Portieri i Juventusit, Gianluigi Buffon, është sërish në shënjestër të skuadrave të mëdha, ndërsa njoftohet se Manchester United dhe Bayern Munich planifikojnë të bëjnë oferta në fund të këtij sezoni.United është duke kërkuar një zëvendësues të Edwin van der Sarit, ndërkohë që menaxheri i gjeneral i Bayernit, Uli Hoeness, ka deklaruar se bavarezët kanë nevojë për portier. Kështu, Tuttosport shkruan se të dyja skuadrat janë të lidhura me emrin e portierit italian. Gazeta italiane shkruan se Juve mund ta shfrytëzojë Buffonin për ta shkëmbyer me anësorin e Bayernit, Franck Ribery.
Mesfushori i Romës, Daniele De Rossi, ka shprehur dashurinë e tij për klubin, ndërsa ka thënë se skuadra do të dalë nga kjo situatë e vështirë.“Unë, sikurse skuadra, po përjetoj një moment të palumtur”, u ka thënë De Rossi gazetarëve, duke shtuar se përkundër paraqitjeve të këqija të Giallorossëve, ai nuk e ka në plan të largohet nga klubi. “Gjithmonë kam thënë se dëshiroj të qëndroj te Roma. Kjo është diçka që lidhet me jetën time dhe me ditën kur jam bërë ‘romanist’, nuk është e bazuar në trofe, ose në atë se cila skuadër dëshiron të më blejë”, ka thënë italiani.
Sulmuesi Liverpoolit, Dirk Kuyt, kërkon hakmarrje ndaj Lyonit në ndeshjen e të mërkurës mbrëma në Ligën e Kampionëve.Dy javë më parë, Olympique Lyonnais i mposhti Të Kuqtë në Anfield, ndërsa holandezi kërkon që skuadra e tij të hakmerret sonte kur luan si mysafir i francezëve. “A dëshirojmë hakmarrje? Kuptohet që duam hakmarrje. Ndeshja jonë e radhës do të luhet atje dhe ne padyshim që dëshirojmë fitore”, ka thënë Kuyt për The Daily Star. Liverpooli ka vetëm tri pikë në Grupin E, ndërsa me humbje eventuale nga Lyoni thuajse do të përshëndetej nga gara e mëtutjeshme nëse Fiorentina mposht Debrecenin.
Toyota është tërhequr nga Formula 1, duke e lënë Japoninë pa asnjë skuderi në garën më prestigjioze automobilistike.Presidenti i kompanisë, Akio Toyoda, ka konfirmuar tërheqjen, ndërkohë që kërkuar falje që skuadra e tij dështoi të regjistronte një fitore të vetme që nga viti 2002 kur i është bashkëngjitur Formula 1, përkundër investimeve vjetore prej 300 milionë eurosh. “Ky ishte një vendim i vështirë, por i pashmangshëm. Që nga viti i kaluar, me përkeqësimin e klimës ekonomike, kemi pasur probleme me çështjen nëse do të vazhdojmë në F1”. “Po tërhiqemi nga Formula 1 tërësisht. Kërkoj falje ndaj tifozëve të Toyotas që nuk ishim në gjendje të arrinim rezultatet që i kemi planifikuar”, ka thënë Toyoda.
Djibril Cisse beson se Liverpooli do ta fitojë Lyonin në takimin e sotëm dhe do të kalojë në fazën e ardhshme të Ligës së Kampionëve.Ish-sulmuesi i Liverpoolit, Cisse, i cili tash aktivizohet te Panathinaikos, beson se të kuqtë janë mjaft të mirë për ta mposhtur Lyonin.“Unë ende besoj se Liverpooli do të shkojë më tej. Atyre iu duhet një rezultat i mirë sonte, dhe jam i sigurt se do të vijnë deri te një rezultat i mirë dhe do t’i fitojnë edhe dy takimet e fundit dhe do të kualifikohen për në fazën e eliminimit”, ka thënë Cisse.“Megjithatë, do të jetë vështirë, Lyoni është një kundërshtar i vështirë dhe ka futbollistë kualitativ. Ata tashmë fituan në Anfield dhe do të kenë vetëbesim. Por Liverpooli është Liverpool dhe është i aftë të të fitojë gjithkund, këtë e ka treguar në të kaluarën”, ka shtuar më tej francezi.
Boston Celtics kanë ruajtur fillimin e mbarë të sezonit duke mposhtur Philadelphia 76ers me rezultat 105-74.Paul Pierce shënoi 21 pikë dhe kontribuoi edhe me tetë kërcime, derisa rezerva Rasheed Wallace realizoi gjashtë tre pikësha dhe ndihmoi me 21 pikë.Andre Iguodala shënoi 17 pikë për Philadelphia, që tash kanë dy fitore dhe dy humbje këtë fillim sezoni. Boston çon në pesë numrin e fitoreve, përkundër asnjë humbje.
Ylli i Real Madridit, Kaka, ka qenë shumë falënderues për fansat e Milanit për pritjen e mirë të tyre në barazimin e mbrëmshëm 1-1 në San Siro.“Ishte e mrekullueshme, pikërisht si e pritja. Kam pasur momente të shkëlqyeshme në San Siro dhe kjo ishte një mbrëmje tjetër emocionuese. I falënderoj të gjithë fansat për këtë dhuratë”, ka thënë Kaka pas takimit.“Nuk ishte e lehtë të merresh me aq shumë emocione, por unë isha i përgatitur për këtë dhe e dija se do të jetë vështirë. Do të përpiqem t’i mbaj nën kontroll këto ndjenja dhe të fokusohem në futboll”, ka shtuar braziliani.
Sulmuesi i Dynamo Kievit, Andriy Shevchenko, shpreson se do të mund të shënojë fitore kundër Interit në takimin e sotëm të Ligës së Kampionëve.“Çdo sfidë me Interin do të mbetet derbi për mua, një sfidë e veçantë. Ata janë rivalët e mi historik, është kënaqësi të takohesh dhe do të ishte e veçantë për mua ta mposht këtë ekip”.“Të shpresojmë se ndeshja do të jetë argëtuese dhe se ne do të shënojmë fitore. Jam i bindur se mund ta bëjmë. Interi është një ekip shumë i ekuilibruar dhe fizikisht i fuqishëm, por ne mund t’ua vështirësojmë punët atyre”, ka thënë Shevchenko në prag të takimit të sotëm.
Sulmuesi brazilian Alexandre Pato ka qenë i kënaqur me paraqitjen e tij në barazimin e mbrëmshëm të Milanit me rezultat 1-1 ndaj Real Madridit në kuadër të Ligës së Kampionëve.“Jam i kënaqur me formën, zakonisht flas me Leonardon si të përmirësohem. Jam i kënaqur që luaj me Milanin që është një ekip i shkëlqyeshëm, jap më të mirën për fansat dhe dua të luaj gjithnjë e më mirë”.“Kaka? U takuam me të, por biseduam për ndeshjen. Mendoj se kam nevojë të përmirësohem taktikisht, pastaj të shkoj më shumë në mbrojtje dhe të ndihmoj ekipin dhe të bëj më shumë në stërvitje për të qenë sulmuesi i parë”, ka thënë Pato pas takimit të mbrëmshëm.
Trajneri i Real Madridit, Manuel Pellegrini, beson se ata e kanë merituar fitoren në ndeshjen e mbrëmshme të Ligës së Kampionëve ndaj Milanit që përfundoi me rezultat të barabartë 1-1.Karim Benzema shënoi për Real Madridin, para se Ronaldinho të barazojë për Milanin nga penaltia.“Ndjehem komfort me përpjekjen e ekipit. Një pikë nuk ofron asgjë të veçantë ose të re. Do të më pëlqente që përpjekja të ishte reflektuar me një fitore në San Siro”.“Patëm një pjesë të parë të mirë me 16 goditje në drejtim të golit. Ishte vetëm një ekip në fushë. Në pjesën e dytë, ata kontrolluan më shumë, por ne i mbajtëm ata mirë dhe kishim shanse për të siguruar tre pikë, që mendoj se do të kishte qenë e drejtë”, ka thënë Pellegrini.
Presidenti i Milanit, Silvio Berlusconi, ka qeshur me spekulimet se ai është në bisedime me Roman Abramovich për të shitur klubin.Berlusconi deklaroi dje se ai është i gatshëm të shesë ekipin për një çmim të duhur.I pyetur nëse mendonte t’ia japë klubin pronarit të Chelseat, Berlusconi është përgjigjur: “Jo, vërtet besoj se Chelsea është mjaft për të dhe ai do të qëndrojë me të”.“Për një dashuri (si Milani) nuk ka shifra për të cilat ia vlen të sakrifikosh. Vetëm ndonjë shumë i përkushtuar mund të triumfojë”, ka shtuar kryeministri italian.
Sipas Daily Mail, Atletico Madrid është i lirë për të biseduar me Merida, i cili shënoi për Arsenalin në fitoren ndaj Liverpoolit javën e kaluar në kuadër të Kupës Carling.Ekipi spanjoll dëshiron të transferojë lojtarin 19-vjeçar në afatin kalimtar të janarit dhe sipas agjentit të tij, Joseba Diaz, ai do ta analizojë ofertën me vëmendje.“Ne tashmë e kemi një ofertë nga Arsenali, por Fran Merida ka një sëmundje, dhe kjo është Atletico Madrid dhe nuk mund të bëni asgjë në këtë drejtim. E gjitha filloi në vitin 1996 kur Atletico fitoi ligën dhe Copa del Rey. Ai flinte me fanellë kuq e bardh, ndiqte Atleticon gjithkund ku kishte mundësi”, ka thënë agjenti.
Menaxheri i Liverpoolit, Rafa Benitez, thotë se ai nuk e ka ndërmend të largohet nga ekipi anglez.Në prag të takimit vendimtar ndaj Lyonit të vlefshëm për kualifikim në fazën e mëtejme të Ligës së Kampionëve, një eliminim nga kjo do t’i kushtonte Liverpoolit me 15 milionë dollarë humbje. Kjo mund të çonte edhe te një shkarkim i Benitez, por spanjolli është i bindur se ai do të vazhdojë të drejtojë ekipin.“Jam vërtet i kënaqur që jam këtu dhe dua të jem për një kohë të gjatë. Dhe kur kaloni nëpër një stuhi e mbani kokën lart dhe ne do të mundohemi t’i mbajmë lart”, ka thënë Benitez.
Menaxheri i Chelseat, Carlo Ancelotti, mendon se Sergio Aguero do të dëshironte të luajë në krah të sulmuesit Didier Drogba.Drogba shënoi të dy golat e mbrëmshëm në takimin e Ligës së Kampionëve në të cilin Chelsea barazoi me rezultat 2-2 ndaj Atletico Madrid, për të cilin ekip të dy golat i shënoi Aguero.“Mendoj se Aguero do të mund të luante shumë mirë me Didier Drogba, me siguri”, ka thënë Anceloti pas takimi.
Ish-trajneri i Real Madridit, aktualisht trajner i Osasunas, Jose Antonio Camacho, thotë se çmimi për lojtarin më të mirë të vitit duhet t’i ndahet mesfushorit të Barcelonës, Xavi Hernandez.Në listën e FIFA-s për lojtarin e vitit përfshihen gjashtë lojtarë spanjollë, ndërsa një numër i njëjtë lojtarësh të Barcelonës garojnë për këtë titull. “Kjo është dëshmi se Spanja dhe Barcelona janë në një moment të shkëlqyer”. “Unë do t’ia kisha dhënë çmimin Xavit për atë që ka bërë vitin e kaluar me kombëtaren dhe me Barcën”. “Sido që të jetë, ajo që është e padiskutueshme, është se çmimi duhet t’i ndahet njërit nga lojtarët e Barcës”, ka thënë Camacho për Sport.
Chelsea ka arritur të barazojë në Vicente Calderon përballë Atletico Madridit, për të siguruar kualifikimin në fazën e eliminimit direkt të Ligës së Kampionëve.Ishte ky një duel i dyshes sulmuese Sergio Aguero-Didier Drogba, të cilët shënuan nga dy gola për skuadrat e tyre. Aguero shënoi golin e parë në minutën e 66-të, ndërsa Drogba barazoi në minutën e 82-të. Sulmuesi nga Bregu i Fildishtë kaloi Blutë në epërsi dy minuta pa përfunduar koha e rregullt, ndërsa në minutën e 90-të, argjentinasi Aguero nuk ia lejoi fitoren Chelseat. Në takimin tjetër të Grupit D, janë ndeshur APOEL Nicosia dhe Porto, me ç’rast mysafirët kanë shënuar fitore minimale për të siguruar kualifikimin në raundin e radhës të Ligës së Kampionëve. Pas kësaj xhiroje, Chelsea mban vendin e parë me dhjetë pikë, ndërsa në të dytin gjendet Porto me nëntë pikë, kështu që në dy xhirot e mbetura këto dy skuadra do të luftojnë për vendin e parë.
















