Serena Williams, e cila do ta mbyll këtë vit si tenistja numër një në botë, e ka mposhtur motrën e saj Venus, për të fituar turneun e fundit të këtij sezoni- Sony Ericsson Championships.28-vjeçarja fitoi me rezultat 2-0 në sete (6-2 dhe 7-6), për të fituar trofeun e 35-të WTA Tour, ndërsa kjo ishte fitorja e trembëdhjetë në 23 ndeshjet e zhvilluara përballë motrës së saj më të madhe (29-vjeçare).
Pas formës së dobët që shfaqi në këtë fill sezoni, duket se Villarreali është këndellur dhe i është kthyer rrugës së fitoreve.Pas fitores që shënoi një javë më parë, Nëndetësja e Verdhë ka vazhduar edhe këtë javë me fitore duke mposhtur Tenerifen në El Madrigal me rezultat prej 5-0. Serinë e golave e filloi Joseba Llorente në minutën e 16-të dhe me epërsinë minimale të vendasve përfundoi pjesa e parë. Në pjesën e dytë Villarreali shënoi edhe katër herë me anë të Robert Pires (48’), Giuseppe Rossi (52’), Llorente (53’) dhe Cani (89’). Kjo fitore do t’i shërbejë Villarrealit për t’u shmangur dalëngadalë nga zona e rrezikshme, por nëse luan kështu, edhe të konkurrojë për ndonjë vend që çon në garat evropiane.
Sebastian Vettel ka dalë fitues në garën e fundit të kampionatit të sivjetmë të Formula 1, e cila është zhvilluar të dielën në Abu Dhabi.Piloti i Red Bullit ka dalë fitues në garën për Çmimin e Madh të Abu Dhabit, ndërsa vendin e dytë e ka zënë bashkanëtari i skuderisë Red Bull, Mark Webber. Ndërsa piloti i Brawn GP, Jenson Button, i cili tashmë ka fituar kampionatin për pilotë, ka arritur të zë vendin e tretë në këtë garë. Pritet që në sezonin e ardhshëm të reagojnë skuderitë e mëdha Ferrari dhe McLaren pas një sezoni të dështuar.
Zikaltrit kanë shënuar fitore me rezultat 2-0 si mysafir të Livornos, për t’u shmangur në krye të tabelës me shtatë pikë diferencë nga përcjellësi i parë, Juventus.Pjesa e parë përfundoi pa gola, ndërsa me të filluar pjesa e dytë (49’) Diego Milito kaloi mysafirët në epërsi. Dhjetë minuta pa përfunduar koha e rregullt e takimit, Maicon i dha fund shpresës së vendasve për barazim duke dyfishuar rezultatin. Me këto tri pikë të reja, Nerazzurët përforcohen në krye të tabelës me 28 pikë, shtatë më shumë se Juventusi që të shtunën u mposht nga Napoli.
Roma ka arritur të zbutë paksa krizën duke shënuar fitore në Olimpico përballë Bolognas.Giallorossët kanë fituar me rezultat prej 2-1 në ndeshjen e të dielës, për të ndërprerë serinë e dobët në Serie A, me ç’rast kishte pësuar tri humbje radhazi. Mysafirët kaluan të parët në avantazh në minutën e 32-të me anë të Adailton, mirëpo pas vetëm tre minutash, vendasit barazuan me anë të Mirko Vucinic. Fitoren Romës ia solli Simone Perrota me golin e shënuar në minutat e para të pjesës së dytë (52’).
Sulmuesi argjentinas Gonzalo Higuain është i ngazëllyer që ka shënuar në fitoren 2-0 të Real Madridit ndaj Getafes.Pas tre humbjeve në katër takime, Higuain shënoi të dy golat e fitores së Realit, që lehtësoi presionin e menaxherit Manuel Pellegrini.
“Ishte një javë e vështirë me të gjithë ato kritika që dëgjuam. Sot treguam se jemi luftëtar në këtë ligë. Kjo varet nga ne. Ne jemi në Ligën e Kampionëve dhe Kupa është ca e vështirë, por e realizueshme. Kemi një ekip për të fituar”, ka thënë Higuain.
“Personalisht jam shumë i kënaqur. Ende nuk jam 100% i gatshëm por jam duke arritur atje”, ka shtuar argjentinasi.
Trajneri i Fulhamit, Roy Hodgson, është krenar me lojtarët e tij pas fitores së djeshme prej 3-1 ndaj Liverpoolit.“U desh të punojmë shumë për t’i mbajtur ata larg portës. Ata kishin posedim më të madh se ne dhe në një moment nuk e pashë se ne mund t’i ndalonim. Por ne iu afruam në pjesën e dytë. Filluam të krijojmë shanse dhe i shfrytëzuam disa prej tyre. Po bëhemi një ekip më i mirë”, ka thënë Hodgson.
Ai po ashtu nuk ka dhënë kurrfarë simpatie për Benitez. “Vetëm i dëshiroj fat të mërkurën”, ka shtuar anglezi.
Liverpooli ka një sfidë tjetër të vështirë këtë mesjavë kur udhëton te Lyoni në kuadër të Ligës së Kampionëve. Takimin e parë të zhvilluar në Anfield, Të Kuqtë e humbën me rezultat 2-1.
Zëvendëspresidenti i Milanit, Adriano Galliani, ka lëshuar lëvdata në drejtim të Ronaldinhos pas fitores së mbrëmshme ndaj Parmës.Marco Borriello shënoi të dy golat e fitores, por Ronie ishte i jashtëzakonshëm në mesfushën e rosonerëve.
“Ronaldinho po ia del mirë me këtë ndryshim taktik me brazilianin që luan në krah të Alexandre Pato, i cili luan në të djathtë. Kjo funksionon mirë dhe ekipi luan futboll të mirë”, ka thënë Galliani.
Galliani po ashtu ka zbuluar se Milani ka arritur marrëveshje për të sjellë në radhët e veta në muajin janar edhe yllin e kombëtares U20 të Ganës, Dominic Adiyah.
Sulmuesi i Interit, Mario Balotelli, thotë se ai ishte përcaktuar të bëhet yll i futbollit.“Kur isha gjashtë vjeçar, i kam thënë nënës time se do të luaj në Serie A dhe ajo nuk më besoi. Por u detyrua ta ndryshojë mendjen, pasi shumë shpejt shumë klube filluan të më kërkojnë”.“Futbolli im është argëtim dhe lejon edhe humbjen, edhe nëse duhet të them se e kam humbur atë qëndrimin e shkujdesur që e kisha si i ri”, ka thënë Balotelli.Super Mario ka shkaktuar shpesh kundërthënie në karrierën e tij për shkak të temperamentit shpërthyes dhe tentimit të ‘ngacmojë’ kundërshtarët.
Ish-menaxheri i Real Madridit, Bernd Schuster, ka dalë në mbrojtje të mesfushorit të ekipit mbretëror Guti.Guti ishte lënë anash për fitoren e djeshme të Realit ndaj Getafe, pasi ishte përplasur me trajnerin Manuel Pellegrini gjatë humbjes së thellë prej 4-0 në Kupën e Mbretit nga Alcorcon.“Ai ishte një prej atyre të cilët gjithmonë më kanë përkrahur mua. Ai është një lojtar më ndryshe se shumë tjerë dhe ka diçka që e bën të veçantë. Ka pak lojtarë si ai, por ai duhet të ketë shumë vetëbesim dhe, ndonjëherë, edhe asistencë”, ka thënë Schuster.
Brandon Jennings ka ndihmuar ekipin e tij Milwaukee Bucks të shënojë fitore 96-85 ndaj Detroit Pistons, duke shënuar 24 pikë, përfshirë nëntë radhazi në çerekun e tretë.Hakim Warrick erdhi nga stoli për të ndihmuar Bucks me 21 pikë, derisa Michael Redd shënoi nëntë pikë para se të largohet në pjesën e dytë për shkak të dhimbjeve në gju.Nga takimet e një dite më parë, LeBron James shënoi 24 pikë, bëri nëntë kërcime dhe gjashtë asistime për të ndihmuar Cleveland Cavaliers të shënojnë fitoren e parë të sezonit, duke mposhtur Minnesota Timberwolves me rezultat 104-87.Boston Celtics kanë mbetur të pathyeshëm duke mposhtur Chicago Bulls me rezulat 118-90.
Trajneri i Barcelonës, Pep Guardiola, thotë se ata kanë humbur dy pikë shumë të vlefshme në barazimin e mbrëmshëm 1-1 ndaj Osasunas.Një autogol i shënuar nga Gerard Pique në minutën e tretë të kohës shtesë ia humbi vlerën golit të avantazhit të Barcelonës, që u shënua nga Seydou Keita, 20 minuta më herët.“Është shqetësuese të mos fitosh dhe gjithmonë rrezikoni të lëndoheni kur diferenca është aq e vogël. Por tash duhet të rikuperohemi, të mbledhin veten dhe të fokusohemi në takimin e Ligës së Kampionëve në rusi (kundër Rubin Kazan)”.“E dinim se duhej të ishim më të rreptë në mbrojtje. Humbëm dy pikë në fund, por jam i kënaqur me paraqitjen e ekipit”, ka thënë Guardiola pas takimit.
Mesfushori i Chelseat, Frank Lampard, thotë se ai nuk ka menduar shumë për t’u futur në ujërat e menaxhimit pasi është duke shijuar lojën aq shumë.Lampard mendon se ai vetëm sa përmirësohet me kalimin e viteve dhe nuk ka shikuar ende se çfarë do të ndodhë pas përfundimit të karrierës si futbollist.“Njerëzit bëjnë gjëra të ndryshme në moshë të shtyrë, por nëse shikoni veten mendoni se mund të luani më gjatë këto ditë. Ky është synimi im të luaj sa më gjatë që mundem, pasi me përvojë bëheni një lojtar më i mirë”.“Mbaj mend Gianfranco Zola i cili pati një sezon të pabesueshëm në Chelsea kur ishte 37-vjeçar. Andaj synoj të luaj deri në mes të të tridhjetave, derisa trupi im të më thotë ndryshe”, ka thënë Lampard.
Menaxheri i Liverpoolit, Rafa Benitez, thotë se ai është siguruar për të ardhmen e tij në Anfield.“Kur kam nënshkruar kontratën e re për pesë vite, më është bërë e qartë se do të jem në klub për një kohë të gjatë. Tash mund ta kontrolloj akademinë, të kontrolloj lojtarët e ri që nxjerrin dhe të ndërtoj diçka të mirë për të ardhmen”, ka thënë Benitez.“E kemi analizuar ekipin së bashku, kemi menduar planet për janar dhe për sezonin e ardhshëm. Unë besoj se ne do të kualifikohemi për fazën e eliminimit të Ligës së Kampionëve, por sigurisht, duhet të keni plane të bazuara në atë nëse keni më shumë para ose më pak në dispozicion”.“Sa më shumë që keni, më lehtë është. Nëse keni më pak para, atëherë duhet t’i menaxhoni ato në një mënyrë tjetër dhe të gjeni zgjidhje të tjera për t’u përmirësuar”, ka shtuar spanjolli.
Menaxheri i Arsenalit, Arsene Wenger, thotë se ai nuk mund ta krahasojë sulmuesin Robin van Persie me asnjë lojtarë tjetër me të cilin ka punuar.Van Persie shënoi dy gola në fitoren e djeshme me rezultat 3-0 të Arsenalit ndaj Tottenhamit.“Mendoj se ai është një kombinim i lojtarëve. Ai është më pak vrapues me topin se Thierry Henry dhe ai nuk është një Dennis Bergkamp i kompletuar, pasi ai luan lart në fushë. Por ai është një lloj lojtari që i përshtatet llojit të lojës tonë”.“Kur e dërgoni topin në këmbët e tij, prekja e tij është e përkryer. Ai po ashtu mund të japë pasime të shkurta të cilat rrezikojnë gjithkënd. Para golit ai është inteligjent dhe i mençur”, ka thënë Wenger.
















