Blutë kanë shënuar fitore prej 2-1 në ndeshjen e zhvilluar në Stanford Bridge kundër Portsmouthit, për të ruajtën diferencën prej tri pikësh nga përcjellësi Manchester United.Nicola Anelka kaloi vendasit në epërsi (22’), ndërsa Frederic Piquionne barazoi rezultatin (51’). Tri pikë nga kjo përballje Chelseat ia siguroi mesfushori Frank Lampard, i cili shënoi nga penalltia (79’). Pas kësaj fitoreje, Chelsea qëndron në vend të parë me 40 pikë, tri më shumë se United dhe tetë më shumë se Arsenali dhe Aston Villa, që mbajnë pozitat tre dhe katër, respektivisht.
Burnley ka arritur të nxjerrë një pikë të artë përballë Arsenalit, duke barazuar me rezultat 1-1.Topçinjtë kaluan të parët në epërsi me anë të Cesc Fabregas (7’), i cili shënoi nga 11 metra. Vendasit barazuan rezultatin nga pika e bardhë, prej ku i pagabueshëm ishte Graham Alexander (28’). Ndërsa ky ishte edhe rezultati përfundimtar i takimit. Pas këtij barazimi, Arsenali do të mbajë pozitën e tretë në tabelë falë golaverazhit më të mirë se Aston Villa që ka pikë të barabarta. Ndërsa tani, Topçinjtë janë tetë pikë prapa liderit Chelsea.
Hertha Berlin ka shënuar fitore minimale prej 1-0 përballë liderit të Grupit D, Sporting Lisbon, për të siguruar kualifikimin në fazën e eliminimit direkt të Europa League.Gojko Kacar ishte realizuesi i vetëm, i cili shënoi në njëzet minutat e fundit të ndeshjes (70’). Në takimin tjetër të këtij grupi, Heerenveeni ka shënuar fitore të lartë prej 5-0 kundër Ventspils, mirëpo nuk arriti të sigurojë kualifikimin. Pas xhiros së gjashtë, Grupit D i prin Sporting Lisbona me 11 pikë, ndërsa në vend të dytë gjendet Hertha me 10 pikë.
Skuadra e Fulhamit ka shënuar fitore me rezultat 3-2 si mysafir i Baselit për të siguruar 1/16 e finales së Europa League.Bobby Zamora ishte heroi i anglezëve, i cili shënoi dy herë në pjesën e parë (41’ dhe 45’), derisa golin e tretë e shënoi Zoltan Gera (77’). Për zviceranët realizuan Alexander Frei (63’) dhe Marco Streller (87’). Takimi tjetër i Grupit E, i zhvilluar ndërmjet CSKA Sofjes dhe Romës, përfundoi me fitoren e mysafirëve me rezultat 3-0. Pas xhiros së fundit, këtij grupi i prin Roma me 13 pikë, ndërsa në vendin të dytë gjendet Fulhami me 11 pikë.
Atlante dhe Barcelona janë takuar të mërkurën në stadiumin Sheikh Zayed në Abu Dhabi, për të zhvilluar gjysmëfinalen e dytë në Kupën e Botës për Klube.Katalunasit kanë arritur ta përmbysin avantazhin e meksikanëve për të fituar me rezultat prej 3-1 dhe për të siguruar finalen. Skuadra meksikane kaloi e para në epërsi, ndërsa realizues ishte Guillermo Rojas (5’). Kampionët e Evropës për klube i riktheu në lojë mbrojtësi Sergio Busquets (35’), pas krosimit nga këndi të Xavit. Porsa u inkuadrua në lojë lojtari më i mirë në botë, Lionel Messi, krijoi epërsinë për Blaugranët pas një asistimi të Zlatan Ibrahimovic. Pas një kombinimi të Ibras dhe Iniestas, topi shkoi te Pedro Rodruguez, i cili shënoi golin e tretë për Barcelonën (67’). Në finalen e të shtunës, Barcelona do të ndeshet kundër skuadrës argjentinase, Estudiantes.
Chelsea ka rikthyer interesimin për sulmuesin e Sampdorias, Giampaolo Pazzini.Il Corriere Dello Sport njofton se Blutë kanë filluar bisedimet me agjentin e lojtarit, Tulio Tinti, për mundësinë e transferimit të Pazzinit gjatë afatit kalimtar të janarit. Sipas të njëjtit burim, Tinti do të shkojë në Londër për t’u takuar me drejtuesit e Chelseat dhe të fillojë edhe zyrtarisht bisedimet. Ekipi i Carlo Ancelottit ka nevojë për një sulmues, pasi që Didier Drogba do të luajë për Bregun e Fildishtë në Kupën Afrikane të Kombeve.
Superylli i Real Madridit, Ricardo Kaka, ka deklaruar se është duke u rikuperuar shpejtë dhe po ndjehet më mirë, mirëpo nuk ka dhënë datën e rikthimit të tij në fushë.“Jam në një stad të përparuar të rikuperimit dhe jam më mirë. Nuk e di se kur do të kthehem, ende është herët për të biseduar për këtë”. “Por kur të kthehem nga Brazili, pas pushimit për Krishtlindje, shpresoj të jem edhe më mirë”, ka thënë Kaka, i cili ishte i pranishëm në prezantimin e topit të Adidasit, ‘Jabulani’, i cili do të përdoret gjatë Kampionatit Botëror 2010.
Njoftohet se mesfushori i Juventusit, Mauro Camoranesi, mund të mungojë në pjesën e mbetur të sezonit, dhe njëherit mund të humbë vendin e tij në përfaqësuesen e Italisë për Kampionatin e ardhshëm Botëror.Sipas Tuttosport, ‘Camo’ iu është nënshtruar ekzaminimeve mjekësore të mërkurën dhe rezultatet kanë treguar se e ka të dëmtuar rëndë një muskul në këmbën e tij të djathtë. I njëjti burim thotë se fijet muskulore duhet të riparohen dhe ai ndoshta do të duhet t’i nënshtrohet ndërhyrjes kirurgjike. Sipas të gjitha gjasave italiani pritet të mungojë tre muaj, mirëpo nëse i nënshtrohet ndërhyrjes kirurgjike, mungesa e tij do të jetë shumë më e gjatë.
Sulmuesi i Fiorentinas, Alberto Gilardino- thotë se nëse arrin të shënojë përballë ish-skuadrës së tij, Milan, në ndeshjen e të shtunës mbrëma- do ta festojë golin.“Po lë gjurmë në Firence dhe po punoj shumë. Nuk guxojmë të gabojmë kundër Milanit. Nëse shënoj, atëherë do të festoj”. “Jam i sigurt se do të luajmë mirë kundër Milanit. Dëshirojmë të reagojmë pas humbje nga Chievo, por nuk duhet të bëjmë të njëjtat gabime që i bëmë në atë ndeshje”, ka thënë Gilla për Tuttosport.
Trajneri i Interit, Jose Mourinho, ka folur për incidentin me gazetarin, që ndodhi në ndeshjen e të dielës kundër Atalantas.Mourinho është akuzuar se ka ofenduar dhe e ka sulmuar fizikisht gazetarin, pas ndeshjes së vikendit, në të cilën kampionët në fuqi vetëm barazuan. Portugezi pranon se e ka ofenduar gazetarin, por mohon se e ka sulmuar fizikisht.“Ju falënderoj shumë që më keni dhënë mundësinë të them diçka, pasi që nga e diela kam dëgjuar shumë punë. Në radhë të parë mund të jem i sinqertë dhe të them se e kam ofenduar kolegun tuaj me fjalë, të cilat nuk mund t’i përsëris, por nuk kishte kurrfarë sulmi ose kontakti fizik”.“Ajo nuk ishte rezultat i diçka që ndodhi të dielën, por ishte një proces që ka zgjatur me muaj. Faji im është që e kam ofenduar, por edhe i gazetarit pasi e dinte se në çfarë shkalle janë raportet tona, faj ka edhe te punëtorët e Interit, të cilët nuk kanë intervenuar”, ka thënë Mourinho.
Kobe Bryant ka shënuar pikët më të larta të sezonit, 42 gjithsej, për të ndihmuar ekipin e tij Los Angeles Lakers, të shënojë fitoren e 12-të nga 13 ndeshjet e fundit, kësaj here ndaj Chicago Bulls me rezultat 96-87.Bryant shënoi 20 pikë vetëm në çerekun e parë të ndeshjes. Të vërejtur gjatë lojës ishin edhe Pau Gasol i cili kontribuoi me 16 kërcime si dhe Andrew Bynum i cili shënoi 11 pikë.Për Bulls, të cilët pësuan humbjen e 11-të në 13 ndeshje, Derrick Rose shënoi 21 pikë, po aq sa edhe Luol Deng. Kampioni në fuqi i NBA-së, Los Angeles Lakers, tash ka 19 fitore përkundër 4 humbjeve, rekordi më i mirë i sezonit në Konferencën Perëndimore.
Sulmuesi spanjoll Fernando Torres ka shprehur zhgënjimin e tij për pjesën e parë të sezonit me Liverpoolin, por i ka dhënë mbështetjen trajnerin Rafael Benitez të vazhdojë punën në klub.Të kuqtë nuk arritën të plasohen në fazën e ardhshme eliminuese të Ligës së Kampionëve dhe tashmë janë edhe jashtë garës për titullin e Ligës Premier.“Duhej se ky do të ishte sezoni jonë, por doli se ishte shumë më ndryshe se si e pritnim. Nuk pres që Rafa të largohet, veçanërisht tash në mes të sezonit”, ka thënë Torres.
David Beckham shpreson se ai do të takohet me ish-klubin e tij Manchester United në Ligën e Kampionëve, pasi të kalojë në Milan në fillim të vitit që vjen.“Vërtet do të doja të takohem me ish-klubin tim në fazën e ardhshme. Pasi u largova në United në vitin 2003, nuk jam kthyer të luaj më në Old Trafford”, ka thënë mesfushori anglez.“Kam kaluar shtatë vite dhe do të doja që kjo të ndodhë. Unë kundër United, do të ishte diçka e bukur, apo?”, ka shtuar më tej Beckham.
Anësori i Chelseat, Florent Malouda, ka nënvizuar rëndësinë që skuadra e tij të shfrytëzojë përvojën dhe të reagojë pozitivisht ndaj pengesave të sezonit.Pas barazimit kudër Evertonit në fundjavë, Blutë regjistruan ndeshjen e katërt pa fitore, ndërsa të mërkurën mbrëma ndeshen me Portsmouthin. “Nëse gabon njëherë, duhet të mësosh nga gabimi, dhe kjo është ajo që po mundohemi të bëjmë. Për këtë arsye po reagojmë”. “Nuk shqetësohemi sepse kemi përvojë. E filluam sezonin me ritmin e kampionit dhe e dinim se do të ketë momente kur do të humbim pikë”. “Jemi të vetëdijshëm se kjo nuk mjafton, por duhet të kemi vetëbesim në mënyrën si stërvitemi dhe si luajmë”, ka thënë Malouda për The Daily Express.
Sulmuesi i Fiorentinas, Adrian Mutu, mund të largohet nga skuadra vjollce gjatë afatit kalimtar të janarit.Njoftimin e ka bërë agjenti i rumunit, Giovanni Becali, në një intervistë për Radio Toscana. “Nuk mund ta përjashtoj mundësinë për largimin e Mutu në janar”, ka thënë agjenti. Ekipi më i interesuar për shërbimet e Mutu është Zenit St Petersburg, ndërsa Becali thotë se nuk ka njohuri nëse ekipi rus do të bëjë ndonjë ofertë.
Trajneri i Chelseat, Carlo Ancelotti, e ka etiketuar Aston Villa si skuadër mjaft të rrezikshme, e cila mund ta thyeje dominimin e deritanishëm të ‘top-katërshes’ në Ligën Premier.Deri më tani, Aston Villa ka arritur të mposhtë Manchester Unitedin, Chelsean dhe Liverpoolin, ndërsa mban vendin e tretë në tabelë, me pesë pikë më pak se pozita e parë. “Aston Villa është skuadër mjaft e rrezikshme. Fitoi kundër Chelseat dhe Manchester Unitedit. Mendoj se Martin O'Neill po bën ponë fantastike me këtë skuadër”. “Ndoshta duhet t’i kushtojmë rëndësi kësaj skuadre, sepse deri më tani askush nuk ka folur për Aston Villan në top-katërsh, por tani duhet të kemi kujdes nga ky ekip”, ka thënë Ancelotti për AP.
Trajneri i Romës, Claudio Ranieri, kërkon nga skuadra e tij që ta mbajë vendin e parë në Grupin E, në përfundim të fazës grupore të Europa League.Giallorossët aktualisht gjenden në krye të grupit të vet, me një pikë më shumë se Baseli (në vend të dytë) dhe dy më shumë se Fulhami (në vend të tretë), ndërsa me fitore kundër CSKA Sofjes në ndeshjen e të mërkurës, kryeqytetasit do ta siguronin pozitën e parë. “CSKA është një skuadër e mirë, dhe do të dëshirojë ta mbyllë fushatën me një notë pozitive, sikurse edhe ne”. “Dallimi ndërmjet Ligës së Kampionëve dhe Europa League? Vetëm muzika në fillim të ndeshjes ndryshon, pjesa tjetër është e njëjtë”. “Duhet të japim më të mirën nga vetja për të vazhduar tutje”, ka thënë Ranieri për Sportal.
Fernando Torres ka ripërsëritur se e ardhmja e tij është e lidhur fortë për Liverpoolin, përkundër problemeve aktuale që ka klubi.Të Kuqtë janë në borxhe të mëdha dhe nuk po shfaqin formë të mirë, duke eliminuar nga Liga e Kampionëve, ndërsa gjenden 13 pikë prapa vendit të parë në Ligën Premier. Sido që të jetë, sulmuesi spanjoll është i vendosur t’i qëndrojë besnik skuadrës, derisa ajo të ketë nevojë për të. “Tash për tash nuk mendoj se mund të luaj diku tjetër. Krejt çka dua është të përmirësojmë gjendjen aktuale të skuadrës dhe shpresoj që do të qëndrojmë së bashku”, ka thënë Torres për mediat spanjolle.
Legjenda e Juventusit, Pavel Nedved, ka deklaruar se nuk është aspak i kënaqur pas eliminimit të ish-ekipit të tij nga Liga e Kampionëve, mirëpo ai kërkon nga skuadra që të qëndrojë e vendosur për rikthimin e krenarisë.“Si një tifoz, u lëndova kur ish-skuadra ime u largua nga Liga e Kampionëve aq herët”. “Nuk ishte diçka e mirë, kjo është e kuptueshme. Mirëpo ata nuk guxojnë të dorëzohen tash. Duhet të shikojnë përpara”. “Mendoj se Juve i sotëm është më i fortë se ai i sezonit të kaluar, mirëpo (lojtarët) duhet ta shfaqin këtë në fushë”, ka thënë çeku për Tuttosport.
Mesfushori i Los Angeles Galaxy, David Beckham, është pranë rikthimit te Milani, ndërsa shpreson që t’u ndihmojë Rossonerëve që t’i japin fund mbizotërimit të rivalit të qytetit, Inter.“Kam përcjellë të gjitha ndeshjet e Milanit dhe jam i informuar për atë që po ndodh në Itali”. “Ka edhe shumë kohë për ta fituar Ligën. Njëherë duhet ta arrijmë dhe pastaj t’i shmangemi Interit, dhe çdo gjë është e mundur”. “Nuk do të jetë lehtë, kuptohet, por Milani ka lojtarët të fortë dhe të gjithë po luajnë në nivel të mirë. Kam arsye të besoj se mund ta fitojë Scudetton”, ka thënë anglezi për La Gazzetta dello Sport.
Komiteti ekzekutiv i Federatës Shqiptare të Futbollit ka miratuar rinovimin e kontratës me trajnerin e Përfaqësueses kuqezi, Josip Kuzhe, deri në dhjetor të vitit 2011. Vendimi është marrë të martën, pas kërkesës së bërë nga ana e trajnerit.Kontrata e Kuzhes skadonte në maj të vitit 2010, ndërsa të drejtën për të vazhduar ose jo kontratën, e ka pasur vetëm FSHF. Pas paraqitjes së mirë në ndeshjet e fundit eliminatore të Kampionatit Botëror, FSHF ka vendosur që ta vazhdojë bashkëpunimin me kroatin edhe për një vit e gjysmë tjetër, ndërsa për trajnerin nuk do të ketë rritje page.
Manchester United ka shënuar fitore prej 3-0 përballë Wolverhampton Wanderers, për t’u barazuar me pikë me liderin e Ligës Premier, Chelsea.Wayne Rooney (30’), Nemanja Vidic (43’) dhe Antonio Valencia (66’) ishin heronjtë e vendasve, të cilët siguruar tri pikë të reja për kampionin në fuqi. Me këtë fitore, Djajtë e Kuq barazohen me pikë me Blutë, por duke mos harruar që ekipi i Carlo Ancelottit, të mërkurën zhvillon ndeshjen e xhiros së 17-të kundër Portsmouthit.
Sunderlandi është mposhtur nga Aston Villa para tifozëve të vet, ndërsa kapiteni i ekipit vendas, Lorik Cana, u përjashtua nga ndeshja pasi mori dy kartonë të verdhë.Mysafirët shënuan fitore prej 2-0, në ndeshjen e zhvilluar të martën mbrëma në “Stadium of Light”, me golat e Emile Heskey (24’) dhe James Milner (61’). Mesfushori i Kombëtares shqiptare, Lorik Cana, njëherit kapiten i Sunderlandit, mori dy kartonë të verdhë në këtë ndeshje dhe u largua nga loja në minutën e 79-të të takimit.
Menaxheri i Liverpoolit, Rafa Benitez, u është ‘betuar’ tifozëve se skuadra e tyre do ta mbyllë sezonin në njërin nga katër vendet e para në tabelë.“Secila ndeshje për në është ndeshje që duhet ta fitojmë. Mentaliteti ynë, ideja jonë, është që të tentojmë dhe të fitojmë çdo ndeshje”. “Ju garantoj se do të përfundojmë në katër vendet e parë. Jam qind për qind se tifozët tanë janë shumë të mençur dhe e dinë se mënyra më e mirë për t’u përmirësuar dhe për t’u ndryshuar gjërat, është që të na mbështesin dhe të qëndrojnë në anën e skuadrës”, ka thënë Benitez.
















