Golashënuesi i vetëm i ndeshjes, John Terry. SportiSot Blutë kanë shënuar fitore minimale përballë kampionit në fuqi për të përforcuar pozitën e parë në tabelë.
Superderbi i javës së dymbëdhjetë në Ligën Premier, është zhvilluar të dielën në Stamford Bridge, ndërmjet Chelseat dhe Manchester Unitedit.Momenti i golit të John Terryt. SportiSot Golin e fitores për vendasit e shënoi kapiteni John Terry (76’) pas një krosimi të Frank Lampard nga gjuajtja e lirë. Goli i shënuar me kokë nga mbrojtësi anglez rezultoi të kishte vlerën e tri pikëve, pasi që deri në fund të takimit, Djajtë e Kuq nuk arritën ta barazonin rezultatin. Me këtë fitore Chelsea përforcohet në vendin e parë me pesë pikë më tepër se Arsenali që mban pozitën e dytë me pikë të barabarta me Manchester Unitedin në pozitë të tretë.
Ronaldinho dhe Pato festojnë golin e dytë. Milani ka shënuar fitore prej 2-1 si mysafir i Lazios në Stadio Olimpico të Romës, për t’u pozicionuar në vendin e tretë në tabelë.
Mysafirët kaluan të parët në epërsi me anë të Thiago Silvas (21’), i cili shfrytëzoi një gjuajtje të lirë të Pirlos për të kaluar Rossonerët në epërsi. Goli i dytë i Milanit erdhi pas një krosimi të Ronaldinhos drejt Alexandre Patos, i cili dyfishoi epërsinë për kuqezinjtë (35’). Në pesën e dytë (64’), Thiago Silva neutralizoi golin e tij duke shënuar në portën e Didas, dhe duke i dhënë shpresë Lazios për barazim. Megjithatë deri në fund të ndeshjes, Biancocelestët nuk arritën ta shënojnë golin e barazimit. Pas kësaj fitoreje, Milani pozicionohet në vendin e tretë me një pikë më shumë se Sampdoria në vendin e katërt dhe dy pikë më pak se Juventusi që mban vendin e dytë.
Juan Manuel Vargas Viola ka shënuar fitore minimale si mysafir i Udeneses, ndërkohë që Sampdoria është mposhtur me rezultat prej 2-0 në fushë të Cagliarit.
Golin me vlerë tri pikë për Fiorentinan e shënoi Juan Manuel Vargas, gjashtë minuta pa përfunduar koha e rregullt e takimit. Nga ana tjetër, me golat e Daniele Contit (85’) dhe Alessandro Matrit (89’), Cagliari e ka mposhtur Sampdorian. Me këtë humbje, Sampdoria zhvendoset në pozitën e pestë me pikë të barabarta me Fiorentinan që tash mban pozitën e katërt. Fitore kanë shënuar Genoa dhe Parma, që duket se do të jenë nga skuadrat pretendente për një vend që çon në Ligën e Kampionëve në sezonin e ardhshëm.
Mesfushori i Interit, Patrick Vieira, thotë se ai është më i miri që ka në dispozicion menaxheri Raymond Domenech.
“E di se në pozicionin tim nuk ka asnjë më të mirë se unë në Francë. Mund të duket e tepruar, por jam i bindur për këtë”, ka thënë Vieria për L'Equipe.Vieira ka luajtur vetëm një herë për Francën në vitin 2009 dhe dy herë në vitin 2008, por ai është i vendosur të jetë pjesë e vendit të tij në Kupën Botërore në verën e ardhshme.“Nuk pres diçka. I kam dhënë vetes objektiv për të qenë pjesë e Kupës së ardhshme Botërore. Sigurisht do të doja të jem në play-off, por është vetëm një skenë”, ka shtuar ish-kapiteni i Arsenalit.
Kapiteni i Chelseat, John Terry, thotë se ai do të duhet të shtrëngojë mirë këpucët e tij sot, për të bllokuar sulmin e shkëlqyeshëm të Manchester United.
Terry është i vetëdijshëm se çfarë mund të bëjnë sulmuesit e United, pasi ka luajtur krahas të dyve, Michael Owen dhe Wayne Rooney në kombëtaren e Anglisë, derisa edhe Dimitar Berbatov është një kundërshtar familjar me futbollin anglez.“Të tre janë të ndryshëm, Owen ka treguar se është kërcënim i madh kur futet në fushë, Berbatov është i shpejtë dhe e mban topin shumë mirë, sikur Didier, dhe Wayne është gjithmonë një kërcënim i vazhdueshëm, ai mund të vrapojë prapa, të shtyhet, të pasojë”, ka thënë Terry për faqen zyrtare të Chelseat.
Menaxheri i Arsenalit, Arsene Wenger, thotë se është shumë herët për ta eliminuar Liverpoolin si sfidues për titull.
Duke folur pas fitores 4-1 ndaj Wolves, Wenger ka thënë se ai nuk do të shikojë shumë në rezultatin në mes të Chelseat dhe United, pasi ende është herrët të kalkulohen pikët, ndërsa nuk e ka përjashtuar Liverpoolin nga gara.“Është ende herët të kalkulojmë shumë. Nesër është fantastike për ne. Le të shpresojmë se do të kemi një lojë të mirë dhe ta shijojmë. Gjithmonë kënaqeni në ndeshje kur fitoni”.“Po ashtu, nuk do ta eliminoja Liverpoolin për momentin, madje edhe pse ata kanë humbur pesë ndeshje. Tash gjithkush ka humbur tre, andaj ka dallim në mes këtij sezoni dhe atij të kaluar”, ka thënë francezi.
Menaxheri i Sunderlandit, Steve Bruce, thotë se ai nuk mund të besojë se ka arritur të sjellë Lorik Canën në Stadiumin e Dritave.
Bruce ishte i befasuar kur Olimpique Marseille u pajtua ta shesë kapitenin për një shumë prej 5 milionë funtesh në muajin korrik.“Për të parën herë e pashë atë kur shkova ta shoh takimin Marseille - Liverpool. Ai u hodh në Gerrard në ndalimin e tij të parë. Por ajo që më befasoi ishte entuziazmi i tij. Nuk duhej ta shihni shumë për të parë se çfarë kishte”, ka thënë Bruce.“Ai ishte figurë kyçe në Marseille, që nuk është e lehtë. Tash ai është figurë kyçe këtu dhe e kam parashikuar këtë që në momentin kur kam nënshkruar”.“Por nuk mendova se kam ndonjë shans ta sjell atë, pasi ai ishte kapiten. Pastaj u ndryshua trajneri kur Didier Deschamps erdhi gjatë verës. Ai solli lojtarë të tij dhe e lejoi Lorikun të largohet”, ka shtuar Bruce.Stili luftarak i Canës tashmë i ka sjellë atij pesë kartonë të verdhë dhe një suspendim, që e la atë jashtë në takimin e djeshëm ndaj Tottenhamit, të cilin Sunderlandi e humbi me rezultat 2-0.
Trajneri i Inerit, Jose Mourinho, në prag të takimit të sotëm ka thënë se ai ka respekt të madh për trajnerin rival të Romës, Claudio Ranieri.
Që të dy janë ish-menaxherë të Chelseat dhe kanë pasur disa fjalosje nëpërmes shtypit gjatë disa viteve.“E respektoj Ranierin. Është e vërtet se ne kishin disa kundërshtime dhe kush e di ndoshta mund të ketë edhe në të ardhmen, por unë e respektoj atë si person dhe si trajner”.“Ne po luajmë mirë dhe po nxjerrim rezultate, pavarësisht problemeve, por unë nuk jam fëmijë dhe nuk do të fluturoj në hënë. Të fitojmë në minutën e fundit ishte fantastike, por po ashtu duhet të përgatitemi për dramën e humbjes në minutën e fundit”, ka thënë portugezi.
Sulmuesi i Juventusit, David Trezeguet, ka thënë se ky sezon do të jetë një sezon i ‘hakmarrjes personale’.
Francezi është lider i shënimeve për Juventusin dhe sërish u gjend në listën e golashënuesve në fitoren 5-2 ndaj Atalantas.“Gjatë verës kam përparuar, kam punuar shumë. Me sa duket, kishte lëndime në mesin e bashkëlojtarëve. Kisha besimin e trajnerit dhe tash luaj shumë, jam i lumtur. Është një hakmarrje për atë që përjetova vitin e kaluar, para lëndimit dhe zgjidhja që bëri ish-trajneri, andaj nuk isha në ekip”, ka thënë Trezeguet.“Për mua ky vit është një vit i hakmarrjes dhe jam shumë i kënaqur pasi ndjehem mirë, ekipi po ia del mirë dhe kemi një skuadër të fuqishme”, ka shtuar francezi.
Legjenda e Realit të Madridit, Roberto Carlos, beson se ai do ta përfundojë karrierën futbollistike në vendlindjen e tij në Brazil.
Roberto Carlos do të jetë pa kontratë në fund të sezonit me klubin ku aktivizohet, Fenerbahce, dhe nuk planifikon ta vazhdojë atë.“Do të them se është 50% për Corinthians dhe 50% për Santos. Ne jemi duke biseduar. Më saktë, të martën e ardhshme do të duhet ta marrim vendimin, andaj unë do të mund ta përfundoj sezonin në Fenerbahce i qetë. Dua të luaj edhe për dy ose tre vite të tjera në një ekip të madh”, ka shtuar Carlos
Kaka, Higuain dhe Sergio Ramos festojnë golin e parë. Los Merengues kanë fituar derbin e kryeqytetit spanjoll kundër Atleticos, për të mbajtur hapin me Barcelonën në krye të tabelës.
Takimi i zhvilluar të shtunën mbrëma në Vicente Calderon, ndërmjet Atletico Madridit dhe Real Madridit, u ka takuar lojtarëve me fanellat e bardha, të cilët fituan me rezultat prej 3-2. Reali ishte skuadër shumë më e mirë në fushë sesa kundërshtarit tij, duke arritur të krijojë epërsi të trefishtë. Serinë e golave e filloi superylli brazilian Ricardo Kaka, i cili me një supergol kaloi mysafirët në epërsi që në fillim të ndeshjes (5’). Braziliani tjetër, Marcelo dyfishoi rezultatin duke shënuar në portën e Sergio Asenjos nga një pozitë ‘e pamundur’ (25’), dhe me epërsinë e dyfishtë të Mbretërve përfundoi pjesa e parë. Edhe në pjesën e dytë, ishin sërish Los Blancos që shënuan, kur një gabim të mbrojtjes vendase e shfrytëzoi Gonzalo Higuain për të trefishuar epërsinë (64’). Përjashtimi i Sergio Ramos me karton të kuq (66’), ndryshoi tërësisht rrjedhën e takimit. Atletico u bë skuadër shumë e rrezikshme duke arritur të shënojë dy gola të shpejtë, me anë të Diego Forlan (79’) dhe Sergio Aguero (81’). Mirëpo edhe pse deri në fund vendasit kërkuan golin e barazimit, ata nuk ia arritën qëllimit të tyre, përballë Realit që mbrohej me të gjithë lojtarët. Pas kësaj fitoreje, Real Madridi mban hapin me një pikë më pak se lideri i tabelës, Barcelona. Ndërkohë, përkundër emrave që ka në skuadër, ky ishte një dështim i radhës për Atletico Madridin.
Camoranesi dhe Trezegol duke festuar. Shtatë gola janë shënuar në ndeshjen e të shtunës mbrëma të zhvilluar ndërmjet Atalantas dhe Juventusit.
Zonja e Vjetër ka shënuar fitore prej 5-2 si mysafir i Atalantas në ndeshjen e zhvilluar në Stadio Atleti Azzurri d'Italia në Bergamo. Mauro German Camoranesi krijoi avantazh të dyfishtë për mysafirët duke shënuar dy gola të shpejtë (36’ dhe 37’), dhe me këtë epërsi skuadrat shkuan në pushim. Në minutat e para të pjesës së dytë (51’), vendasit ngushtuan epërsinë me anë të Valdes. Pas vetëm katër minutash, Felipe Melo krijoi sërish epërsi prej dy golash në favor të bardhezinjve, ndërsa vendasit e ngushtuan përsëri me golin e Fabio Ceravolo (71’). Bianconerët shënuan edhe dy herë, me anë të Diegos (84’) dhe David Trezeguet (87’), për të shuar shpresat e vendasve për barazim. Pas kësaj fitoreje, Juve gjendet katër pikë pas Interit, që të dielën mbrëma zhvillon derbin e javës së dymbëdhjetë kundër Romës.
Pas dy barazimeve radhazi (një në La Liga dhe një në Ligën e Kampionëve), Barcelona është kthyer te fitorja duke e mposhtur Mallorcan në Camp Nou me rezultat 4-2.
Pedro Rodriguez kaloi vendasit në epërsi (11’) pas një superpasimi nga Zlatan Ibrahimovic, mirëpo Nunes mposhti me kokë portierin Valdes (20’), për të barazuar rezultatin. Anësori spanjoll kaloi sërish Blaugranët në epërsi (40’), duke mposhtur portierin Aouate pas disa tentativave të kataluansve. Pa përfunduar pjesa e parë (44’), Barca shënoi sërish, me anë të Thierry Henry, për të shkuar në pushim me avantazh prej dy golash. Në pjesën e dytë u shënuan edhe nga një gol për secilën skuadër. Njëherë Leo Messi ngriti edhe më shumë epërsinë për Barcën, nga pika e bardhë (87’). Ndërsa në minutat shtesë (90’+1), Alhassane Keita shënoi golin e dytë të mysafirëve për të vendosur rezultatin përfundimtar të ndeshjes.
Festa e Topçinjve. Arsenali ka shënuar fitore të lartë si mysafir i Wolverhampton Wanderers në ndeshjen e zhvilluar të shtunën në stadiumin Molineux.
Edhe pse vendasit shënuan tre gola, ndërsa mysafirët vetëm dy, Topçinjtë dolën fitues me rezultat 4-1, pasi që vendasit dy herë gabuan portën. Dy golat e parë në favor të Arsenalit, ishin autogola, ndërsa ekzekutues ishin Ronald Zubar (28’) dhe Jody Craddock (35’). Në minutën e fundit të pjesës së parë, kapiteni i mysafirëve Cesc Fabregas trefishoi epërsinë, për të shënuar golin e nëntë të sezonit në të gjitha garat. Në pjesën e dytë, Arsenali shënoi vetëm njëherë me anë të Andrey Arshavin (66’), ndërsa golin e nderit për vendasit e shënoi Jody Craddock (89’) për të neutralizuar autogolin e tij. Me këtë fitore Arsenali barazohet me pikë me Manchester Unitedin, por ka golaverazh më të mirë, derisa Djajtë e Kuq të dielën zhvillojnë derbin e vështirë kundër Chelseat.
Tottenham Hotspur ka shënuar fitore prej 2-0 përballë Sunderlandit për t’u pozicionuar në vendin e katërt në tabelë.
Robbie Keane (12’) dhe Tom Huddlestone (68’) shënuan golat për fitoren e pastër të vendasve, në takimin e zhvilluar në White Hart Lane. Duke qenë se Manchester City barazoi 3-3 kundër Burnleyt, Tottenhami ngjitet në pozitën e katërt me pikë të barabarta me Arsenalin që të shtunën mbrëma zhvillon ndeshjen e javës së dymbëdhjetë të Ligës Premier.
Një duel i Kevin Kuranyi dhe Daniel van Buyten. Ndeshja kryesore e javës së dymbëdhjetë në Bundesliga, e zhvilluar ndërmjet Bayern Munichut dhe Schalkes, ka përfunduar me rezultat të barabartë.
Bayerni dhe Schalke kanë ndarë pikët në takimin e zhvilluar të shtunën në Allianz Arena duke barazuar 1-1. Të parët kaluan në epërsi vendasit me anë të Daniel Van Buyten, mirëpo pa përfunduar pjesa e parë (43’), Joel Matip barazoi rezultatin. Në pjesën e dytë nuk u shënuan gola. Ndërkohë, kampioni në fuqi, Wolfsburgu ka shënuar fitore si mysafir i Hoffenheimit me golat e Misimovic(52’) dhe Grafite (57’), ndërsa golin e vetëm për vendasit e shënoi Ibisevic (23’).
Strategu i Romës, Claudio Ranieri, thotë se ata i pret një ndeshje e vështirë përballë Interit, por ata do të luftojnë deri në fund për të siguruar fitore.
Roma ka traditë të mirë kur janë në pyetje ndeshjet në Giuseppe Meaza, pasi në katër vitet e fundit nerazurët kanë shënuar fitore në fushë vendore ndaj Romës në kuadër të ndeshjeve të kampionatit.“Nesër na pret një ndeshje e vështirë. Interi e ka sulmin më të mirë në Itali dhe ne e kemi mbrojtjen më të dobët, por do të shkojmë në Milano për të luftuar deri në fund”, ka thënë Ranieri.“Do të mundohemi të luajmë një ndeshje të përkryer, diçka që këtë sezon nuk e kemi arritur dhe kemi nevojë që ata të bëjnë disa gabime”, ka shtuar italiani.
Zëvendëspresidenti i Milanit, Adriano Galliani, ka lëshuar lëvdata në drejtim të Leonardos për mënyrën se si ai e ka ndryshuar të ardhmen e klubit.
Rosonerët janë të pamposhtur në tetë ndeshje në të gjitha garat dhe duket se janë mirë të pozicionuar edhe në Serie A edhe në Ligën e Kampionëve.“Dy ndeshje me Real Madridin kanë treguar se Leonardo është duke bërë një punë të mirë. Më pëlqen ky informacion shumë dhe Presidenti Berlusconi po ashtu e pëlqen këtë, pasi ai gjithmonë e ka dashur një ekip me prirje profesionale”, ka thënë Galliani.
Mesfushori i Real Madridit, Xabi Alonso, e ka porositur sulmuesin Fernando Torres të largohet nga Liverpooli dhe të rikthehet në Spanjë.
Alonso u largua nga ekipi anglez gjatë verës së kaluar duke u transferuar në radhët e Real Madridit për një shumë prej 30 milionë funtesh. Dhe tash shpreson se edhe ish-lojtari i Atletico Madrid, Torres, do t’i bashkohet atij në kampionatin spanjoll.“La Liga meriton lojtarë si Cristiano Ronaldo, Kaka dhe Lionel Messi. Tash na mungon vetëm miku im i mirë Fernando Torres. Shpresoj se do ta shoh atë sërish në Spanjë një ditë, por nuk mendoj se ai do të vijë në Real Madrid. Mendoj se ai e ka në zemër Atleticon”, ka thënë Alonso.