Ylli i Milanit, Alexandre Pato, thotë se ai dëshiron të fitojë gjithçka me fanellën kuqezi dhe të bëhet futbollisti më i mirë në botë.
Mediat spekuluan se Florentino Perez do të bëjë përpjekje për të transferuar brazilianin në Real Madrid dhe se mbretërit do të bëjnë një mega ofertë për shërbimet e sulmuesit në fund të sezonit.
Por, ylli i rosonerëve ka dërguar një porosi te Real Madridi që mos mundohet ta transferojë atë, pasi ai dëshiron të fitojë gjithçka me fanellën e Milanit.
“Dua të fitoj gjithçka me Milanin dhe të bëhem futbollisti më mirë në botë. Nëse dua të luaj në krah të Kaka? Sigurisht, por vetëm këtu në Milan? A do të bëhem kapiten i Milanit? Do të shohim”, ka thënë Pato.
Miami Heat iu ka dhënë fund tre humbjeve radhazi duke mposhtur Atlanta Hawks me rezultat 92-75.
Heat, të cilët kanë 17 fitore dhe 15 humbje, kurrë nuk u dorëzuan që kur kaluan në avantazh 30-14 në fund të çerekut të katërt. Dwyane Wade regjistroi pikë më të larta për ekipin, 28, ndërsa Michael Beasley kontribuoi me 22 pikë dhe tetë kërcime.
Hawks, 21 fitore dhe 12 humbje, pësuan humbjen e katërt radhazi. Jamal Crawford ishte më i sakti me 23 pikë.
Pep Guardiola ka qeshur për vëmendjen që mediat i japin bisedimeve për kontratën e tij të re.
Dje babai i trajnerit spanjoll tha se as ai nuk e di nëse djali i tij do të drejtojë Barcelonën në sezonin e ardhshëm. Por Guardiola thotë se nuk duhet t’i jepet shumë rëndësi kësaj teme.
“Gjëja e cila më shqetëson është se ekipi po funksionon dhe luan shumë. Nuk shqetësohem nëse njerëzit më pyesin nëse do ta rinovoj kontratën ose jo, por po ashtu e di se ka shumë të tjerë që nuk mërziten për këtë”.
“Ajo që i intereson publikut është të ketë ushqim të tavolinë, jo nëse trajneri i Barcelonës do ta rinovojë kontratën e tij”, ka thënë Guardiola.
Sulmuesi i Arsenalit, Nicklas Bendtner, ka vënë si cak të rikthimit të tij ndeshjen kundër Bolton Wanderers, ditën kur edhe do të festojë ditëlindjen e tij të 22-të.
Danezi nuk ka qenë pjesë e formacionit të Arsenalit muajve të fundit pasi u detyrua t’i nënshtrohet një operacioni kirurgjik. Por ai shpreson ta veshë fanellën e topçinjve për ndeshjen në udhëtim kundër Boltonit më vonë gjatë këtij muaji.
“Shpresoj këto ditë të filloj të stërvitem me top dhe argëtimi do të fillojë. Shpresoj të jem në gjendje të luaj kundër Boltonit më 17 janar, ditën e ditëlindjes time. Kjo do të ishte dhurata më e mirë që mund t’ia bëj vetes. Së paku ky është synim imi personal, por do të shohim”, ka thënë Bendtner.
Mesfushori i Milanit, Andrea Pirlo, ka kritikuar gjendjen e stadiumeve në Itali.
Pirlo ka lavdëruar stilin e lojës së Barcelonës dhe ka shpjeguar se pse është vështirë t’i kopjosh ata në Serie A.
“Është kënaqësi t’i shikosh ata duke luajtur. Ne përpiqemi të luajmë në atë mënyrë, por nuk është lehtë, po ashtu sepse fushat janë të tmerrshme”.
“E keni parë barin në stadiumet spanjolle ose angleze? Në Itali nuk ka një fushë të përshtatshme. Dhe nuk është lehtë të luash në tokë, kur topi kërcen në gjurin tuaj”, ka thënë Pirlo.
Ylli i Los Angeles Galaxy, David Beckham, thotë se ai ka kaluar në Milan për të fituar skudeton këtë sezon.
Mesfushori 34-vjeçar, i cili angazhohet me rosonerët për të dytën herë si huazim nga ekipi anglez, pritet të përfshihet në skuadër për ndeshjen e radhës kundër Genoas dhe dëshiron të ketë një ndikim të menjëhershëm.
“Jam i lumtur që jam rikthyer të luaj për Milanin. Po shoh përpara të ndihmoj ekipin t’ia dalë mirë. Mendoj se kemi shanse për të fituar titullin këtë sezon”.
“Ka edhe ekipe të tjera të shkëlqyeshme, si Interi dhe Juventusi që luftojnë për skudeto, por besoj se kemi mjaft kualitet dhe fuqi për ta fituar titullin e ligës”, ka thënë Beckham.
Përforcimi i ri i Interit, Goran Pandev, është shprehur i ngazëllyer me transferimin te Inter dhe thotë se është i gatshëm të luajë që në ndeshjen e radhës kundër Chievos.
Maqedonasi arriti në Serie A në vitin 2001 si lojtar i Interit, por u huazua së pari te Spezia dhe pastaj te Ancona, para se të transferohej te Lazio në vitin 2004 ku ka shkëlqyer gjatë pesë sezoneve të fundit.
“Jam vërtet, vërtet i lumtur. Ëndërr e imja ishte të qëndroja në Inter, por gjërat shkuan më ndryshe. Tash jam rikthyer dhe ky është një fund i lumtur. Shpresoj se do t’u rikthehem fitoreve me Interin”.
“Në disa ditët e ardhshëm kam qenë në stërvitje në vendin tim, derisa në dy muajt e kaluara kam vazhduar të ruaj formën në Lazio. Jose Mourinho do të vendosë nëse do të luaj ose jo, por unë jam i gatshëm”, ka thënë Pandev.
Trajneri i Barcelonës, Pep Guardiola, thotë se ai nuk dëshiron të blejë asnjë lojtar të ri gjatë këtij afati kalimtar.
Së fundi mediat spanjolle shkruan se Guardiola ishte në kërkim të një mesfushori për të mbuluar dyshen Yaya Toure dhe Seydou Keita të cilët mungojnë për shkak të angazhimit në Kupën Afrikane të Kombeve.
“Nga ajo që e di është se ne nuk kemi planifikuar asgjë. Nuk është mirë të blesh lojtar vetëm për një muaj. Në mesfushë ne kemi disa opsione: Kam pesë mesfushorë të qendrës dhe lojtarë të tjerë rezervë. Për një muaj, preferoj t’i jap dikujt mundësinë”, ka thënë Guardiola.
Mesfushori i Arsenalit, Abou Diaby, thotë se ata janë të aftë të mposhtin çdo ekip në vend.
Ekipi i Arsene Wenger ka fituar pesë nga gjashtë takimet për ta rikthyer veten në garë për titullin e ligës, derisa Chelsea nuk po arrin të ketë një qëndrueshmëri së fundi.
“Ne kemi kualitete për të mposhtur secilin ekip dhe kur u mposhtëm nga Chelsea, ishte shumë shqetësuese, por kemi fituar ndeshje që atëherë dhe kjo është gjëja më e rëndësishme”.
“Ne e kemi treguar atë mentalitet, se jemi të fuqishëm pasi kemi pasur ndeshje të mëdha, por e kemi ruajtur serinë e fitoreve”, ka thënë Diaby.
Portieri i Manchester Cityt, Shay Given, thotë se të dyja ndeshjet e gjysmëfinales së Kupës Carling kundër Manchester United do të jenë ‘të nxehta’.
City niset për në këtë ndeshje si favorit, derisa menaxheri i United, Sir Alex Ferguson, planifikon të nxjerrë në fushë lojtarët e rinj.
“Fansat janë të ngazëllyer dhe po ashtu edhe lojtarët. Duhet të jenë dy ndeshje të nxehta. Ne kemi humbur vetëm dy herë gjatë gjithë sezonit, dhe po ia dalim Ok. Një prej tyre ishte kundër United dhe duhet të them se na u desh një kohë e gjatë ta harrojmë këtë rezultat. Kemi luajtur mirë atë ditë pa asnjë shpërblim. Shpresoj se do të jetë më ndryshe të mërkurën”, ka thënë Given.
Piloti i Formula 1, Robert Kubica, ka vendosur të qëndrojë te skuderia e Renaultit, që tashmë është në pronësi të pronarëve të rinj.
Njëri nga pilotët më të vlerësuar në garën prestigjioze automobilistike, sipas kontratës së tij, kishte të drejtë të largohej nëse skuderia nëse ajo nuk ishte plotësisht pronë e Renaultit.
Mirëpo, polaku ka vendosur të qëndrojë gjatë vitit 2010, pasi ka biseduar me grupin e investitorëve Genii Capital nga Luksemburgu, të cilët posedojnë 75% të skuadrës.
Menaxheri i Kubicas, Daniel Morelli, ka thënë për BBC Sport, se klienti i tij dëshironte ta qartësojë situatën e re. Ndërsa i pyetur në mënyrë direkte nëse Kubica do të vozisë Renaultin në vitin 2010, Mirelli u përgjigj shkurt: “PO”.
Drejtori sportiv i Chievos, Giovanni Sartori, ka deklaruar se Erjon Bogdani nuk do të largohet në drejtim të Catanias.
Sulmuesi shqiptar ishte pranë kalimit te sicilianët, mirëpo pas takimit që ka pasur agjenti i tij, Sokol Haxhia, me Sartorin, ky i fundit ka thënë për itasportpress.it se së paku deri në fund të sezonit, Bogdani do ta mbajë fanellën e skuadrës nga Verona.
“Bogdani nuk do të largohet nga Verona. Së paku deri në fund të sezonit”, ka thënë Sartori.
Mbrojtësi i Liverpoolit, Andrea Dossena, pritet që së shpejti t’i bashkëngjitet Napolit njoftojnë mediat italiane.
Drejtori sportiv i Napolit, Riccardo Bigon, të hënën ka udhëtuar për në Liverpul për të biseduar me drejtuesit e klubit nga Anfield, të cilat duket të kenë qenë të frytshme dhe 28-vjeçari pritet të kthehet në Serie A për shifrën prej 5 milionë eurosh.
Italiani u transferua te Liverpooli në vitin 2008, mirëpo nuk arriti të zë vend në formacionin bazë të Rafael Benitezit.
Mesfushori i Interit, Patrick Vieira, sipas të gjitha gjasave do t’i bashkëngjitet Manchester Cityt gjatë afatit kalimtar të janarit.
Francezi nuk është i kënaqur me pozitën e tij te zikaltrit, ashtu që Jose Mourinho e ka vënë në listën e transferimeve.
Një burimi afërt me Nerazzurët ka thënë për Goal.com UK se është 99 për qind e sigurt se Viera do të huazohet te ‘pasanikët’, ndërsa kompletimi i transferimit pritet të bëhet brenda kësaj jave.
33-vjeçari erdhi tek Interi me kërkesë të trajnerit Roberto Mancini, i cili tash drejton Manchester Cityn.
Çeku Tomas Rosicky është shprehur mjaft i lumtur pasi ka nënshkruar kontratë të re me Arsenalin.
“Jam shumë i kënaqur që nënshkrova kontratë të re me Arsenalin. Dy sezonet e fundit nuk kanë qenë të lehta për mua për shkak të lëndimeve, mirëpo klubi besoi tek unë dhe më ofroi kontratë të re”.
“Vërtet mendoj se mund t’i ofroj edhe shumë skuadrës, bashkëlojtarëve të mi dhe të gjithë tifozëve”.
“Tashmë ndihem sikur në shtëpi tek Arsenali, dhe mendoj se me këtë ekip mund të arrijmë gjëra të veçanta”, ka thënë Rosicky për faqen zyrtare të Topçinjve.
Sulmuesi i Genoas, Hernan Crespo, po përgatitet të ndeshet ndaj ish-skuadrës e tij Milan të mërkurën mbrëma, ndërsa ka kërkuar nga klubi i tij që të mos gabojë kundër Rossonerëve.
“Kemi material për të luajtur mirë, por nuk guxojmë të bëjmë gabime”.
“Shpresojmë të jemi thuajse të përsosur dhe të jemi qind për qind që nga minutat e para të ndeshjes. Qasja jonë do të jetë shumë e rëndësishme”, ka thënë Crespo në një intervistë për Sky.