Kampioni në fuqi i Italisë dhe lider i tabelës së Serie A këtë sezon, Inter, ka shkëlqyer në minutat e fundit të ndeshjes, për të mposhtur me rezultat 4-3 ekipin e fundit të tabelës, Sienën.
Mysafirët kaluan në epërsi dy herë, në fillim të secilës pjesë, por nuk arritën ta ruajnë avantazhin në asnjërën herë.
Ishte Massimo Maccarone që çoi i pari Sienën në avantazh me një gol të shkëlqyeshëm jashtë 16-të metërshit në minutën e 18-të të takimit. Nerazurët përmbysën rezultatin që në pjesë të parë, duke barazuar së pari me anë të Diego Milito (24’) dhe duke kaluar më pas në avantazh me anë të një goditje të lirë nga Wesley Sneijder (36’).
Por gëzimi i vendasve nuk zgjati shumë, pasi mysafirët barazuan me anë të Albin Ekdal (37’) duke shkuar më të qetë në pauzën mes pjesëve.
Pjesa e dytë po ashtu filloi në të mirë të mysafirëve që shënuan edhe një herë me anë të Maccarone (65’). Por nerazurët nuk u dorëzuan dhe treguan një shou të vërtetë në fund të ndeshjes. Ishte një shtylla-gol i shkëlqyeshëm nga Wesley Sneijder, i dyti në ndeshje dhe i dyti po nga gjuajtja e lirë, që barazoi rezultatin.
Tre pikët Interit ia solli Walter Samuel me një gol në minutën e fundit shtesë të takimit. Fitorja e forcon Interin në krye të tabelës me 45 pikë, 11 më shumë se Milani dhe 12 më shumë se Juventus, dy ekipe të cilat nesër ndeshen në derbin e javës në Serie A.
Atletico Madrid duket se ka nisur me këmbë të mbarë vitin 2010, duke shënuar edhe fitoren e dytë në La Liga në këtë vit.
Pasi mposhti Sevillan me rezultat 2-1 në ditën e dytë të Vitit të Ri, Atletico kësaj here ka shkatërruar në fushë mysafire ekipin e Valladolid, duke e mposhtur me rezultat 4-0.
Jose Manuel Jurado ishte ai që kaloi në epërsi vendasit pas 15 minutash lojë, ndërsa pas po aq kohe Diego Forlan dyfishoi rezultatin për mysafirët (31’).
Ish-sulmuesi i Arsenalit dhe Real Madridit, Jose Antonio Reyes, trefishoi avantazhin pas gati një ore lojë (59’), ndërsa sulmuesi argjentinas Sergio Aguero vulosi fitoren e lartë të Atleticos në minutat shtesë të lojës (90’).
Atletico tash mban pozitën e 11-të në tabelën e kampionatit spanjoll me 20 pikë të mbledhura. Ekipi madrilen të martën zhvillon ndeshjen e kthimit të Kupës së Mbretit në fushë vendore përballë ekipit të divizionit të dytë Recreativo Huelva, nga i cili ekip u mposht në ndeshjen e parë të zhvilluar të mërkurën (3-0).
Dështimet e top ekipeve në Ligën Premier vazhdojnë, me kampionin në fuqi të kësaj lige, Manchester United, që nuk ka arritur të nxjerrë më shumë se një barazim me rezultat 1-1 në udhëtim te Birmingham City.
Më herët gjatë ditës ishte Arsenali që mezi nxori një barazim ndaj Evertonit, ndërsa një paraqitje jo aq bindëse bëri edhe Manchester United dy orë më vonë.
Vendasit e Birmingham Cityt kaluan në avantazh gjashtë minuta para fundit të pjesës së parë me anë të Cameron Jerome, ndërsa Djajtë e Kuq arritën të barazojnë vetëm në minutën e 64-të edhe atë falë një autogoli të Scott Dann.
Pesë minutat e fundit mysafirët i luajtën me 10 lojtarë pas përjashtimit të Darren Fletcher me kartonin e dytë të verdhë.
Me këtë barazim, Birmingham City çon në 12 numrin e ndeshjeve si i pamposhtur në fushë vendore dhe barazohet në pikë me Liverpoolin, që të dy nga 33 pikë.
United ruan pozitën e dytë me 42 pikë, dy më shumë se Arsenali që gjendet në pozitën e tretë dhe që ka një ndeshje më pak, si dhe dy më pak se Chelsea, që po ashtu ka një ndeshje më pak të zhvilluar.
Edhe pse me dhjetë lojtarë në fushë për po thuajse tërë ndeshjen, Roma ka arritur ta ruajë avantazhin e fituar që në minutën e parë të ndeshjes dhe të shënojë fitore minimale në fushë të vet ndaj Chievos.
Daniele De Rossi ishte autor i golit të vetëm të ndeshjes, pasi shënoi me kokë pas një harkimit të topit nga këndi me të filluar ndeshja.
Vendasit mbetën me dhjetë lojtarë në fushë që nga minuta e 13-të kur u përjashtua portieri i këtij ekipi, Doni, por gialorosët arritën ta ruajnë avantazhin deri në fund të ndeshjes dhe madje vazhduan t’i kenë rastet më të mira, me sulmuesin e ri Luca Toni që pati tre raste të mira shënimi.
Për Chievon u angazhua edhe sulmuesi i kombëtares shqiptare Erjon Bogdani, i cili megjithatë nuk arriti të tregojë ndonjë ndikim të madh.
Fitorja e ngre Romën në pozitën e katër të tabelës me 32 pikë, dy më shumë se Napoli që gjendet në pozitën e pestë dhe që nesër pret në fushë të vet Sampdorian.
Lideri i tabelës, Interi, sonte pret në fushë të vet ekipin e fundit në tabelë, Sienën, derisa nesër mbrëma në Serie A zhvillohet derbi i Serie A në mes të Milanit dhe Juventusit.
Thomas Rosicky ka shënuar në minutën e dytë të kohës shtesë të lojës për të shpëtuar Arsenalin nga disfata në takimin e parë të vitit 2010 të zhvilluar në Emirates Stadium ndaj Evertonit.
Mysafirët e Evertonit kaluan dy herë në epërsi në ndeshjen e zhvilluar nën të reshura të dëborës, duke shënuar në secilën pjesë nga një gol, por topçinjtë arritën të barazojnë në të dyja herët për të nxjerrë një pikë nga takimi i sotëm.
Ishte Leon Osman ai që çoi në avantazh Evertonin pas 12 minutash lojë, para se Denilson të barazojë për topçinjtë në minutën e 28-të të lojës. Nëntë minuta para fundit të takimit Steven Pienaar riktheu epërsinë për mysafirët, por kur u mendua se topçinjtë do të pësonin disfatën e parë në takimin e parë të këtij viti, doli në skenë Thomas Rosicky që shënoi minutat shtesë të takimit për të ruajtur një pikë në Emirates Stadium.
Me këtë barazim Arsenali i afrohet në një pikë pozitës së dytë ku gjendet Manchester United me 43 pikë, që më vonë viziton Birmingham Cityn. Chelsea mbetet lider në tabelë me 45 pikë, pavarësisht se takimi përballë Hull Cityt i planifikuar sot nuk u zhvillua. Edhe ndeshjet tjera në Ligën Premier janë anuluar për shkak të motit të keq që mbizotëron në ishull.
Në prag të takimit derbi të Italisë kundër Milanit, trajneri i Jvuentusit, Ciro Ferrara, thotë se rosonerët janë në formë shumë më të mirë se biankonerët.
Nesër do të zhvillohet derbi i madh në mes të Juventusit dhe Milanit, dhe Zonja e Vjetër me një fitore të mundshme do të mund të arrinte te pozita e dytë në tabelën e Serie A.
“Kjo është një ndeshje në të cilën duhet t’i eliminojmë kualitetet teknike të Milanit. Nuk do të flisja për këtë ndeshje si për një finale. Ky do të jetë një takim në mes dy ekipeve të mëdha dhe do të ishte mirë për secilin të jetë pjesë e tij”.
“Ne jemi në pozitat e sipërme të tabelës, por kjo është falë fillimit të mirë të sezonit, tash Milani është në formë më të mirë”, ka thënë Ferrara.
Në prag të derbit italian të dyja ekipet përballen me mungesa për shkak të lëndimeve. Derisa Leonardo nuk do të mund të llogaritë në shërbimet e Pato, Seedorf dhe Zambrota, në përbërjen e Juventusit mungojnë Trezeguet, Giovinco, Buffon, Camoranessi, Iaquinta, Sissoko si dhe i suspenduari Caceress.
Veterani i Milanit, Alessandro Nesta, ka mohuar se ai do të rikthehet në kombëtaren italiane për Kupën Botërore, Afrika e Jugut 2010.
“Nëse do shkoja në kombëtare – dhe dua ta bëj të qartë se askush nuk më ka kërkuar – atëherë do të duhet t’ia zë vendin dikujt që tashmë është në ekip. Nuk do ta bëj këtë. Nëse dikush ka luajtur 10 ndeshje dhe ka luftuar aq shumë për të arritur kualifikimin, pastaj të kthehem unë në minutën e fundit dhe ta vjedh vendin e tij, nuk do të ishte ferr”.
“Unë jam ai i cili kam hequr dorë nga kombëtarja, nuk jam shkelmuar, e kam bërë këtë për arsye personale”, ka thënë Nesta.
Kombëtarja e Togos në futboll është tërhequr nga Kupa afrikane e Kombeve pas sulmit terrorist ndaj autobusit të kësaj skuadre.
Numri i personave të vdekur raportohet se ka arritur katërshin, pasi autobusi u përball me një sërë plumbash nga rebelët vendas, sapo kishte kaluar kufirin nga Republika Demokratike e Kongos për në enklavën Cabinda të Angolas.
Mbrëmë u tha se vozitësi i autobusit kishte vdekur nga sulmi, derisa sot mediat franceze shkruajnë se edhe tre të tjerë kanë gjetur vdekjen, një asistent trajner, një zyrtar i shtypit dhe portieri i rezervë i ekipit, Kodjovi Obilale.
“Togo është larguar nga Kupa Afrikane e Kombeve pasi autobusi i ekipit ra nën plumba në Angola. Ylli i Cityt, Emmanuel Adebayor, i cili është kapiten i ekipit të Togos, ka dalë i padëmtuar dhe ai dhe bashkë-lojtarët e tij u takuan në mëngjes para se të vendosin se dëshirojnë të largohen nga turneu”.
“Ndeshja e parë e tyre ishte në plan të zhvillohet të hënën kundër Ganës, por ata tash do të kthehen në shtëpi te familjet e tyre. Organizatorët megjithatë kanë thënë se turneu do të zhvillohet”, thuhet në një deklaratë të Manchester Cityt.
Menaxheri i Liverpoolit, Rafa Benitez, ka zbuluar se ai tashmë është duke i planifikuar ndryshimet për sezonin e ardhshëm.
Spanjolli, i cili nënshkroi marrëveshje pesëvjeçare vitin e kaluar, ka hedhur poshtë thëniet se ai mund të jetë drejt largimit nga Liverpooli, duke thënë se ai tashmë është duke planifikuar transferimet e verës.
“Kur vendosa të nënshkruaj e bëra këtë pasi dëshiroja të qëndroj. E kam dhënë fjalën time dhe do të luftoj deri në fund. Ne jemi duke përcjellë lojtarë. Ne do të përpiqemi të bëjmë diçka tash, por duhet të mendojmë për të ardhmen, duhet të vazhdojmë të përmirësoheni” ka thënë Benitez.
Portieri i Real Madridit, Iker Casillas, thotë se Barcelona do të dështojë të përsërisë suksesin e vitit 2009.
Casillas është i bindur se Barcelona do të dobësohet, veçanërisht pas fillimit jo aq të mirë të vitit e ri, kur barazoi ndaj Villarrealit në La Liga dhe u mposht nga Sevilla në Kupën e Mbretit.
“Lojtarët e Barcelonës janë njerëz dhe është normale që ata të mos mund ta ruajnë të njëjtin ritëm si edhe më parë”, ka thënë Casillas.
I pyetur se me kënd duhet të nënshkruajë Reali, portieri ka thënë duke u qeshur: “Kush e di? Villa, Silva, Cesc...”.
Ronaldinho thotë se ai është duke shijuar futbollin me Milanin më shumë se sa kur ishte pjesë e Barcelonës dhe shton se dëshiron të fitojë Skudeton dhe Ligën e Kampionëve.
“Dua ta fitoj Skudeton dhe Ligën e Kampionëve me Milanin. Besoj se mund të fitojmë dy trofe, Interi mund të arrihet”, ka thënë Ronaldinho.
“Po ashtu dua që Pato dhe Borriello falë asistimeve të mia të bëhen golashënuesit më të mirë dhe përfundimisht të kënaqem me njerëzit të cilët më duam. Tash është momenti më i mirë në jetën time. Kënaqem më shumë se sa kur isha në Barcelona”, ka shtuar braziliani.
Dallas Mavericks kanë shpërthyer duke shënuar 42 pikë në çerekun e katërt, për të mposhtur rivalin e Divizionit Jugperëndimor, San Antonio Spurs me rezultat 112-103
Dirk Nowitzki udhëhoqi ekipin fitues duke shënuar 16 nga 26 pikët në periudhën e fundi, ndërsa te San Antonio, Tim Duncan ishte më i sakti me 31 pikë.
Mavericks tash kanë 25 fitore dhe 11 humbje dhe janë tre ndeshje mbi Spurs që kanë 21 fitore dhe 13 humbje.
West Ham United do të duhet të luftojë për të mbajtur mesfushorin shqiptar Valon Behrami, me Lazion dhe Romën që janë duke kërkuar atë, raporton Daily Mirror.
Behrami, që vlerësohet rreth 10 milionë funte, u zhvendos në Upton Park vetëm 17 muaj më herët, pikërisht nga Lazio, për një shumë prej 5 milionë funtesh dhe pavarësisht se ka pësuar një varg lëndimesh, ka shkëlqyer në Ligën Premier.
Por së fundi Behrami ka kërkuar nga klubi në telashe t’i qartësojë planet për shitjen e yjeve të klubit ose mbajtjen e tyre, përfshirë edhe atë.
Përveç dy ekipeve romake, për Behramin raportohet se janë të interesuara edhe klube të Ligës Premier, në mes tyre Arsenali.
Sulmuesi i Manchester Cityt, Emmanuel Adebayor, thotë se është në dyshime nëse kombëtarja e Togos do të vazhdojë garën në Kupën Afrikane të Kombeve, pasi autobusi i tyre u sulmua nga disa rebelë në Angola.
Adebayor ka thënë se shumë prej bashkëlojtarëve të tij te kombëtarja e Togos dëshirojnë të largohen nga Kupa Afrikane me mundësinë e parë që kanë, pas sulmit gjatë të cilit janë plagosur dy lojtarë, ndërsa vozitësi i autobusit është vrarë në vend.
“Mendoj se shumë lojtarë dëshirojnë të largohen, nuk mendoj se ata dëshirojnë të jenë në këtë turne tashmë, pasi ata e kanë parë vdekjen. Shumica e lojtarëve dëshirojnë të rikthehen te familjet e tyre. Askush nuk mund të flejë pas asaj që kanë parë”.
“Ata kanë parë një prej bashkë-lojtarëve i cili ka plumb në trup, i cili qan, u cili humb vetëdijen dhe gjithçka. Andaj ne do të zhvillojmë një takim, çdokush do të shkojë në dhomën e vet, do të pushojë dhe pastaj do të shohim”, ka thënë Adebayor për Radio BBC.
Mesfushori i Manchester United, Anderson thotë se ai ka dështuar të arrijë standardet e pritura te kampioni i Ligës Premier.
Braziliani ka dështuar të tregohet si kërcënim nga mesfusha për golat kundërshtarë me vetëm një të shënuar në 96 paraqitje, në fitoren 3-1 ndaj Tottenham këtë sezon.
“Do të gënjeja nëse do të thosha se nuk jam i zhgënjyer me performancën time të golave në United. Në fakt kjo më dëshpëron. Dhe një prej objektivave të mia të para është të rikthej formën që kisha në Porto, pastaj të filloj të shënoj gola të cilat vendosin ndeshjet, pasi këto janë vitale për karrierën e një lojtari”.
“E di se një futbollist me aftësi të mia, i cili është mësuar të luajë rol sulmues dhe është mësuar të shënojë gola rregullisht, duhet të jetë i zhgënjyer që shënon një gol çdo gjashtë muaj. Por nuk duhet ta lejoj veten të humbas shpresat. Kam nevojë për një sërë ndeshjesh në të cilat do të luaj mirë”, ka thënë Anderson.
Ish-kapiteni i Arsenalit, Patrick Vieira, i cili është rikthyer në Ligën Premier duke nënshkruar me Manchester Cityn, ka thënë se klubi i tij i ri është më i mirë se kampioni në fuqi, Manchester United.
“I kam mposhtur ata më herët me Arsenalin dhe, po, besoj se këtë mund ta bëj edhe me Cityn tash, këtë sezon. Ne kemi një ekip i cili mund të luftojë për titull. Kur shikoni në lojtarët që ka klubi, besoj fuqishëm se nuk jemi jashtë garës për titull”.
“Ne duhet të besojmë se mund ta bëjmë atë dhe jam i sigurt se klubi mundet. Nuk kam dyshim për këtë. Gjithmonë kam zgjedhur ekipin e duhur për të arritur sukses”, ka thënë Vieira.
Francezi po ashtu ka thënë se United nuk duket i fuqishëm si në kohën kur ai luante te Arsenali.
“Ata nuk duken aq të fuqishëm siç kanë qenë. Vetëm shikoni rezultatet. Ata nuk dominojnë si janë mësuar. United ka qenë një top ekip dhe shumë pikë në avantazh. Kjo nuk është rast edhe tash”, ka shtuar 33-vjeçari.
Menaxheri i Arsenalit, Arsene Wenger, thotë se ai do të blejë një lojtar të ri nëse vjen ndonjë ‘rast i mirë’.
Me sulmuesin holandez Robin van Persie që është jashtë fushave për pjesën më të madhe të sezonit në vazhdim, Wenger është duke ruajtur interesimin për një zëvendësim të mundshëm.
Megjithatë, me Nicklas Bendtner që është në prag të rikthimit nga lëndimi dhe me Theo Walcott që do të rikthehet po ashtu, Wenger nuk beson se ekipi i tij është shumë i mangët në sulm.
“Nëse gjej një mundësi vërtet të mirë, ne do të blejmë por, për më shumë, do të presim dhe shohim. Nëse i kemi Bendtner, [Carlos] Vela, Eduardo, [Andrey] Arshavin dhe Walcott të gatshëm, atëherë kemi një numër të mirë të sulmuesve. Mund të jemi ca të relaksuar”, ka thënë Wenger.
Menaxheri i Chelseat, Carlo Ancelotti, është duke kërkuar më shumë nga anësori Joe Cole.
Lojtari është pa kontratë në fund të këtij sezoni dhe ende nuk ka arritur pajtim për vazhdimin e saj.
“Ai dëshiron të qëndrojë dhe ne duam ta mbajmë atë. Ne e dimë situatën dhe jemi duke biseduar me të. Jemi të bindur se Joe dëshiron të qëndrojë. Ai është një lojtar i rëndësishëm për ekipin dhe fansat. Fansat e pëlqejnë atë dhe mendoj se ai do të qëndrojë”.
“Për Joe është një moment i rëndësishëm. Ai erdhi nga lëndimi dhe ka një qëllim të rëndësishëm të arrijë këtë sezon. Kupa Botërore do të thotë se ai duhet të luajë mirë në Chelsea. Për momentin ai ka qëndrim të mirë mental dhe është në formë të mirë”, ka thënë Ancelotti.
Mbrojtësi i Milanit, Alessandro Nesta, ka thënë se Juventusi po e ndjen presionin më shumë se skuadra e tij, duke qenë se Bianconerët kanë investuar në skuadër këtë sezon.
“Ndoshta rekrutimet e reja kanë shtuar presionin tek ata, sepse njerëzit presin më shumë, për shkak të të gjitha parave të shpenzuara”, ka thënë italiani për Sky Italia.
Nesta ka folur edhe për situatën e Rossonerëve, duke thënë se e filluan keq sezonin, mirëpo, sipas tij, rezultatet e fundit kanë dëshmuar kualitetin e Milanit.
Juventusi dhe Milani takohen të dielën mbrëma në Torino për të zhvilluar ndeshjen kryesore të javës së 19-të në Serie A.