Gjykata evropiane e arbitrimit të premten ka tërhequr embargon e transferimeve ndaj Chelseat, mirëpo mundësia për të transferuar lojtarë të rinj në janar, nuk është çështje për të cilën shqetësohet aktualisht trajneri Carlo Ancelotti.
“Duhet të përqendrohemi në ndeshjen e të dielës (kundër Manchester United)”. “Mund të blejmë (lojtarë), por tash kemi çështje tjera dhe nuk është me rëndësi se çfarë mund të bëjmë në janar”. “Është një ndeshje shumë e rëndësishme, luajmë kundër skuadrës së dytë në Ligën Premier. Vlerën e ka tri pikë, sikurse ndeshjet tjera, mirëpo përballemi ndaj një ekipi të jashtëzakonshëm”, ka thënë Ancelotti në një konferencë për shtyp.
Edhe pse Barcelona ka barazuar në dy ndeshjet e fundit, kundër Osasunas dhe Rubin Kazanit, trajneri i Blaugranëve, Pep Guardiola, thotë se skuadra e tij është më e mirë se vitin e kaluar.
“Në shumë mënyra, ne jemi skuadër më e mirë se vitin e kaluar. Po ashtu jemi në rrezik për t’u mos kualifikuar në fazën e eliminimit direkt, apo jo?”. “Nëse përjashtohemi pas dy ndeshjeve të mbetura, është faji ynë. Mirëpo nëse e kalojmë këtë moment, jam i bindur se do të bëhemi më të fortë”, ka thënë Guardiola për Sport.
Mesfushori i Milanit, Gennaro Gattuso, do të qëndrojë dy javë jashtë fushe, si pasojë e një lëndimi që mori të mërkurën në fushën stërvitore.
Sky Sport Italia njofton se vendimi është marrë, pasi italiani u është nënshtruar disa ekzaminimeve mjekësore të cilat kanë rezultuar në dëm të lojtarit. Mësohet se Rino ka lënduar muskulin e këmbës së djathtë, ashtu që do të mungojë dy javët e ardhshme, duke mos qenë në gjendje të luajë as me përfaqësuesen e Italisë në dy ndeshjet miqësore, kundër Holandës dhe Suedisë.
Ish-sulmuesi i Interit, Christian Vieri, ka dhënë disa deklarata shokuese duke thënë se skandali i futbollit italian në vitin 2006- Calciopoli, ishte projektuar nga presidenti i Interit, Massimo Moratti, me qëllim që ta bënte skuadrën e tij më të fortën në Itali dhe ta dërgonte Juventusin në Serie B.
“Më erdhi shumë keq për Juventusin, sepse kam simpati për ta. E njëjta gjë edhe për Milanin. Mendoja se po bëj diçka të mirë për presidentin tim, i cili ka shumëçka për të treguar se ka personalitet të dyfishtë”. “Jam i gatshëm t’ua tregoj të gjithëve dokumentin, të gjithë e dinin se çfarë po ndodhte. Unë jam spiunuar, sepse nuk mund t’i mbaj të fshehura këto gjëra”, ka thënë për Firenze Viola sulmuesi italian, i cili e ka paditur Interin dhe Telecom Italia për përgjim ilegal ndaj tij.
Mesfushori i Chelseat, Deco, mendon se fitorja ndaj Manchester United, ka më shumë vlerë se vetë tre pikët që do të fitohen nga ky derbi.
Të dielën në Stamford Bridge zhvillohet derbi i madh i qytetit në mes të Chelseat dhe Manchester United. Blutë në këtë ndeshje shihen si një favorit i lehtë, për shkak të formës më të mirë të cilën e kanë në fushë vendore.“Dallimi në mes nesh dhe United është në sulm. Drogba gëzon një formë spektakolare, ndoshta më e mira në karrierën e tij dhe është superior në krahasim me linjën sulmuese të United. Sipas meje, Didier do të jetë çelësi, ylli i ndeshjes, sigurisht”,“Takimi vlen katër pikë, një shtesë është goditja ndaj moralit të United, pasi ata tashë kanë humbur nga Liverpooli”, ka thënë portugezi.
Mediat spanjolle shkruajnë se persona zyrtarë nga Manchester City dhe nga Barcelona do të takohen të martën në Abu Dhabi dhe do t’i vazhdojnë negociatat për Robinhon.
Pronari i Manchester Cityt më herët deklaroi se ata do të pajtoheshin ta shesin Robinhon, por këtë do ta bënte vetëm nëse kjo është në interes të klubit.Nëse do të realizohej ky transferim, më e sigurt është që Thierry Henry verën e ardhshme të largohet nga klubi katalanas, ndërsa Pep Guardiola do të formonte një trete të shkëlqyeshme ofensive me Robinho, Ibrahimovic dhe Messi.Barcelona do ta dërgojë drejtorin teknik, Txiki Bergiristein, së bashku me dy zyrtarë të lartë, për të negociuar për një transferim të Robinhos.Sipas informatave, janë tre opsione. I pari është huazim gjashtëmujor, që do të realizohej në janar, me mundësinë që transferimi të kompletohet në fund të sezonit. E dyta është huazim 18 mujor, dhe marrëveshje komplete në vitin 2011.Dhe e treta që Barcelona ta paguajë që në janar dëmshpërblimin që duhet të tejkalojë 32.5 milionë funte, të cilat City ia pagoi Realit, verën e vitit të kaluar.
Strategu i Chelseat, Carlo Ancelotti, thotë se Interi mbetet ekipi favorit për të fituar kampionatin italian këtë sezon.
“E kam mirë në Londër, por këtu në Angli ka një konkurrencë më të madhe. Ka një ambient më të mirë, presion më të vogël rreth punës tuaj dhe futbolli shihet si spektakël. Stadiumet janë shumë të bukura, komforte. Kam shumë mbresa të mira në katër muajt e parë”, ka thënë Ancelotti.Pasi ka folur për ish-klubin e tij Milanin, ku ka lavdëruar sulmuesin Alexandre Pato, Ancelotti ka përmendur Interin si favorit për të fituar Serie A.“Interi mbetet ekipi që duhet të fitohet, pasi ka një përbërje më konkurruese. Po ashtu ata kanë një trajner të shkëlqyeshëm, i cili në Chelsea kujtohet me shumë dashur”, ka shtuar mes tjerash italiani.
Menaxheri i Liverpoolit, Rafael Benitez, ka marrë mbështetjen e Xabi Alonsos, lojtarit largimi i të cilit përmenden si shkak i krizës që dominon në Anfield.
Alonso është i bindur se Benitez ‘është njeriu i duhur’ për t’i zgjidhur problemet e Liverpoolit dhe i ka këshilluar pronarët të mos bëjnë panik dhe të mos e shkarkojnë atë edhe pse të kuqtë janë afër eliminimit nga Liga e Kampionëve.“Nuk është mënyrë e Liverpoolit ta shkarkojnë menaxherin pas disa rezultateve të dobëta në fillim të sezonit. Ata kanë besim të plotë në të dhe ai është njeriu i duhur për atë klub”.“Ai është një menaxher i shkëlqyeshëm dhe sigurisht se është i aftë të menaxhojë përbërjen të cilën tash e ka në dispozicion. Liverpooli nuk do të marrë vendim të mirë nëse vendos ta ndërrojë trajnerin”, thotë Alonso.
Braziliani Ronaldinho thotë se buzëqeshja në fytyrën e tij është rikthyer sërish dhe thotë se dëshiron ta kopjojë legjendën e Milanit, Paolo Maldinin.
Ish-ylli i Barcelonës së fundi është në një formë të shkëlqyeshme dhe e ka kthyer magjinë në fushë nën drejtimin e trajnerit Leonardo.“Unë gjithmonë ndjehem i njëjti, edhe pse shumë gjëra ndodhën tre vitet e fundit. Nuk kam ndryshuar. Kam vetëm më shumë përvojë. Dallimi është se tash luaj dhe kam më shumë fat të jem pjesë e ekipit që fiton”, ka thënë Ronaldinho.“E kisha të vështirë të qëndroj në stolin e rezervave. Tash jam me fat që mund ta bëj atë që dua më së shumti, të luaj futboll”.“Dua të bëhem si Maldini. Dua të luaj edhe kur të mbush 40 vjet, ndoshta edhe më shumë. Me Milanin? Pse jo”, ka shtuar braziliani.
Legjenda e Milanit, Paolo Maldini, i ka hapur dyert për rikthim te ish-klubi i tij.
41-vjeçari vari këpucët në fund të sezonit të kaluar, pasi kaloi gjithë karrierën e tij 25 vjeçare me rosonerët.“Kam dhënë mjaft dhe kam marrë shumë, dhe ndjej shumë dashuri për ngjyrat e Milanit. Kjo shkon përtej njerëzve të cilët punojnë atje. Nëse ka ndonjë gjasë që të bëj diçka pozitive për të ndihmuar ekipin gjithmonë do të jem aty”.“Ekipi ka një krenari të madhe dhe është i aftë që gjithmonë t’i japë momentit emocione të rëndësishme. Ne shkojmë nëpër këtë periudhë të mirë, pasi ekipi ka gjetur qëndrueshmërinë në Ligën e Kampionëve dhe në Serie A. Milani di si të luajë futboll”, ka thënë ish-kapiteni i rosonerëve.
Derrick Rose ka shënuar 10 nga 14 pikët e tij në çerekun e katërt dhe ka bërë një kërcim vendimtar në sekondat e fundit të ndeshjes për të ndihmuar Chicago Bulls të mposhtin Cleveland Cavaliers me rezultat 86-85.
Rose kontribuoi edhe me 11 asistime në fitoren e tretë të sezonit për Bulls, përkundër dy humbjeve. MVP i NBA-së, LeBron James shënoi 25 pikë për Cavaliers, por humbi topin në sekondat vendimtare të ndeshjes. Cavaliers të cilët sezonin e kaluar patën një rekord prej 40 fitoreve dhe vetëm dy humbjeve, tashmë kanë humbur dy herë në Cleveland. Prej gjashtë ndeshjeve, ata kanë tre fitore dhe tre humbje.
Sulmuesi i Manchester United, Wayne Rooney, beson se ai është bërë më i pjekur viteve të fundit.
Ylli i kombëtares angleze pranon se ai nuk është më i njëjti person i cili doli në skenën e Ligës Premier si 16-vjeçar në Goodison Park me Evertonin.“Profili më ka ndryshuar mua. Prej momentin kur për të parën herë jam përfshirë në ekipin kombëtar e derisa isha 20 ose 21-vjeçar, isha ca naiv. Dilja dhe bëja gjëra të ndryshme”. “Siç duket, në fund, kuptoni se nuk mundeni ashtu pasi ka fëmijë të rinj të cilët ju shikojnë. Ju duhet të mundoheni të jeni shembull për ta. Është diçka për të cilën jeni të vetëdijshëm dhe diçka për të cilën duhet të kujdeseni”, ka thënë Rooney.
Trajneri i Evertonit, David Moyes, nuk mendon se pjesëmarrja e ekipit të tij në fazën e ardhshme të Europa League është në rrezik, pavarësisht humbjes së mbrëmshme nga Benfica.
Ndeshja e radhës për klubin anglez është udhëtimi në Athinë për t’u përballur me AEK-un, para se BATE Borisov të vizitojë Goodison Park në ndeshjen e fundit të grupit.“Ne shpresojmë. Ne kemi ndeshje të vështira që presin dhe e dimë se grupi kurrë nuk do të ishte i lehtë dhe kështu edhe do të dëshmohet, jam i sigurt”, ka thënë Moyes.
Werder Bremeni ka shënuar fitore prej 2-0 përballë Austria Viennas, për të siguruar kualifikimin në raundin tjetër të Europa League, dy xhiro pa përfunduar faza grupore.
Gjermanët shënuan dy gola të shpejtë në fund të ndeshjes, me anë të të Tim Borowski (81’) dhe Hugo Almeida (83’) për të arkëtuar tri pikë nga ky takim. Ndeshja tjetër e Grupit L, e zhvilluar ndërmjet Nacional dhe Athletic Bilbao, ka përfunduar me rezultat të barabartë prej 1-1. Pas xhiros së katërt, këtij grupi i prin Werderi me dhjetë pikë, ndërsa vendin e dytë e mban Bilbao me shtatë pikë.
Robert Pires shënoi dy herë kundër Lazios. Villarreali ka shënuar fitore prej 4-1 përballë Lazios për të ngjallur shpresat për vazhdimin e garës edhe në fazën e radhës të Europa League.
Pires filloi serinë e golave që në fillim të ndeshjes (2’), ndërsa shumë shpejtë Nëndetësja e Verdhë trefishoi rezultatin me golat e Cani (13’) dhe sërish Pires (15’). Mauro Zarate ngushtoi epërsinë e vendasve në minutën e 73-të, ndërsa Giuseppe Rossi vendosi rezultatin përfundimtar (83’). Pas kësaj fitoreje, Villarreali barazohet me pikë me Lazion, dhe në dy xhirot e mbetura këto dy skuadra do të luftojnë për një vend që dërgon në fazën e ardhshme të Europa League. Ndeshja tjetër e Grupit G, e zhvilluar ndërmjet Levski Sofia dhe Salzburgut, ka përfunduar me fitoren minimale të austriakëve të cilën tashmë e kanë siguruar kualifikimin me katër fitore në katër ndeshje.
Zyrtarë të lartë të FFK-së kanë takuar të enjten për një orë e dhjetë minuta njeriun e parë të FIFA-s, Sepp Blatter.
Delegacioni ynë atje i ka paraqitur 4 kërkesa për FIFA-n, e që kanë të bëjnë me pranimin e federatës sonë në FIFA, pastaj mbrojtjen e transferimit të futbolliste kosovarë nëpër klubet evropiane, prezantimi i klubeve kosovare në garat e organizuara nga UEFA, si dhe lejimi i ndeshjeve miqësore për përfaqësuesen e Kosovës. Zëdhënësi i FFK-së, Fazli Berisha i ka thënë KTV-së nga Cyrihu se kryetari i FIFA-s, Blater ka premtuar se do të shkohet hap pas hapi për zgjidhjen e të gjitha këtyre problemeve. Blatter po ashtu ka deklaruar se FIFA ka një simpati dhe kujdes të veçantë për futbollin e Kosovës si dhe ka thënë se do të angazhohet që të gjendet zgjidhja më e mirë për ta nxjerrë futbollin e Kosovës nga izolimi. Në takim është diskutuar edhe për problemet ligjore që ka Kosova për pranimin e saj në FIFA, pasi që shteti ynë ende nuk është pjesë e OKB-së. Një premtim tjetër i madh ishte edhe ajo se Kosova do të jetë në rend të ditës në mbledhjen e Komitetit Ekzekutiv të Fifa-s që do të mbahet në dhjetor. Aty do të bëhet prezantimi i materialit që do të përgatitet nga FFK-ja në bashkëpunim të ngushtë me FIFA-n dhe UEFA-n. Po ashtu delegacioni kosovar ka demantuar pohimet e federatës serbe të futbollit se FFK-ja është pjesë e kësaj federate.
Festa e lojtarëve të Gallatës. Galatasaray dhe Panathinaikosi kanë shënuar fitore si mysafirë të Dinamo Bucuresti dhe Sturm Graz, respektivisht, për të siguruar vazhdimin e garës së mëtutjeshme në Europa League.
Gjigantit turk ka shënuar fitore prej 3-0 përballë ekipit rumun nga Bukureshti, ndërsa grekët e kanë mposhtur me rezultat minimal ekipin austriak. Pas kësaj xhiroje, Galtasaray mban vendin e parë në Grupin F me dhjetë pikë, ndërsa Panathinaikosi gjendet në vendin e dytë me nëntë pikë.
Festa e lojtarëve të Ajaxit. Skuadra belge Anderlecht dhe ajo holandeze Ajax, kanë siguruar kualifikimin në raundin e radhës të Europa League, duke mposhtur kundërshtarët respektivë, Timisoara dhe Dinamo Zagreb.
Anderlechti ka shënuar fitore si nikoqir i ekipit rumun Timisoara me rezultat 3-1, ndërsa Ajaxi ka shënuar fitore si mysafir i kroatëve të Dinamo Zagrebit me rezultat prej 2-0. Pas xhiros së katërt, Grupit A i prijnë Anderlechti dhe Ajaxi me nga tetë pikë, ndërsa në dy xhirot e radhës këto dy skuadra do të konkurrojnë për vendin e parë në grup.
Zdenek Senkerik u përjashtua me karton të kuq. Valenca nuk ka arritur të shënojë fitore as në ndeshjen e dytë përballë Slavia Prague, pasi ka barazuar me rezultat 2-2 si mysafir i skuadrës çeke.
Mysafirët krijuan avantazh të dyfishtë me anë të Joaquin nga pika e bardhë (22’) dhe Hedwiges Maduro, i cili shënoi në minutat e para të pjesës së dytë (47’). Mirëpo, edhe pse vendasit mbetën me një lojtar më pak në fushë pas përjashtimit të Zdenek Senkerik (49’), ata arritën ta barazojnë rezultatin me golat e Petr Janda (79’) dhe Peter Grajciar (82’). Në takimin tjetër të Grupit B, Genoa e ka mposhtur skuadrën franceze Lille me rezultat prej 3-2, për të ngjallur shpresat për kualifikim. Pas xhiros së katërt, Lille gjendet në vendin e parë në Grupin B me shtatë pikë, ndërsa Valencia dhe Genoa kanë nga gjashtë pikë.
Roma ka shënuar fitore me rezultat 2-1 përballë Fulhamit në Europa League, për të zënë vendin e dytë në Grupin E.
Mysafirët kaluan të parët në epërsi me anë të Diomansy Kamara (19’), ndërsa Giallorossët barazuan rezultatin në pjesën e dytë (69’) me anë të John Arne Riise. Golin e fitores për vendasit e shënoi Chuka Stefano Okaka në minutën e 76-të. Duhet përmendur se në këtë takim dy lojtarë të Fulhamit u përjashtuan me kartonë të kuq, Erik Nevland (49’) dhe Paul Konchesky (90’). Takimi tjetër i Grupit E, i zhvilluar ndërmjet Baselit dhe CSKA Sofjes, ka përfunduar me fitoren e zviceranëve prej 3-1. Pas xhiros së katërt, këtij grupi i prin Baseli me nëntë pikë, ndërsa Roma mban vendin e dytë me shtatë pikë.