Lojtarët e Unireas, Sorin Frunza dhe Vasile Maftei, festojnë golin. Skuadra rumune Unirea Urziceni ka shënuar fitore të rëndësishme kundër Sevillas, për të shpresuar për një kualifikim në fazën e radhës të Ligës së Kampionëve.
Takimi i zhvilluar në stadiumin Tineretului përfundoi me fitoren minimale të vendasve, pas një autogoli të shënuar nga Ivica Dragutinovic në fund të pjesës së parë. Takimi tjetër i Grupit G, i zhvilluar ndërmjet Rangers dhe Stuttgart, ka përfunduar me fitoren e mysafirëve me rezultat prej 2-0. Me këtë fitore gjermanët mbajnë gjallë shpresat për kualifikim, ndërsa në xhiron e fundit do të përballen me konkurrentin e drejtpërdrejtë Unirea Urziceni, kur dihet se Sevilla tashmë ka siguruar kualifikimin. Stuttgartit i duhet vetëm fitorja për t’u kualifikuar, ndërsa Unirea mund të vazhdojë tutje edhe me barazim.
Gëzimi i Topçinjve Topçinjtë kanë shënuar fitore komode prej 2-0 përballë Standard Liege në ndeshjen e zhvilluar të martën mbrëma në Emirates, për të siguruar kualifikimin në fazën e eliminimit direkt të Ligës së Kampionëve.
Samir Nasri kaloi vendasit në epërsi (35’), ndërsa në minutën e fundit të kohës së rregullt të pjesës së parë, Denilson dyfishoi rezultatin. Në pjesën e dytë nuk u shënuan gola dhe me këtë rezultat përfundoi takimi. Në ndeshjen tjetër të Grupit H, të zhvilluar ndërmjet AZ Alkmaar dhe Olympiakos Piraeus, nuk u shënuan gola dhe skuadrat morën nga një pikë. Pas xhiros së pestë, këtij grupi i prin Arsenali me 13 ikë, ndërsa Olympiakosi mban vendin e dytë me shtatë pikë.
Festa e Liverpoolit pas golit të vetëm në ndeshje. Të kuqtë e Liverpoolit kanë shënuar fitore minimale ndaj hungarezëve të Debrecenit, por megjithatë kanë humbur po thuajse çdo gjasë për t’u kualifikuar për në fazën e ardhshme eliminuese të Ligës së Kampionëve.
Golin e fitores për ekipin anglez e shënoi David N’Gog që në minutën e 4-të të ndeshjes, duke iu dhënë shpresa anglezëve për një fitore më të thellë e cila do të rriste gjasat e Liverpoolit për një kualifikim të mëtejmë, por ky gol doli të ishte i vetmi i ndeshjes.Fitore minimale në Grupin E ka shënuar edhe Fiorentina, duke nxjerrë tre pikë të cilët i sigurojnë kualifikim për në raundin ardhshëm eliminues të garës evropiane. Golin për italianët e shënoi Juan Vargas në minutën e 28-të nga penaltia.Me tre pikët e reja, Fiorentina merr kreun e Grupit E me 12 pikë, e ndjekur nga Lyoni me 10 pikë dhe Liverpooli me shtatë pikë.Në fakt për Liverpoolin ende ekzistojnë gjasa teorike për kualifikim, nëse Lyoni humbet nga Debrecen dhe nëse anglezët shënojnë fitore të thellë ndaj Fiorentinës në ndeshjet e fundit të fazës grupore.
Festa e Blaugranëve Kampioni në fuqi i Ligës së Kampionëve, Barcelona, ka dominuar në ndeshjen e zhvilluar përballë kampionit të Italisë, Inter.
Supersfida e xhiros së pestë e të martës mbrëma është zhvilluar në Camp Nou, ku janë ndeshur Barcelona dhe Inter, në takimin që përfundoi me fitoren e vendasve me rezultat prej 2-0. Një pjesë e parë e dominuar kryesisht nga Barcelona me ç’rast loja zhvillohej në gjysmëfushën që i takonte Interit. Blaugranët kaluan në epërsi pas krosimit të Xavit nga këndi, ndërsa realizues ishte mbrojtësi Gerard Pique (10’). Vendasit arritën të shënojnë edhe golin e dytë në pjesën e parë me anë të Pedro Rodriguez (26’), pas një krosimi të bukur të Dani Alves. Në pjesën e dytë u zhvillua një lojë pak më e zbehtë dhe më e baraspeshuar, përkundër se Barca sërish administronte topin, ndërsa nuk u shënuan më gola. Duhet përmendur se në këtë përballje kataluanist luajtën pa lojtarin kryesor Lionel Messi dhe pa ish-sulmuesin e Interit, Zlatan Ibrahimovic. Pas xhiros së pestë, në Grupin F prin Barcelona me tetë pikë që tashmë ka siguruar kualifikimin, ndërsa Interi dhe Rubin Kazani kanë nga gjashtë pikë dhe do të kenë një përballje direkte në xhiron e fundit, e cila do të vendosë se cila skuadër do të shkojë tutje. Por duke mos harruar se edhe Dynamo Kyevi ka gjasa matematikore të kualifikohet.
Andriy Shevchenko u ndëshkua me karton të verdhë. Rubin Kazani dhe Dynamo Kyivi kanë zhvilluar më herët ndeshjen e xhiros së pestë në Grupin F të fazës grupore të Ligës së Kampionëve.
Takimi i zhvilluar të martën mbrëma në stadiumin Centralnyi ka përfunduar pa gola. Kështu, gjithçka mbetet për t’u vendosur në xhiron e fundit të këtij grupi se kush do të kualifikohet në fazën e eliminimit direkt, pasi që të gjitha skuadrat janë në garë. Pas këtij takimi, Rubin Kazani barazohet me Interin me gjashtë pikë, ndërsa Dynamo Kyivi ka pikë të barabarta me Barcelonën, pesë pikë. Dy gjigantët e futbollit, Barca dhe Inter, zhvillojnë takimin e xhiros së pestë sonte në Camp Nou.
Mesfushori francez i Bayern Munichut, Franck Ribery, mbahet në karantinë, pasi që gruaja e tij është diagnostikuar me virusin A/H1N1.
Sipas Goal.com, trajneri i Bayernit, Louis van Gaal, në një konferencë për shtyp ka thënë se ekziston rrezik i madh për t’u infektuar ndonjëri nga lojtarët tjerë të skuadrës, përkundër se ende nuk dihet nëse francezi është infektuar, pasi që ai nuk ka pasur simptoma të gripit të derrit. Ribery aktualisht është duke u rikuperuar nga një lëndim i gjurit, ndërsa rikthimi i tij i plotë do të ndodhë pas dy-tri javësh.
Mbrojtësi i Interit, Maicon, do të mungojë në takimin e rëndësishëm kundër Juventusit- ‘derby d'Italia’- pasi që është suspenduar për dy ndeshje në Serie A.
Gjykatësi i sportit Giampaolo Tosel e ka ndëshkuar brazilianin për shkak të reagimit ndaj gjyqtarit anësor. Julio Cruz (Lazio) dhe Leandro Rinaudo (Napoli) janë ndëshkuar me nga tri ndeshje moslojë për shkak të sjelljes së tyre të dhunshme. Ndërsa Juventusi është ‘goditur në xhep’. Zonja e Vjetër do të paguajë 20.000 euro dëmshpërblim për shkak të këngëve ofenduese të tifozëve ndaj Mario Balotellit.
Sulmuesi i Interit, Samuel Etoo, dëshiron t’ia sjellë titullin e kampionit trajnerit të Interit, Jose Mourinho, për të shpaguar besimin e këtij të fundit.
Në prag të ndeshjes së sotme rikthyese në Nou Camp, kamerunasi po ashtu ka kritikuar ish-trajnerin e tij të Barcelonës, Pep Guardiola.Duke komentuar thëniet e Guardiolas se ai ishte shitur pasi nuk kishte pasur ‘ndjenja’ në mes tyre, Eto’o ka thënë: “Po, unë nuk jam femër, nuk jam Penelope Cruz”.“Ëndrra ime është të fitoj kampionatin italian nën urdhrat e Mourinhos. Ai më ftoi dhe më tha se dëshiron që unë të veshi numrin 9, të cilin e kam veshur për katër vite dhe tash kam mundësinë ta vesh”, ka shtuar Eto’o.
Kjo është Penelope Cruz...
Penelope Cruz...ndërsa këtu Pep Guardiola duke kapur faqet e Samuel Eto'o
Drejtori sportiv i West Ham United, Gianluca Nani, ka mohuar spekulimet se Valon Behrami mund të transferohet te Juventusi.
“Sa përket shitjes së lojtarëve, do të dëshiroja të specifikoj se nuk e kemi në plan të largojmë lojtarët më të mirë”. “E njëjta gjë mund të thuhet edhe për Behramin. Ai është një lojtar i shkëlqyer dhe do të qëndrojë këtu”, ka thënë Nani për Radio Tau.
Sulmuesi i Manchester Unitedit, Dimitar Berbatov, mund të jetë në dispozicion të trajnerit Sir Alex Ferguson për ndeshjen e Ligës së Kampionëve kundër Besiktasit, që zhvillohet të mërkurën mbrëma në Old Trafford.
Bullgari ka qëndruar jashtë fushe si pasojë e lëndimit të gjurit, ndërsa The Guardian njofton se ai mund të kthehet kundër skuadrës turke. Të martën, sulmuesi është stërvitur me pjesën tjetër të skuadrës, ndërsa stafi i Unitedit e konsideron atë të gatshëm për lojë.
Trajneri i Milanit, Leonardo, dëshiron vetëm fitore në përballjen e të mërkurës mbrëma kundër Marseille, duke qenë se me tri pikë të plota, Rossonerët sigurojnë kualifikimin në fazën e eliminimit direkt të Ligës së Kampionëve.
“Nuk pajtohem me barazim kundër Marseille. Dua ta fitoj ndeshjen”, u ka thënë Leonardo gazetarëve në Milanello. Ndërkohë, braziliani do të ketë disa mungesa për shkak të lëndimeve, kurse më i freskët është lëndimi i Marco Borriellos, për të cilin do të vendoset në minutat e fundit nëse do të luajë.
Kapiteni i Sunderlandit, Lorik Cana, thotë se ekipi i tij ka nevojë për qëndrueshmëri në paraqitjet e tyre, pas fitores befasuese ndaj Arsenalit.
Fitoret në shtëpi ndaj Blackburn, Hull dhe Liverpool gjithmonë janë pasur nga humbjet nga Stoke, Burnley dhe Birmingham, dhe kjo është një model të cilin Macet e Zeza dëshirojnë ta thyejnë.“Ne ia kemi dalë vërtet mirë në Manchester United dhe po ashtu në shtëpi ndaj Liverpoolit. Kur luajmë me klube të mëdha luajmë me mentalitetin e duhur. Çdokush e bën punën e vet dhe ne e mbajnë organizimin tonë”, ka thënë Cana për mediat angleze.“Ndonjëherë kur kemi luajtur jashtë kundër mbase jo ekipeve më të mëdha, ne e humbin atë organizim. Ne vërtet kemi nevojë të mos ndodhë kjo në Wigan. Ata kanë mposhtur Chelsean në shtëpi këtë vit dhe do të jenë kundërshtar i vështirë për ne. Por ne do të duhet të nxjerrim një rezultat të mirë. Do të luajmë të fitojmë”, ka shtuar kosovari.
Sulmuesi i Barcelonës, Zlatan Ibrahimovic, ka thënë në prag të takimit derbi përballë Interit, se ka dallime të dukshme në mes të Pep Guardiola dhe ish-trajnerit të tij Jose Mourinho.
Ibra nuk do të jetë pjesë e ndeshjes së sotme të Ligës së Kampionëve kundër ish-klubit të tij, ndërsa sipas gjasave do të mungojë edhe Messi.“Para së gjithash në Inter ne luanim me formacionin 4-4-2 dhe këtu formacioni është 4-3-3. Po ashtu ka shumë dallime në mentalitetin e dy klubeve. Këtu luaj në ballë si numër 9, por trajneri më jep liri të lëviz në të majtë ose djathtë, sapo një anësor më mbulon mua”.“Në Inter isha më shumë i izoluar, andaj këtu kishte më shumë hapësirë për mua të lëviz rreth sulmit. Diferenca kryesore është se Guardiola është më aktiv, me të cilën dua të them se kur ai të shpjegon diçka në fushë ai edhe fizikisht ua demonstron se çfarë kërkon, pasi ka qenë një lojtar i klasit”.“Mourinho kurrë nuk ka luajtur në një nivel të lartë, por të dy kanë një përpjekje dhe dëshirë të madhe për sukses. Të dy janë në gjendje të shpjegojnë qartas se çfarë duan dhe janë të drejtpërdrejtë kur përballen me lojtarët. Të dy janë fitues”, ka thënë Ibrahimovic.
Darren Fletcher thotë se të gjithë bashkë-lojtarët e tij te Manchester United kishin sakrifikuar për Cristiano Ronaldon.
Kapiteni i kombëtares skoceze shënoi një gol të shkëlqyeshëm në fitoren 3-0 të United ndaj Evertonit gjatë vikendit, dhe ka thënë se ai mund të avancojë në sulm më shumë, tash që Ronaldo nuk është më në ekip.“Çdo ekip në botë do ta ndjente mungesën e tij. Ai është një lojtar fantastik dhe një golashënues i shkëlqyeshëm. Ai u adaptua shumë kur ishte këtu. Ai kaloi nga një anësor i butë në një anësor golashënues dhe lojtarin më të mirë në botë”, ka thënë Fletcher.“Shpresoj se tash mund të jemi një ekip më i bashkuar dhe lojtarët tjerë do të përmirësojnë lojën e tyre për të mbuluar zbrazëtirën e lënë nga mungesa e tij. Kemi nevojë për më shumë gola nga mesfushorët dhe më shumë gola nga të gjithë lojtarët”. “Po aq sa Cristiano ishte i nevojshëm për ne, i gjithë ekipi sakrifikonte shumë për të. Si mesfushor, e di se unë nuk mund të shkoja për të goditur në sulm, pasi Cristiano ishte i avancuar. Tash mendoj se ka më shumë mundësi që mesfushorët të shënojnë gola” ka shtuar skocezi.
Tim Duncan Tim Duncan ka shënuar 24 pikë dhe 12 kërcime derisa San Antonio Spurs mposhti Milwaukee Bucks me rezultat 112-98.
Rezerva Matt Bonner shënoi 23 pikë, përfshirë gjashtë trepikësha, derisa Spurs bëri dy fitore radhazi për të barazuar numrin e fitoreve dhe humbjeve këtë sezon, 6-6. George Hill kontribuoi me 14 pikë.Ersan Ilyasova me 20 pikë ishte shënuesi më i mirë për Milwaukee, që me këtë humbje i dha fund tre fitoreve radhazi. Bucks tash kanë katër humbje, krahas tetë fitoreve këtë sezon. Brandon Jennings ndihmoi ekipin me 12 pikë.
Trajneri i Barcelonës, Pep Guardiola, thotë se ata mund ta mposhtin Interin sonte, edhe pa yjet si Lionel Messi dhe Zlatan Ibrahimovic.
Të dy lojtarët do të mungojnë në ndeshjen e Ligës së Kampionëve për shkak të lëndimit, por Guardiola mbetet optimist.“Ende mendoj se ne mund të fitojmë pa ata. Ne mund ta bëjmë këtë edhe me tjerët. Ne do të dalim dhe do ta luajmë lojën tonë, me ata që kemi. Si duket, do të na mungojë Messi, i cili është më i mirë në botë, ashtu sikur Chicagos kur i mungonte Michael Jordan ose Lakers dhe Kobe Bryant”.“Nuk mund ta mohoj se ata janë dy lojtarë shumë të rëndësishëm. Gjithçka kemi bërë, kemi bërë së bashku. Ne do të dalim në fushë me 11 lojtarë. Nëse njerëzit dëshirojnë të arsyetohen, unë jo. Nëse ata mungojnë, do të luajnë lojtarë të tjerë”, ka thënë Guardiola.
Klubi i Serie A, Fiorentina, raportohet se është e interesuar në mesfushorin e Real Madridit, Fernando Gago.
Drejtori sportiv i Violas, Pantaleo Corvino, dëshiron të angazhojë argjentinasin si huazim për gjysmën e dytë të sezonit në afatin kalimtar të muajit janar.Corvino shpreson të shfrytëzojë avantazhin e interesimit të Realit për mbrojtësin e majtë të Fiorentinës, Juan Manuel Vargas, për të filluar bisedimet me Gagon.Këtë javë, edhe legjenda e Realit, Roberto Carlos, tha se Vargas do të ishte një përforcim i shkëlqyeshëm për klubin mbretëror.
Simboli i Romës, Francesco Totti, u kthye nga lëndimi duke u dhënë një goditje të rëndë kritikëve të tij- pasi shënoi het-trik në ndeshjen kundër Barit, ndërsa trajneri i Italisë, Marcello Lippi, e ka lëvduar ‘me diplomaci’ kapitenin romak.
“Jam i kënaqur me het-trikun e Tottit, sepse edhe njëherë ai arriti sukses duke reaguar ndaj lëndimit dhe u kthye në nivel të lartë”. “Italia është një vend i dashuruar në futbollin dhe i dashuruar me skuadrat e veta, nga të cilat i ofrohen trajnerit të kombëtares kampionët e tyre të preferuar- nga Totti te Balotelli, nga Del Piero te Cassano”, ka thënë Lippi për Il Corriere dello Sport.
Të martën mbarma do të zhvillohet ndeshja kryesore e xhiros së pestë në fazën grupore të Ligës së Kampionëve, ndërmjet Barcelonës dhe Interit.
Sulmuesi zikaltër Diego Milito shpreson që të luajë edhe bashkëkombësi i tij Lionel Messi te skuadra kundërshtare, duke qenë se prania e Messit në fushë është vënë në dyshim pas një lëndimi në ndeshjen kundër Athletic Bilbaos. “Të gjithë e dimë rëndësinë e Leos dhe çfarë lojtari i madh është ai. Ai është një lojtar i vendosur i Barcelonës dhe do të zhgënjehesha nëse nuk luan për shkak të lëndimit”. “Ai është njëri nga lojtarët më të mirë në botë dhe vërtet e mendoj kur e them se do të jetë një zhgënjim i madh nëse ai nuk merr pjesë në një ndeshje si kjo”, ka thënë Milito.
Vazhdimi i Barcelonës në fazën e eliminimit direkt të Ligës së Kampionëve është ende një pikëpyetje, ndërsa mesfushori Andres Iniesta ka ripërsëritur rëndësinë e takimit kundër Interit në xhiron e pestë.
“Sa herë që kemi pasur nevojë për ta, tifozët kanë qenë gjithmonë në anën tonë”. “E kuptoj se skuadra ka krijuar një dyshim në lidhje me kualifikimin në Ligën e Kampionëve, por jam i bindur se ata (tifozët) do të na japim mbështetjen maksimale, e cila do të jetë çelësi i arritjes së një rezultati pozitiv”, ka thënë spanjolli për faqen zyrtare të klubit.
Sulmuesi i Barcelonës, Zlatan Ibrahimovic, mund të mungojë në dy ndeshjet e rëndësishme të Barceloëns, kundër Interit dhe Real Madridit, si pasojë e lëndimit, mirëpo ai është i bindur në suksesin e Blaugranëve.
“Interi është një skuadër shumë e mirë dhe kjo është një ndeshje vendimtare, ku nuk kemi hapësirë për gabime”. “Deri më tani kemi pasur shumë fat të keq në ndeshjet tona në Ligën e Kampionëve. Është një ndeshje shumë e madhe dhe unë jam optimist dhe besoj se do të ndodhë ashtu siç unë dëshiroj”, ka thënë ish-lojtari i Interit për FIFA.com. Duke iu referuar derbit ‘el Clasico’ kundër Realit, Ibracdabra ka thënë se pas kësaj ndeshjeje Barcelona do ta rimarrë kreun e tabelës.