Barcelona i është kthyer stilit të fitoreve me shumë gola, duke demoluar Real Zaragozan në Camp Nou me rezultat prej 6-1.
Serinë e golave e filloi Seydou Keita (24’), i cili me kokë e mposhti portierin mysafir. Me një goditje të pandalshme nga gjuajtja e lirë, Zlatan Ibrahimovic dyfishoi rezultatin (29’). Për rezultatin përfundimtar të pjesës së parë, u kujdes Keita, i cili shënoi golin e dytë personal në ndeshje (41’), pas një asisti të Ibrahimovicit. Në pjesën e dytë, Ibracadabra shënoi për rezultatin 4-0, ndërsa këtë radhë ishte lojtari nga Mali, Keita, ai që ia ktheu ‘të mirën’. Në minutën e 78-të vendasit arritën ta shënonin golin e nderit në ndeshje, ndërsa ekzekutues ishte Jorge Lopez. Kjo mbrëmje nuk mund të kalonte pa një gol të lojtarit më të mirë në botë, Leo Messi, i cili pas disa tentativave, arriti ta mposhtë portierin Carrizo (80’). Golin e fundit në këtë takim, e shënoi ai që e filli serinë e golave, Seydou Keita, duke kompletuar het-trikun e tij (86’). Me këtë fitore Barcelona kthehet në krye të tabelës me tri pikë diferencë nga Real Madridi që mban vendin e dytë.
Ndeshja e zhvilluar të dielën ndërmjet West Ham United dhe Arsenal, ka përfunduar me rezultat të barabartë prej 2-2.
Mysafirët arritën të krijojnë epërsi të dyfishtë që në pjesën e parë, me golat e Robin Van Persie (16’) dhe William Gallas (37’). Edhe pse dukej që Topçinjtë e kanë të sigurt fitoren, West Hami arriti të kthehet kah fundi i ndeshjes për të barazuar rezultatin. Fillimisht Carlton Cole ngushtoi epërsinë (74’), ndërsa dhjetë minuta pa përfunduar koha e rregullt, Alessandro Diamanti barazoi rezultatin nga pika e bardhë. Pas këtij barazimi Arsenali ngritët në pozitën e tretë me pikë të barabarta me Tottenham Hotspur.
Është dashur të luhet java e tetë në La Liga, që Villarreali të regjistrojë fitoren e parë të sezonit.
Takimi i zhvilluar të dielën në El Madridgal, ndërmjet Villarrealit dhe Malagas, ka përfunduar me fitoren e Nëndetëses së Verdhë me rezultat prej 2-1. Të parët kaluan në epërsi vendasit me anë të Nilmar (27’), ndërsa pa përfunduar pjesa e parë (45’), mysafirët barazuan rezultatin me golin e Luque. Fitoren Villarrealit ia solli Capdevila, i cili shënoi në minutën e 56-të, pasi që deri në fund të takimit nuk u shënuan gola të tjerë. Me këtë fitore, Villarreali ngritët nga vendi i fundit në vendin e shtatëmbëdhjetë, në luftën për të siguruar mbijetesë, ose diçka më shumë, pasi që a shumë ndeshje për t’u zhvilluar deri në fund të sezonit.
Supersfida e javës së dhjetë në Ligën Premier, e zhvilluar ndërmjet Liverpoolit dhe Manchester Unitedit, ka përfunduar me fitoren e Redsave me rezultat prej 2-0.
Dy skuadrat më të mëdha angleze janë takuar në Anfield, në sfidën mjaft interesante, e cila i takoi skuadrës vendase. Golin e parë në ndeshje e shënoi i rikthyeri nga lëndimi, sulmuesi spanjoll Fernando Torres (65’), pas një pasimi të Yossi Benayoun. Me këtë rezultat vazhdoi takimi deri në minutat shtesë, dhe atëherë kur pritej që United ta barazonte rezultatin, Liverpooli dënoi sërish duke vulosur fitoren me anë të David Ngog (90’+6). Presionin e madh që ka pasur kjo ndeshje u tregua në minutat shtesë të takimit, me ç’rast u përjashtuan me kartonë të kuq, Nemanja Vidic dhe Javier Mascherano. Kjo fitore mund të jetë pikë kthyese për Të Kuqtë, të cilët nuk kanë shfaqur formë të mirë në ndeshjet e fundit, si në Ligën Premier ashtu edhe në Ligën e Kampionëve. Ndërkohë, Manchester United ka dështuar ta rikthejë pozitën e parë në tabelë dhe tash pozicionohet në vendin e dytë me dy pikë më pak se Chelsea që mban kreun.
Juventusi i ka dhënë fund serisë së dobët të rezultateve në Serie A, duke shënuar fitore minimale ndaj Sienës në Stadio Franchi.
Pas një pjese të parë pa gola, një harkim nga gjuajtja e lirë e mesfushorit Diego, gjeti kokën e sulmuesit brazilian Amauri, i cili shënoi për t’ia dhënë tre pikë të reja Juvnetusit në Serie A (72’). Me tre pikët e reja Juventusi ngushton diferencën e pikëve me liderin e tabelës, Interin. Bardhezinjtë tash pozicionohen në vendin e tretë me 18 pikë nga nëntë ndeshje, dy më pak se Sampdoria në pozitën e dytë dhe katër më pak se Interi.
Majlinda Kelmendi, Kampione e Xhudos, SportiSot. Pas titullit kampione e Evropës, xhudistja Majlinda Kelmendi është shpallur edhe kampione e botës për të reja në peshën 52 kilogramë, duke sjellë një tjetër trofe ndërkombëtar në Shqipëri.
Kosovarja, e cila prej një viti mban pasaportën shqiptare, arriti të marrë medaljen e parë të artë në një garë kaq të rëndësishme ndërkombëtare. Pas katër fitoreve radhazi, Majlinda arriti në finale ku triumfoi ndaj izraelites Levi Shahar. Sipas drejtuesve të Federatës Shqiptare të Xhudos, të cilët ishin të pranishëm në botërorin e femrave të zhvilluar në Paris, ndeshja me e vështire për Majlindën kishte qenë ajo e gjysmëfinales përballë japonezes Ciho Kagaja. Ky është suksesi më i madh deri më tani jo vetëm në karrierën xhudistes, por edhe në historinë e sportit të xhudos në Shqipëri. Tani, qëllimi kryesor i Majlinda Kelmendit është prania e saj në ekipin që do ta përfaqësoje Shqipërinë në Lojërat Olimpike- Londra 2012.
Italiani Valentino Rossi është shpallur kampion i Moto GP, një garë pa përfunduar kampionati i sivjetmë, edhe pse në garën e Malajzisë- Malaysian Motorcycle Grand Prix- ka zënë vendin e tretë.
Ky është titulli i nëntë i ngasësit të Yamahas, i cili të dielën nuk ka zhvilluar një garë të mirë, duke filluar nga vendi i parë dhe duke përfunduar në të tretin. Fitues i garës së Malajzisë doli Casey Stoner nga Ducati Marlboro Team, ndërsa vendi i dytë i takoi spanjollit Dani Pedrosa. “Meqë ka mbetur vetëm edhe një garë për t’u zhvilluar, unë e kam fituar titullin e botës. I falënderoj të gjithë njerëzit që më ndihmuan ta arrij këtë”, ka thënë italiani. Gara e ardhshme do zhvillohet në Valencia, por ajo nuk ka ndonjë rendësi të veçantë, meqenëse titulli tashëm është rrëmbyer nga Rossi.
Mbrojtësi i Liverpoolit, Jamie Carragher, beson se tash është koha që të kuqtë të shfaqin shpirtin e tyre luftarak dhe të tregojnë karakter, derisa kërkojnë fitoren e parë pas katër humbjesh.
Liverpooli sot do të presë kampionin në fuqi të Ligës Premier, Manchester United në Anfield, derisa po kalon periudhën më të vështirë në 22 vitet e fundit.“Nuk e keni gjithçka me trëndafila gjatë karrierës tuaj. Duhet të luftoni për të arritur kulmin. Ne jemi në këtë klub për një arsye dhe një prej tyre është se jemi të mirë në atë që bëjmë dhe sepse jemi luftarak dhe kemi karakterin që nevojitet për këtë klub”.“Tash është koha ta tregojmë atë. Menaxheri nuk do të ndjejë presion shtesë. Ai është menaxher për një kohë të gjatë dhe jam i sigurt se ai e ka përjetuar këtë edhe më herët”, ka thënë mes tjerash Carragher.
Drejtori sportiv i Lazios, Igli Tare, ka refuzuar spekulimet se klubi romak është në bisedime për të transferuar mesfushorin brazilian të Palermos, Fabio Simplicio.
Agjenti i lojtarit Gilmar Rinaldi dje kishte thënë se kishte vizituar qendrën stërvitore të Lazios dhe kishte pasur takime me presidentin Claudio Lotito, duke dhënë shenja se Simplicio ishte tema e diskutimit. Por Tare ka mohuar gjithçka.“Më duket e çuditshme kjo që thuhet se ai ka qenë në vizitë në Lazio, pasi ne jemi në Bari për të luajtur sot. Nuk e di për çfarë ka menduar dhe nuk mund të komentoj çfarë ka thënë ai. Simplicio është një lojtar i Palermos dhe ne kurrë nuk kemi shprehur dëshirë për të nënshkruar me të”, ka thënë ish-kapiteni i kombëtares kuqezi.
Reali i Madridi raportohet se ia ka ofruar mesfushorin holandez Rafael van der Vaart ekipit të Chelsea.
Sipas Sunday Times, Reali i ka propozuar Chelseat të marrë shërbimet e 26-vjeçarit, i cili është jashtë listës së trajnerit Manuel Pellegrini.Holandezi, i cili kërkon më shumë kohë për të luajtur, nuk është pjesë e ekipit të Ligës së Kampionëve dhe mund të jetë një opsion joshës për menaxherin Carlo Ancelotti, i cili do të humbë disa prej lojtarëve afrikanë të cilët do të marrin pjesë në Kupën e Afrikës në fillim të vitit të ardhshëm.“Ne jemi të shqetësuar rreth kualitetit të lojtarëve që do të humbim. Çdo ekip do të ndjente mungesën e katërshes Drogba, Essien, Kalou dhe Mikel. Janë disa emra të cilët Carlo do të dëshironte të nënshkruajë”, ka thënë njëri prej trajnerëve të bluve Ray Wilkins.
Menaxheri i Arsenalit, Arsene Wenger, thotë se fansat e Liverpoolit nuk duhet të fishkëllejnë në drejtim të sulmuesit të Manchester United, Michael Owen, gjatë takimit të sotëm derbi mes dy ekipeve që zhvillohet në Anfield.
Owen shënoi 118 gola me Liverpoolin por, pas një kohe të kaluar në Real Madrid dhe Newcastle United, ai nënshkroi me rivalin më të hidhur të ish-klubit të tij, Manchester United, gjatë kësaj vere.“Në përgjithësi ata e respektojnë pasi Owen është i dashur në Liverpool dhe ai do të jetë i mirëpritur. Ai nuk shkoi në United për shkak të Liverpoolit. Ai ishte në Newcastle duke rënë një ligë më poshtë dhe United ishte një prej disa mundësive që kishte”, ka thënë Wenger.
Liverpooli ka frikë se nëse kalon edhe një sezon tjetër pa trofe, kjo mund të shtyjë sulmuesin e këtij klubi, Fernando Torres, të largohet nga Anfield gjatë kësaj vere.
Sipas Sunday Mirror, askush nuk dyshon se spanjolli është i përkushtuar ndaj klubit të tij. Por që nga transferimi i tij 20 milion eurosh nga Atletico Madrid, 28 muaj më parë, as edhe golat e shumtë të tij nuk kanë arritur t’i sjellin Liveproolit trofe.Ka një rritje të shqetësimeve se edhe një sezon tjetër pa trofe mund të nxisë këshilluesit e sulmuesit të bëjnë presion që ai të zhvendoset në një klub më të suksesshëm.“Fernando është një djalosh i shkëlqyeshëm dhe një lojtar fantastik. Ne nuk shqetësohemi për qëndrimin e tij ndaj klubit, por rasti është nëse rivalët fillojnë të bëjnë presion ndaj agjentëve të tij se ai mund të fitojë më shumë nëse bashkohet me ta. Ai është i etur për sukses. Ne nuk duam ta humbim atë”, ka thënë një burim i brendshëm i Liverpoolit.
Mesfushori i Real Madridit, Xabi Alonso, thotë se ekipi spanjoll do të mund ta kishte shfrytëzuar Arjen Robben kundër Milanit.
Robben u shit te Bayern Munich në muajin gusht dhe shijoi një fillim të mbarë në Bundesliga, por në anën tjetër mungesa e tij ndjehet te Reali i Madridit.“Robben është një lojtar shumë i mirë në lojën një-në-një dhe ai do të mund ta kishte thyer lojën në çdo moment. Ai do të ishte i mirë në përballjet si ajo me Milanin, por mendoj se ai do të luante shumë pak, andaj edhe preferoi të pranojë ofertën e Bayern Munich”, ka thënë spanjolli.
Mesfushori i Real Madridit, Xabi Alonso, thotë se ekipi spanjoll do të mund ta kishte shfrytëzuar Arjen Robben kundër Milanit.
Robben u shit te Bayern Munich në muajin gusht dhe shijoi një fillim të mbarë në Bundesliga, por në anën tjetër mungesa e tij ndjehet te Reali i Madridit.“Robben është një lojtar shumë i mirë në lojën një-në-një dhe ai do të mund ta kishte thyer lojën në çdo moment. Ai do të ishte i mirë në përballjet si ajo me Milanin, por mendoj se ai do të luante shumë pak, andaj edhe preferoi të pranojë ofertën e Bayern Munich”, ka thënë spanjolli.
Menaxheri i Chelseat, Carlo Ancelotti, thotë se ai do të bëjë tifo për Liverpoolin në derbin e sotëm që të kuqtë e zhvillojnë ndaj Manchester United në Anfield.
Pas fitores ndaj Blackburn, Chelsea është dy pikë para Manchester United, që sot më vonë ka një sfidë të vështirë ndaj Liverpoolit.Nëse Manchester United nuk arrin të marrë tre pikë të plota, blutë do ta ruajnë kreun e tabelës.“Takimi do të jetë fantastik, të cilin do të dëshiroja ta përcillja. Për një ditë mund të jem fans i Liverpoolit, për vetëm një ditë”, ka thënë Ancelotti.
Menaxheri i Interit, Jose Mourinho, ka vazhduar raportin idhnak me Mario Balotelli edhe pas fitores së mbrëmshme ndaj Catanias.
Mourinho deklaroi më herët gjatë kësaj jave se ai e ka zgjedhur Balotellin vetëm për shkak të mungesës së alternativave, pasi ai është stërvitur shumë dobët.“Nuk dua të flas për Balotellin si një individualist. Jam i kënaqur me paraqitjen e gjithë ekipit dhe me tre pikët”.“Ai nuk kërkon shpjegim, as nuk sillet më ndryshe ndaj meje. Të gjithë profesionistët kanë nevojë të punojnë shumë dhe të dëshmojnë veten në fushë, kjo është e gjitha”, ka thënë Mourinho.
Mbrojtësi i Real Madridit, Pepe, ka mbrojtur paraqitjen e ekipit të tij në barazimin e mbrëmshëm zhgënjyes ndaj Sporting Gijon.
Barazimi pa gola nuk ishte rezultati që e kërkonte Reali, veçanërisht pas humbjes së fundit në shtëpi në mesjavë ndaj Milanit në kuadër të Ligës së Kampionëve.“Mendoj se ekipi ka mungesë të golave. Ne bëmë një punë të mirë, që të gjithë duke luftuar për fitore, por kishim mungesë të aftësive në ballë të golit. Ka ende shumë kohë deri në fund të sezonit dhe ende mund të përfundojmë të parët”.“Nuk duhet të flasim për mungesa, duhet të besojmë se edhe këta këtu dëshirojnë ta ndihmojnë ekipin”, ka thënë Pepe.
Nerazurrët kanë shënuar fitore me rezultat prej 2-1 përballë Catanias në ndeshjen e zhvilluar të shtunën mbrëma në Giuseppe Meazza për të rikthyer pozitën e parë në tabelë, ku qëndroi për një kohë Sampdoria.
Në një tentativë për të krosuar në drejtim të Samuel Eto’o, Sulley Ali Muntari arriti të shënojë golin e parë (13’), pasi që portieri i Catanias u shpërqendrua nga kamerunasi. Golin e dytë për zikaltrit e shënoi Wesley Sneijder (31’), pas një goditje të bukur nga gjuajtja e lirë. Mysafirët arritën ta ngushtonin rezultatin nga pika e bardhë pa një ndërhyrje të portierit Julio Cesar në sulmuesin e Catanias, Plasmati, ndërsa golashënues ishte Giuseppe Mascara (84’). Megjithatë ky gol ishte krejt çka bënë sicilianët në këtë ndeshje, pasi që nuk mundën të organizoheshin për ta barazuar rezultatin.