Mentor ZhdrellaMesfushori i Hysit, Mentor Zhdrella është shpallur futbollisti i vitit 2009 nga Federata e Futbollit e Kosovës.
Ceremonia e laureatëve për vitin e shkuar është mbajtur të mërkurën mbrëma në Prishtinë.
Zhdrella është shpallur bindshëm më i miri, pasi ka fituar më së shumti vota nga 12 kryetrajnerët e skuadrave të Raiffeisen Superligës.
“Ky nuk do të jetë çmimi i fundit për mua, në të ardhmen do të angazhohem edhe më shumë dhe do të tregohem edhe më i mirë. Ky çmim do të më ndihmoj për sa më shumë oferta nga jashtë”, ka deklaruar Zhdrella.
Në votimin e trajnerëve, i dyti ka përfunduar mesfushori i Prishtinës, Behar Maliqi, që fitoi titullin e kampionit dhe trofeun e Superkupës me skuadrën e kaltër. Në vendin e tretë u rendit sulmuesi i Besës, Haxhi Zeka.
Sulmuesit Enis Zabërgja iu nda “Këpuca e artë”, pasi gjatë vitit 2009 shënoi 21 gola, më shumë se cilido lojtar tjetër në Kosovë, por kjo nuk e kënaqi fort pasi në renditjen e më të mirëve të vitit doli i pesti.
Milani i ka mbajtur një mësim të mirë futbollistik Genoas në ndeshjen e zhvilluar në San Siro e që përfundoi në të mirë të Milanit me rezultat 5-2.
Pjesa e parë ishte tejet interesante dhe shumë dinamike. Milani pati iniciativën.
Fillimisht akordohet penalti për Milanin në minutën e 13. Ronaldinho merr përgjegjësinë dhe e flliq totalisht kur godet si gjyshi im. Amelia natyrisht që e mbron.
Në minutën e 25 Giuseppe Sculli shënon për Genoan për epërsinë e parë dhe të fundit për mysafirët në këtë takim.
Tani e tutje Milani do të bënte hara-kiri me Genoan. Përsëri akordohet penalti për Milanin në minutën e 32 nga e cila Ronaldinho nuk gabon përsëri. 1-1.
Gjashtë minuta më vonë, pas një harkimi fantastik të David Beckham, Nesta godet me kokë por Amelia ndal, nga topi i kthyer Ambrosini plason volley të cilin Amelia përsëri e ndali, por në tentimin e tretë të Thiago Silvës, Amelia kapitulon. 2-1 Milan.
Në pjesën e dytë Milani hyri qetë duke mos u nxituar aspak.
Pas një aksioni mirë të organizuar nga Ronaldinho, Ambrosini dhe Boriello gjenden të vetmuar pranë Amelias. Nga kjo situatë Ambrosini asiston për Boriellon që vetëm e shtyu topin në rrjetë, 3-1.
Kjo nuk ishte e tëra. Pas një harkimi fantastik, Marco Boriello shënon në mënyrë akrobatike. Gol vërtetë fantastikm, për 4-1.
Në minutën 74 Ronaldinho faulohet përsëri në zonë. Penaltinë e shëndroi në gol i zëvëndësuari Klaas Jan Huntelaar.
David Suazo mbylli listën në minutën e 79 për Milanin.
Milani aktualisht është në pozitën e dytë me pesë pikë më pak se Interi. Milani dhe Interi takohen më 24 Janar në derbin e zjarrtë della Madonnina. Një gjë dihet, Serie A po nxehet dita ditës, dhe nëse Milan vazhdon kështu, Inter nuk do ti ketë punët mirë.
Qëndroni me ne për të parë deklaratat e para nga ky takim, dhe natyrisht ekskluzivisht për tifozët rosoner fotot e takimit.
Villarreali ka barazuar 1-1 si mysafir i skuadrës që bën gara në Secunda Division, Celta de Vigo, në përballjen e parë të vlefshme për Kupën e Mbretit.
Nëndetësja e Verdhë kaloi e para në epërsi me anë të sulmuesit italian Giuseppe Rossi (12’).
Pa përfunduar pjesa e parë (44’) vendasit arritën ta barazojnë rezultatin dhe ky ishte edhe rezultati përfundimtar i ndeshjes.
Ndeshja kthyese do të zhvillohet më 13 janar në El Madrigal, me ç’rast në bazë të këtij rezultati, Villarreali është skuadër favorite.
Goran Pandev Inter - SportiSot Sulmuesi maqedonas Goran Pandev është shprehur i kënaqur me debutimin e tij me fanellën e Interit duke thënë se është lehtë të luash në një skuadër të tillë.
Interi fitoi kundër Chievos me golin e shënuar nga Mario Balotelli, ndërsa ish-sulmuesi i Lazios ishte i përfshirë në këtë gol.
“Jam i lumtur me këtë debutim. Jam i lumtur për veten dhe për ekipin. Luajtëm mirë dhe fituam në një terren të vështirë. Dëshiroj t’i falënderoj të gjithë, nga trajneri deri te bashkëlojtarët”.
“Jam i lumtur që u ktheva në fushë, pas më shumë se pesë muajsh pushim”.
“Bashkëlojtarët e mi të rinj janë kampionë të vërtetë, ata më ndihmuan shumë. Interi është skuadra më e fortë në Itali. Është lehtë të luash në një ekip të tillë”, ka thënë Pandev.
Pas disa dështimeve, Juventusi më në fund ka arritur të shënojë fitore, për të filluar mbarë vitin 2010.
Bianconerët e kanë mposhtur Parmën me rezultat 2-1, në ndeshjen e zhvilluar të martën në Stadio Tardini.
Që në minutat e para të ndeshjes (3’), boshnjaku Hasan Salihamidzic krijoi avantazh për mysafirët.
Ish-lojtari i Juventusit, Nicola Amoruso, barazoi rezultatin në minutën e 25-të, pas një krosimi të Damiano Zenonit.
Njeriu fatal i vendasve në këtë ndeshje ishte Paolo Castellini, i cili shënoi autogol (39’), për t’ia siguruar fitoren skuadrës kundërshtare.
Në pjesën e dytë nuk pati gola, pos një karton të kuq të cilin e mori mbrojtësi i Juventusit, Martin Caceres (74’).
Pas kësaj fitoreje, Zonja e Vjetër pozicionohet në vendin e dytë në tabelë, së paku derisa Milani të zhvillojë ndeshjen e javës së 18-të kundër Genoas.
Festa e lojtarëve vendas. Cagliari ka arritur që në minutat shtesë t’ia mohojë Romës fitoren duke barazuar me rezultat 2-2, në ndeshjen e zhvilluar në Stadio Sant’Elia.
Kryeqytetasit shënuan dy herë në pjesën e dytë, me anë David Pizarros nga pika e bardhë (52’), ndërsa golin e dytë e shënoi mesfushori italian Simone Perrotta (65’).
Atëherë kur mendohej se Roma do ta fitojë ndeshjen ndodhi ndryshe.
Vendasit shënuan dy gola të shpejtë, me anë të Luis Diego Lopez (90’+1) dhe Daniele Conti (90’+3), për të siguruar një pikë të artë nga kjo ndeshje, e cila dukej e humbur.
Viola ka shënuar fitore të lartë prej 5-1, si mysafir i Sienas në ndeshjen e zhvilluar të mërkurën në Stadio Franchi.
Mysafirët i dhanë fund dyshimit për fituesin që në pjesën e parë duke shënuar tri herë me anë të Per Kroldrup (5’), Mario Santana (29’) dhe Alberto Gilardino (37’).
Gilla shënoi edhe në pjesën e dytë (66’), duke ngritur epërsinë në 4-0, ndërsa Adrian Mutu shënoi golin e pestë për lojtarët me fanellat vjollce.
Në minutën e 84, vendasit shënuan golin e nderit, ndërsa realizues ishte Massimo Maccarone nga pika e bardhë.
Goran Pandev Inter - SportiSot Kampioni i Italisë në fuqi, Inter, e ka filluar mbarë vitin e ri duke shënuar fitore si mysafir i Chievos.
Ndeshja e zhvilluar të mërkurën në Stadio Bentegodi përfundoi me fitoren e mysafirëve me rezultat prej 1-0.
Në këtë ndeshje Jose Mourinho inkuadroi nga minuta e para transferin e ri, Goran Pandev, i cili luajti deri në minutën e 67-të kur u zëvendësua nga Ricardo Quaresma.
Pandev ishte i përfshirë në golin e vetëm në ndeshje, i cili iu regjistrua Mario Balotellit, pasi topi kishte kaluar vijën kur Pandev e futi në rrjet (12’).
Nga minuta e parë luajti edhe sulmuesi shqiptar i Chievos, Erjon Bogdani, i cili nuk arriti t’i ndihmojë skuadrës së tij për të nxjerrë rezultat pozitiv, ndërsa u zëvendësua në minutën e 59-të nga Elvis Abbruscato.
Liverpooli raportohet se kërkon një shumë prej 12 milionë funtesh për të hequr dorë nga shërbimet e holandezit Ryan Babel.
Mirror shkruan se Liverpool ka hedhur poshtë ofertën e Birmingham prej 9 milionë funtesh për Babel. Klubi nga Anfield kishte pranuar këtë ofertë mbrëmë, por menjëherë kishte thënë se çmimi është shumë më i ulët nga vlera reale e lojtarit, e cila sipas Redsave është rreth 12 milionë funte.
Sulmuesi i Liverpoolit, i cili mund të luajë edhe si anësor, dëshiron të largohet nga Anfield pasi rrallë ka fituar rast që nga arritja e tij nga Ajax dy vite më parë.
Por Benitez dëshiron të rikthejë 12 milionët të cilët i pagoi për të, ndërsa edhe vetë lojtari dëshiron të gjejë një klub që ka të ardhme në Ligën e Kampionëve.
Guido Vadala Barcelona beson se e ka në duar një talent të ri të cilin e etiketon si Lionel Messi i ardhshëm.
Guido Vadala është vetëm 12-vjeçar dhe si edhe Messi vjen nga qyteti argjentinas Rosario. Vadala tashmë ka qenë në prova me Barcelonën dhe klubi spanjoll dëshiron ta mbajë atë.
Por bisedimet kanë ngecur gjatë javës së kaluar pasi Interi dhe Juventusi po ashtu janë hedhur në gjueti të të riut.
Barca tashmë i ka ofruar Guido-s vend në ekipin e të rinjve dhe po ashtu babait të tij një punë në Spanjë ashtu që familja e tij të mund të zhvendoset, shkruan Marca.
Sulmuesi i Wolfsburg, Edin Dzeko, mezi pret që transferimi i tij te Milani të realizohet.
Përfaqësuesi i kombëtares së Bosnjës është duke u kërkuar nga klubi italian që nga vera e kaluar, edhe pse transferimi i tij vështirë se mund të ndodhë edhe në afatin kalimtar dimëror.
“Dzeko është një kampion i vërtetë, as edhe Marco van Basten nuk ka qenë aq i fuqishëm në moshën e tij. Milani gjatë verës bëri një ofertë të rëndësishme dhe respekti për lojtarin nuk ka ndryshuar. Lojtari po ashtu është një fans i vërtetë, ai e mban fanellën e Milanit si pjesë të koleksionit të tij”, ka thënë agjenti i lojtarit.
Lazio raportohet se ka refuzuar një ofertë të klubit spanjoll Real Madrid për mbrojtësin Aleksandar Kolarov.
Kolarov kërkohet nga Reali si zgjidhje për problemet në krahun e majtë të mbrojtjes, por Gazzetta dello Sport shkruan se oferta prej 20 milionë eurosh është hedhur poshtë nga presidenti i klubit italian, Claudio Lotito.
Trajneri i Lazios, Davide Ballardini, megjithatë dje tha se ai pret që Kolarov të largohet nga klubi, me edhe Interin e interesuar për të.
Ndërkohë, Juventus së fundi raportohet se ka ofruar 6 milionë euro për mbrojtësin e majtë të Realit, Royston Drenthe.
Sulmuesi i Manchester Cityt, Carlos Tevez, thotë se dalëngadalë po rikthen formën e tij më të mirë.
Argjentinasi fitoi zemrat e tifozëve të Cityt që në momentin kur refuzoi të vazhdonte kontratën me United për t’iu bashkëngjitur ‘pasanikëve’, ndërsa kohët e fundit forma e tij është përmirësuar dukshëm.
“Po ndihem mirë tash. Më është dashur të tejkaloj disa lëndime, prandaj nuk kam mundur të stërvitem para fillimit të sezonit. Por, po ndihem mirë, i fortë dhe i entuziazmuar me vendin ku jam”, ka thënë 25-vjeçari.
Mesfushori i Manchester Unitedit, Michael Carrick, thotë se Djajtë e Kuq duhet t’u kthehen fitoreve sa më shpejtë që është e mundur.
United u përjashtua nga Kupa e FA, pasi u mposht nga ekipi i League One, Leeds United, dhe kjo ka lënë shije të hidhur te kampionët e Ligës Premier.
“Ky sezon ka qenë i çuditshëm, me disa rezultate të çuditshme. Por është një moment vital. Menaxheri e ka potencuar këtë”, ka thënë Carrick për AP.
Presidentja e Romës, Rosella Sensi, ka pranuar se raportet e saja me kapitenin Francesco Totti nuk janë vetëm në lidhje me futbollin.
“Francesco dhe unë jemi rritur bashkë, dhe atë e kam si një vëlla të vogël. Babai im thoshte se atë e ka në vend të djalit që s’e pati kurrë”.
“Askush nuk e mishëron shpirtin e skuadrës tonë më mirë se ai. Tash kur është rritur, ndjehem mirë kur e shoh se është bërë një baba i ëmbël dhe i kujdesshëm”, ka thënë Sensi në një intervistë për revistën javore Diva and Donna.
Diego Capel shënoi golin e parë. Sevilla ka shënuar fitore prej 2-1 kundër Barcelonës, në ndeshjen e parë të vlefshme për Copa del Rey, që u zhvillua të martën mbrëma në Camp Nou.
Andaluzianët kaluan të parët në epërsi me golin e shënuar nga anësori Diego Capel (60’).
Në minutën e 74, Zlatan Ibrahimovic barazoi rezultatin pas një daljeje të gabueshme të portierit Palop.
Ndërsa për fitoren e Sevillas në terren mysafir, u kujdes ish-lojtari i Real Madridit, Alvaro Negredo, i cili shënoi nga penalltia (76').
Ndeshja e kthimit do të zhvillohet më 13 janar në Ramon Sanchez Pizjuan, ku Barcelona do ta ketë shumë të vështirë që ta përmbysë këtë rezultat.
Njoftohet se Atletico Madridi ka transferuar mesfushorin Tiago Mendes nga Juventusi, i cili do të qëndrojë te kryeqytetasit deri në fund të sezonit.
Sipas radios spanjolle Cadena SER, portugezi 28-vjeçar ka arritur marrëveshje me klubin e dytë nga Madridi, pasi është takuar me drejtorin Jesus Garcia Pitarch, ndërsa të mërkurën pritet të konfirmohet si lojtar i Atleticos.
Po ashtu, njoftohet se Atletico ka transferuar 19-vjeçarin Fran Merida nga Arsenali, i cili ka nënshkruar kontratë katërvjeçare me madrilenët.
Dikur tenistja më e mirë në botë, Maria Sharapova, ka pranuar se ka shumë punë për të bërë nëse dëshiron të kthehet në majat e tenisit për femra.
Tri herë fituesja e turneve ‘grand slam’, në vitin 2008 fillimisht mungoi dhjetë muaj, dhe pastaj doli jashtë top-100 tenisteve më të mira në botë, pasi operoi shpatullën (tetor 2008), ndërsa tani është duke punuar që ta rikthejë veten në pozitat më të larta të ranglistave botërore.
22-vjeçarja, e cila aktualisht është në Hong Kong duke u përgatitur për Australian Open, vitin e kaluar bëri një rikthim inkurajues dhe arriti të ngritët në vendin e 15-të në botë.
“Gjithmonë kam pasur një plan të caktuar gjatë karrierës sime të turneve ku luaja, mirëpo (kohët e fundit) nuk isha e aftë fizikisht që të merrja pjesë në 30 turne brenda vitit, kisha nevojë për pushim... Gjërat nuk shkojnë gjithmonë ashtu siç do, mirëpo duhet të jesh e freskët për turnetë e mëdha”, ka thënë tenistja ruse.
Nurnbergu ka shënuar fitore minimale prej 1-0 kundër Duisburgut, në ndeshjen miqësore të zhvilluar të martën mbrëma. Fitoren skuadrës vendase ia solli sulmuesi kosovar me pasaportë zvicerane, Albert Bunjaku, i cili shënoi nga pika e bardhë në minutën e 20-të.
Sa u përket ndeshjeve zyrtare, Bunjaku është i gjashti në listën e golashënuesve më të mirë në Bundesliga, ndërsa deri më tani ka shënuar gjashtë gola.
Një gjykatë në Paris ka anuluar vendimin që ia ndalonte ish-bosit të Renaultit, Flavio Briatore, “përjashtimin e përjetshëm nga Formula 1”- vendim ky i marrë nga FIA.
Italiani ishte përjashtuar nga gara më prestigjioze automobilistike, pasi akuzohej se në vitin 2008 kishte kërkuar nga piloti Nelson Piquet Jr. që të nxisë një përplasje gjatë Çmimit të Madh të Singaporit për të favorizuar partnerin e tij Fernando Alonso.
Sido që të jetë, Gjykata e Lartë franceze e anuloi vendimin dhe i pagoi Briatores kompensim prej 15.000 eurosh.
“Gjykata vendosi se sanksionimi ishte joligjor”, tha gjykatësi. Ndërkohë, burime të BBC Sport thonë se FIA do të bëjë apel për këtë vendim.
Nga ana tjetër, Briatore është shprehur mjaft i kënaqur me këtë vendim, duke thënë se njëherë do ta shijojë këtë moment lumturie, dhe pastaj do të mendojë nëse do të kthehet te Formula 1 ose jo.
Menaxheri i Romës, Claudio Ranieri, do ta ketë në dispozicion transferin e ri, Luca Toni, që nga ndeshja e të mërkurës kundër Cagliarit, dhe thotë se do të shfrytëzojë aftësitë e sulmuesit italian deri në fund të sezonit.
“Toni ka punuar shumë. Ai është një armë, të cilën duhet ta shfrytëzojmë deri në fund të sezonit”.
“Toni është sulmues shumë i rrezikshëm në gjashtëmbëdhjetëmetërsh, në lojën me kokë dhe ka përvojë të madhe”, është shprehur ish-trajneri i Juventusit në një konferencë për shtyp.
Në ndeshjen e të nesërmes, Ranieri nuk do të mundë të llogarisë në shërbimet e simbolit romak, Francesco Totti, i cili është i lënduar.
Trajneri i Interit, Jose Mourinho, ka bërë të ditur se mesfushori Patrick Vieira është pranë largimit nga klubi zikaltër.
Ditëve të fundit spekulohet se francezi është shumë pranë transferimit te Manchester City.
“Mendoj se mundësitë janë të vogla që ai të qëndrojë në skuadër, por unë besoj tek ai dhe te profesionalizmi i tij, dhe do të vazhdoj të besoj tek ai, edhe atëherë kur do ta finalizojë transferimin te një skuadër tjetër”, ka thënë portugezi në një konferencë për shtyp.
Manchester Unitedi ka vendosur të presë deri në fund të këtij sezoni për të bërë një ofertë serioze për sulmuesin e Real Madridit, Karim Benzema.
E përditshmja spanjolle Sport shkruan se Djajtë e Kuq janë shumë të interesuar për shërbimet e sulmuesit francez, për të cilin janë të gatshëm të paguajnë diçka më shumë se 22 milionë euro.
Sir Alex Ferguson provoi ta transferonte Benzeman gjatë kohës kur ai luante te Lyoni, mirëpo Florentino Perez ishte ‘më i fuqishëm’ në këtë aspekt.
Mesfushori i Real Madridit, Jose Maria Guti, pritet të rikthehet në fushë në ndeshjen e fundjavës kundër Mallorcas.
Marca njofton se spanjolli është rikuperuar nga lëndimi dhe ka ndryshuar sjelljen e tij- dy gjëra që e përjashtuan nga formacioni bazë i Mbretërve një muaj më parë.
Sipas të njëjtit burim, Guti do të bashkohet me lojtarët tjerë të Los Blancos të mërkurën në stërvitje, dhe pritet që të jetë në fushë të shtunën.
Anësori i Valencias, David Silva, ka folur për të ardhmen e tij në një konferencë për shtyp, duke thënë se është i përqendruar te ndeshjet e Los Che dhe se asgjë nuk varet nga ai sa i përket largimit nga klubi aktual.
“Tash për tash jam duke menduar vetëm që të luftoj që Valencia të ketë një vend në Ligën e Kampionëve sezonin e ardhshëm”.
“Për më shumë, transferimi te Barca është diçka që në fakt nuk varet nga unë”, citohet spanjolli nga Sport.
Trajneri i Juventusit, Ciro Ferrara, i ka thënë shtypit se nuk ndikohet nga spekulimet e vazhdueshme në lidhje me postin e trajnerit të bardhezinjve.
“Gjithmonë kam qenë i afërt me klubin, përkundër rezultateve negative”.
“Është normale për një klub që të analizojë punën e trajnerit, kjo nuk më pengon”.
“E di se trajneri gjykohet në bazë të rezultateve”, ka thënë Ferrara për Il Corriere dello Sport, duke shtuar se nuk i interesojnë emrat e trajnerëve që qarkullojnë si zëvendësues të mundshëm të tij.
Manchester City i ka ofruar Estudiantes 7 milionë funte për të siguruar shërbimet e mesfushorit argjentinas, Juan Sebastian Veron.
Sipas të përditshmes argjentinase Hoy de La Plata, trajneri i Cityt, Roberto Mancini, dëshiron që ta ketë Veronin te skuadra e tij e re.
34-vjeçari është vlerësuar si lojtari më i mirë në Amerikë, pas një sezoni të shkëlqyer me Estudiantes, dhe njëherit ka siguruar një vend në përfaqësuesen e Argjentinës.
Mbrojtësi i majtë i Juventusit, Cristian Molinaro, do ta vazhdojë pjesën e mbetur të sezonit si i huazuar te Stuttgart.
26-vjeçari tashmë një kohë të gjatë është duke u lidhur me largim nga Juventusi, veçanërisht pas ardhjes së Fabio Grosso, kur e humbi vendin e tij në ekipin e parë.
Mbrëmë dukej se mbrojtësi i majtë do të transferohet në radhët e Atletico Madrid, por në çastet e fundit Molinaro pranoi ofertën e Stuttgart. Ekipi i Bundesligës sot edhe zyrtarisht ka pohuar marrëveshjen e arritur.
“Më vjen mirë që jam këtu dhe me padurim pres të luaj në Bundesliga. Stuttgart për momentin nuk është në pozitën e cila zakonisht i takon. Por ekipi luan më mirë se që tregon tabela”, ka thënë Molinaro.