Mesfushori i Werder Bremenit, Mezut Ozil, raportohet se është caku i ri i klubit të Ligës Premier, Arsenalit.
Sipas Daily Star Arsenali është duke planifikuar të humbasë kapitenin Cesc Fabregas, dhe e sheh Ozil si zëvendësim të tij, për të cilin mendohet se ka ndarë 15 milionë funte.Fabregas vazhdon të shkëlqejë me klubin anglez duke shënuar edhe tetë gola këtë sezon, të fundit në fitoren 4-1 ndaj AZ Alkmaar në Ligën e Kampionëve. Por spanjolli është duke u lidhur me një kalim në Barcelona në fund të këtij sezoni.Nëse ai largohet, Ozil do të mbulonte hapësirën e tij në ekipin e Arsene Wenger. Por topçinjve iu është thënë se duhet të presin deri në verë për të marrë mesfushorin e Werder Bremenit.
Kobe Bryant ka shënuar 41 pikë në fitoren 114-98 të Los Angeles ndaj Memphis Grizzlies, duke u bërë lojtari më i ri i NBA-së që ka arritur 24 mijë pikë.
Bryant ishte i saktë në 19 nga 30 goditjet e tij në paraqitjen e dytë radhazi në të cilën tejkaloi 40 pikët, dhe të tretën në katër ndeshje, për të ndihmuar ekipin të shënojë fitore pavarësisht mungesave të Pau Gasol dhe Andrew Bynum.Ron Artest shënoi 11 nga 19 pikët e tij në çerekun e tretë, kur Lakers dominuan për të krijuar avantazh të dukshëm ndaj kundërshtarëve. Fitorja është e pesta për Lakers përkundër një humbjeje.Rudy Gay shënoi pikët më të larta, 22 gjithsej, ndërsa Zach Randolph shënoi 21 pikë për Grizzlies, të cilët shijuan edhe humbjen e katërt radhazi.
Holandezi Wesley Sneijder thotë se ai do t’i ndihmojë Interit t’i fitojë të gjitha trofetë dhe shton se suksesi grupor është shumë më i rëndësishëm se ai individual.
“Nuk ka nevojë të thuhet se unë jam lojtar i rëndësishëm. Bashkëlojtarët e mi fituan kundër Palermos dhe Livornos edhe pse unë nuk isha në fushë”, ka thënë Sneijder në një intervistë për Corriere dello Sport.“Kur jam në fushë mundohem të jap maksimumin, pasi qëllimi im është t’i ndihmoj ekipit në çdo ndeshje. Synimi është të luaj mirë me Interin që të mund ta fitojmë Skudeton dhe Ligën e Kampionëve”, ka shtuar holandezi.
Trajneri i Barcelonës, Pep Guardiola, ka qetësuar zërat të cilat e lidhnin kampionin e Evropës me një transferim të yllit të Manchester Cityt, Robinho.
Drejtori sportiv i klubit spanjoll Txiki Begiristain dhe presidenti i klubit Joan Laporta që të dy kanë shprehur haptas interesimin për yllin brazilian. Por kështu nuk mendon Guardiola.“Kurrë nuk kam menduar për asnjë gjysmë sekonde për blerje të reja. Kam një besim të pathyeshëm në ekipin tim. Robinho? Kur nuk fitojmë është gjithmonë dita pas të cilës faqet e para të gazetave dalin me këtë tregim”, ka thënë Guardiola.
Menaxheri i Arsenalit, Arsene Wenger, planifikon t’i japë portierit Manuel Almunia përsëri hapësirë më të madhe në ekipin e parë.
Almunia qëndroi jashtë fushe për shkak të një infeksioni në gjoks, dhe pastaj u duk sikur mbeti nën hijen e Vito Mannone.“Zakonisht është më mirë të kesh pozitën e portierit të rehatuar, për shkak të faktorit të sigurisë. Kam parë disa klube të cilat kanë dy portierë të të njëjtës vlerë, dhe kjo shkakton probleme”, ka thënë Wenger.“Ata luajnë dy ndeshje një portier, dy ndeshje portieri tjetër. Në fund, ata të dy mund të përfundojnë duke mos ia dalë mirë. Për mua, Manuel është rikthyer sërish në formën e mirë. Sigurisht, ai ka nevojë disa ndeshje për t’u adaptuar të luajë sërish, por nuk jam i shqetësuar për atë”, ka shtuar francezi.
Menaxheri i Chelseat, Carlo Ancelotti, e ka përjashtuar Liverpoolin nga gara për titullin e Ligës Premier këtë sezon.
Italiani mendon se Manchester United dhe Arsenal janë rivalët e vetëm të bluve për titull.“Ne nuk mund të mendojmë për Liverpoolin në këtë moment, pasi ata janë prapa. Titulli nuk është vetëm në mes të Chelseat dhe United. Por mendoj se edhe Arsenali ka shanse të mira për të arritur pozitën e parë. Arsenali ka një ekip shumë të mirë”, ka thënë Ancelotti.“Por ne duhet të përqendrohemi te United. Është një ndeshje shumë e rëndësishme. Ne do të luajmë me ekipin e dytë në Ligën Premier, por është një ndeshje e cila sjell tre pikë, si edhe të tjerat”, ka shuar italiani.
Mesfushori i Juventusit, Diego, e ka lëvduar kapitenin e Zonjës së Vjetër, Alessandro Del Piero, duke e quajtur gjeni të futbollit.
“Del Piero është një lojtar i madh. Ai është një gjeni i futbollit”. “Ai respektohet si në fushë, po ashtu edhe jashtë saj, dhe e meriton këtë gjë. Ai gjithashtu është një person i jashtëzakonshëm”. “Ai është modest dhe ka respekt. Ai më ka ndihmuar shumë gjatë ditëve të para te Juventusi. Është një nder i madh të luaj me të”, ka thënë Diego për Tuttosport.
Sulmuesi i Arsenalit, Robin van Persie, dhe trajneri i Fulhamit, Roy Hodgson, janë shpallur, respektivisht, lojtari dhe trajneri i muajit tetor në Ligën Premier.
Van Persie ka marrë këtë vlerësim falë ndihmës së tij që iu dha Topçinjve për të mbetur të pamposhtur gjatë muajit që shkoi, duke shënuar pesa gola dhe duke bërë dy asistime. Ndërkohë, Hodgson u shpall trajneri i muajit tetor, pasi që përkundër ndeshjeve të vështira, Fulhami mbeti i pamposhtur gjatë muajit që shkoi, ndërsa veçohet fitorja prej 3-1 përballë Liverpoolit.
Pas një fillimi zhgënjyes të sezonit, Milani dalëngadalë po kthehet në formë, ndërsa sulmuesi Alexandre Pato është i kënaqur me këtë përparim duke shprehur dëshirën e tij për të fituar trofe me Rossonerët.
“Dëshiroj ta fitoj Kampionatin (italian) dhe Ligën e Kampionëve, të luaj mirë te Milani dhe të jap më të mirën nga vetja. Jam shumë i lumtur këtu”. “Po luaj mirë si anësor i djathtë dhe po e bëj punën time, për trajnerin dhe për të gjithë bashkëlojtarët e mi”, ka thënë Pato për Sky.