David Beckham i ka siguruar tifozët e LA Galaxy se ai do të kthehet sërish te klubi, pasi të përfundojë qëndrimin në formë huazimi te Milani.

Mesfushori anglez do të luajë për Rossonerët nga afati kalimtar i janarit, ashtu që të sigurojë një vend te përfaqësuesja e Anglisë në formacionin e Fabio Capellos që do të udhëtojë në Afrikën e Jugut për Kampionatin Botëror 2010.

“Asnjëherë nuk kam menduar që të largohem përgjithmonë nga SHBA-të dhe të kthehem në Evropë. Jam i lidhur me MLS, me pronarin e Galaxy, Leiweke, dhe me gjithë të tjerët. Gjithmonë kam thënë se do të ndihmoj”, është cituar Beckham nga Sportmediaset.

Trajneri i Real Madridit, Manuel Pellegrini, ka thënë se ikona e klubit, Raul, ka ende rol të rëndësishëm te Los Blancos, duke mohuar spekulimet se kapiteni nuk bën pjesë në planet e trajnerit kilian.

“Ka arsye të ndryshme që ai nuk luan- për shkak të paraqitjeve jo të mira ose pasi që të tjerët po luajnë më mirë”.

“Raul është një lojtar i rëndësishëm për shkak të qëndrimit të tij- ai është në nivel të ngjashëm me ata që po luajnë, dhe padyshim që do ta sigurojë vendin e tij në disa nga ndeshjet e radhës”, ka thënë Pellegrini për AS.
Cristiano Ronaldo, SportiSot. Drejtori gjeneral i Real Madridit, Jorge Valdano, ka thënë se klubi nuk do të rrezikojë me Cristiano Ronaldon derisa ai të jetë rikuperuar plotësisht.
“Ai është në rrugë të mbarë, mirëpo ne do të kemi durim me të, ashtu që lojtari të mos shqetësohet”, ka thënë Valdao për Marca. Edhe pse portugezi është rikuperuar nga lëndimi, trajneri Manuel Pellegrini nuk e ka përfshirë në listën e lojtarëve që do të luajnë kundër Racing Santanderit. Pritet të shihet nëse Ronaldo do të luajë në ndeshjen kundër Cyrihut në Ligën e Kampionëve, ashtu që të jetë i gatshëm për superderbin ‘el Clasico’.
Skuderia e Mercedesit, e cila e ka blerë Brawn GP, e dëshiron shtatë-herë kampionin e botës në Formula 1, Michael Schumacher, që të jetë piloti kryesor. Lajmin e ka bërë të njohur eksperti i BBC Sport, Eddie Jordan.
“Kjo mundësi është ndjekur vazhdimisht dhe besoj se do të ndodhë”, thotë Jordan. Ndërkohë, zëdhënësja e Schumacherit, Sabine Kehm, ka thënë për BBC Sport se rikthimi i legjendës gjermane në pistë vështirë se mund të ndodhë, “mirëpo kurrë mos thuaj kurrë”. Nëse kjo ndodh, atëherë Schumacheri do të ribashkohej me bosin e Mercedes GP, Ross Brawn, i cili ishte truri i shtatë titujve të gjermanit te Benetton dhe Ferrari.
Juventusi do të duhet të luajë pa David Trezeguet për një muaj, pasi është lënduar të enjten në fushën stërvitore.
Ekzaminimet mjekësore kanë treguar se Trezegol ka lënduar pulpën e këmbës dhe si rezultat i kësaj do të mungojë 30 ditë, ku përfshihet edhe derbi kundër Interit. Juve ka lëshuar një deklaratë zyrtare ku thuhet se pas analizave të stafit mjekësor, të premten është vendosur që sulmuesi i francez nuk do të jetë në gjendje të luajë për një muaj. Ky nuk është një lajm që i pëlqen trajnerit Ciro Ferrara, duke qenë se edhe Vincenzo Iaquinta është i lënduar. Ndërsa fatmirësisht për të, këtë fundjavë pritet rikthimi i ikonës, Alessandro Del Piero.
Sulmuesi i Barcelonës, Thierry Henry, të premten ka lëshuar një deklaratë ku thotë se zgjidhja më e mirë në lidhje me ndeshjen e dytë kualifikuese, ndërmjet Francës dhe Irlandës, do të kishte qenë përsëritja e ndeshjes.
Henry ishte i përfshirë në momentin vendimtar të ndeshjes, duke ndalur topin me dore dhe duke ia pasuar William Gallasit, i cili shënoi golin që e kualifikoi Francën në Kampionatin Botëror 2010. “E kam thënë dhe do ta them sërish, e preka topin me dorë. Nuk jam një mashtrues dhe kurrë nuk kam qenë. Ishte një reagim instiktiv ndaj topit që vinte me shpejtësi të madhe brenda gjashtëmbëdhjetëmetërshit”. “Njerëzit përcjellin xhirimin e ngadalësuar të asaj që ndodhi, por jo të asaj që ndeshemi në fushë unë ose cilido futbollist tjetër. Nëse njerëzit e shikojnë në shpejtësi të plotë do ta vërejnë se ishte një reagim instiktiv”. “Natyrshëm, ndihem i turpëruar për mënyrën si fituam (biletën për në Kampionatin Botëror) dhe më vjen shumë keq për irlandezët, të cilët padyshim që meritojnë të jenë në Afrikën e Jugut”. “Kuptohet, zgjidhja më e drejtë do të ishte zhvillimi i sërishëm i ndeshjes, por kjo nuk është në duart e mia”, ka thënë Henry për Sky Sports News.
Mesfushori brazilian i Juventusit, Diego, ka zbuluar se ai ka pasur oferta për të kaluar edhe në Ligën Premier, por ka zgjedhur Juventusin pasi ka qenë fans i këtij klubi nga fëmijëria.
“Nëse Liga Premier më josh? Jo, vërtet nuk më josh. Të luaj në Juventus ka qenë një ëndërr e imja e fëmijërisë. Jam fans i biankonerëve që si djalosh i ri, para se të filloj karrierën time profesionale”, ka thënë Diego.“Juve dhe unë kemi një histori të gjatë të dashurisë. Kishim edhe më herë disa bisedime, por nuk kishte asgjë konkrete deri në verën e kaluar”, ka shtuar braziliani.Klubi nga Torino për shërbimet e Diegos ka harxhuar 25 milionë euro.
Sipas mediave italiane, Juventusi, Milani dhe Fiorentina, janë të interesuar të transferojnë Royston Drenthe nga Real Madrid.
22-vjeçari holandez ka një të ardhme të pasigurt në Santiago Bernabeu dhe është e mundur që ai të largohet nga klubi në muajin janar.Mediat në Itali spekulojnë se Juve dhe Milan seriozisht janë duke menduar të bëjnë ofertë për mbrojtësin e majtë, i cili po ashtu mund të luajë edhe si anësor i majtë.Për shërbimet e Drenthe verën e kaluar ishte e interesuar edhe Fiorentina. Viola dëshiron ta angazhojë lojtarin në formë huazimi me mundësi të transferimit të tij të përhershëm në fund të sezonit për një shumë prej 9 deri në 10 milionë euro.Drenthe kaloi në Bernabeu në vitin 2007, por vazhdimisht po përballet me vështirësi të formës dhe nuk mund të sigurojë vend në ekipin e parë të trajnerit Manuel Pellegrini.
Kampioni evropian, Spanja, është rikthyer në maje të renditjes së FIFA-s për kombëtaret më të mira në botë.
Herën e fundit kreu pushtohej nga Brazili, që ishte në këtë pozitë që nga qershori, pasi triumfoi në Kupën e Konfederatave. Por Spanja është rikthyer në maje pas rezultateve të mira në ndeshjet e vlefshme për kualifikim në Botërorin 2010.Portugalia dhe Franca po ashtu kanë përfituar nga rezultatet e fundit dhe kanë pësuar ngritje në tabelë, me portugezët që renditen të pestët dhe francezët të shtatit.Argjentina dhe Anglia kanë pësuar rënie për nga dy pozita, e para tash është në vendin e tetë ndërsa e dyta një pozitë më poshtë. Holanda dhe Italia qëndrojnë në pozitat e tyre të muajit të kaluar, në pozitën e tretë, respektivisht të katërt.Kombëtarja shqiptare ka pësuar rënie për një pozitë dhe tash renditet e 98-ta në botë.
Sulmuesi kamerunas Samuel Eto’o thotë se ai nuk do të festojë nëse eventualisht shënon në Camp Nou të martën takohen kur Interi dhe Barcelona.
Eto’o gjatë verës së kaluar ishte pjesë e transferimit nga Barcelona në Inter, që lejoi në drejtim të kundërt të lëvizë Zlatan Ibrahimovic.“Më mungon Camp Nou. Atje kam kaluar shumë më shumë kujtime të mira se të këqija. Shpresoj se do të rikthehem me gëzim, pasi kur shkova në Inter nuk besoja se ndonjëherë do të luaj në Camp Nou”, ka thënë Eto’o.“Kurrë nuk do të festoj gol në Camp Nou. Puna ime është të shënoj gola, por nuk do t’i festoj ato në këtë stadium”, ka shtuar sulmuesi.