Giallorossët kanë dalë fitues në Derby Della Capitale kundër Lazios në ndeshjen e zhvilluar të dielën mbrëma në Stadio Olimpico.‘Armata Romake’ ka shënuar fitore minimale përballe rivalit të përjetshëm nga kryeqyteti italian, Lazio. Tri pikë të rëndësishme Romës ia siguroi mbrojtësi Marco Cassetti në minutën e 78-të të takimit. Pas kësaj fitoreje, Roma ngritët në pozitën e gjashtë me pikë të barabarta me Fiorentinan dhe Genoan, që mbajnë pozitat pesë dhe shtatë, respektivisht.
Fiorentina ka shënuar fitore të rëndësishme përballë Atalantas për t’u ngjitur në vendin e pestë në tabelë.Takimi i zhvilluar në Stadio Franchi ka përfunduar me fitoren e vendasve prej 2-0.
Juan Manuel Vargas kaloi Violan në epërsi (26’), ndërsa një minutë pa përfunduar koha e rregullt e takimit, Alberto Gilardino vendosi fitoren. Pas kësaj fitoreje, Fiorentina ka pikë të barabarta me Sampdorian që gjendet në vendin e gjashtë, dhe një pikë më pak se Parma që gjendet në vendin e katërt. Parmanët kanë barazuar me rezultat 2-2 si mysafirë të Genoas për të mbajtur pozitën e katërt në tabelë.
Chelsea planifikon të transferojë sulmuesin e Sevillas, Luis Fabiano, gjatë afatit kalimtar të janarit.The News of the World njofton se braziliani është shënjestra kryesore e Bluve, të cilët sivjet janë pretendentë kryesorë për ta fituar Ligën Premier dhe Ligën e Kampionëve. Manchester United dhe Milan janë po ashtu të interesuar për transferimin e 29-vjeçarit.
Fituesi i sivjetmë i Topit të Artë, Lionel Messi, mëngjesin e të dielës ka marrë çmimin e tij në Francë, dhe ka falënderuar bashkëlojtarët e tij që i kanë ndihmuar që ta fitojë këtë çmim.Argjentinasi grumbulloi 473 pikë duke fituar bindshëm para Cristiano Ronaldos dhe bashkëlojtarit të tij, Xavi Hernandez që përfundoi në vendin e tretë.
“Ua dedikoj Topin e Artë kolegëve të mi, dhe e ndaj këtë trofe me ta. Dëshiroj ta falënderoj familjen time, miqtë e mi dhe vëllezërit e mi që janë gjithmonë me mua”, tha 22-vjeçari gjatë ceremonisë së marrjes së çmimit.
Menaxheri i Arsenalit, Arsene Wenger, ka thënë se Anglia ka rastin më të mirë për ta fituar Kampionatin Botëror 2010, që zhvillohet verën që vjen në Afrikën e Jugut.“Po, Anglia ka një shans të mirë- mirëpo unë nuk dëshiroj të jepem pas euforisë, e cila është duke u ndërtuar këtu tash për tash”. “Çështja është se secilën herë që themi se Anglia do të ketë sukses, dhe nuk ka, skuadra ‘goditet’ rëndë”. “Prandaj po e them që Anglia të shkojë atje me më pak pritje. Por unë nuk shoh ndonjë arsye të dukshme pse nuk mund të fitojë- por ende do t‘i duhet fati dhe gjithçka duhet të jetë në vend gjatë katër javëve (të Kampionatit Botëror)”, është shprehur Wenger për The Daily Star Sunday.
Mesfushori i Milanit, Clarence Seedorf, është i bindur se Rossonerët kanë krejt çka iu nevojitet për t’u kualifikuar në fazën e eliminimit direkt të Ligës së Kampionëve.Milani është afruar katër pikë prapa Interit në Serie A, ndërsa të martën e zhvillon ndeshjen vendimtare në Ligën e Kampionëve kundër FC Zurichut, dhe fitorja është e domosdoshme për të siguruar kualifikimin. “Do ta vizitojmë një fushë të cilën duhet ta respektojmë pavarësisht rezultateve të arritura nga skuadrat tjera në grup”. “Duhet ta luajmë lojën tonë dhe të tentojmë të dominojmë me mbajtjen e topit. Përgatitja jonë do të jetë shumë e rëndësishme, sepse ne jemi favoritë në letër”, ka thënë holandezi për Sky Sport Italia.
Cristiano Ronaldo ka pranuar se ndoshta ka gabuar në ndeshjen e të shtunës mbrëma kundër Almerias, mirëpo i ka përkujtuar të gjithë se edhe ai është njeri.Portugezi ishte protagonisti i mbrëmjes, duke huqur një penallti, duke mos festuar kur shënoi Karim Benzema, duke shënuar një gol dhe duke u përjashtuar me karton të kuq. “Unë jam një qenie njerëzore, prandaj edhe unë mund të gaboj. Ishte një reagim instiktiv dhe unë tashmë iu kam kërkuar falje bashkëlojtarëve të mi. Unë jam një perfeksionist, por e mira është që Karim shënoi”, ka shpjeguar Ronaldo për Marca.
Barcelona ka vazhduar me fitore edhe këtë fundjavë, duke mposhtur Deportivo La Corunan me rezultat 1-3, ndërsa trajneri Pep Guardiola është krenar me vendosmërinë e skuadrës së tij.Dy gola të Leo Messi dhe një gol i Zlatan Ibrahimovic, ia dhanë fitoren Barcës, ndërsa Guardiola tha se Deportivo pati vetëm një rast të vërtetë (kur e shënoi golin). “Ne nuk merituam ta pranonim golin në pjesën e parë. Jam shumë i lumtur me performancën në pjesën e dytë... Ne e dominuam ndeshjen në një stadium të vështirë”, tha Guardiola.
Mesfushori i Liverpoolit, Alberto Aquilani, do të grumbullojë një grup tifozësh të Romës në Liverpul për të përcjellë ndeshjen e ish-skuadrës së tij kundër Lazios në Derby della Capitale.“Kam organizuar gjithçka dhe do ta përcjell ndeshjen këtu në Angli me motrën time, të dashurën dhe disa miq”. “Nuk do të jem në Olimpico, sepse dje pata një ndeshje me Liverpoolin, mirëpo nuk do ta humbja këtë ndeshje për asgjë në botë”, ka thënë Aquilani për Il Romanista, duke shtuar se do të mbështesë Giallorossët në këtë derbi.
Asistenti i Manchester Unitedit, Mike Phelan, ka pranuar se sulmuesi i Wolfsburgut, Edin Dzeko, është lojtar i cili tërheq interesin e Djajve të Kuq.Sulmuesi boshnjak kërkohet nga shumë skuadra të mëdha evropiane për shkak të formës së mirë që kaloi sezonin e kaluar në Bundesliga, ndërsa së fundmi është spekuluar edhe për interesimin e United. “Jam i sigurt se një numër i madh skuadrash e kërkojnë atë. A jemi ne njëra nga ato? Ne po kërkojmë talentë gjatë gjithë kohës dhe ne jemi aty në radhë me të tjerët”, ka thënë Phelan për The News of the World.
Juventusi ka mposhtur Interin duke ngushtuar diferencën e pikëve me liderin në pesë pikë, dhe po ashtu kjo fitore ishte e favorshme edhe për Milanin që tani është vetëm katër pikë prapa rivalëve të qytetit.“Liga nuk ka qenë e mbyllur. Milani po luan mirë dhe këto pikë ishin të rëndësishme. Do të duhet të luftojmë deri në fund”, ka thënë kapiteni i Interit, Javier Zanetti, për Sky Sport Italia. Duke folur për ndeshjen kundër Juves, argjentinasi ka thënë se ishte një ndeshje e baraspeshuar, dhe gjithçka u vendos nga një gol i Marchisios.
Kapiteni i Juventusit, Alessandro Del Piero, është shprehur shumë i kënaqur me fitoren e të shtunës mbrëma kundër Interit.“Fitorja ka shije të mirë, për shkak të rezultatit dhe për shkak të mënyrës si luajtëm”. “Deshëm të reagonim dhe e bëmë këtë, duke rizbuluar kualitete të caktuara të cilat janë vendimtare për ne”. “Mbi të gjitha, është me rëndësi që morëm një rezultat të cilin e dëshiruam”, ka thënë ikona bardhezi për Sky Sport Italia.
Barcelona ka shënuar fitoren e radhës në La Liga duke e mposhtur si mysafir Deportivo La Corunan me rezultat 3-1.Blaugranët kaluan të parët në epërsi me anë të Lionel Messi (27’), ndërsa mysafirët barazuan me anë të Adrian (39’). Rezultati 1-1 qëndroi deri në dhjetë minutat e fundit të kohës së rregullt, kur Messi shënoi golin e dytë dhe krijoi sërish epërsinë. Ndërsa fitoren e mysafirëve e vulosi Zlatan Ibrahimovic (88’) pas një krosimi të Abidal.
















