Është dashur të zhvillohen vazhdimet që të vendoset fituesi në përballjen e vlefshme për Kupën FA, ndërmjet Liverpoolit dhe Readingut, me ç’rast skuadra e dytë doli fituese duke eliminuar Të Kuqtë edhe nga një garë e rëndësishme.Liverpooli kaloi në epërsi në fund të pjesës së parë me anë të kapitenit Steven Gerrard, mirëpo në fund të pjesës së dytë Gylfi Sigurdsson barazoi rezultatin për të dërguar skuadrat në vazhdime.
Në minutën e 100-të, Reading kaloi në epërsi me golin e Shane Long, i cili rezultoi të ishte goli i fitores, pasi që Të Kuqtë nuk ndryshuan asgjë deri në fund të vazhdimeve.
Është hera e pestë që Liverpooli eliminohet nga FA Cup prej kundërshtarëve më të dobët. Në vitin 2000 e eliminoi Blackburni, në 2003 Crystal Palace, në 2005 Burnley, në 2008 Barnsley dhe tani në 2010 Readingu.
Deportivo La Coruna ka arritur të eliminojë Valencian nga Kupa e Mbretit me rezultat të përgjithshëm 4-3.Takimi i parë i zhvilluar në Mestalla, përfundoi me rezultat 2-1 për La Corunan, ndërsa në ndeshjen kthyese skuadrat barazuan me rezultat 2-2.
Valencia krijoi epërsi të dyfishtë me golat e Nikola Zigic (11’ dhe 29’), mirëpo vendasit barazuan me anë të Filipe (50’) dhe Juan Rodriguez (72’).
Më në fund një lajm i gëzueshëm për tifozët bardhezi. Pas disa dështimeve radhazi, Juventusi është kualifikuar në çerekfinale të Kupës së Italisë.Në ndeshjen e zhvilluar të mërkurën mbrëma, Zonja e Vjetër ka shënuar fitore me rezultat 3-0 përballë Napolit.
Diego shënoi golin e parë për Juven (24’), ndërsa me dy golat e kapitin Alessandro Del Piero, Bianconerët konfirmuan fitoren.
Në çerekfinale, Juventusi do të përballet me rivalin e përjetshëm, Inter.
Kjo fitore njëherit konfirmon qëndrimin e Ciro Ferraras në postin e trajnerit të Zonjës së Vjetër.
Përfaqësuesja e Kamerunit ka pësuar humbje minimale nga ekipi i Gabonit në ndeshjen e vlefshme për Grupin D të Kupës së Kombeve të Afrikës.Golin e vetëm në ndeshje e shënoi Daniel Cousin në minutën e 17-të të ndeshjes.
Pas kësaj ndeshjeje, Gaboni i prin Grupit D me tri pikë, derisa sonte zhvillohet edhe ndeshja ndërmjet Zambias dhe Tunizisë.
Skuadra nga Bundesliga- Schalke 04 ka kompletuar transferimin e sulmuesit shqiptar nga Maqedonia, Besart Ibrahimi.23-vjeçari u transferua nga klubi i Renovës, ndërsa me ekipin gjerman ka nënshkruar kontratë tri vjet e gjysmë, që do të thotë se do të qëndrojë në Bundesliga deri më 30 qershor 2013.
Ibrahimi, i cili këtë sezon shënoi tetë gola në dhjetë paraqitje në Ligën e Parë të Maqedonisë, ka bërë edhe pesë paraqitje për përfaqësuesen maqedonase.
“Ai do të na ofrojë shumë kënaqësi, por ai po ashtu është një lojtar i të ardhmes”, ka thënë trajneri Felix Magath në faqen zyrtare të Schalkes.
Milani ka kaluar në çerekfinale të Kupës së Italisë, pasi ka mposhtur me rezultat 2-1 Novaran- skuadrën e cila bën gara në Lega Pro Prima Divisione.Filippo Inzaghi kaloi Rossonerët në epërsi (12’) dhe ky ishte rezultati përfundimtar i pjesës së parë.
Me të filluar pjesa e dytë (47’), Novara barazoi rezultatin, ndërsa realizues ishte Pablo Andres Gonzalez.
Fitoren Milanit ia siguroi mesfushori Mathieu Flamini në minutën e 81-të.
Në çerekfinale, Milani do të ndeshet me fituesin nga përballja Udinese- Lumezzane.
Sulmuesi i Romës, Chuka Stefano Okaka, është pranë kalimit te Fulhami ku do të qëndrojë për gjashtë muaj i huazuar.Agjenti i lojtarit Domenico Scopelliti ka deklaruar se dy skuadrat tashmë janë marrë vesh në lidhje me transferin dhe asgjë nuk e ndal sulmuesin që të kalojë në Ligën Premier.
“Gjithçka është mirë. Fulhami e do sulmuesi dhe ai dëshiron të shkojë atje. Të hënën do të shkojmë në Londër”, citohet agjenti nga Laroma24.it.
Spekulimet në lidhje me postin e trajnerit të Juventusit po vazhdojnë, ndërsa emri më i ri është ish-trajneri i Holandës dhe Ajaxit, Marco Van Basten.Mirëpo, agjenti i holandezit Perry Overeem ka thënë se Juve nuk ka kontaktuar me ta, dhe se ky është një spekulim i radhës.
“Nuk mund të përjashtojmë asgjë, mirëpo nuk ka pasur asnjë kontakt zyrtar nga asnjë skuadër”
“Nuk di asgjë për interesin e shfaqur (nga Juventusi) për rolin e trajnerit”.
“A do t’i pëlqente Juventusi dhe Italia? Jemi të gatshëm të marrim parasysh çfarëdo oferte serioze, e cila ka një projekt joshës në të”, ka thënë Overeem për Calciomercato.it.
Sulmuesi i Romës, Julio Baptista, mund ta vazhdojë karrierën te kampioni i Italisë, Inter, pasi që trajneri Jose Mourinho dëshiron ta transferojë atë në Giuseppe Meazza.Sipas Il Corriere Dello Sport, dy skuadrat tashmë kanë filluar bisedimet për mundësinë e transferimit të brazilianit, i cili nuk është zgjedhja e parë e sulmit të Claudio Ranierit.
Zikaltrit planifikojnë t’ia dorëzojnë Giallorossëve të drejtat e plota për Nicolas Burdisson, i cili është i huazuar te Roma, si dhe të paguajnë para për ta transferuar ‘Bishën’.
Duket se qëndrimit të Giuseppe Rossit te Villarreali i ka ardhur fundi. Agjenti i tij Andrea Pastorello ka deklaruar se sipas të gjitha gjasave, italiani do të kthehet në Serie A.Gjatë verës Juventusi shprehu interesim për sulmuesin, ndërsa më pastaj skuadrat ruse Rubin Kazan dhe Zenit St. Petersburg.
“Pas verës, Juventusi nuk kontaktoi më me ne. Mendoj se tash për tash ai do të qëndrojë te Villarreali”.
“Ka pasur disa kërkesa të rëndësishme për të nga Luciano Spalletti (Zenit), po ashtu edhe nga Rubin, mirëpo ne po vazhdojmë t’i refuzojmë ata”.
“Rossi preferon ligat klasike evropiane dhe ai dëshiron të kthehet në Itali në qershor”, ka thënë agjenti për Tuttomercatoweb.com.
Mesfushori shqiptar Lorik Cana thotë se udhëtimi në Portugali me ekipin e Sunderlandit ka qenë pikërisht gjëja e duhur për të cilën kanë pasur nevojë lojtarët.Menaxheri i Maceve të Zeza, Steve Bruce, e dërgoi ekipin e tij në një klimë më të ngrohtë në përgatitje për përballjen e këtij vikendi me Chelsean, pas motit të ftohtë që dominon në Angli.
“Mendoj se është diçka e cila vërtet mund të na ndihmojë neve të përgatitemi në kushte më të mira për ndeshjen kundër Chelseat. Ndonjëherë nuk është lehtë pasi të gjithë kemi familje dhe fëmijë dhe nuk duam t’i lëmë ata, por ne duhet të jemi në formë dhe të gatshëm pasi do të jetë vërtet një ndeshje shumë e vështirë këtë vikend”.
“Morali në kamp është gjithmonë i mirë. Nuk ka qenë lehtë së fundi (me motin e keq), pasi ne të gjithë duam të luajmë, ne jemi profesionistë dhe gjithmonë duam të jemi në fushë”, ka thënë Cana.
Samuel Eto’o beson se bashkëlojtari i tij Mario Balotelli mund të bëhet superyll, por e këshillon lojtarin të jetë më i qetë.Eto’o për momentin është në Kupën Afrikane të Kombeve ku është në kërkim të titullit të kampionit të Afrikës me kombëtaren e tij të Kamerunit.
“Balotelli ka gjithçka që është e nevojshme për t’u bërë superyll. Ai është i talentuar, fizikisht shumë i fuqishëm, por nuk mjafton vetëm kjo. Duhet të jesh shumë më i qetë, por ai është ende i ri dhe do të piqet”, ka thënë Eto’o.
Agjenti i sulmuesit francez David Trezeguet thotë se klienti i tij është i lumtur te Juventusi.Antonio Caliendo, i cili është përfaqësues i Trezeguet, mohon se sulmuesi francez dëshiron të largohet nga Torino dhe thotë se edhe drejtuesit e Juventusit dëshirojnë ai të qëndrojë.
“David është ende në Juve. Klubi dëshiron ai të qëndrojë. Ai nuk është krejtësisht i lodhur nga Juventusi”, ka thënë Caliendo.
Anësori i Atletico Madrid, Maxi Rodriguez, është i ngazëllyer për mundësinë t’i bashkohet Liverpoolit këtë afat kalimtar.Maxi ka arritur një marrëveshje për gjysmë viti me mundësi ta vazhdojë atë edhe për 12 muaj për një çmim prej 1 milionë funtesh, për shkak se kishte vetëm gjashtë muaj të mbetur në kontratën e tij me Atleticon.
“Liga Premier është e jashtëzakonshme. Kam luajtur në disa stadiume angleze dhe atmosfera është unike. Është e njëjta gjë sikur edhe në Argjentinë”, ka thënë Maxi.
San Antonio Spurs ka mposhtur Los Angeles Lakers me rezultat 105-85, duke zgjeruar kështu formën e dobët të kampionit në fuqi në ndeshjet në udhëtim.Tim Duncan shënoi 25 pikë dhe 13 kërcime për të ndihmuar Spurs t’ua shkaktojnë Lakers-ave humbjen e katërt radhazi në ndeshjet në udhëtim, që është seria më e dobët që nga viti 2007.
Kampioni i katërfishtë i NBA-së, Kobe Bryant, i cili shënoi 16 pikë, u largua nga loja për shkak të lëndimit në periudhën e tretë të ndeshjes. Los Angeles tash ka 29 fitore dhe 9 humbje, derisa San Antonio ka 23 fitore dhe 13 humbje këtë sezon.
Drejtori sportiv i Lazios, Igli Tare, thotë se Mauro Zarate do të vazhdojë të qëndrojë te klubi romak, pavarësisht spekulimeve të cilat e lidhin atë me një kalim te Arsenali.Pavarësisht konfrontimit publik me trajnerin Davide Ballardini dhe me agjentin i cili tha se një ofertë prej 45 milion eurosh do të arrijë nga Arsenali për argjentinasin, Tare thotë se ata janë të kënaqur me lojtarin.
“Nuk ka kurrfarë mosmarrëveshjes me Zarate. Asgjë nuk është e vërtetë dhe ata janë vetëm hipoteza. Lazio vazhdon të mbështetet në të pasi ai është një kampion i madh”, ka thënë ish-kapiteni i kombëtares shqiptare.
Mesfushori brazilian Diego mendon se Juventusi mund t’u kthehet fitoreve në takimin e sotëm të Juventusit në Kupën e Italisë.Juventusi do të përballet me Napolin në ndeshjen e cila mund të jetë vendimtar për të ardhmen e trajnerit Ciro Ferrara.
“Vërtet më pëlqen atmosfera çdo herë kur debutoj në një garë, futeni në fushë me një motivim të ri dhe me një disponim tjetër, duke lënë më prapa atë çfarë ka ndodhur më herët”.
“Kjo është edhe më e vërtetë për Kupën e Italisë, ku ne absolutisht nuk mund të lejojmë të humbim, ne kemi nevojë për një përgjegjësi të madhe dhe fokus mbi të gjitha. Kemi nevojë vetëm të futemi në fushë dhe të fitojmë”, ka thënë Diego.
Në prag të ndeshjes së kupës kundër Reading, sulmuesi i Liverpoolit, Fernando Torres, thotë se të kuqtë e kanë marrë me seriozitet Kupën FA këtë sezon.“Mbaj mend kur e kam parë finalen e Kupës FA kur Liverpooli luante kundër West Hamit, ishte një ndeshje e shkëlqyeshme. Pepe, Stevie dhe Carra më kanë treguar gjithçka për të”.
“Në këtë vend, ky është trofeu më i rëndësishëm pas titullit. Nëse e fitojmë, atëherë ne do të luajmë në Community Shield (Superkupa e Anglisë). Nëse e fitojmë këtë na jep më shumë mundësi për të marrë trofe të tjerë dhe kjo gjithmonë duhet të jetë synimi jonë”, ka thënë Torres.
Ylli i Real Madridit, Leite Kaka, thotë se ai është shumë më i lumtur tash kur luan në Spanjë se sa në kohën kur luante në Itali me Milanin.Kaka u largua nga Milani gjatë verës së kaluar për një shumë prej 63 milionë eurosh, pasi shkëlqeu për disa sezone gjatë të cilave fitoi edhe çmime prestigjioze përfshirë Topin e Artë dhe Lojtarin Më të Mirë të zgjedhur nga FIFA.
“Kënaqem më shumë këtu pasi është stili i lojës i cili është më i hapur, është një teknikë shumë më e pasur”, ka thënë Kaka.
“Loja italiane është më shumë taktike, më shumë studiuese, po ashtu edhe seancat stërvitore: në Milan përveç taktikave ne kemi bërë edhe disa ushtrime për fizikun dhe më pak gjimnastikë”.
“Këtu më shumë punojmë në teknikë, me top, më shumë goditje dhe më pak taktikë”, ka shtuar braziliani.
Kaka po ashtu ka thënë se atij nuk i ka pëlqyer kultura e sharjeve në futbollin italian, e cila në Spanjë është më e pakët.
Manchester City ka sulmuesin më të mirë të Ligës Premier dhe ai është Carlos Tevez, thotë mesfushori Nigel de Jong.De Jong ka lavdëruar bashkëlojtarin e tij pasi argjentinasi shënoi hat-trick në fitoren ndaj Blackburn Rovers.
“Carlos është në flakë për momentin, shpresoj të vazhdojë edhe për pjesën e mbetur të sezonit. Ai shënoi hat-trick kundër Blackburn, por ai është i pabesueshëm në çdo ndeshje”, ka thënë De Jong.
“Ai i bën të mirë edhe lojtarët që luajnë në krah të tij. Benjani erdhi nga asgjë dhe shënoi javën e kaluar në Middlesbrough dhe bëri një paraqitje të mirë kundër Blackburnit po ashtu”.
“Shikoni ndikimin që ai ka në disa javët e kaluara, ai nuk është Lojtari i Muajit Dhjetor pa ndonjë arsye të fuqishme. Për momentin, ai ndoshta është sulmuesi më i mirë në Ligën Premier”, ka shtuar holandezi.
Tottenham raportohet se është duke përgatitur një ofertë për mesfushorin e Milanit, Mathieu Flamini.Daily Mail shkruan se Flamini ka dështuar të sigurojë një vend të rregullt në mesfushën e Milanit dhe është kërkuar nga ai të luajë në rolin e mbrojtësit. Por lojtari dëshiron të luajë në pozitën e tij.
“Nuk dua të luaj si mbrojtës, unë jam mesfushor”, ka thënë Flamini.
Tottenhami thuhet se dëshiron ta shfrytëzojë këtë pakënaqësi të talentit francez, me trajnerin Harry Redknapp që është i gatshëm ta sjellë atë në White Hart Lane.
Flamini kaloi pjesën më të mirë të karrierës së tij duke u aktivizuar për Arsenalin, me Arsene Wenger që dëshironte ta mbajë atë, por lojtari vendosi të largohet si transferim i lirë.
Gjiganti francez Olympique Lyon raportohet se është në kërkuar mesfushorin shqiptar Lorik Cana.The Journal shkruan se Lyoni ka kthyer sytë kah kapiteni i Sunderlandit, pasi ka humbur betejën me Manchester Cityn për të marrë shërbimet e francezit Patrick Vieira.
Sunderland pagoi 5 milionë funte për shërbimet e Canës gjatë verës, i cili më pas shkëlqeu në pjesën parë të sezonit të tij të parë në Ligën Premier, dhe duket e vështirë që Steve Bruce të pajtohet të heqë dorë nga kosovari.
Roma ka siguruar kualifikimin në çerekfinalen e Kupës së Italisë, mirëpo trajneri Claudio Ranieri thotë se të zgjedhurit e tij e fituan me vështirësi ndeshjen.Me golat e Matteo Brighi, Mirko Vucinic dhe Julio Baptista, Roma e mposhti Triestinan, me rezultat 3-1, ndërsa golin e skuadrës nga Serie B, e shënoi Luigi Andrea Della Rocca nga penalltia.
“Nuk ishte lehtë, sepse të gjithë ishin në kërkim të topit. Na duhej të ishim të vëmendshëm dhe nuk mundëm të shënonim derisa Brighi e bëri një gjë të tillë”, ka thënë Ranieri për Corriere Dello Sport.
















