Mbrojtësi i Barcelonës, Carles Puyol, ka konfirmuar vendimin e tij për të qëndruar te skuadra katalunase, duke thënë se dëshiron të qëndrojë në Camp Nou edhe për shumë vite.
Chelsea, Manchester City, Interi dhe Milani ishin skuadra të interesuara për shërbimet e spanjollit, i cili për një kohë hezitoi të vazhdonte kontratën me Barcën, mirëpo tani ka thënë se ai do të qëndrojë në Camp Nou së paku deri në vitin 2013. “Dëshiroj të qëndroj këtu edhe për shumë vite. Ishte e qartë se këtë sezon do të isha këtu dhe doja ta shijoj, mirëpo kërkova kohë për të menduar nëse mund ta provoj veten diku tjetër”. “Mirëpo është lehtë të qëndrosh këtu, sidomos për tifozët. Askush tjetër nuk ma jep këtë që e kam te Barcelona”, ka thënë Puyol për gazetën “Sport”.
Vincenzo Iaquinta i shtohet listës së lojtarëve të lënduar të Juventusit. Sulmuesi italian të martën do t’i nënshtrohet operimit të meniskut, me ç’rast mund të qëndrojë jashtë fushe për 40 ditë.
Iaquinta nuk luajti në ndeshjen e të dielës kundër Sienas pasi që kishte pësuar një lëndim të shtunën në stërvitje “Ekzaminimet kanë treguar nevojën e operacionit të meniskut në gjurin majtë të Iaquintas. Ndërhyrja kirurgjike do të realizohet të martën...” thuhet në deklaratën zyrtare të klubit. Ky nuk është një lajm i mirë për trajnerin Ciro Ferrara duke qenë se edhe Alessandro Del Piero është i lënduar, prandaj i mbeten shumë pak zgjedhje në sulm.
Njoftohet se kapiteni i Romës, Francesco Totti, do t’i nënshtrohet ndërhyrjes kirurgjike në gjurin e djathtë.
Puntosport.net thotë se simboli romak do t’i nënshtrohet ndërhyrjes kirurgjike të hënën pasdite, edhe pse vetë lojtari kishte mohuar diçka të këtillë. Totti nuk ka mundur të stërvitet me pjesën tjetër të skuadrës mëngjesin e sotëm, ndërsa pas analizave të stafit mjekësor është vendosur që ai t’i nënshtrohet operacionit, që do ta mbajë jashtë fushe për së paku tri javë.
Mbrojtësi i Milanit, Alessandro Nesta, i është nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjike pas thyerjes së hundës gjatë ndeshjes së të dielës kundër Chievos.
Nesta ishte heroi i Rossonerëve në atë ndeshje duke shënuar dy herë dhe duke ia siguruar tri pikë Milanit. Klubi italian ka konfirmuar që Nesta i është nënshtruar një operacioni të lehtë të hundës që nuk do të ndikojë aspak te lojtari, pasi që ai do të paraqitet në fushën stërvitore që të martën dhe pritet të luajë në ndeshjen e mesjavës kundër Napolit.
Përzgjedhësi i përfaqësueses së Anglisë, Fabio Capello, ka dërguar kritika në drejtim të futbollit italian, veçanërisht duke potencuar problemet me tifozët dhe me futbollistët që aktrojnë.
“Ultra-tifozët dominojnë në Serie A. Nuk ka guxim që të përdoren ligjet kundër tyre. Në Itali ata që aktrojnë i fitojnë duartrokitjet, ndërsa Angli këta marrin fishkëllima”, ka thënë Capello për Sky Sport Italia.Ish-trajneri i Realit të Madridit po ashtu ka thënë se nga ai kurrë nuk është kërkuar ta udhëheqë kombëtaren italiane, ashtu siç e bëri këtë Anglia.“Kurrë nuk më kanë dashur në kombëtaren italiane ashtu siç ishte rast në Angli”, ka shtuar italiani.
CSKA Moska e ka shkarkuar trajnerin Juande Ramos, pas humbjes së mbrëmshme nga rivali i qytetit, FC Moska.
Fati ia ka kthyer shpinën spanjollit Juande Ramos, pasi që nga largimi i tij nga Sevilla, spanjolli kurrsesi të stabilizohet te një klub. Pas aventurave të shkurtëra me Tottenhamin dhe Reali e Madridit, mëngjesin e sotëm, edhe CSKA Moska e ka shkarkuar atë për shkak të rezultateve jo të kënaqshme.“Që sot, marrëveshja me Juande Ramos është e ndërprerë me marrëveshje të dyanshme”, thuhet në publikimin e lëshuar në faqen zyrtare të klubit rus.
Mbrojtësi i Juventusit, Giorgio Chielini, thotë se Zonja e Vjetër është në rrugë të duhur për t’u rikthyer në formën më të mirë.
Juve pati një krizë të vogël në disa ndeshjet e kaluara, por mbrëmë fitoi tre pikë të rëndësishme në udhëtimin te Siena, duke e mposhtur me rezultat minimal 1-0.“Ishte e rëndësishme të fitojmë në këtë ndeshje dhe e bëmë këtë. Loja jonë ndoshta nuk është e mirë për t’u parë, por ne vazhdimisht krijuam shanse. Fituam tre pikë të mëdha”, ka thënë Chielini.“E dimë se duhet të përmirësohemi, por shpirtin që treguam në fushë tregon se jemi në rrugë të duhur. Juventusi i vërtetë rikthehet dhe unë jam i sigurt se ne mund të luftojmë për titull deri në fund”, ka përfunduar italiani.
Menaxheri i Liverpoolit, Rafa Benitez, thotë se ai është më i qetë pas fitores së djeshme ndaj Manchester United.
Liverpooli ka qenë objekt i kritikave para këtij takimi, për shkak të katër humbjeve radhazi, që ishte periudha më e keqe në 22 vitet e fundit. Dhe Benitez ndjehet më i qetë tash që kjo seri e dobët morri fund.“Jam shumë i kënaqur për klubin, lojtarët dhe stafin. Ne kishim nevojë të ndryshojmë fatin tonë me një fitore dhe kjo ishte një fitore fantastike”.“Para ndeshjes biseduam se kjo është një ndeshje e përkryer për të ndryshuar fatin tonë, kundër një ekipi të mirë. Kishim nevojë për të bërë një paraqitje të mirë para fansave dhe për të treguar se ishim në gjendje të fitojmë. Ishte një paraqitjet fantastike nga lojtarët tanë”, ka thënë Benitez./
Mbrojtësi i Milanit, Alessandro Nesta, është i befasuar me veten pas dy golave të shënuar në takimin e mbrëmshëm ndaj Chievos.
Italiani nuk kishte shënuar për dy vite, por shënoi të dy golat e fitores që ndihmuan Milanin të rikthehet nga disavantazhi 1-0 për të fituar në fund me rezultat 2-1 ndaj ekipit ku aktivizohet Erjon Bogdani. “Është një natë e shkëlqyeshme dhe një gjë e re për mua, pasi kurrë nuk shënoj! Duhej të fitonim sonte për të kapur vendin e katërt, dhe gjithçka shkoi mirë”, ka qeshur veterani. “Mendoj se jemi në rrugë të duhur tash dhe kemi fituar një varg të ndeshjeve të rëndësishme. Duhet të punojmë më shumë në fillim të ndeshjes, pasi gjithmonë pranojmë gola të hershëm dhe pastaj duhet të japim shumë energji për t’u rikthyer në lojë”, ka shtuar Nesta.
Mesfushori i Barcelonës, Xavi, shpreson se fitorja e mbrëmshme me rezultat të thellë prej 6-1 ndaj Real Zaragozas do të heshtë kritikat.
Barcelona u rikthye nga humbja tronditëse në Ligën e Kampionëve ndaj Rubin Kazan, për të shënuar fitore bindëse dhe për të zgjeruar diferencën ndaj Realit në kreun e La Ligës. “Ne treguam se fizikisht jemi të fuqishëm dhe se jemi në gjendje të shënojmë gola. Ky sukses ka qenë i mirë për ne, ne jemi liderë me tre pikë diferencë. Njerëzit tentojnë të fokusohen në rezultate, por ne e dimë se gjërat shkojmë mirë”, ka thënë Xavi. “Të martën (kundër Rubin Kazan) luajtëm mirë por dështuam të testojmë golin e tyre. Sot ne luajtëm më qetë dhe shumë shpejt kaluam në avantazh 2-0”, ka shtuar më tej mesfushori i kombëtares së Spanjës.
Sulmuesi i Liverpoolit, Fernando Torres, është i ngazëllyer që ka ndihmuar ekipin e tij të shënojë fitore 2-0 ndaj Manchester United në derbin e djeshëm.
Torres, i cili shënoi golin e parë, ka thënë se kjo fitore tregon se Të Kuqtë mund të mposhtin secilin ekip kur luajnë lojë ekipore. “Ne kishim nevojë për një fitore për të qëndruar në garën për titull, andaj mendoj se ishte një rezultat shumë i rëndësishëm”. “Treguam se, kur luajmë si ekip dhe punojmë shumë, mund të mposhtim çdokënd. Duhet ta mbajmë mend këtë dhe të sigurohemi se do të punojmë mirë si ekip”, ka thënë spanjolli.
Kapiteni i Sunderlandit, Lorik Cana, dëshiron që klubi ta marrë seriozisht takimin e radhës ndaj Aston Villas në kuadër të Kupës Carling.
Sunderlandi nesër pret në fushë të vet Aston Villan në kuadër të kupës së Anglisë, dhe Cana mendon se ky është një rast i mirë për të qenë pjesë e garave evropiane sezonin e ardhshëm. “Kupa është një rrugë e shkurtër për në garën evropiane. Por do të jetë një ndeshje e vështirë, pasi Villa është një ekip shumë i mirë”, ka thënë shqiptari për mediat angleze.
Trajneri i Juventusit, Ciro Ferrara, thotë se ekipi i tij nuk ishte në formën më të mirë, pavarësisht fitores së djeshme ndaj Sienës.
“Sot ishte e dukshme se ne do të arrijmë fitore, një fitore të merituar, me disa shanse të mira shënimi, por kurrë nuk rrezikuam edhe pse gjithmonë ishim nën kontroll”. “Jam i kënaqur me rezultatin dhe paraqitjen. Por mund të debatojmë për kualitetin e futbollit. Tempoja ishte shumë e ngadalshme. Ne e kishim topin, por e pasonim shumë ngadalë dhe jo në kohë të duhur, veçanërisht në pjesën e parë”, ka thënë Ferrara.
Iker Casillas ka ngritur dorën për gabimet që bëri në humbjen e Real Madridid ndaj Milanit gjatë javës së kaluar në kuadër të Ligës së Kampionëve.
Casillas ishte fajtori kryesor për tre golat e pësuar nga Milani në fitoren 3-2 të rosonerëve në Santiago Bernabeu. “Pohoj se golat e Milanit ishin përgjegjësi e imja. Nuk dua t’u shmangem kritikave. Por nuk duhet të harroni se edhe unë jam njeri”, ka thënë njëshi i Realit të Madridit.
Trajneri i Romës, Claudio Ranieri, ka thënë pas humbjes befasuese nga Livorno, se Giallorossëve iu mungon kapiteni Francesco Totti.
Francesco Tavano shënoi kundër ish-klubit të tij, ndërsa edhe me përjashtimin e Alfonso De Lucia, të zgjedhurit e Ranierit nuk ishin në gjendje të shënojnë. “Ndoshta harxhuam shumë energji gjatë të enjtes kundër Fulham në Ligën Evropiane, ose ndoshta padrejtësisht menduam se Livorno do të jetë e dobët”. “Jam këtu për gjashtë javë, duhet të jap më të mirën dhe ekipi po bën gjëra të mira. Nuk është lehtë kur ju mungon një sulmues si Totti. Mungesa e kapitenit nuk është një arsyetim, por me Francesco sot do të ishte më ndryshe”, ka thënë Ranieri.
Menaxheri i Arsenalit, Arsene Wenger, thotë se ai ka qenë më se i shqetësuar që ekipi i tij humbi dy pikë në barazimin 2-2 ndaj West Ham United.
Arsenali ishte në avantazh të dyfishtë që në pjesën e parë të ndeshje dhe pati kontroll të plotë të ndeshjes, para se në 15 minutat e fundit vendasit të shënojnë dy gola, njërin nga gjuajtja e lirë dhe njërin nga penaltia. “Është shumë shqetësuese. Është, sigurisht, një mundësi e humbur. Në punën tonë nuk e kemi këtë luks. Duhet të merrni pikë kur e meritoni dhe ndonjëherë kur nuk e meritoni. Sot ne nuk i morëm pikët edhe pse i merituam ato, dhe kjo do të thotë se nuk e kemi dhënë maksimumin e asaj që është dashur të japim”. “Por ne vazhduam të jemi pozitiv pasi luajtëm mirë dhe jemi një ekip i fuqishëm. Ne duhet të mësojmë t’i përfundojmë ndeshjet e tilla, që është mësimi më i mirë i ditës. Ne kemi në shans të mirë (për titull) këtë vit, por për këtë nuk guxojmë të bëjmë një paraqitje të tillë siç bëmë sot dhe të mos kthehemi me tre pikë”, ka thënë Wenger.

Milani ka përmbysur rezultatin në dhjetë minuta e fundit të kohës së rregullt për të dalë fitues përballë Chievos.
Rossonerët kanë arritur të fitojnë me rezultat 2-1 si mysafir të skuadrës ku aktivizohet sulmuesi shqiptar Erjon Bogdani. Vendasit krijuan avantazh të hershëm që në minutën e shtatë dhe arritën ta mbanin këtë epërsi deri në minutat e fundit të ndeshjes, kur kuqezinjtë i ktheu në lojë Alessandro Nesta. Në minutën e 81-të mbrojtësi italian barazoi rezultatin, ndërsa në kohën shtesë (90’+2), i njëjti lojtar shënoi golin e fitores për mysafirët.