Dy gjigantët e futbollit botëror, Barcelona dhe Real Madridi, kanë dhuruar spektakël në përballjen e të dielës mbrëma në Camp Nou.Superderbi botëror- ‘el Clasico’ është zhvilluar në kështjellën e Blaugranëve, të cilët ishin nikoqirë të Mbretërve, në takimin që përfundoi me fitore minimale të vendasve, prej 1-0. Ishte ky takimi ndërmjet 22 lojtarëve më të shtrenjtë që janë përballur ndonjëherë në historinë e futbollit, ndërsa dallimi i tyre në tabelë ishte vetëm një pikë. Edhe pse u njoftua që Zlatan Ibrahimovic do të luajë nga minuta e parë, ndërsa Lionel Messi e Cristiano Ronaldo do të qëndrojnë në stol, ndodhi e kundërta: Ibra qëndroi në bankën rezervë, ndërsa Messi dhe Ronaldo luajtën nga fillimi. Përkundër bukurisë së lojës, intensitetit, dinamikës dhe rasteve, pjesa e parë përfundoi pa gola. Mirëpo nuk ndodhi ashtu në pjesën e dytë. Pesë minuta pasi u inkuadrua në lojë, sulmuesi i Barcelonës, Zlatan Ibrahimovic, krijoi avantazhin e vendasve (56’), pas një krosimi të Dani Alves. Ritmin kësaj ndeshjeje ia ngadalësoi Sergio Busquets, i cili u përjashtua nga loja me kartonin e dytë të verdhë (63’). Megjithatë, përkundër epërsisë në numrin e lojtarëve, dhe përkundër se trajneri Manuel Pellegrini inkuadroi të gjithë sulmuesit në lojë, Los Blancos nuk arritën as ta barazojë rezultatin. Në fund të ndeshjes gjakrat u nxehën edhe më shumë, ashtu që edhe Lassana Diarra u përjashtua me kartonin e dytë të verdhë. Pas kësaj fitoreje Barcelona rimerr kreun e tabelës me dy pikë më shumë se Real Madridi.
Bayern Munichu ka shënuar fitore bindëse si mysafir i Hannoverit. Bavarezët dolën fitues me rezultat prej 3-0 në ndeshjen e zhvilluar të dielën në AWD Arena.Thomas Muller (19’), Ivica Olic (47’) dhe Mario Gomez (90’) ishin heronjtë e Bayernit në këtë përballje. Pas kësaj fitoreje bavarezët pozicionohen në vendin e katërt në tabelë me pikë të barabarta me Hamburgun që gjendet në vendin e pestë, ndërsa kanë gjashtë pikë diferencë nga vendi i parë që mbahet nga Bayer Leverkusen.
Supersfida e javës së 14-të në Ligën Premier e zhvilluar të dielën në Emirates Stadium, ndërmjet Arsenalit dhe Chelseat, i ka takuar skuadrës mysafire.Blutë kanë mposhtur Topçinjtë në kështjellën e tyre me dy gola të shpejtë të shënuar në pjesën e parë dhe një gol të shënuar në pjesën e dytë. Didier Drogba shënoi golin e parë për mysafirët, pas një krosimi të ish-mbrojtësit të Arsenalit, Ashley Cole, dhe me ndihmën e shtyllës e mposhti portierin vendas (41’). Ashley Cole ishte i përfshirë edhe në golin e dytë të Chelseat, pasi që nga një krosim i tij, Thomas Vermaelen shënoi në portën e vet (45’). SuperDrogba fundosi Arsenalin në minutën e 86-të duke shënuar golin e dytë personal dhe të tretin për Blutë, nga një gjuajtje e lirë. Me këtë fitore, Chelsea mban kreun me pesë pikë diferencë nga përcjellësi i parë, Manchester United, dhe 11 pikë më shumë se Arsenali që pozicionohet në vendin e katërt.
Bayer Leverkusen ka shënuar fitore të lartë në njërin nga derbit e kësaj jave në Bundesliga, duke e mposhtur Stuttgartin me rezultat prej 4-0.Serinë e golave e filloi Stefan Kiessling (22’), ndërsa Eren Derdiyok vendosi rezultatin përfundimtar të pjesës së parë prej 2-0 (39’). Në pjesën e dytë, ishte sërish Kiessling, i cili realizoi golin e tretë (59’), ndërsa me golin e shënuar nga pika e bardhë në fund të ndeshjes (87’), Stefan Kiessling kompletoi het-trikun e tij. Me këtë fitore, Leverkuseni përforcohet në pozitën e parë me tri pikë diferencë nga Werder Bremeni që mban vendin e dytë.
Roma ka shënuar fitore me rezultat prej 2-1 si mysafir i Atalantas, në takimin e zhvilluar të dielën në Stadio Atleti Azzurri d'Italia në Bergamo.Vendasit kaluan të parët në epërsi me golin e shënuar nga Fabio Ceravolo (13’), ndërsa për Giallorossët barazoi sulmuesi malazez Mirko Vucinic në fund të pjesës së parë (44’). Në pjesën e dytë Roma u tregua efikase duke shënuar golin e epërsisë dhe të fitores, ndërsa realizues ishte Simone Perrotta.
Interi vazhdon të jetë skuadër e fortë në Serie A. Të dielën zikaltrit kanë arritur të shënojnë fitore përballë Fiorentinas.Në ndeshjen e zhvilluar në Giuseppe Meazza, Nerazzurrët kanë dalë fitues ndaj Violas me rezultat minimal prej 1-0. Të vetmin gol në ndeshje e shënoi Diego Milito (85’) nga pika e bardhë. Me këtë fitore Interi distancohen në krye të tabelës me tetë pikë më shumë se përcjellësi i parë, Juventus, që të dielën u mposht nga Cagliari.
Pas humbjes në Ligën e Kampionëve, Juventusi është mposhtur edhe në Serie A, këtë radhë nga Cagliari me rezultat prej 2-0.Në ndeshjen e luajtur në Stadio Sant'Elia, Nene kaloi vendasit në epërsi në pjesën e parë (31’), ndërsa në fund të ndeshjes (89’), Alessandro Matri fundosi shpresat e Juves për barazim duke shënuar edhe golin e dytë për Cagliarin. Pas kësaj humbjeje, Juventusi mbetet tetë pikë prapa liderit Inter, ndërsa rrezikon ta humbë edhe pozitën e dytë në tabelë, nëse Milani mposht në mbrëmje Catanian.
Edhe pse nuk pati shumë nga loja, skuadra Liverpoolit ka arritur të dalë fitues në derbin e Merseysides kundër Evertonit.Redsat që ishin në rolin mysafirit shënuan golin e parë pas një goditjeje të Javier Mascheranos me ç’rast topi u devijua nga Joseph Yobo për të përfunduar në rrjet (12’).
Nga momenti i pësimit të golit, Evertoni krijoi raste të shumta para portës së Pepe Reinas, mirëpo lojtarët nuk arrinin t’i konkretizonin mundësitë e tyre.
Nga ana tjetër, Liverpooli priti momentin e duhur për të shënuar edhe golin e dytë, të sigurisë, realizues i të cilit ishte Dirk Kuyt (81’).
Pas kësaj fitoreje, Liverpooli ngritët në vendin e pestë në tabelë me pikë të barabarta me Aston Villan që gjendet një pozitë më poshtë.
Carlo Ancelotti ka deklaruar se më shumë i pëlqen ta fitojë Ligën e Kampionëve me Chelsean, sesa Ligën Premier.Blutë kanë siguruar kualifikimin në fazën e eliminimit direkt të Ligës së Kamionëve, ndërsa gjenden në krye të tabelës në Ligën Premier. “E di se në Angli është e rëndësishme ta fitosh Ligën Premier. (Por) unë preferoj Ligën e Kampionëve”. “Konsiderohet gara më e rëndësishme në Itali dhe më e rëndësishme në botë. Nëse mundemi do t’i fitojmë të dyja”, ka thënë Ancelotti për BBC Sport.
Mbrojtësi i Arsenalit, Emmanuel Eboue, ka paralajmëruar skuadrën e tij që ta mbikëqyrë sulmuesin e Chelseat, Didier Drogba, në derbin e të dielës në Emirates.“Mund ta fitojmë ndeshjen dhe jam i bindur se mund të shfaqim forcën tonë për titull”. “Chelsea është një skuadër shumë e mirë me shumë lojtarë të mirë, mirëpo edhe ne kemi shumë lojtarë të cilët janë të të njëjtin nivel”. “Drogba është kapiteni im në kombëtaren time dhe për mua ai është sulmuesi më i mirë në botë”. “Ai është në top-formë, sepse nuk është lënduar këtë sezon dhe shpresoj të qëndrojë ashtu deri në qershor për Kampionatin Botëror”, ka thënë Eboue për skysports.com.
Revista "France Football" ka publikuar listën e shkurtë me dhjetë të nominuarit të cilët konkurrojnë sivjet për të fituar çmimin prestigjioz- Topi i Artë (Ballon d’Or).Kandidati më potencial për ta fituar këtë çmim në ceremoninë e 1 dhjetorit, është superylli argjentinas i Barcelonës, Lionel Messi, ndërsa lista e dhjetë kandidatëve është kjo:
Didier Drogba (Bregu i Fildishtë, Chelsea)
Samuel Eto'o (Kameron, Barcelona dhe Inter)
Steven Gerrard (Angli, Liverpool)
Zlatan Ibrahimovic (Suedi, Inter dhe Barcelona)
Andres Iniesta (Spanjë, Barcelona)
Kaka (Brazil, Milan dhe Real Madrid)
Lionel Messi (Argjentina, Barcelona)
Cristiano Ronaldo (Portugali, Manchester United dhe Real Madrid)
Wayne Rooney (Angli, Manchester United)
Xavi (Spanjë, Barcelona)
Sulmuesi i Chelseat, Didier Drogba, beson se fitorja kundër Arsenalit, do të thoshte përjashtim i Topçinjve nga gara për titull.Dy rivalët londinezë takohen të dielën në Emirates Stadium. Të zgjedhurit e Carlo Ancelottit pozicionohen në vendin të parë me tetë pikë diferencë nga djemtë e Arsene Wenger që mbajnë pozitën e katërt. Fitorja do ta largonte Chelsean 11 pikë nga Arsenali, dhe Drogba mendon se Topçinjtë nuk do të mund t’i arrinin më. “Është vështirë të rikthehesh (në garë) kur je 11 pikë mbrapa. Nuk është e pamundur, por do të ishte e shkëlqyer (për Chelsean) që të kishim këtë diferencë”, ka thënë sulmuesi nga Bregu i Fildishtë.
Sulmuesi i Milanit, Alexandre Pato, e ka qartësuar se ai nuk ka ndjenja për rivalët nga qyteti i Milanos, Inter.Këtë muaj sulmuesi i Interit, Mario Balotelli, kishte thënë që është tifoz i Milanit, ndërsa në një reagim të trajnerit të Nerazzurëve, Jose Mourinho, thuhet se nëse Balotelli është tifoz i Milanit, atëherë Pato është tifoz i Interit. “Nuk jam një internist... Nuk e mbështes Interin, por Internacionalin nga Porto Alegre”, ka thënë braziliani për Corriere della Sera. Gjatë verës, Milani ka refuzuar një ofertë të majme të Chelseat për ta transferuar Paton, ndërsa Blutë pritet të bëjnë një tjetër ofertë gjatë afatit kalimtar të janarit, që ndoshta mund t’ua ndërrojë mendjen Rossonerëve.
Të dielën, Interi është nikoqir i Fiorentinas në Giuseppe Meazza, ndërsa sulmuesi zikaltër Diego Milito thotë se kampionët nuk do ta kenë aspak të lehtë.“Duhet të fitojmë medoemos kundër Fiorentinas që ta mbajmë diferencën nga sfiduesit tjerë për titull”. “Njëherë Fiorentinan pastaj Juven. Nuk do të jetë lehtë kundër Violas. Të zgjedhurit e Prandellit e kanë dëshmuar vlerën e tyre në Kampionat dhe sidomos në Ligën e Kampionëve. Prandaj ata meritojnë respekt”, citohet argjentinasi nga Corriere dello Sport.
Menaxheri i Arsenalit, Arsene Wenger, ka thënë se Theo Walcott ka të gjitha elementet që i nevojiten për t’u bërë një sulmues i jashtëzakonshëm te Topçinjtë.“Unë besoj se ai i ka të gjitha vlerat për t’u bërë një qendërsulmues fantastik. Jam shumë i vetëdijshëm për kualitetin dhe kohën që vrapon”. “E vetmja gjë që mund të them për Theon është se secilën herë që e kam kthyer me shpejtësi në fushë, ai është lënduar sërish”. “Kësaj radhe kam vendosur ta lë të rikuperohet qind për qind dhe pastaj të kthehet”, është shprehur trajneri për faqen zyrtare të Arsenalit.
Lëndimet do të kufizojnë sadopak lojën e tre yjeve në ‘el Clasico’: Lionel Messi dhe Zlatan Ibrahimovic në njërën anë dhe Cristiano Ronaldo në anën tjetër.AS njofton se Barcelona është e gatshme të rrezikojë me Ibrahimovicin që nga minuta e parë, ndërsa Messi do të startojë nga banka rezervë Ndërkohë, edhe Ronaldo pritet të jetë zëvendësues në pjesën e dytë, përkundër se gjatë gjithë javës ka bërë stërvitje të plota. Kjo do të thotë se sipas të gjitha gjasave, Karim Benzema dhe Gonzalo Higuain do të fillojnë në sulm.
Villarreali është mposhtur me rezultat minimal si mysafir i Sporting de Gijon, me golin e vetëm të shënuar nga Mate Bilic (75’).Valencia ka barazuar përballë Mallorcas me rezultat 1-1. Los Che kaluan të parët në epërsi me golin e David Villas, të shënuar në minutat e para të pjesës së dytë (48’). Ndërsa rezultatin barazoi Borja Valero (85’) nga pika e njëmbëdhjetëmetërshit. As Sevilla nuk ka mundur të fitojë, edhe pse luajti në shtëpi përballë Malagas, me të cilën ka barazuar me rezultat 2-2. Mysafirët nga Malaga shënuan të parët me anë të Fernando Forestierit (22’), ndërsa në minutën e fundit të pjesës së parë, Duda dyfishoi epërsinë. Andaluzianët i ktheu në lojë braziliani Luis Fabiano, i cili shënoi dy herë (58’ dhe 72’), për të barazuar rezultatin.
Pas këtyre rezultateve, Sevilla dhe Valencia mbajnë vendet tre dhe katër, respektivisht, ndërsa Villarreali gjendet në vendin e 11-të, por mund të zhvendoset më poshte, pasi skuadrat tjera të zhvillojnë ndeshjet e javës së 12-të.
















