Supersfida evropiane këtë fundjavë zuri vend në Stadiumin Olimpik të Torinos, ku janë ndeshur skuadra më e trofeshme në Itali- Juventus, dhe skuadra që po dominon futbollin italian në vitet e fundit- Inter.Përballja ndërmjet dy rivalëve të përjetshëm në Serie A përfundoi me fitoren e Zonjës së Vjetër me rezultat prej 2-1.
Pjesa e parë
Fraksioni i parë i ndeshjes filloi vrullshëm, sidomos nga skuadra vendase, e cila ishte më dominuese duke kërkuar golin e avantazhit.
Bianconerët ia arritën qëllimit të tyre në minutën e 21-të, kur pas një krosimi të Diegos nga gjuajtja e lirë, më së miri u gjet braziliani tjetër, Felipe Melo, i cili e mposhti me kokë portierin Julio Cesar.
Mirëpo nuk kaloi shumë kohë, dhe zikaltrit barazuan rezultatin. Ishte sulmuesi kamerunas Samuel Eto’o, lojtari i cili barazoi shifrat (27’) duke mposhtur me kokë portierin Buffon, pas krosimit të Dejan Stankovic.
Me këtë rezultat skuadrat shkuan në pushim, pasi që deri në fund të 45 minutëshit të parë nuk u shënua gol tjetër, duke qenë se u ngadalësua ritmi i lojës.
Pjesa e dytë
Sikurse në pjesën e parë ashtu edhe në fillimin e gjysmës së dytë, Zonja e Vjetur u tregua skuadër më kërkuese ndaj golit, me ç’rast vendasit u treguan sërish efikas.
Pas një goditje të Momo Sissokos drejt portës kundërshtare, portieri Cesar mbrojti tentativën e mesfushorit juventin, mirëpo topi u kthye te Claudio Marchisio, i cili pas një superderpërtimi shënoi golin e dytë për bardhezinjtë (58’), i cili rezultoi të ishte goli i fitores.
Kah fundi i ndeshjes (87’), pas një zënke ndërmjet lojtarëve, Felipe Melo u përjashtua me kartonin e dytë të verdhë, megjithatë në minutat e mbetura mysafirët nuk ndryshuan asgjë.
Pas kësaj fitoreje, Juventusi mban vendin e tretë në tabelë, por tani ka ngushtuar diferencën në pesë pikë me liderin Inter.
Nga ana tjetër, Milani tani është vetëm katër pikë pas Nerazzurëve dhe gara për titull mbetet e hapur për të tria skuadrat e mëdha italiane.
Një ndeshje dramatike është zhvilluar në Santiago Bernabeu, ku Real Madridi shënoi fitore me rezultat 4-2, kundër Almerias.
Ndeshja kryesore e javës së 15-të në Ligën Premier është zhvilluar të shtunën në stadiumin e qytetit të Mançesterit, ndërmjet Manchester Cityt dhe Chelseat.‘Pasanikët’ kanë arritur t’ua shkaktojnë humbjen e tretë të sezonit Bluve, të cilët i kanë mposhtur me rezultat 2-1. Të parët kaluan në epërsi mysafirët, kur sulmuesi i Cityt, Emmanuel Adebayor, gaboi portën (8’). Mirëpo, i njëjti lojtar përmirësoi gabimin e tij në minutën e 37-të duke barazuar rezultatin në 1-1, dhe me këtë rezultat skuadrat shkuan në pushim. Në pjesën e dytë, vendasit kaluan në epërsi me një gol të shënuar nga Carlos Tevez, i cili e mposhti portierin Cech nga gjuajtja e lirë. Ky gol rezultoi të ishte goli i fitores për ‘pasanikët’, pasi që mysafirët nuk arritën ta barazonin rezultatin as nga penalltia, kur Franck Lampard dështoi të shënonte nga njëmbëdhjetë metra (83’). Me këtë fitore, City ngjitet në pozitën e gjashtë duke e zhvendosur Liverpoolin në të shtatën, ndërsa Chelsea tash është vetëm dy pikë para Manchester Unitedit.
Skuadra e Milanit ka shënuar fitore bindëse përballë Sampdorias duke mposhtur në San Siro me rezultat 3-0.Rossonerët arritën që brenda 24 minutash të shënojnë tre gola dhe kështu e fituan ndeshjen që në pjesën e parë. Me të filluar takimi (2’), Marco Borriello shfrytëzoi një krosim të Ronaldinhos për të mposhtur portierin Castellazzi. Në minutën e 21-të, mesfushori holandez Clarence Seedorf dyfishoi rezultatin ndërsa sërish asistues ishte Ronaldinho. Tre minuta më pas (24’), Alexandre Pato depërtoi në gjashtëmbëdhjetëmetërsh për ta vulosur ndeshjen duke shënuar golin e tretë të Milanit. Me tri pikët e reja, Milani gjendet vetëm katër prapa liderit Inter, dhe pret gabimin e kampionit në përballjen e të shtunës ndaj Juventusit, ashtu që të ngushtojë diferencën e pikëve.
Të Kuqtë nuk kanë arritur të nxjerrin më shumë se një pikë në ndeshjen e zhvilluar të shtunën kundër Blackburnit.Takimi i zhvilluar në Ewood Park, ndërmjet Blackburn Rovers dhe Liverpoolit, ka përfunduar me rezultat të barabartë, pa gola.
Me këtë barazim Liverpooli bie një pozitë më poshtë (në vendin e gjashtë), pasi që Aston Villa e mposhti Hull Cityn me rezultat 3-0.
Topçinjtë kanë shënuar fitore me rezultat 2-0 kundër Stoke Cityt në ndeshjen e zhvilluar të shtunën në Emirates.Në minutën e 21-të, portieri i Stoke mbrojti penalltinë e Cesc Fabregas, ndërsa pesë minuta më pas (26’), Andrey Arshavin krijoi epërsinë.
Aaron Ramsey shënoi golin e sigurisë për vendasit (79’) duke ua humbur shpresat mysafirëve për barazim.
Pas kësaj fitoreje, Arsenali ngjitet në pozitën e tretë me dy pikë më shumë se Tottenhami që të dielën zhvillon ndeshjen kundër Evertonit.
Kampioni i Anglisë në fuqi, Manchester United, ka shënuar fitore të lartë si mysafir i West Ham United, duke e mposhtur në Upton Park me rezultat 4-0.Në fund të pjesës së parë (45’+1), veterani Paul Scholes ia dha avantazhin skuadrës mysafire me një gol të shënuar me këmbën e majtë.
Me një supergol të Darron Gibson (61’), Djajtë e Kuq dyfishuan epërsinë.
Dhjetë minuta më pas Luis Antonio Valencia shënoi golin e tretë, ndërsa rezultatin përfundimtar e vendosi Wayne Rooney një minutë pas (72’).
Me këtë fitore, United ngushton diferencën me Chelsean në dy pikë, derisa Blutë sot zhvillojnë ndeshjen e vështirë kundër Manchester Cityt.
Dy skuadrat nga Bundesliga, Bayer Leverkusen dhe Wolfsburg, kanë barazuar në përballjet e tyre respektive, kundër Hannoverit dhe Freiburgut.Lideri i tabelës, Leverkusen ka barazuar pa gola si mysafir i Hannoverit, ndërsa kampioni në fuqi, Wolfsburg ka barazuar me rezultat 2-2, si nikoqir i Freiburgut. Me këtë barazim, Leverkuseni rrezikon të barazohet me pikë në krye të tabelës me Werder Bremeni, nëse Bremeni shënon fitore të dielën përballë 1. FC Cologne. Ky rezultat i konvenon edhe Bayern Munichut që tani është vetëm tri pikë larg vendit të parë.
Zvicra do të bëjë gara në Grupin H në Kampionatin Botëror, përballë Spanjës, Kilit dhe Hondurasit, ndërsa trajneri Ottmar Hitzfeld beson se skuadra e tij mund të kualifikohet në 1/8 e finales.“Në grupin tonë, Spanja është favoriti kryesor. Ne jemi në një grup të vështirë por të kalueshëm. Gjërat kanë mundur të jenë më keq. Ne jemi në nivel të njëjtë me Kilin dhe Hondurasin”, është cituar Hitzfeld nga Marca. Zvicra do të ketë një fillim të vështirë në Afrikën e Jugut, pasi që në ndeshjen e parë përballet kundrejt kampionit të Evropës, Spanjës.
Cristiano Ronaldo i ka paralajmëruar bashkëkombësit e tij se duhet të japin gjithçka nga vetja që në fillim të Kampionatit Botëror, nëse dëshirojnë të kalojnë në 1/8 e finales.Portugalia gjendet në të ashtuquajturin ‘grupi i vdekjes’ ku do të ketë përballë Brazilin, Bregun e Fildishtë dhe Korenë Veriore. “Kemi një grup të komplikuar. Do të jetë vështirë, mirëpo jam i lumtur që do të ndeshem me bashkëlojtarë dhe me miq”. “Futbolli është gjithmonë i komplikuar. Duhet të luajmë mirë për të fituar dhe jemi të motivuar për t’u ndeshur me skuadra të mëdha”, ka thënë portugezi për faqen zyrtare të Real Madridit.
Anësori i Fiorentinas, Juan Manuel Vargas, beson se Brazili është favoriti kryesor për ta fituar Kampionatin e ardhshëm Botëror, mirëpo duke mos lënë anash Italinë dhe Spanjën.Përfaqësuesja e tij, Peru, nuk ka siguruar kualifikimin për në Afrikën e Jugut, ndërsa Vargas megjithatë thotë se një përfaqësuese nga Amerika Latine do të shpallet kampion. “Brazili do të jetë gjithmonë favorit për shkak të historisë që ka, dhe për shkak të lojës, mirëpo asnjëherë nuk duhet të harrojmë Italinë dhe Spanjën...”, ka thënë peruani për gazetën El Bocon.
Mesfushori ofanziv i Juventusit, Diego, e ka lëvduar mesfushorin e Interit, Wesley Sneijder, para derbit të Italisë që zhvillohet të shtunën mbrëma në Stadio Olimpico të Torinos.“Çfarë mendoj për Sneijderin? Ai ka një teknikë të shkëlqyer. E kam përcjellë atë kur luante tek Ajaxi”. “Ai ka klasin dhe lojën e një braziliani. Do të ishte përparësi për ne nëse ai nuk luan”, është cituar braziliani nga Tuttomercatoweb.com.
Sulmuesi i Romës, Mirko Vucinic, ka deklaruar se ka dëshirë të madhe të shënojë në përballjen e të dielës mbrëma kundër Lazios në Derby Della Capitale.“Më e rëndësishmja është që Roma ta fitojë ndeshjen. Të gjitha të tjerat janë në radhë të dytë”. “Unë po përmirësohem ndeshje pas ndeshje dhe do të ishte e shkëlqyer po të shënoja kundër Lazios. Do të ishte këndshme po ta ringjallja emocionin e para dy viteve”, ka thënë malazezi për Il Corriere Dello Sport.
Ditët e fundit është spekuluar se Manchester City dhe Chelsea janë të interesuar për transferimin e mesfushorit të Milanit, Gennaro Gattuso.Mirëpo zëvendëspresidenti i Rossonerëve, Adriano Galliani, thotë se asnjëra nga këto dy skuadra nuk ka kontaktuar me lojtarin italian. “Nuk jam në dijeni se Manchester City interesohet për të. Po ashtu kam folur me Ancelottin, dhe Rino nuk bën pjesë në planet e tij”, ka thënë Galliani për Gazzetta dello Sport.
Sulmuesi i Romës, Julio Baptista, është i ‘ledhatuar’ pasi ka dëgjuar që Atletico Madridi interesohet për shërbimet e tij.“Interesimi nga Atletico Madridi është një nder për mua”. “Nëse do të më duhej ta ndërroja skuadrën, atëherë do të isha i lumtur po të shkoja atje. Sido që të jetë unë dua të qëndroj të Roma”, ka thënë braziliani për Punto Radio.
Vëllai dhe agjenti i Mauro Zarates, Sergio, thotë se argjentinasi planifikon të shënojë kundër Romës ashtu që ta lë nën hije kapitenin e Giallorossëve, Francesco Totti, në derbin e kryeqytetit të dielën mbrëma.“Mauro më ka thënë se do të shënojë kundër Romës. Ai ëndërron që t’ua dhurojë tifozëve fitoren. Fjalët e Tottit? Zarate e heshti atë vitin e kaluar...”. “E gjithë familja do të jetë në stadium për të shikuar. Mauro dëshiron ta ngritë moralin e Lazios. Ai është i lumtur vetëm se i duhet të shënojë”, ka thënë Sergio për Il Corriere Dello Sport.
Arsene Wenger ka ndërhyrë për të qetësuar spekulimet që e lidhin sulmuesin e Wolfsburgut, Edin Dzeko, me Topçinjtë.“Më pëlqen ai lojtar. Mirëpo tash për tash çmimi është shumë i lartë”, ka thënë francezi. Wenger, po ashtu ka mohuar mundësinë e transferimit të Marouane Chamakh nga Bordeaux në afatin kalimtar të janarit, duke thënë se njëherë për njëherë lojtari nuk është në dispozicion.
Portieri i Juventusit, Gianluigi Buffon, pritet të mungojë 40 ditë nga e mërkura që vjen, pasi që do t’i nënshtrohet operimit të meniskut.Buffon do të jetë portier i Juves në dy ndeshjet e rëndësishme, kundër Interit (të shtunën) dhe kundër Bayern Munichut (të martën), dhe pastaj do të operohet. Tuttosport njofton se portieri italian duhet ta trajtojë meniskun e gjurit të djathtë, ashtu që do të mungojë më shumë se një muaj.
Ndeshja ndërmjet Bayern Munichut dhe Borussia Mönchengladbachut, ka hapur javën e 15-të në Bundesliga. Takimi i zhvilluar të premten mbrëma në Allianz Arena, përfundoi me fitoren e bavarezëve me rezultat 2-1.Mario Gomez kaloi vendasit në epërsi (19’), ndërsa Roel Brouwers barazoi rezultatin për mysafirët (28’). Tri pikë nga kjo përballje Bayernit ia siguroi mbrojtësi Holger Badstuber, pesëmbëdhjetë minuta pa përfunduar koha e rregullt e ndeshjes. Me këtë fitore Bayern Munichu ngjitet në pozitën e tretë me pikë të barabarta me Werder Bremenin që mban vendin e dytë, dhe tri pikë më pak se lideri, Bayer Leverkusen, por duke mos harruar se bavarezët kanë një ndeshje më tepër të zhvilluar.
Trajneri i përfaqësueses së Anglisë, Fabio Capello, nuk është zemëruar nga shorti që u ka rënë Tre Luanëve, të cilët do të përballen ndaj SHBA-ve, Algjerisë dhe Sllovenisë në Grupin C.“Nuk është keq. Kemi luajtur kundër SHBA-ve dhe Sllovenisë së fundmi në shtëpi, dhe kemi luajtur mirë, dhe i kemi mposhtur. Mirëpo, kur do të luajmë këtu (në Afrikën e Jugut) në qershor do të jetë ndryshe”. “Algjeria mposhti Egjiptin dhe është një skuadër e mirë. Secili kundërshtar do të jetë i fuqishëm, sepse kur luan në Kampionatin Botëror, asnjë ndeshje nuk është e lehtë”, ka thënë Capello për BBC.
Pas shortit të të premtes, kampioni i Evropës, Spanja, do të garojë në Grupin H përballë Hondurasit, Kilit dhe Zvicrës. Trajneri Vicente del Bosque thotë se grupi nuk është aq i lehtë sa duket në shikim të parë, por premton se përfaqësuesja e tij do të përgatitet në mënyrën më të mirë.“Nuk duhet të shqetësohemi, e as të gëzohemi. (Nga grupi) Hondurasi është më pak i njohur, por ka këmbëngulësinë e vet. Kili është një skuadër e shkëlqyer. Zvicra është në formë të mirë...”, është cituar trajneri nga AS. Nëse kalon grupin, në 1/8 e finales Spanja mund të ndeshet kundër Brazilit, Portugalisë ose Bregut të Fildishtë, mirëpo Del Bosque thotë se njëherë do të provojë ta kalojë fazën grupore, pastaj do të mendojë për kundërshtarët tjerë.
Kampioni i Botës në fuqi, Italia, në fazën grupore të finaleve të Kampionatit Botëror 2010, do të bëjë gara në Grupin F, kundrejt Paraguait, Zelandës së Re dhe Sllovakisë, ndërsa trajneri Marcello Lippi ka thënë se të zgjedhurit e tij do të jenë të gatshëm në qershor.“Paraguai ka qenë në krye të zonës së tyre të kualifikimeve në dy vitet e fundit, dhe është një kundërshtar i denjë”. “Sllovakia po ashtu ka luajtur mirë, ka eliminuar disa skuadra të mira. Secili kundërshtar është i vështirë...”, ka thënë Lippi për Rai Sport. Trajneri italian ka thënë se përfaqësuesja e tij do të mendojë për grupin e vet dhe nëse kalon fazën e grupeve, atëherë do të mendojë për secilën ndeshje.
















