Skuadra e Juventusit vazhdon të jetë në krizë. Pas turpërimit nga Bayern Munichu në Ligën e Kampionëve, bardhezinjtë janë mposhtur si mysafirë të Barit.Takimi i zhvilluar të shtunën mbrëma në Stadio San Nicola, përfundoi me fitoren e vendasve me rezultat prej 3-1. Riccardo Meggiorini (7’) kaloi vendasit në epërsi, ndërsa David Trezeguet barazoi rezultatin (23’). Vendasit krijuan sërish epërsi me një gol të shënuar nga penaltia, ndërsa ekzekutues ishte Barreto (44’). Diego dështoi të shënonte nga njëmbëdhjetëmetërshi pas një penalltie të dyshimtë të akorduar në favor të Bianconerëve (68’), ndërsa kjo iu hakmor, pasi që ish-lojtari i Juventusit, Sergio Almiron, shënoi golin e tretë për Barin për t’i dhënë fund dyshimit për fituesin. Nëse Inter dhe Milan shënojnë fitore të dielën, ëndrra e Juventusit për Scudetto do të zbehet edhe më shumë, ndërkohë që kjo mund të jetë ndeshja e fundit për trajnerin Ciro Ferrara në krye të Zonjës së Vjetër.
Blaugranët kanë shënuar fitore minimale përballë rivalit të qytetit të Barcelonës, Espanyol.Përballja e zhvilluar të shtunën mbrëma në Camp Nou, ndërmjet Barcelonës dhe Espanyolit, ka përfunduar me rezultat prej 1-0 në favor të vendasve. Ndeshjen e vendosi një gol i shënuar nga Zlatan Ibrahimovic, nga pika e bardhë (39’), pasi gjyqtari i ndeshjes akordoi penallti pas një ndërhyrjeje në Xavin. Pas kësaj fitoreje Barcelona distancohet në pesë pikë nga Real Madridi, por aktualisht ka një ndeshje më shumë të zhvilluar.
Shtatë herë kampioni i Formula 1, Michael Schumacher, është i gatshëm të tërhiqet nga pensionimi dhe të pilotojë për Mercedesin në vitin e ardhshëm.Gazeta gjermane Bild shkruan se të dyja palët kanë arritur deri te marrëveshja për një kontratë njëvjeçare, e cila pritet të nënshkruhet javën që vjen. “Kontrata është e gatshme për t’u nënshkruar”, shkruan Bild. Ndërkohë vetë piloti gjerman ka refuzuar të komentojë këtë marrëveshje, derisa zëdhënësja e tij Sabine Kehm, e ka mohuar atë. 41-vjeçari u pensionua nga Formula 1 në vitin 2006 me rekord titujsh të fituar të garës më prestigjioze automobilistike.
Manchester United ka dështuar të ngushtojë diferencën e pikëve me Chelsean, pasi është mposhtur para tifozëve të vet.Aston Villa ka shënuar fitore minimale prej 1-0, si mysafir i kamponit të Anglisë në fuqi. Të vetmin gol në ndeshje e shënoi Gabriel Agbonlahor (21’), ndërsa tri pikët e reja e pozicionojnë Aston Villan në vendin e tretë në tabelë, me një pikë më shumë se Arsenali që të dielën e zhvillon derbin kundër Liverpoolit.
Manchester City ka nxjerrë vetëm një pikë si mysafir i Boltonit në ndeshjen e zhvilluar në Reebok Stadium, e cila përfundoi me rezultat 3-3.Vendasit tri herë avancuan, ndërsa mysafirët tri herë ndoqën rezultatin dhe e barazuan atë. Ivan Klasnic hapi serinë e golave (12’), ndërsa Carlos Tevez barazoi rezultatin (28’). Gary Cahill kaloi sërish Boltonin në epërsi (44’), ndërsa mysafirët barazuan pa përfunduar pjesa e parë (45’+2), me golin e Micah Richards. Në pjesën e dytë, u përballën sërish protagonistët Ivan Klasnic (53’) dhe Carlos Tevez (77’), të cilët shënuan për skuadrat e tyre, që përfunduan ndeshjen me rezultat 3-3.
Blutë e Chelseat kanë dështuar të shënojnë fitore për të katërtën ndeshje radhazi, pasi barazuan me rezultat 3-3 ndaj Evertonit në takimin e sotëm të Ligës Premier.Mysafirët nga Liverpooli kaluan të parët në epërsi pas 12 minutash lojë, kur një top i harkuar në zonë gjeti kokën e Louis Saha, që dërgoi topin në rrjetën pas një pasigurie të portierit Petr Cech. Por vendasit u përgjigjën menjëherë duke shënuar dy gola të shpejtë. Ishte Didier Drogba ai që barazoi në minutën e 18-të të takimit, ndërsa pas pesë minutash tjera Nikolas Anelka çoi Chelsean në epërsi. Pjesa e parë megjithatë u mbyll me barazim 2-2 falë golit të shënuar nga Yakubu Aiyegbeni në minutën e pestë shtesë (45’). Pjesa e dytë e ndeshjes solli edhe dy gola të tjerë, me Didier Drogba që shënoi golin e tij të dytë duke rikthyer epërsinë e Chelseat (59’) dhe me Saha në anën tjetër që shënoi golin e barazimit (63’).
Disa ditë pasi mposhti Juventusin në Olimpico me rezultat 4-1, Bayerni ka shënuar edhe një fitore të lartë, kësaj here 5-1 si mysafir i Bochumit, i ndihmuar edhe nga një autogol i Mërgim Mavrajt.Serinë e golave për gjigantin gjerman e hapi Mario Gomes në minutën e 23-të të lojës, ndërsa atë e dyfishoi mbrojtësi shqiptar i Bochum, Mërgim Mavraj, i cili shënoi në portën e ekipit të tij dhjetë minuta më pas (33’). Ivica Olic çoi bavarezët në pauzën mes pjesëve me epërsi prej tre golash, pasi shënoi pas edhe dhjetë minutash tjera (43’). Sulmuesi kroat shënoi edhe golin e tij të dytë me të filluar pjesa e dytë (49’), ndërsa golin e pesë për ekipin e trajnerit Louis van Gaal e shënoi kroati tjetër Daniejel Pranjic në minutën e 56-të. E gjithë çfarë arritën vendasit ishte një gol i nderit i shënuar nga Christian Fuchs, 14 minuta para fundit të ndeshjes (76’).
Manchester United thuhet se ka një rast të dytë për të nënshkruar me sulmuesin e Real Madridit, Karim Benzema.Sipas Daily Mail, menaxheri i United, Sir Alex Ferguson, vazhdon të jetë një admirues i 21-vjeçarit dhe beson se Benzema kishte shmangur një kalim në Old Trafford gjatë verës për të nënshkruar me Realin e Madridit. Megjithatë ish-lojtari i Lyonit është zhgënjyer nga standardet dhe kërkesat e larta në Bernabeu. Ai ka shënuar katër gola në 11 ndeshje në La Liga, por Manuel Pellegrini e ka inkuadruar atë nga stoli në gjashtë nga shtatë ndeshjet e fundit. Madrid tash dëshiron të ringjallë interesimin për David Villa nga Valencia dhe përgatitet të pranojë oferta për Benzema, me qëllim që të krijojë fonde për këtë blerje. Ferguson ka të gatshme para për të harxhuar, të cilat i ka grumbulluar pas shitjes së Ronaldos po te Madridi gjatë verës së kaluar. Por United mund të përpiqet të transferojë edhe Villa, që është cak edhe i dy klubeve tjera nga Liga Premier, Chelsea dhe Manchester City.
Trajneri i Juventusit, Ciro Ferrara, ka mohuar spekulimet se ai do të japë dorëheqje pasi biankonerët u eliminuan nga Liga e Kampionëve këtë javë.Humbja prej 4-1 nga Bayern Munich ishte më e rënda në shtëpi për Juventusin që nga viti 1967. Duke folur në konferencën e shtypit para takimit të sotëm kundër Barit, Ferrara është përgjigjur shkurtazi me “Jo”, në pyetjet nëse ndjen se stoli i tij është i rrezikuar. Me gazetarët të cilën kanë vazhduar ta provokojnë atë duke e pyetur nëse është në gjendje të japë dorëheqje, Ferrara ka shikuar drejt në sy të tyre duke thënë “Kurrë”. “Na kritikoni kur është e drejtë, por mos na kritikoni vetëm për ta bërë atë. Nuk më pëlqen kjo lojë kur dikush vjen me ashpërsi. Unë tashmë e kam hapur librin tim të zi...”, ka thënë Ferrara.
Ish-trajneri i Interit, Roberto Mancini, thotë se është i gatshëm të marrë nën drejtim ekipin e Juventusit.Trajneri aktual i biankonerëve, Ciro Ferrara, është nën presion pas eliminimit të këtij ekipi nga Liga e Kampionëve gjatë kësaj jave. “Juventusi më dëshiron? Edhe kur isha në Inter, nuk e kam fshehur faktin se si fëmijë i kisha përkrahur biankonerët. Kurrë nuk kam folur keq për Juventusin, polemika më shumë kishte të bënte me disa të punësuar në klub. E them këtë me respekt për Juventusin dhe të vërtetën”, ka thënë Mancini, i cili madje ka folur për planet e tij nëse caktohet trajner i këtij ekipi. “E di se kë duhet të blej. Sa i takon Diegos dhe Melos, Diego është një lojtar mbi mesatare dhe lojtarë të mëdhenj si Platini dhe Zidane kanë pasur muaj të vështirë në Juventus. Edhe Melo është vërtet një lojtar i mirë”, ka thënë Mancini.
Phoenix Suns kanë çuar në tetë fitore pa asnjë humbje suksesin e tyre në fushë vendore këtë sezon, pasi mposhtën me rezultat 106-103 ekipin Orlando Magic.Amare Stoudemire shënoi 28 pikë dhe bëri një kërcim vendimtar kur kishin mbetur 6.9 sekonda para fundit, për të ndihmuar Suns të dalin fitues në këtë përballje. Steve Nash shënoi 20 pikë tjera dhe kontribuoi me 18 asistime, derisa Phoenix mbetet i vetmi ekip në NBA pa asnjë humbje në shtëpi. Ata megjithatë kanë shtatë humbje në udhëtim. Për Magic, që kanë 17 fitore dhe gjashtë humbje, kjo ishte disfata e dytë radhazi.
Kapiteni i Romës, Francesco Totti, ka lëshuar thumba në drejtim të sulmuesit të Sampdorias, Antonio Cassano, në prag të takimit të së dielës.Dyshja ishin miq në Roma, para se një fjalosje mes tyre bëri që Cassano të largohet në drejtim të Real Madridit. “A kam frikë të luaj kundër Cassanos? Nëse është kështu, mendoj se ai ka frikë të përballet me mua. Pres që të kemi një rikthim në formë në Seria A, kjo është duke ndodhur. Për momentin jemi shumë të qetë dhe kemi vetëbesim”, ka thënë Totti.
Sulmuesi i Interit, Mario Balotelli, dëshiron të shmangë me çdo kusht të qenit në qendrën e vëmendjes.I riu është shndërruar nga një lojtar problematik në një hero pas paraqitjes së tij në mesjavë kundër Rubin Kazan. “Do t’i lejoj të gjithë të flasin për mua, por gjatë kësaj kohe dua t’u them: ‘më lini të qetë. Më lejoni të jetoj jetën time’. Pse të kapesh për të gjitha ato gjëra”. “Është e pamundshme të lexosh të gjitha gjërat, po thuajse gjithçka negative, të shkruar për mua çdo ditë. Njerëzit vazhdojnë të mbeten të hutuar dhe përfundojnë duke mos kuptuar vërtet se kush jam unë”, ka thënë Balotelli për Sportweek.
Barcelona ka siguruar një marrëveshje sponsorimi me kompaninë turke Turkish Airlines, nga e cila do të fitojë plot 9 milionë euro.Marrëveshja do të jetë e vlefshme gjatë tre viteve të ardhshme dhe i lejon Turkish Airlines të shfrytëzojë imazhin e Barcelonës. Drejtori i Barcelonës, Joan Oliver, thotë se marrëveshja është një prej më të mëdhave që përfshin sektorin privat dhe sportin Turk.
Trajneri i Barcelonës, Pep Guardiola, thotë se ata nuk e kanë humbur fokusin për derbin lokal kundër Espanyol.Barcelona do të udhëtojë javën e ardhshme në Kupën Botërore të Klubeve në tentim për t’ia shtuar vitit të suksesshëm edhe një trofe tjetër. Por Guardiola thotë se ata janë më shumë të fokusuar në Espanyol për momentin.“Për momentin, jemi të përqendruar në ndeshjen e radhës, siç bëmë gjithmonë”, ka thënë Guardiola, i cili thotë se nuk do të kërkojë hakmarrje për humbjen e sezonit të kaluar.“Do të futemi në këtë ndeshje me të njëjtën dëshirë për të fituar si gjithmonë, nuk ka biseda për hakmarrje. Ajo ndeshje ishte histori, ata fituan pasi e merituan, andaj i uroj dhe kaq”, ka thënë Guardiola.
Mesfushori i Arsenalit, Denilson, beson se nëse ekipi i tij arrin ta mbulojë Steven Gerrard, ata mund ta mposhtin Liverpoolin nesër në Anfield.Arsenali për momentin gjendet në pozitën e tretë të tabelës me tetë pikë prapa Chelseat, por mund të shtojë epërsinë në shtatë ndaj Liverpoolit, nëse e mposht këtë ekip.“Lëndimet na kanë dëmtuar së fundi, por ekipi është tërësisht i përqendruar pasi tash është e pamundshme të dështojmë në Ligën Premier nëse dëshirojmë të kemi ndonjë shans për ta fituar”.“Nëse Fernando Torres luan nga minuta e parë, nuk do të jetë aq mirë për ne. Por beteja më e madhe do të zhvillohet në mesfushë. Duhet të ndalojmë Gerrard dhe po ashtu të tjerët si Lucas dhe Javier Mascherano, për të shpresuar në fitore”, ka thënë Denilson.
Mbrojtësi i Real Madridit, Sergio Ramos, thotë se ata mund t’ia dalin edhe në mungesë të Cristiano Ronaldo dhe Kaka për përballjen me Valencian.Ramos thotë se është goditje të humbasësh të dy lojtarët për ndeshjen, por beson se ekipi i tij do të arrij t’ia dalë pa to.“Cristiano dhe Kaka janë lojtarë unik, të cilët mund të bëjnë dallimin në ekip, por ata nuk mund të jenë me ne”.“Real Madridi nuk mund të varet nga një lojtar. Në sezonet e mëhershme kemi qenë pa ata dhe kemi qenë në gjendje të fitojmë. Kemi një ekip të shkëlqyeshëm dhe kushdo që del në fushë, jam i sigurt se do të bëjë një punë të mirë”, ka thënë Ramos.
Ish-trajneri i kombëtares gjermane Jurgen Klinsmann kishte sulmuar kohë më parë rekordin e Benitez si menaxher i Liverpoolit dhe kualitetet e ekipit aktual.Klinsmann çoi Gjermaninë në gjysmëfinale të Kupës Botërore në vitin 2006, por koha e tij në stolin e trajnerit të Bayern Munich zgjati më pak se një sezon, para se ai të shkarkohej.Duke iu kundërpërgjigjur Klinsmann, Benitez ka thënë: “Mendoj se ai ishte ekspert në marketingut. Karriera e tij si menaxher? E shkurtër”.Klinsmann ishte në qendër të një stuhie dy vite më herët, kur ishte përfshirë në bisedime me pronarët amerikan të Liverpoolit, Tom Hicks dhe George Gillett, për të marrë drejtimin e klubit anglez.
















