Trajneri i Chelseat, Carlo Ancelotti, thotë se përfundimi në pozitën e parë të grupit D të Ligës së Kampionëve është një hap mjaft i rëndësishëm për vazhdën e mëtejme të garës.
Blutë mbrëmë shënuan fitore minimale ndaj Portos, e mjaftueshme që ata ta fitojnë pozitën e parë në grup, kur ka mbetur edhe një rund deri në fund të fazës grupore.“Është e rëndësishme të fitohet pozita e parë në grup. Kjo ishte puna më e rëndësishme, ishte qëllimi ynë. Tash duhet të presim për një sfidë tjetër”.“Ndeshja ishte e mirë. Nuk është lehtë të fitohet atje. Kemi luajtur një ndeshje të mirë. Ndeshje të mirë dhe fitore të mirë. Chelsea luajti mirë dhe unë jam i kënaqur”, ka thënë Ancelotti.
Portsmouth, që mban fundin e tabelës së Ligës Premier, ka konfirmuar sot se Avram Grant do të jetë menaxheri i ri i ekipit.
Izraeliti ka qenë në klub që nga muaji tetor në rolin e drejtorit sportiv, por do të ndërrojë zyrën për të dalë në fushën e gjelbër pas shkarkimit të Paul Hart.“Avram është një menaxher me përvojë dhe i respektuar, i cili ka menaxhuar në një nivel të lartë. Bordi beson se ai është njeriu i cili do të ndihmojë nxjerrjen e klubit nga zona e rënies”, ka thënë drejtori ekzekutiv i klubit, Peter Storrie.54-vjeçari do të drejtojë ekipin që në ndeshjen e vikendit kundër Manchester United.Ky do të jetë roli i dytë menaxhues i Grant në Angli, pasi kaloi gjashtë muaj të suksesshëm në Chelsea dy sezone më patë, kur e çoi ekipin në finale të Ligës së Kampionëve.
Mbrojtësi i Barcelonës, Dani Alves, shpreson që superylli i Real Madridit, Cristiano Ronaldo, të jetë në gjendje të luajë në superderbin e fundjavës që vjen- el Clasico.
“Dëshiroj që ai të jetë në Camp Nou të dielën, sepse në ndeshje të mëdha si këto, të gjithë lojtarët më të mirë duhet të luajnë”. “Ne do ta vendosim Clasicon me vendosmërinë tonë”, ka thënë braziliani për AS. Alves beson se lojtarët e Realit të cilët u mposhtën 6-2 në Santiago Bernabeu sezonin e kaluar, do të udhëtojnë në Camp Nou me dëshirën e flaktë për t’u hakmarrë, prandaj parashikon një ndeshje të mirë.
Veterani i Manchester Unitedit, Gary Neville, ka nxehur edhe më shumë gjakrat me tifozët e Liverpoolit, duke thënë se Të Kuqtë merituan të eliminoheshin nga Liga e Kampionëve.
“Si skuadër merr atë që e meriton, apo jo? Ne jemi aty ku jemi, sepse meritojmë të jemi aty dhe e njëjta gjë vlen edhe për Liverpoolin”. “Ata nuk kanë luajtur ashtu si duhet në Ligën e Kampionëve për të marrë rezultat”, ka thënë Neville për Press Association Sport.
Portieri i Juventusit, Gianluigi Buffon, ka kritikuar skuadrën e tij për humbjen prej 2-0 nga Bordeaux të mërkurën mbrëma, duke shtuar se Juventusi dhe Interi nuk mund të krahasohen me kualitetin e Milanit në Ligën e Kampionëve.
“Nuk është një çështje taktike, por ka të bëjë me mentalitetin dhe me faktin se ka dallim të madh të luash në Itali dhe në Evropë”. “Në Itali nevojitet fuqia fizike dhe pakëz kualitet, por në Evropë të gjithë janë të organizuar mirë dhe gjithmonë rrezikon të bësh lëshime”. “Këtë e pamë me Interin, se nëse nuk ke një sistem të organizuar mirë, nuk mund t’i dominosh skuadrat në udhëtim” “E vetmja skuadër italiane e cila mund të ketë sukses është Milani, dhe kjo është arsyeja pse ata tradicionalisht janë të suksesshëm në këtë garë”, ka thënë portieri bardhezi.
Mediat italiane janë të bindura se ndeshja kundër Rubin Kazanit mund të jetë e fundit për trajnerin e Interit, Jose Mourinho, nëse zikaltrit nuk kualifikohen në fazën e eliminimit direkt të Ligës së Kampionëve.
Sipas Corriere dello Sport, presidenti i Interit, Massimo Moratti, është i gatshëm t’ia tregojë derën portugezit nëse ai nuk e dërgon skuadrën në fazën e radhës në garën më prestigjioze të futbollit evropian. Pas humbjes zhgënjyese nga Barcelona, Interit i duhet fitore në xhiron e fundit kundër Rubin Kazanit, nëse dëshiron të mbetet ende në garë.
Superylli i Real Madridit, Cristiano Ronaldo, thotë se dëshiron të luajë në ‘el Clasico’ kundër Barcelonës, në derbin që zhvillohet të dielën në Camp Nou.
“Dua të luaj në ‘el Clasico’ nëse ndjehem mirë, mirëpo kjo është përgjegjësi e trajnerit. Sido që të jetë, me ose pa mua, skuadra është në vend të parë në Ligë dhe e para në grup në Ligën e Kampionëve”. “Nuk ka rëndësi nëse fitojmë 1-0, 2-0 ose 2-1. Me rëndësi është të fitojmë’, ka thënë portugezi.