Mesfushori i Interit, Wesley Sneijder, dëshiron që të luajë në finalen e Ligës së Kampionëve kundër ish-skuadrës së tij, Real Madrid.
“Çka pres nga viti 2010? Pres shumë. Shpresoj që të triumfojmë në Kampionat dhe do të arrijmë deri në fund të Ligës së Kampionëve”, ka thënë Sneijder.
Sipas holandezit, finalja e Ligës së Kampionëve do të ishte fantastike nëse ndodh kështu: Interi të takohet me Realin dhe zikaltrit të fitojnë. Mesfushori ka thënë edhe disa fjalë sa i përket garës për Scudetto.
“Cili është kundërshtari më i rrezikshëm për Scudetto? Ndoshta Milani, që filloi keq, por tani është mjaft konkurrues. Po ashtu në garë për titull është edhe Juventusi, për të cilin ky pushim erdhi në moment të duhur”.
Sulmuesi i Real Madridit, Gonzalo Higuain, është shprehur i pakënaqur që Mbretërit nuk e shfrytëzuan lëshimin e Barcelonës për t’u barazuar me pikë.
Los Blancos barazuan pa gola kundër Osasunas dhe do të mbeten dy pikë prapa liderit, që po ashtu barazoi këtë javë kundër Villarrealit.
“Ky barazim lë një shije të hidhur, sepse patëm mundësi të fitonim”.
“Është turp. E rëndësishmja tani është që të vazhdojmë angazhimin dhe të përgatitemi për ndeshjen kundër Mallorcas, që të fitojmë tri pikë. Duhet të vazhdojmë betejën, angazhimin, sepse ka edhe shumë për të luajtur në La Liga...”, tha argjentinasi pas ndeshjes.
Rossonerët janë të gatshëm t’i ofrojnë Wolfsburgut 25 milionë euro dhe shërbimet e sulmuesit holandez Klaas-Jan Huntelaar, për ta transferuar boshnjakun Edin Dzeko.
Sipas L'Equipe, Milani ka filluar bisedimet me kampionin gjerman dhe është i gatshëm të investojë për të sjellë Dzekon në San Siro.
Kuqezinjtë janë në kërkim të boshnjakut që nga vera që shkoi, ndërsa duket se tash janë më të vendosur se kurrë për të përforcuar sulmin.
Sulmuesi maqedonas Goran Pandev ka filluar një aventurë të re me kampionin e Italisë- Inter, me të cilin ka nënshkruar kontratë, e cila do ta mbajë në Giuseppe Meazza deri më 30 qershor 2014.
“F.C. Internazionale njofton se Goran Pandev ka nënshkruar për klubin...”.
“Ai do të bartë numrin 27 dhe do të prezantohet për mediat pas ndeshjes ndërmjet Chievos dhe Interit më 6 janar”, shkruan në deklaratën zyrtare të Nerazzurrëve.
Pandev do të jetë në dispozicion të Jose Mourinhos menjëherë, ai madje mund të luajë që në ndeshjen e të mërkurës kundër Chievos.
Mesfushori i Milanit, Andrea Pirlo, është i bindur se ai ka marrë vendimin e duhur të mos ndjekë ish-trajnerin e tij, Carlo Ancelotti, te Chelsea edhe pse kishte menduar të bëjë një hap të tillë.
Pirlo ishte afër transferimit në Stamford Bridge gjatë verës para se të vendoste t’i qëndrojë besnik Milanit dhe trajnerit të ri Leonardo.
“A pendohem që nuk e kam ndjekur Ancelottin te Chelsea? Kur merrni një vendim, është e patjetërsueshme të shohësh përtej. Së pari, doja t’i bashkohem Ancelottit, ishte e çuditshme të mos e shoh atë në dhomën e zhveshjes. Por pastaj mësohesh me situatën. Leonardo po ia del mirë dhe ne jemi me të. Nuk ka nostalgji”.
“A mund ta mbyll karrierën në Milan? Shpresoj kështu. Dhe kam kontratë deri në vitin 2011 dhe shpresoj të mbetem përtej kësaj”, ka thënë Pirlo.
Mesfushori i Juventusit, Felipe Melo, thotë se ai do ta shpaguajë çmimin e lartë që Juventus pagoi për të.
Ish-mesfushori i Fiorentinës ka qenë i qortuar për formën e tij të dobët që kur arriti te biankonerët gjatë verës së kaluar.
“Kurrë nuk kam menduar as për një sekondë për atë se sa shumë ka harxhuar klubi për mua, por pas kësaj periudhe jo aq të këndshme vërtet dua të dëshmoj se ata nuk kanë gabuar që i kanë paguar Fiorentinës atë shumë”.
“Isha i lodhur dhe kisha nevojë për pushim, por tash jam i ndezur sërish dhe mezi pres të dal në fushë. Nuk e kam as më të paktin synim për t’u larguar nga Juventus”, ka thënë Melo për gazetën italiane La Stampa.
Milan mund të ketë punë të vështirë për të mbajtur edhe një yll në ekip, pasi Real Madridi thuhet se do të ofrojë një shumë të parefuzueshme për Alexandre Pato.
Burime nga Italia shkruajnë se Real Madridi ka ofruar 65 milionë euro për të transferuar të riun brazilian këtë afat kalimtar. Milani menjëherë ka refuzuar ofertën, pasi ka parë pasojat këtë sezon nga humbja e Kakas po te Reali gjatë verës.
Por presidenti i klubit mbretëror Florentino Perez nuk dëshiron të heqë dorë, derisa përgatitet të gjejë zëvendësim për kapitenin e klubit, Raul, këtë vit.
Menaxheri i Arsenalit, Arsene Wenger, ka ‘ngushëlluar’ Manchester United pas eliminimit nga Kupa FA nga Leeds, duke thënë se kjo mund të jetë në favor të kampionit të Ligës Premier.
Wenger beson se humbja e Manchester United do t’i japë ekipit të Sir Alex Ferguson një avantazh në Ligën e Kampionëve.
“Nuk është një përparësi shumë për titullin e ligës, është më shumë te Liga e Kampionëve që ka ca konflikt me Kupën FA”.
“Nëse shikoni në rundin e pestë, është menjëherë para ndeshjes së Ligës së Kampionëve dhe para kësaj, ne luajmë në mesjavë. Për momentin, kjo nuk është avantazh për United në Ligën Premier, por në Ligën e Kampionëve mund të jetë një avantazh i lehtë”, ka thënë Wenger.
Menaxheri i Sunderlandit, Steve Bruce, thotë se Kupa FA është një prioritet ‘i madh’ për ta këtë sezon.
Ekipi i shqiptarit Lorik Cana shkatërroi rivalin e ligës më të ulët, Barrow, gjatë takimit të së shtunës, duke e mposhtur me rezultat 3-0 në kuadër të rundit të tretë të Kupës FA, dhe Bruce thotë se kjo garë tash është prioritet për ekipin e tij.
“Mendoj se është një gjë e madhe. Ne nuk do të arrijmë ta fitojmë ligën, kjo është e sigurt, por jemi në gjendje të fitojmë pesë ose gjashtë ndeshje dhe kaq duhet për ta fituar Kupën FA”, ka thënë Bruce.
Babai i trajneri të Barcelonës, Pep Guardiola, thotë se ai nuk e di nëse djali i tij do të nënshkruajë marrëveshje të re me kampionin e Evropës.
“Nuk e di nëse ai do të vazhdojë në Barca ose do të zgjedhë të pushojë. Babai gjithmonë është i fundit për t’i ditur këto gjëra. E gjithë çfarë di është se vendimi do të jetë në të mirë të tij dhe Barcelonës”, ka thënë babai i Pep.
Valentí Guardiola ka thënë se ndryshimet e sezonit të kaluar kanë shkaktuar një turbullirë emocionale te djali i tij, i cili kishte shpërthyer në lot pasi fitoi Kupën Botërore të Klubeve muajin e kaluar.
“Ai u shfry për gjithçka që ishte brenda tij dhe kjo ishte mirë për të. Nëse nuk do ta kishte bërë, ai mund të ishte lënduar keq”, ka shtuar Valenti
Ronald Murray shënoi tre pikë kur kishin mbetur 56 sekonda, për të ndihmuar Charlotte Bobcats të mposhtin Cleveland Cavaliers me rezultat 91-88 duke iu dhënë fund edhe shtatë fitoreve radhazi të këtij ekipi.
Gjuajtja e Murray i dha avantazhin 86-83 ekipit Charlotte dhe Cavaliers, të cilët kishin 11 fitore radhazi në ndeshjen si vendas, ishin të pafuqishëm ta kthejnë rezultatin në mungesë të LeBron James.
Stephen Jackson shënoi 22 pikë për Charlotte, ndërsa Gerald Wallace 19 pikë dhe 12 kërcime. Për Cleveland që tash kanë 27 fitore dhe 9 humbje, Mo Williams kontribuoi me 27 pikë.
Përforcimi i Milanit për pjesën e dytë të sezonit, David Beckham, thotë se nuk ka dyshim se trajneri Fabio Capello e ka transformuar Anglinë që nga ardhja në detyrë.
Beckham ka lavdëruar ndikimin e Capellos që nga arritja e tij në stolin e përzgjedhësit të kombëtares angleze dhe ka thënë se italiani i ka dhënë ‘arrogancë’ ekipit, në prag të Kupës Botërore.
“Ai ka sjellë shumë gjëra. Ka sjellë arrogancë, por në një aspekt të mirë – lojtarët dalin në fushë dhe ata janë të sigurt, ata besojnë se do të fitojnë. Nuk është një arrogancë ku ne mendojmë se do të fitojmë gjithçka, por ai na ka dhënë atë vetëbesim, që është gjëja më e madhe të cilën ndoshta nuk e kemi pasur në të kaluarën”.
“Ai ka sjellë një seriozitet në ekip dhe një profesionalizëm të vërtetë për të cilët kemi pasur nevojë. Ai është një person dhe individ që ju frikëson, ju frikëson në atë mënyrë që ju vërtet i respektoni menaxherët e tillë”, ka thënë Beckham.
Kampioni i Spanjës, Evropës dhe Botës, Barcelona, është duke menduar të transferojë këtë afat kalimtar mesfushorin e Sporting Lisbonës, Miguel Veloso.
Portugezi vlerësohet shumë lartë nga trajneri Pep Guardiola, i cili është i vetëdijshëm se mesfushori mund të lëvizë në drejtim tjetër me dy ekipe italiane po ashtu të interesuara për të, Fiorentina dhe Inter.
Marca shkruan se Barca është duke monitoruar situatën, veçanërisht pasi ka humbur Seydou Keita dhe Yaya Toure në Kupën Afrikane të Kombeve këtë muaj.
Menaxheri i Chelseat, Carlo Ancelotti, thotë se nuk ka arsye që ai të blejë në janar, andaj as nuk do të vrapojë lakuriq në stadium.
Italiani premtoi se do të dalë me brekë nëse e thyen premtimin se nuk do të sjellë asnjë përforcim të ri në afatin kalimtar dimëror. Dhe ka përsëritur edhe një herë se do të mbajë premtimin.
“Ishte një paraqitje e mirë dhe Sturridge luajti shumë mirë. Pa Drogban, është e rëndësishme ta kemi atë në formë të mirë. Ai shënoi dy gola dhe kjo është e rëndësishme për një sulmues, të shënoi, por ai e meritoi atë”.
“Kjo do të ngitë vetëbesimin dhe mundësitë e tij. Ai po ashtu ka shumë potencial dhe kualitete të shkëlqyeshëm dhe mund ta tregojë këtë në fushë gjatë janarit. Ne mund t’ia dalim mirë në janar pa lojtarët afrikanë. Dhe jo, nuk do të dal i zhveshur”, ka thënë Ancelotti.
Menaxheri i Manchester United, Sir Alex Ferguson, rrallë zbrazet në lojtarët e tij, por këtë e bëri dje pas humbjes befasuese nga Leeds United që eliminoi kampionin e Ligës Premier nga gara e Kupës FA.
Goli i Jermaine Beckford i shënuar në pjesën e parë të ndeshjes, jo vetëm që i dha Leeds fitoren e famshme 1-0 në Old Trafford, por po ashtu u shkaktoi Djajve të Kuq eliminimin e parë në rundin e tretë të Kupë FA dhe humbjen e parë nga një kundërshtar i një lige më të ulët në këtë garë që nga viti 1984 kur pësuan disfatë nga Bournemouth.
Ndeshja e djeshme ka ndërruar edhe mendjen e Ferguson, i cili ka thënë se nuk do të luajë me lojtarët e rinj në gjysmëfinalen e Kupës Carling, të cilën do ta zhvillojë kundër Manchester Cityt të mërkurën.
“Kemi një gjysmëfinale të mërkurën dhe shumë prej këtyre lojtarëve nuk do të luajnë. Duhet ta shihni këtë paraqitje në aspektin pozitiv. Jam i befasuar me paraqitjen pasi përgatitja jonë për ndeshjen ishte shumë e mirë. Por kurrë nuk e treguam. Kualiteti i pasimeve dhe e gjithë paraqitja ishte e dobët”, ka thënë Ferguson.