Sulmuesi i Chelseat, Didier Drogba, thotë se fitorja e të dielës kundër Arsenalit do të ketë ndikim te rivalët për titull, duke qenë se kjo fitore ka luhatur vetëbesimin te kundërshtarët e Bluve.
“Arsenali zhvilloi lojën e vet, mirëpo ne ishim më të fortë. Sa herë që na u dha rasti për të shënuar,ne e bëmë këtë. Shfrytëzuam rastet. Fizikisht u mbrojtëm mirë dhe ishim vërtet të fortë, por edhe mentalisht”. “Diferenca në pikë nuk është e mjaftueshme, mirëpo njëkohësisht, është një diferencë e mirë. Duhet të vazhdojmë me fitore”. “Kur je në krye të tabelës, është mirë, sepse të tjerët duhet të na ndjekin. Ata duhet të bëjnë më shumë se ne për t’i fituar ndeshjet”, ka thënë për Press Association Sport sulmuesi nga Bregu i Fildishtë.
Marcelo ka thënë se Real Madridi nuk e meritoi të humbte në derbin e të dielës mbrëma në Camp Nou, por sidoqoftë, ai thotë se kampionati është shumë i gjatë dhe ka kohë që Reali të rikthejë pozitën e parë dhe të hakmerret për këtë humbje.
Mbretërit u mposhtën me rezultat minimal nga Barcelona, ndërsa braziliani ka thënë për AS se në këtë ndeshje ata humbën edhe pse luajtën më mirë. Sido që të jetë, Marcelo e pranon humbjen duke thënë: “Ishte e rëndësishme të fitonim, mirëpo kampionati është i gjatë”.
Juventusi ka humbur dy ndeshje radhazi, nga Bordeaux në Liga e Kampionëve dhe nga Cagliari Serie A, dhe tani e ka të rrezikuar vendin në fazën e eliminimit direkt të garës prestigjioze evropiane të futbollit, ndërsa gjendet tetë pikë prapa Interit në Kampionatin italian.
Kjo ka bërë që t’i luhatet stoli trajnerit Ciro Ferrara, mirëpo presidenti Jean-Claude Blanc thotë se trajneri do ta mbajë punën e tij. “Rezultatet e dy ndeshjeve të radhës (kundër Interit dhe kundër Bayern Munichut) nuk do të ndryshojnë asgjë, ne do të vazhdojmë tutje me projektin tonë”, ka thënë Blanc për Il Corriere dello Sport.
Arsenali u mposht në stadium të vet të dielën nga lideri i tabelës në Premier League me rezultat 0-3, ndërsa mbrojtësi i Arsenalit, Bacary Sagna, ka deklaruar se do të ishte gabim që Topçinjtë të eleminohen nga të tjerët nga gara për titull.
Sagna pranon se ekipi kundështar i së dielës, Chelsea, ishte më i mirë, por ai mendon se diferenca prej 11 pikësh në tabelë mund të ngushtohet, dhe mund të ndodhë gjithçka./sportisot/
Ish-trajneri i Bayern Munichut, Jurgen Klinsmann, është duke pritur ftesë nga pronarët amerikanë të Liverpoolit për të marrë nën drejtim klubin anglez.

People shkruan se ish-sulmuesi gjerman ka refuzuar shansin për të zëvendësuar Rafa Benitez dy vite më herët kur preferoi të marrë nën drejtim Bayern Munichun.

Por ai tash është i lirë pasi u shkarkua nga gjiganti gjerman pas një periudhe të shkurtër atje, dhe tash është i gatshëm të marrë nën drejtim Liverpoolin.

Megjithatë Klinsmann, 44, nuk është më zgjidhja e parë për Hicks dhe Gillett. Personi të cilin amerikanët dëshirojnë ta pasojë spanjollin është trajneri i Aston Villas, Martin O'Neill.
Ish-trajneri i Interit, Roberto Mancini, përmendet si kandidat për të pasuar trajnerin Ciro Ferrara në stolin e Juventusit.

La Stampa shkruan se Mancini është kandidati më real për të pasuar Ferraran nëse ai nuk do të mund ta parandalojë rezultatet e dobëta të Juventusit. Ndeshja e Ligës së Kampionëve kundër Bayern Munich do të jetë vendimtare për të ardhmen e trajnerit.

Ndërkohë, kandidatura e Mancinit gjithnjë e më shumë po forcohet, edhe pse fansat e Juves mund të jenë kundër caktimit të tij.
Trajneri i Interit, Jose Mourinho, beson se ai gjithmonë do të shihet si person i huaj në Itali.

“Çështja e trajnerëve është simptomatike. Janë 20 trajnerë në Serie A prej të cilëve 18 janë italianë, njëri është gjysmë italian dhe gjysmë brazilian (trajneri i Milanit, Leonardo) dhe një i huaj”.

“Kur ata votojnë për trajnerin e vitit çdo muaj, me votat e vetë trajnerëve nuk duket se unë mund të fitoj. Mbase do të jem i fundit. Mbase do të duhet të votoj për veten time, për të marrë një votë. Nuk mund të jenë as dy vota, pasi Walter Zenga, i cili është një person i Interit dhe është miku im, është larguar nga Palermo”, ka thënë Mourinho.
Liverpool është lidhur me një transferim të sulmuesit të Tottenhamit, Roman Pavlyuchenko.

Sipas People, Pavlyuchenko do t’i japë fund periudhës së qëndrimit të tij në Tottenham që në muajin janar, pasi ka kërkuar nga Harry Redknapp t’i lejojë atij të largohet.

“Unë po qëndroj në stol për klubin tim, unë mund vetëm të shpresoj se janari do të sjellë ndryshime në jetën time. Kurrë nuk kam pasur një periudhë kaq të errët në jetën time”, ka thënë Pavlyuchenko.

Një largim në muajin janar është më i realizueshëm me menaxherin e Liverpoolit, Rafael Benitez, që raportohet se është i interesuar në 27-vjeçarin.
Sulmuesi i Interit, Diego Milito, është i kënaqur nga loja e nerazurëve kundër Fiorentinës dhe thotë se vëmendja e tyre është kthyer kah Torino.
Interi erdhi deri te tre pikët e reja kundër Fiorentinës falë një goli të vetëm të shënuar pikërisht nga Milito nga pika e bardhë.“Ishin tre pikë të arta pas humbjes nga Barcelona. Luajtëm shkëlqyeshëm, por nuk merituam të vuajmë aq shumë. Sido që të jetë, bëmë shumë gabime para golit”.“Tash do të kthejmë vëmendjen kah Torino, por ky takim nuk do të jetë vendimtar, ka edhe shumë deri në fund të sezonit. Ndeshja e të shtunës duhet të jetë festë për futbollit. Ne punojmë çdo ditë për t’u përmirësuar”, ka thënë Milito.
New Jersey Nets kanë shkarkuar trajnerin e ekipit Lawrence Frank në ditën në të cilën sezoni i tyre i tmerrshëm hyri në histori për shkak të 17 humbjeve dhe asnjë fitoreje.
Pas humbjes 106-87 ndaj Los Angeles Lakers, ekipi më i dobët i NBA-së këtë sezon i është bashkuar Miami Heat të sezonit 1988-89 dhe Los Angeles Clippers të sezonit 1999, për të hyrë në historinë e NBA-së, për fillimin më të dobët të sezonit.Ndryshimet e brendshme të New Jersey, dështuan të tregojnë rezultat në fushë duke humbur edhe takimin e mbrëmshëm. Kobe Bryant shënoi 30 pikë, ndërsa Pau Gasol 20 të tjera, për të ndihmuar Lakers të shënojnë fitoren e 13-të, krahas vetëm tre humbjeve.
Menaxheri i Chelseat, Carlo Ancelotti, thotë se ai nuk ka nevojë të blejë në afatin kalimtar të janarit.
Chelsea ka fituar betejën ndaj FIFA për të anuluar ndalimin e transferimeve, por edhe pse do të humbasë lojtarët si Didier Drogba dhe Michael Essien në Kupën e Afrikës, italiani thotë se do të shohë drejt blerjeve të reja vetëm nëse ekipi i tij pëson lëndime. “Të gjithë lojtarët janë në formë të mirë. Nëse mbeten të tillë, nuk do të nënshkruajmë me askënd”, ka thënë italiani.
Trajneri i Real Madridit, Manuel Pellegrini, thotë se Barcelona nuk meritoi të shënojë fitore në derbin e mbrëmshëm El Clasico.
Përforcimi i verës i Barcelonës, Zlatan Ibrahimovic, u fut si zëvendësues në pjesë të dytë për t’i dhënë edhe fitoren kampionit të fuqi të Spanjës. Por Pellegrini mendon se vendasit nuk e merituan fitoren. “Në fakt nuk jam i kënaqur. Kurrë nuk kënaqem kur humbas, por jam i kënaqur me mënyrën se si luajtëm. Ne kishim posedimin dhe e dinim se dëshironim të sulmojmë. Ne kishim shumë shanse, por nuk ishim mjaft të durueshëm kur vinte puna t’i përfundojmë”. “E dimë se si i pëlqen Barcelonës të luajë. Ata dëshirojnë ta mbajnë topin, por nuk ishin në gjendje kundër Real Madridit që ishte më i mirë se ata në shumë aspekte të ndeshjes. Mendoj se së paku merituam një barazim. Kishim më shumë shanse se ata, veçanërisht në pjesën e parë”, ka thënë mes tjerash Pellegrini.
Sulmuesi i Milanit, Klaas-Jan Huntelaar, është i ngazëllyer me dygolëshin e tij në fitoren e mbrëmshme 2-0 ndaj Catanias.
Holandezi ishte afër largimit në janar pas një fillimi të dobët të sezonit në Serie A, por e theu errësirën në mënyrën më të mirë, duke shënuar dy gola të shpejtë në minutat shtesë të ndeshjes së mbrëmshme, që i sollën edhe fitoren Milanit. “Ne vërtet dëshiruam ta fitojmë këtë ndeshje dhe në fund e bëmë. Kam punuar shumë të luaj dhe të shënoj, andaj jam shumë i lumtur që më në fund ia dola dhe shpresoj se gjërat do të vazhdojnë të bëhen edhe më të mira”. “Të gjithë ishin të lumtur me mua dhe të gjithë festuam së bashku, andaj ndjehem shumë pjesë e këtij grupi”, ka thënë Huntelaar.
Presidenti i Barcelonës, Joan Laporta, ka lëshuar lëvdata në drejtim të Real Madridit, pas fitores së mbrëmshme minimale prej 1-0.
Reali krijoi një varg shansesh për të shënuar dhe Laporta ka lavdëruar kualitetet e kundërshtarit të tij pas fundit të takimit. “Është një kënaqësi e veçantë për Barcelonën, në 110 vjetorin e klubit. Ishte një ecje nëpër historinë e Barcelonës, kundër një kundërshtari i cili na ka munduar shumë në këtë fitore”. “Ishte një Madrid i shkëlqyeshëm, që ka marrë përgjegjësinë dhe ka luajtur një stil sulmues me futbollistët më të mirë. Më pëlqeu Real Madridit dhe mendoj se ata janë kundërshtari më i mirë që na kanë vizituar në Nou Camp”, ka thënë Laporta.
Kandidati kryesor për të fituar Topin e Artë, Lionel Messi. Katër lojtarë të kampionit të Evropës, Barcelonës, janë në mesin e dhjetë lojtarëve që do të luftojnë për çmimin prestigjioz Ballon d’Or (Topi i Artë).
Lionel Messi është kandidati kryesor për të fituar çmimin që ndahet nga revista franceze France Football. Argjentinasit i janë bashkuar edhe tre bashkëlojtarë në listën e ngushtë të kandidatëve, të cilët janë Xavi, Andres Iniesta dhe Zlatan Ibrahimovic, i cili iu bashkua ekipit spanjoll gjatë verës nga Interi. Samuel Eto’o, i cili shënoi golin e parë në fitoren 2-0 të finales së Ligës së Kampionëve ndaj Manchester United në sezonin e kaluar, dhe i cili verën e kaluar kaloi te Interi si pjesë e shkëmbimit me Ibrahimovic, po ashtu është pjesë e 10 lojtarëve që do të luftojnë për këtë trofe. Nga Liga Premier janë tre lojtarë: sulmuesi i Manchester United, Wayne Rooney, mesfushori i Liverpoolit, Steven Gerrard, dhe sulmuesi i Chelseat, Didier Drogba. Në lojtarët e mbetur janë dy përforcimet e verës të Real Madridit, fituesi aktual Cristiano Ronaldo dhe mesfushori brazilian Kaka. Nga gara tashmë janë përjashtuar sulmuesi i Liverpoolit, Fernando Torres, që përfundoi i 11-ti në votimet e fundit, mesfushori i Arsenalit, Cesc Fabregas i 12-ti, Ryan Giggs i 14-ti dhe Thierry Henry i 15-ti.
Trajneri i Arsenalit, Arsene Wenger, pranon se humbja e djeshme ndaj Chelseat është një goditje e madhe për shpresat e topçinjve për të fituar titullin.
Ekipi i Wenger tash mbetet në pozitën e katërt me 11 pikë prapa liderëve të tabelës. “Po, ne jemi 11 pikë prapa Chelseat. Për momentin shanset tona për titull kanë pësuar goditje. Më herët flisnim për ‘titullin’, tash duhet të fitojmë ndeshje dhe mund të shihni se dëmi që pësuam në Sunderland ishte më i madh, në aspektin e vetëbesimit, se sa duhej të ishte”, ka thënë Wenger. “Për momentin besoj se ata (Chelsea) janë në një pozitë shumë të fuqishme, por ky ekip, për mua, mund ende të humbasë pikë. Jam i bindur në këtë. Kjo është përshtypja të cilën e kam”, ka thënë Wenger.
Kapiteni i Chelseat, John Terry, thotë se ata janë në formë për të fituar Ligën Premier.
Pas triumfit ndaj Arsenalit, Terry nuk dyshon se blutë i kanë të gjitha shanset për të rikthyer trofeun e kampionatit anglez. “Kjo tregoi se mund të jemi kampionë sërish. Ne luajmë mirë. Kishim një periudhë të vështirë në 25 minutat e para. Por ne e gëlltitëm, ecëm përpara, mesfushorët dhe sulmuesit ishin të shkëlqyeshëm”, ka thënë Terry.
Festa e Rossonerëve. Skuadra e Milanit ka shënuar fitore me rezultat prej 2-0 si mysafir i Catanias, për t’u ngritur në vendin e dytë në tabelë.
Fitoren Rossonerëve ua siguroi Klaas-Jan Huntelaar, i cili shënoi të dy golat e mysafirëve në minutat shtesë të takimit (90’+3 dhe 90’+5). Me këtë fitore, Milani ngjitet në kuotën e 28 pikëve, një më shumë se Juventusi që gjendet në vendin e tretë dhe shtatë më pak se Interi që prin në tabelë.