Interi mposhti Rubin Kazanin në ndeshjen vendimtare me rezultat 2-0 për tu kualifikuar kështu për fazën tjetër të Ligës së Kampionëve, dhe Eto’o shprehet mjaft i lumtur për këtë fitore.
“Një fitore që vjen nga një paraqitje e mirë. Ne vrapuam shumë dhe mirë. Nëntë gola nuk janë mjaft për mua, por duhet të bëj më shumë për ti fituar zemrat e tifozëve. Shpresoj të vlerësohem.”
“Faza tjetër ? Nuk mund ta them se kush, por mund të them se nëse luajmë kështu atëherë do të spastrojmë çdo gjë. Ndoshta klubet e vogla mund të krijojnë më shumë se ato të mëdha. “
“Sot luajtëm shumë mirë dhe me personalitet, nuk duhet të jemi të frikësuar. “
“Ne jemi Inter.”deklaroi pas ndeshjes Eto’o.
Skuadra greke Olympiacos Pireus ka shënuar fitore minimale përballë Arsenalit, për të qenë e sigurt në vazhdimin e garës më prestigjioze të futbollit evropian.
Golin e vetëm në ndeshje e shënoi Leonardo në minutat e para të pjesës së dytë (47’), për të siguruar tri pikë të plota. Olympiacosi rrezikonte kualifikimin, nëse mposhtej nga Arsenali, dhe nëse Standard Liege shënonte fitore kundër AZ Alkmaarit. Megjithatë Standard dhe AZ Alkmaar barazuan, 1-1, ndërsa Olympiacosi me siguri të plotë kalon në 1/8 e finales së Ligës së Kampionëve. Pas xhiros së fundit të fazës grupore, nga Grupi H kualifikohen Arsenali dhe Olympiacosi, ndërsa Standardi do të garojë në Europa League, pasi në çastet e fundit shfaqet heroi i vërtetë i Standardit, portieri, i cili shënon një gol me kokë.
Dy golashënuesit e Fiorentinas, Martin Jorgensen dhe Alberto Gilardino. Skuadra e Liverpoolit është treguar sërish e pafuqishme përballë Fiorentinas. Ekipi italian përmbysi rezultatin në Anfield për të shënuar fitore prej 2-1.
Të Kuqtë kaluan të parët në epërsi me një gol të shënuar nga Yossi Benayoun (43’). Skuadra vjollce barazoi rezultatin me golin e shënuar nga Martin Jorgensen në minutën e 63-të. Ndërsa vendin e parë në Grupin E, Fiorentinas ia siguroi Alberto Gilardino me një gol të shënuar në minutën e fundit të kohës së rregullt. Në takimin tjetër të këtij grupi, Lyoni ka shkatërruar Debrecenin, duke e mposhtur me rezultat 4-0. Pas xhiros së fundit, Grupit G i prin Fiorentina që kualifikohet së bashku me Lyonin, ndërsa Liverpooli do të garojë në Europa League.
Gëzimi i lojtarëve të Stuttgartit. Skuadra e Stuttgartit ka dalë fituese përballë Unirea Urzicenit, në përballjen e drejtpërdrejtë për një vend në fazën e eliminimit direkt të Ligës së Kampionëve.
Gjermanët kanë shënuar fitore me rezultat 3-1 në Mercedes Benz Arena, për të siguruar pozitën e dytë në Grupin G me një pikë më shumë se kundërshtari i mbrëmjes së sotme që do të bëjë gara në Europa League. Tre gola të shpejtë të shënuar nga vendasit- me anë të Ciprian Marica (5’), Christian Träsch (8’) dhe Pavel Pogrebnyak (11’)- i dhanë fund dilemës për fituesin, ndërsa golin e vetëm për mysafirët e shënoi Antonio Semedo (46’). Përballja tjetër e këtij grupi, e zhvilluar vetëm për statistika, ndërmjet Sevillas dhe Rangers, përfundoi me fitoren minimale të andaluzianëve, ndërsa golashënues ishte Frederic Kanoute nga pika e bardhë (8’). Nga ky grup kualifikohen Sevilla dhe Stuttgart, ndërsa Unirea Urziceni do të bëjë gara në Europa League.
Festa e Nerazzurëve pas super-golit të Balotellit. Barcelona dhe Interi kanë siguruar kualifikimin në fazën e eliminimit direkt të Ligës së Kampionëve.

Barcelona ka shënuar fitore si mysafir i Dynamo Kievit me rezultat 2-1, duke arritur ta përmbysë epërsinë e vendasve.

Dynamo kaloi shume herët në epërsi (2’), me një gol të shënuar nga Artem Milevsky, ndërsa në minutën e 33-të, Xavi barazoi rezultatin.

Fitoren Blaugranëve ua solli superylli argjentinas Lionel Messi, pesë minuta pa përfunduar koha e rregullt e takimit.

Takimi tjetër i Grupit F, zhvilluar në Giuseppe Meazza, ndërmjet Interit dhe Rubin Kazanit, ka përfunduar me fitoren e vendasve me rezultat prej 2-0.

Samuel Eto’o shënoi golin e parë të zikaltërve (31’), pas një rrëmuje që shkaktoi kapiteni Javier Zanetti, ndërsa asistues ishte Mario Balotelli.

SuperMario ishte lojtari që dyfishoi rezultatin me një supergol të shënuar nga gjuajtja e lirë (64’).

Pas xhiros së fundit, Barcelona dhe Interi vazhdojnë garën më prestigjioze të futbollit evropian, ndërsa Rubin Kazani do të bëjë gara në Europa League.

Kapiteni i Juventusit, Alessandro Del Piero, thotë se nuk ka asnjë person që është i vetëm përgjegjës për eliminimin nga Liga e Kampionëve.
Juventusi mbrëmë u mposht me rezultat 4-1 në Olimpico nga Bayerni i Munichut, duke humbur rastin për të kaluar në rundin eliminues të garës evropiane.

“Është vështirë të gjesh fjalë pasi në këtë rast ka shumë pak të thuhet dhe aq shumë të bëhet. Nuk është vetëm një person i vetëm, nuk mund të pyetet se kush është më shumë ose më pak fajtor”.

“Ne të gjithë e ndajmë të njëjtin faj pa përjashtim dhe ne të gjithë duhet të luftojmë së bashku për të dalë nga kjo situatë”, ka thënë Del Pierro për Corriere dello Sport.
Ekipi shqiptarë i ligës së parë të Maqedonisë në futboll, Renova, ka shënuar fitore të lartë prej 4-0 në udhëtim ndaj ekipit Pobeda, për të forcuar kreun tabelës dhe për t’u shpallur kampion vjeshtor në vendin fqinj.
Rivali kryesor i ekipit nga Xhepçishti i Tetovës, Rabotniçki, ka pësuar 2-0 ndaj Sileks, duke i lejuar Renovës të shtojë në 5 diferencën e pikëve, me edhe një ndeshje më pak të zhvilluar.Golat për ekipin shqiptar i shënuan Ylber Aliu (14’), Blagoja Todorovski (44’), Muharem Bajrami (50’) dhe Fisnik Gashi (84’).Ndërkohë ekipi tjetër shqiptar i ligës së parë të Maqedonisë në futboll, Milano, është mposhtur me rezultat të thellë prej 6-0 nga Teteksi, duke u zhytur edhe më shumë në fundin e tabelës.
Të martën mbrëma Bayern Munichu tregoi se meriton respektin e të gjithëve pasi shkeli Juventusin në Torino, mirëpo anësori francez Franck Ribery mendon se bavarezët nuk kanë fuqi për ta fituar Ligën e Kampionëve.
“Është vështirë të thuhet nëse Bayerni është i fortë sa duhet. Mendoj se skuadra jonë është aq e fortë për ta fituar Bundesligan dhe (kupën) DFB Pokal”. “Megjithatë, sipas mendimit tim, nuk jemi aq të mirë për ta fituar Ligën e Kampionëve”. “Janë vetëm katër skuadra aq të mira për ta fituar atë: Chelsea, Manchester Unitedi, Barcelona dhe Real Madridi. Tash për tash, ne nuk mund të garojmë me ta”, ka thënë Ribery për Kicker.
Zëvendëspresidenti i Milanit, Adriano Galliani, është shprehur mjaft i kënaqur me kualifikimin e Rossonerëve në fazën e eliminimit direkt të Ligës së Kampionëve, ndërsa ka thënë se nuk do t’i pëlqente nëse përballet me Chelsean.
Galliani është shprehur i zhgënjyer pas eliminimit të Juventusit, duke thënë se kjo mund t’i kushtojë Italisë me një vend më pak në Ligën e Kampionëve, pasi që mund të zvogëlohet koeficienti në rangimet e UEFA-s. Për më shumë, ai ka thënë se do ta mbështesë Interin, pasi që dëshiron më shumë skuadra italiane të kualifikohen. “Do ta mbështes Interin, sepse duhet t’i ruajmë vendet e skuadrave italiane në Ligën e Kampionëve”, ka thënë Galliani.
Mbrojtësi i Juvetusit, Fabio Cannavaro, ka komentuar humbjen prej 4-1 nga Bayern Munichu në Torino, të cilën nuk dëshiron ta kujtojë gjatë kohë.
Zonja e Vjetër u eliminua nga raundet e mëtutjeshme të Ligës së Kampionëve, pasi u turpërua nga bavarezët para tifozëve të vet. “Fatkeqësisht ndeshja e mbrëmjes së sotme (e martë), ishte për t’u harruar. Sidomos për faktin që avancuam 1-0 dhe nuk ishim në gjendje ta fitonim takimin”. “Më vjen keq për tifozët, të cilët vërtet e dëshironin këtë garë, por pas mbrëmjes së sotme, do të duhet të luajmë në Europa League”. “Është një moment i vështirë, por ne jemi Juventusi dhe duhet të mundohemi të reagojmë dhe të dalim nga ky moment duke filluar nga e diela (kundër Barit)”, ka thënë mbrojtësi italian pas ndeshjes.
Legjenda franceze Zinedine Zidane ka deklaruar se Real Madridi mund të fitojë Ligën e Kampionëve këtë sezon, ndërsa superyllin portugez Cristiano Ronaldo e ka quajtur një fenomen.
“Së fundi po kënaqem duke shikuar (Real Madridin). Lojtarët janë mbresëlënës. Ata po luajnë si një skuadër tashmë, dhe kjo ka rëndësi...”. “Cristiano nuk është thjesht i mirë, ai është fenomenal. Ai bënë gjëra më të mira se që kam bërë unë”, ka thënë Zidane për AS, pas ndeshjes kundër Marseille.
Superylli i Milanit, Ronaldinho, është shprehur i kënaqur me kualifikimin në 1/8 e finales së Ligës së Kampionëve.
Rossonerët barazuan kundër Zurichut të martën mbrëma, ndërsa realizuesi i golit të barazimit ishte pikërisht braziliani. “Ishte një ndeshje e vështirë për ne, por jam i lumtur që i kam ndihmuar Milanit”. “Gjëja më e rëndësishme ishte kualifikimi. Nuk është lehtë të luash gjithnjë futboll të mirë”, ka thënë Dinho për Goal.com Italia.
Sulmuesi i Chelseat, Didier Drogba, thotë se atyre iu kishte munguar përqendrimi në barazimin e mbrëmshëm 2-2 ndaj Apoel Nicosia.
Rezultati, pavarësisht se ishte i parëndësishëm për vazhdën e mëtejme të garës, ka shqetësuar menaxherin Carlo Ancelotti, i cili e ka quajtur atë si paraqitjen ‘më të dobët’ që kur ai ka arritur në Stamford Bridge.“Ndoshta menduam se do të jetë një ndeshje e lehtë, por në Ligën e Kampionëve nuk ka asnjë lojë të lehtë”, ka thënë Drogba.
Diego thotë se fansat e Juventusit kanë çdo të drejtë të protestojnë kundër tij pas humbjes 4-1 ndaj Bayern Munichut në takimin e mbrëmshëm të Ligës së Kampionëve.
Braziliani humbte topin vazhdimisht në takimin e mbrëmshëm dhe u fishkëllye kur u zëvendësua nga trajneri.“Fansat kishin të drejtë të më fishkëllejnë, pasi ne ia dolëm keq sonte dhe është normale që ata të protestojnë. Unë jam i pari që them se duhet të luaj më mirë. Ne duhet të punojmë më shumë në stërvitje dhe të përmirësohemi”, ka thënë Diego.
Menaxheri gjeneral i Realit të Madridit, Jorge Valdano, thotë se ata janë një ekip shumë më i mirë kur luan Cristiano Ronaldo.
Ronaldo shënoi dy gola për Realin në fitoren e mbrëmshme të Ligës së Kampionëve ndaj Olympique Marseille.“Ndeshja u fituam me autoritet. Ne luajtëm me ambicie dhe nuk lëshuam pe në mbrojtje. Prania e Cristianos na bën më të fuqishëm pasi ai tremb kundërshtarin, ai shënon gola me lehtësi dhe i jep vetëbesim grupit”, ka thënë Valdano.
Menaxheri i Liverpoolit, Rafa Benitez, ka konfirmuar se Alberto Aquilani do të jetë fillestar në ndeshjen e sotme të Ligës së Kampionëve kundër Fiorentinas.
Benitez mund të pushojë disa lojtarë si Jose Reina, Dirk Kuyt dhe Yossi Benayoun, por ka premtuar se Aquilani do të jetë fillestar.“Disa lojtarë do të kenë rastin të lënë mbresa, si Aquilani, i cili do ta fillojë ndeshjen. Mund të ketë edhe të tjerë të cilët nuk kanë luajtur ende në ekipin e parë. Alberto kupton. Kur një lojtarë ka qenë aq shumë jashtë fushe, duhet të ndërtosh formën fizike”, “Kjo ndeshje do të jetë e mirë për të dhe për ekipin. Ne mund të luajmë pa presion, të luajmë mirë dhe të shënojmë gola”, ka thënë Benitez.
Presidenti i Barcelonës, Joan Laporta, është krenar që tre nga lojtarët e ekipit të tij janë të nominuar për Lojtarin Më të Mirë të Vitit nga FIFA.
Dy mesfushorët spanjoll Andres Iniesta dhe Xavi Hernandez dhe sulmuesi argjentinas Lionel Messi, që të tre janë në garë për çmimin prestigjioz.“Të tre nominimet për Lojtarin më Mirë nga FIFA reflektojnë modelin tonë të punës. Ne punojmë çdo ditë me maksimumin e përgjegjësisë dhe pjekurisë. Mendoj se ky model i punës dhe fryt i tij është se ne po përjetojmë momentet më të mira në historinë e klubit”, ka thënë Laporta.
Trajneri i Real Madridit, Manuel Pellegrini, sigurisht se është i kënaqur me fitoren kundër Marseille në takimin e mbrëmshëm të Ligës së Kampionëve.
Cristiano Ronaldo shënoi dy gola të cilat ndihmuan Real Madridin të fitojë 3-1 ndaj ekipit francez dhe të sigurojë vend në 16-shen e fundit të garës evropiane.“Ne mund të kishim përfunduar të parët në grup edhe me barazim, por fituam, shënuam tre gola dhe treguam një paraqitje të qëndrueshme. Ka shumë pak dallim në mes të asaj se si luajmë ne në Bernabeu dhe si luajmë jashtë”.“E dinim se në tetor dhe nëntor do të luanim nga gjashtë ose shtatë ndeshje çdo muaj. Në dhjetor megjithatë kemi më pak dhe është më lehtë të përsërisësh formacionin. Por duhet të përmirësohemi ende dhe do të vazhdojmë kështu në janar dhe shkurt, pasi eliminimi nga Kupa e Mbretit na jep disa javë pushim”, ka thënë Pellegrini.
Trajneri i Juventusit, Ciro Ferrara, thotë se ata nuk kanë arsyetim pasi u eliminuan nga Liga e Kampionëve mbrëmë nga Bayerni i Munichut.
David Trezeguet ia dha avantazhin Juventusit, por biankonerët u shkatërruan nga bavarezët të cilët ishin në formë të shkëlqyeshme në Torino.“Është tmerrësisht zhgënjyese, por për gjithkënd po aq sa për mua. Klubi, fansat dhe ekipi e dinë se dhemb të jesh jashtë kësaj gare, por humbëm dy ndeshjet e fundit dhe sonte dëshmuam se nuk jemi të aftë të përballemi me situata të tilla”, ka thënë Ferrara.“Nuk jemi të mirë të ruajmë barazimin. Bayern ishte superior sonte në aspekt të mprehtësisë, taktikave dhe teknikës. Ne krijuam shumë pak”, ka shtuar italiani.
Trajneri i Milanit, Leonardo, është ndarë i zhgënjyer nga lojtarët e tij pas barazimit të mbrëmshëm me rezultat 1-1 ndaj Zurichut në Ligën e Kampionëve.
“Pjesa e parë e takimit ishte e dobët dhe kishte shumë faktorë që ndikuan në këtë. Ne kishim një fillim të komplikuar, pasi disa lojtarë nuk ishin 100% të gatshëm dhe ishin në dyshim deri në fund, si Ronaldinho, Thiago Silva dhe Massimo Ambrosini”, ka thënë Leonardo pas takimit. Milani pati nevojë për fitore për të qenë i qetë me kualifikimin, por nxori vetëm barazim përballë 10 lojtarëve të Zurichut, por u kualifikua falë fitores së Realit, që tash mban kreun e grupit duke i lënë rosonerët në pozitën e dytë.
Kapiteni i Juventusit, Alessandro Del Piero, pas eleminimit nga Bayern Munich. Pas disfatës turpëruese nga Bayerni sonte në mbrëmje, lojtarët e Juventusit ishin bërë subject i një sulmi.
Juventusi u eliminua keq nga Liga e Kampionëve dhe këtë nuk e duruan dot tifozët, 50 prej të cilëve u stacionuan prapa Olimpicos për ta sulmuar Diegon dhe shokët e tij.
Lojtarët kaluan pa pasoja, pasi që autobusi i klubit u largua shpejtë nga vendi i ngjarjes.