Sulmuesi i Real Madridit, Gonzalo Higuain, ka shënjestruar titullin e La Ligas dhe Ligës së Kampionëve, por njëherit dëshiron të shpallet edhe golashënuesi më i mirë në Kampionatin spanjoll.“Po ndihem shumë mirë, si mos të jem? Po e gjej golin, tashmë kam shënuar 10 gola, skuadra luan futboll më argëtues dhe po luajmë mirë si kolektiv dhe si individualë”. “Sfida janë La Liga dhe Liga e Kampionëve dhe jam i bindur që skuadra do të jetë e përgatitur që t’i fitojë ato”. “I dua këto tituj, si edhe ‘Pichichi’ (çmimin për golashënuesin më të mirë në La Liga). Tash për tash jam në gjueti dhe kjo është diçka e veçantë për të luftuar dhe për të bërë mirë”, ka thënë argjentinasi.
Agjenti i Vincenzo Iaquintas, Andrea D’Amico, thotë se klienti i tij nuk do të largohet nga Juventusi gjatë afatit kalimtar dimëror.Sulmuesi italian aktualisht është duke u rikuperuar nga dëmtimi i meniskut që pësoi në muajin tetor, ndërsa të hënën mediat italiane spekuluan se ai mund të largohet në drejtim të Manchester Cityt, Chelseat apo Bayern Munichut. “A do të largohet Iaquinta nga Torino? Le ta lëmë të qetë atë”, ka thënë D’Amico për Tuttomercatoweb.com. Iaquinta ka kontratë me Juventusin deri në vitin 2013, ashtu që pritet qëndrimi tij te Zonja e Vjetër deri në përfundim të kësaj kontrate.
Ish-trajneri i përfaqësueses së Italisë, Arrigo Sacchi, ka analizuar gjendjen e Interit dhe Milanit, duke thënë se zikaltrit janë skuadër dukshëm më e mirë në të gjitha nivelet, falë trajnerit Jose Mourinho.“Nerazzurrët kanë arritur të menaxhohen mirë nga Mourinho dhe kanë treguar një ndjenjë të fortë motivimi. Kjo ndihmon në rritjen e niveleve të tyre teknike në sulm”. “Është një skuadër përplot kualitet. Loja e tyre nuk arrin ato që pritet, mirëpo po përmirësohet. Trajneri ka edhe besimin e (presidentit) Morattit. Mourinho është një menaxher i jashtëzakonshëm”, ka thënë Sacchi për La Gazzetta Dello Sport. Duke folur për Milanin, Arrigo Sacchi ka thënë se momenti kthyes i Milanit ishte kur trajneri Leonardo e bazoi lojën e tij te lojtarët individualë. Megjithatë, sipas mendimit të Sacchit ky sistem i lojës nuk do të zgjasë shumë, sepse përkundër lojës së mirë që shfaqin falë teknikës së Ronaldinhos, Alexandre Patos dhe Clarence Seedorfit, Milanit i mungon baraspesha si skuadër.
Legjenda franceze Zinedine Zidane ka thënë se shpreson që të marrë një post drejtori te ish-skuadra e tij, Real Madrid.Zidane aktualisht është në rolin e ‘ambasadorit’ te Los Blancos, dhe thuhet se ai e ka bindur presidentin Florentino Perez që ta transferojë Karim Benzeman, ndërsa tani po lobon për sjelljen e Franck Ribery në fund të këtij sezoni. Thuhet se mesfushori legjendar dëshiron të marrë më shumë përgjegjësi te skuadra madrilene, mirëpo France Football nuk ka dhënë detaje tjera në lidhje me atë se çfarë do të punojë Zizu në të ardhmen.
Trajneri i Spanjës, Vicente del Bosque, ka deklaruar se sulmuesi i Barcelonës, Pedro Rodriguez, ka shanse të jetë në grupin e lojtarëve që do të udhëtojnë në Afrikën e Jugut për të zhvilluar Kampionatin Botëror 2010.“Pedro është një lojtar i mundshëm për Kampionatin Botëror, me ose pa golin që shënoi në finalen e Kupës së Botës për Klube kundër Estudiantes”. “Ne kemi shumë lojtarë të talentuar që luajnë në pozitën e tij, mirëpo janë vetëm gjashtë të cilët i konsiderojmë se do të jenë në listën përfundimtare”, ka thënë Del Bosque në një intervistë për Marca.
Trajneri i ri i Manchester Cityt, Roberto Mancini, mund të kërkojë zëvendësim për sulmuesin e parehatshëm Craig Bellamy, duke transferuar yllin e Sampdorias, Antonio Cassano.Daily Mail shkruan se Cassano ka aftësi që nuk dyshohen dhe Mancini është një fans i konfirmuar i tij, pasi kishte provuar të nënshkruajë me të edhe në Inter.Sulmuesi i cili vlerësohet 22 milionë funte, refuzoi ofertën e Cityt pasi u largua nga Real Madridi dy vite më herët, por nuk arriti të merret vesh me Sampdorian.Cassano është një sulmues dytësor dhe Mancini mund të kërkojë ta angazhojë atë si sulmues të parë, nëse Bellamy vendos të largohet.
Udinese e ka shkarkuar trajnerin Pasquale Marino dhe në vend të tij ka caktuar Gianni De Biasi.Mediat italiane ditëve të fundi kanë spekuluar se Paquale Marino mund të shkartohet dhe kjo ndodhi mëngjesin e sotëm kur dy palët vendosët të prishin marrëveshjen.“Klubi futbollistik Udinese mund të pohojë se trajneri Pasquale Morini është shkarkuar nga detyra. Klubi dëshiron ta falënderojë z. Marino për punën e tij këta dy vjet e gjysmë”, thuhet në deklaratën e klubit italian.Klubi po ashtu ka pohuar se Gianni De Biasi do të jetë trajneri i ri i klubit, i cili do të prezantohet sot në mbrëmje.
Ylli i Real Madridit, Cristiano Ronaldo, thotë se atij i mungon jeta në Manchester United.Një pjesë e zemrës së tij gjithmonë do të mbetet në Old Trafford, ka thënë anësori portugez.“Ajo çfarë njerëzit mendojnë për mua janë opinione të tyre, por vërtet më mungon Manchesteri ca. Kam luajtur atje për gjashtë vite dhe kam lënë disa miq atje. Më mungon klubi ca, por tash jam i përqendruar në Real Madrid dhe jam vërtet i lumtur këtu”, ka thënë Ronaldo.
Juventusi tashmë ka filluar të mendojë për shitjen e Felipe Melos, sigurisht te Arsenali.Mesfushori brazilian erdhi si një përforcim i madh në Juventus dhe Zonja e Vjetër pagoi për të plot 18.5 milionë funte.Por me paraqitjet e tij zhgënjyese, u shpall si përforcimi më i keq në Serie A dhe u zëvendësua që në minutën e 32-të në takimin kundër Cattanias.Gazzetta dello Sport shkruan se Juventusi po e analizon mundësinë për të shitur Melon, sigurisht te Arsenal që ishte në garë për të marrë shërbimet e tij në afatin kalimtar të verës.Raporti në mes të Ferrara dhe Melo nuk është aq i mirë, andaj edhe braziliani sigurisht se do të dëshirojë të largohet.Mediat italiane po ashtu shkruajnë se Juventusi është i interesuar seriozisht për mesfushorin e Udineses, Gaetano D'Agostino.
Trajneri i kombëtares italiane Marcelo Lippi thotë se lista e futbollistëve të cilët do të udhëtojnë në Kupën Botërore në Afrikën e Jugut verën e ardhshme është ende e hapur.Në mediat italiane shpesh debatohet nëse Alessandro Nesta, Francesco Totti, Mario Balotelli dhe Antonio Cassano do të jenë pjesë e përfaqësueses së Italisë. Lippi thotë se dera është ende e hapur dhe deri në fund të sezonit nuk do të dihet lista përfundimtare e lojtarëve që do të udhëtojnë në Afrikë.“Dera është e hapur për të gjithë ata të cilët janë pjesë e përfaqësueses dhe ata të cilët kurrë nuk kanë qenë. Këto gjashtë muaj do të jenë të rëndësishëm. Nuk ka siguri për asnjë. Në fund do ta përpilojmë listën”, ka thënë Lippi për Gazzetta dello Sport.
LeBron James ka shënuar 29 pikë derisa ekipi i tij Cleveland Cavaliers ka mposhtur Phoenix Suns me rezultat 109-91 për t’i dhënë fund serisë së fitoreve në shtëpi të këtij ekipi, që datonte që nga sezoni i kaluar.Mo Williams shënoi 24 pikë dhe së bashku me James ndihmuan ekipin të avancojë 15-0 në çerekun e katërt.Steve Nash shënoi 18 pikë dhe 10 asistime për Phoenix, që tash kanë 18 fitore dhe 10 humbje këtë sezon. Suns kishin një rekord prej 19 fitoreve radhazi në shtëpi, përfshirë edhe ndeshjet e sezonit të kaluar. Cavaliers çojnë në 21 numrin e fitoreve këtë sezon, përkundër 8 humbjeve, për t’u barazuar me Boston dhe Orlando për numrin më të madh të fitore në Koncefencën Lindore. Vetëm kampioni në fuqi i NBA-së, Los Angeles Lakers, me 22 fitore, ka më shumë.
Lojtari më i Mirë i Vitit në Botë, tash edhe zyrtarisht, Lionel Messi, thotë se Liga Premier tashmë është lënë anash nga La Liga. Të gjithë pesë kandidatët për çmimin e Lojtarit më të Mirë të Vitit të dhënë nga FIFA ishin pjesë e kampionatit spanjoll.“Ardhja e Cristiano Ronaldo dhe Kaka në Real, e ka bërë ligën spanjolle më të fuqishme se ajo angleze. Lojtarët dëshirojnë të vijnë në Spanjë”.“Por, ne duhet të pranojmë se janë klubet angleze ata të cilët kanë arritur shkallët më të vonshme të Ligës së Kampionëve së fundit”, ka thënë Messi.
Mbrojtësi i Juventusit, Fabio Cannavaro, ka kërkuar nga bashkëlojtarët e tij të ‘japin më shumë’, derisa biankonerët dështojnë të dalin nga kriza aktuale.Pesë humbje në gjashtë ndeshje rezultuan me eliminim nga Liga e Kampionëve dhe me ngecje prej nëntë pikës ndaj Interit në Serie A.“Rezultatet gjatë muajve të fundit kanë qenë të pakta. Duhet të punojmë më shumë. Secili prej nesh duhet të japë diçka më shumë se sa kemi dhënë deri tash. Për më shumë, kemi disa lojtarë të lënduar të cilët ende pritet të vijnë”, ka thënë Cannavaro.
Mesfushori i Romës, David Pizarro, ka lavdëruar trajnerin Claudio Ranieri pas ngritjes së tyre në tabelë.Gialorosët tash janë të pamposhtur në shtatë ndeshje dhe do të qëndrojnë në pozitën e katërt të Serie A për festat e fundvitit.“Ranieri ia ka dalë shumë mirë në rikrijimin e një bashkësie kompakte. Ne kishim një fillim të vështirë, por tash jemi rikthyer në rrugë dhe ishte e rëndësishme të shënojmë fitore ndaj Parmës. Ne jemi të lumtur pasi nuk ishte e lehtë. Parma është vështirë të përballet”, ka thënë Pizarro.
Menaxheri i ri i Manchester Cityt, Roberto Mancini, thotë se ai mund t’i ndihmojë klubit të marrë shkëlqimin e rivalit lokal, Manchester United.Mancini është i mësuar të punojë në situata të nxehta dhe është i bindur se mund të lërë prapa menaxherin e United, Alex Ferguson.“Nëse menaxhoni në Itali, të jetoni me presion është normale. Andaj nuk do të jetë problem këtu. Kam qëndruar në Inter për katër vite, që ishte rekord. Manchesteri është i njëjtë sikur Milani. Moti është i njëjtë dhe keni dy klube të mëdha që luftojnë me njëri-tjetrin”.“Sir Alex është një menaxher i madh i cili fiton shumë trofe, por ne duam t’ia dalim më mirë se Manchester United”, ka thënë Mancini në një konferencë shtypi ku është prezantuar si menaxher i ri i klubit anglez.
Pas takimit pesë orësh, Bordi i drejtorëve të Juventusit ka marrë vendim që trajneri aktual i Zonjës së Vjetër, Ciro Ferrara, të vazhdojë punën në postin e tij.Përkundër rezultateve të dobëta, me ç’rast bardhezinjtë kanë humbur pesë nga gjashtë ndeshjet e fundit, TMW njofton se Bordi i drejtorëve konfirmoi qëndrimin e trajnerit aktual në postin e tij. Veç tjerash, Juventusi caktoi Roberto Bettegan në listën e drejtorëve të klubit, i cili veç se do të jetë në rolin e këshilluesit të transferëve, ai do t’i ndihmojë më shumë skuadrës.
Superylli i Barcelonës, Lionel Messi, ka mbyllur në mënyrën më te mirë vitin 2009, duke fituar edhe çmimin për lojtarin më të mirë në botë që ndan FIFA.

Superylli i Real Madridit, Cristiano Ronaldo, është i bindur që Lionel Messi do ta fitojë çmimin për lojtarin më të mirë të vitit nga FIFA.“Do të jetë një ndjenjë e madhe e kënaqësisë nëse unë e fitoj sërish. Të gjithë e dinë se sa i rëndësishëm dhe i madh është ky çmim”. “Jam ndier i privilegjuar kur e fitova vitin e kaluar dhe jam i sigurt se fituesi i këtij viti do të ngazëllehet”. “Lionel Messi ka luajtur shumë mirë dhe ai është një lojtar i rëndësishëm për Barcelonën. Me gjasë, ai do ta fitojë çmimin, por Xavi dhe Iniesta, janë po ashtu të rëndësishëm për Barcën dhe po ashtu meritojnë ta fitojnë trofeun e lojtarit të vitit”. “Të gjithë e marrin atë që meritojnë dhe unë nuk jam xheloz ndaj Lionel. Do të dëshiroja të bëj ato që ka bërë ai dhe do të dëshiroja të bëj ato që kanë bërë lojtarët tjerë të nominuar”, ka thënë Ronaldo gjatë një konference për shtyp.
















