golin e dytë personal në ndeshje, pas një penaltie të akorduar në favor të vendasve (59’). Rezultatin përfundimtar të ndeshjes e vendosi Didier Drogba, i cili shënoi golin e pestë për Blutë. Pas kësaj fitoreje, Chelsea rimerr pozitën e parë në tabelë, me një ndeshje më shumë se Manchester United që të dielën e zhvillon derbin e vështirë në Anfield kundër Liverpoolit.
Sampdoria ka marrë kreun në Serie A, së paku për disa orë, pasi ka mposhtur Bolognan me rezultat 4-1.Gjenovasit kaluan herët (7’) në epërsi me anë të Giampaolo Pazzinit. Daniele Mannini dyfishoi rezultatin (16’), ndërsa Reto Ziegler e trefishoi atë (26’). Nga minuta e 28-të gjërat u përkeqësuan edhe më shumë për Bolognan pasi që sulmuesi kryesor, Marco Di Vaio, u përjashtua me karton të kuq. Në pjesën e parë vendasit arritën të shënonin edhe golin e katërt me anë të Daniele Manninit (33’), për t’i dhënë fund dilemës për fituesin. Në fraksionin e dytë të lojës u shënua vetëm një gol, ndërsa ishte ky goli nderit për mysafirët, i shënuar nga Pablo Osvaldo (62’).
Edhe pas zëvendësimit të trajnerit, Atletico Madridi nuk ka arritur të shënojë fitore kundër Mallorcas para tifozëve të vet.Takimi i zhvilluar të shtunën në Vicente Calderon, ndërmjet Atletico Madridit dhe Mallorcas, ka përfunduar me rezultat të barabartë 1-1. Kjo nuk ishte një ditë me fat për kryeqytetasit, të cilët edhe pse patën epërsinë prej dy lojtarësh në fushë, pas përjashtimit me kartonë të kuq të Josemi (27’) dhe Ramis (50’), nuk arritën ta mposhtin Mallorcan. Për më shumë, Diego Forlan dështoi të shënonte nga pika e bardhë në minutën e 28-të. Mirëpo ai arriti ta shndërrojë në gol penalltinë e dytë të akorduar për vendasit (52’). Megjithatë, Atletico nuk arriti ta ruajë as këtë epërsi minimale deri në fund të ndeshjes, pasi që mysafirët barazuan rezultatin në fund të takimit (90’), ndërsa golashënues ishte Borja Valero.
Birmingham City ka shënuar fitore në stadiumin St. Andrews Ground duke e mposhtur Sunderlandin me rezulto prej 2-1.Vendasit krijuan avantazh të dyfishtë duke shënuar njëherë në pjesën e parë (37’) me anë të Liam Ridgewell, dhe me të filluar pjesa e dytë (48’) me anë të James McFadden. Mysafirët arritën ta ngushtonin epërsinë në minutën e 82-të me autogolin e Scott Dann, mirëpo deri në fund të ndeshjes nuk arritën ta barazojnë rezultatin. Mesfushori kosovar Lorik Cana ka luajtur deri në minutën e 68-të kur është zëvendësuar nga Boudewijn Zenden.
Tottenham Hotspur është mposhtur në shtëpi nga Stoke City duke rrezikuar kështu pozitën e tretë në tabelë.Spursat kanë pranuar gol në minutat e fundit të takimit (86’), ndërsa golashënues për mysafirët ishte Glenn Whelan. Me këtë humbje Tottenhami rrezikon të zhvendoset në pozitën e pestë në tabelë, nëse Arsenali dhe Manchester City shënojnë fitore në ndeshjet respektive të javës së dhjetë që zhvillohen të dielën.
Skuadra e Stuttgartit ka pësuar humbjen e radhës, këtë herë si mysafir i Hannoverit.Të vetmin gol në ndeshje e shënoi Didier Konan Ya në minutën e 31-të, për t’ia siguruar skuadrës vendase tri pikë të vlefshme. Skuadra e Mainzit ka shënuar fitore prej 3-0 përballë Freiburgut, ndërsa mesfushori shqiptar Jahmir Hyka nuk është aktivizuar ndonëse ishte në bankën rezervë. Skuadra tjetër ku aktivizohet shqiptari me pasaportë zvicerane Albert Bunjaku, ajo e Nurnbergut ka pësuar humbje prej 3-0 si mysafir i Hoffenheimit. Bunjaku zhvilloi 85 minuta të kësaj ndeshjeje, mirëpo nuk arriti të regjistrohet në listën e golashënuesve.
Bayern Munichu ka shënuar fitore me rezultat 2-1 përballë Eintracht Frankfurtit në ndeshjen e zhvilluar të shtunën në Allianz Arena.Bavarezët u gjetën në disavantazh në minutën e 60-të kur Alexander Meier shënoi për mysafirët. Dhjetë minuta më pas (70’), Arjen Robben barazoi rezultatin për t’u dhënë shpresë vendasve për fitore. Ndërsa golin e fitores për Bayernin e shënoi Daniel Van Buyten, dy minuta pa përfunduar koha e rregullt (88’).
Javier Mascherano dëshiron që Liverpooli të ndjekë shembullin e Argjentinës, duke thënë se të kuqtë duhet të harrojnë katër humbjet radhazi dhe të përqendrohen të mposhtin Manchester United në derbin e të dielës.Mesfushori argjentinas dëshiron që Liverpool, që është në mes të fillimit më të keq të sezonin në 22 vitet e fundit, të inspirohet nga rasti i fundit i Argjentinës që synonte të kualifikohej për në Kupën Botërore 2010. “Jam i relaksuar tash që Argjentina është kualifikuar për në finalet e Kupës Botërore, mund të përqendrohem vetëm në Liverpoolin. Mund të mendoj në Liverpoolin dhe jo në Argjentinën”, ka thënë Mascherano. “Me Argjentinën i fituam të dy ndeshjet e fundit dhe u kualifikuam. Ndoshta një rast i ngjashëm do të jetë edhe me Liverpoolin tash nëse fillon të fitojë, gjërat do të fillojnë të ndodhin për ne, siç ndodhën me vendin tim”. “Ne nuk duhet të mendojmë për të kaluarën. Duhet të mposhtim United për veten tonë, për tifozët, për ekipin. Duhet të vazhdojmë”, ka shtuar argjentinasi. Të kuqtë, që humbën në mesjavë me rezultat 2-1 në Ligën e Kampionëve ndaj Lyonit, presin në formacion të rikthehen edhe Fernando Torres dhe Glen Johnson, por kapiteni Steven Gerrard është një shqetësim serioz.
Chelsea raportohet se është duke planifikuar të harxhojë plot 60 milionë funte në afatin kalimtar të janarit, nëse klubit do t’i lejohet të transferojë këtë afat.Sipas Daily Express, mesfushori i Interit, Patrick Vieira, tashmë ka zhvilluar bisedime dhe mund të jetë lojtari i parë i cili mund të përforcojë ekipin e Carlo Ancelottit. Por, blutë po ashtu janë duke menduar të ofrojnë plot 30 milionë funte për anësorin e Bencifas, Angel Di Maria, dhe cakun e kamotshëm të tyre, David Villa nga Valencia. Chelsea po ashtu thuhet se po monitoron Emile Heskey-n nga Aston Villa. Chelseat i është ndaluar të transferojë lojtarë nga FIFA, por është duke pritur anulimin e këtij vendimi pas ankesave të bëra.
Sulmuesi i Manchester United, Wayne Rooney, thotë se ekipi anglez kurrë nuk do të gjejë një zëvendësim adekuat për ish-bashkëlojtarin e tij Cristiano Ronaldo.“Nuk mendoj se ndonjëherë kam qenë në hijen e Ronaldos, jo, nuk jam i lumtur që ai u largua nga klubi dhe nuk mendoj se ndonjëri prej neve është i lumtur”, ka thënë Rooney. “Do të preferoja që ai ende të ishte këtu, nëse jam i sinqertë. Ai është një lojtar i shkëlqyeshëm, i pazëvendësueshëm, lojtari më i mirë në botë, andaj askush nuk është i kënaqur që ai u largua”, ka thënë anglezi, i cili sot ka mbushur 24 vjet.
Numri i klubeve të interesuara për Valon Behrami vazhdon të rritet, me edhe Arsenalin dhe Milanin që thuhet se kanë kthyer vëmendjen kah shqiptari.Behrami ka shkëlqyer me West Ham United që kur u zhvendos nga Lazio në verën e vitit të kaluar, dhe së fundi është lidhur me një kalim në Juventus dhe Roma. Por në prag të takimit të Arsenalit dhe West Hamit, Daily Star raporton se garës për kosovarin me nënshtetësi zvicerane i është bashkuar edhe Arsene Wenger. Francezi e sheh Behramin si opsion të parë nëse mbrojtësi i djathtë Bacary Sagna largohet për në drejtim të Real Madridit. Megjithatë agjenti i Behramit, Alessandro Beltrami, ka thënë se klienti i tij do të mendojë për të ardhmen vetëm pas fundit të sezonit. “Nëse është e mundshme të zhvendoset, kjo mund të ndodhë vetëm pas Kupës Botërore të vitit të ardhshëm, por jo më herët. Ai nuk dëshiron asgjë që ndikon në vendin e tij në ekipin e Zvicrës”, ka thënë Beltrami. Ndërkohë Daily Star thotë se për Behramin i interesuar është edhe Milani.
Takimi i nesërm përballë Manchester United do të jetë takim jubilar për Rafa Benitez, i cili do të drejtojë Liverpoolin për të 200-tën herë në një takim të Ligës Premier.Në 199 ndeshjet e kaluara, Benitez ka shënuar 113 fitore, që është një mesatare prej 56.78%, edhe pse e kishte rindërtuar tërësisht ekipin kur e morri nën drejtim në 2004. Në anën tjetër edhe menaxheri i Manchester United, Alex Ferguson, pati detyrë të ngjashme, të rinovojë ekipin, kur zëvendësoi Ron Atkinson në vitin 1986. Megjithatë në 200 takimet e para, menaxheri i Djajve të Kuq kishte fituar vetëm 87, që është 43.5%.
Sulmuesi kosovar Shefki Kuqi ka qenë protagonisti i tre pikëve të reja për ekipin e Bundesliga 2, Koblenz, duke shënuar dy golat e fitores së mbrëmshme ndaj Greuther Furth, ndeshje që përfundoi me rezultat 2-1.Të dy golat e Kuqit erdhën në pjesën e parë të ndeshjes, kur edhe u vulos dilema rreth fituesit. Goli i parë i përfaqësuesit të kombëtares së Finlandës erdhi që në fillim të takimit (4’), ndërsa vendasit arritën të barazojnë në minutën e 26-të. Por në fund të pjesës së parë ishte sërish Kuqi heroi i Koblenzit, duke shënuar edhe golin e dytë të takimit, që i solli tri pikët e reja këtij ekipi. Pavarësisht fitores, ekipi ku angazhohen edhe një mori shqiptarësh të tjerë, vazhdon të mbete në pjesën e fundit të tabelës, pozitën e 16-të, me vetëm nëntë pikë pas 10 ndeshjeve.
Trajneri i Interit, Jose Mourinho, ka mohuar spekulimet të cilat thonë se ai mund ta zëvendësojë Rafa Benitez në stolin e Liverpoolit.Edhe pse njëri nga bashkëpronarët, George Gillet, ka thënë se pozita e Benitez është e sigurt pavarësisht rezultateve të dobëta, vazhdojnë të përmenden disa emra si pasardhës të mundshëm të spanjollit. Një prej tyre është edhe ish-menaxheri i Chelseat, Jose Mourinho, i cili ka tallur këtë temë gjatë konferencës së shtypit në prag të takimit të Serie A ndaj Catanias. “Është e pamundur”, është përgjigjur shkurtazi Mourinho.
Mediat angleze shkruajnë se Reali i Madridi është i gatshëm të provojë qëndrueshmërinë e Liverpoolit duke bërë ofertë për kapitenin e klubit, Steven Gerrard.Sipas The Sun, presidenti i Realit, Florentino Perez, do të dërgojë një ofertë në vlerën e 30 milionë funteve për kapitenin e të kuqve. “Nuk është sekret se Gerrard është një lojtar të cilin Perez dhe drejtori teknik Jorge Valdano e admirojnë. Ka një listë të ngushtë për sezonin e ardhshëm dhe Gerrard është një prej tyre”, ka thënë një burim nga Madridi. Perez tashmë ka dëmtuar ekipin e trajnerit Rafael Benitez, pasi ia morri njërin prej mesfushorëve më të mirë, Xabi Alonson, për një shumë prej 28.8 milionë funte.
Legjenda e Interit, Luis Suarez- i cili ishte pjesë e ekipit zikaltër në vitet e gjashtëdhjeta që fitoi dy Kupa të Kupave të Evropës dhe dy Kupa Ndërkombëtare- thotë se Nerrazzurëve u mungon personaliteti dhe karakteri në Evropë.“Trajneri nuk mund t’u japë karakter atyre që nuk e kanë. Gjëja e parë që vëren kur Interi luan në Ligën e Kampionëve është se kundërshtarët e tyre nuk frikohen nga fakti që luajnë kundër tyre (zikaltërve)”. “Kjo ka ndodhur me vite, ndërsa as transferimet e reja nuk kanë pasur personalitet të mjaftueshëm për t’u lënë përshtypje lojtarëve tjerë”, ka thënë Suarez “Il Corriere dello Sport”.
















