Mesfushori i Milanit, David Beckham, i cili përgatitet për 1/8 e finales së Ligës së Kampionëve, thotë se Manchester United gjithmonë do të jetë dashuria e tij e parë.Shorti i Ligës së Kampionëve nxori Milanin dhe David Beckham përballë ish-ekipit të tij, Manchester United, ku mesfushori kaloi një pjesë të shkëlqyeshme të karrierës së tij me 265 paraqitje dhe 12 trofe të fituar.
“Kur isha në Real Madrid mendova se nuk do të jetë ndjenjë e mirë të rikthehem në Old Trafford si kundërshtar i Manchester United. Disa vitet e para jashtë United ishin të vështira për mua dhe shumë gjëra më mungonin”, ka thënë Beckham.
“Ishte një ekip për të cilin gjithmonë dëshiroja të luaj dhe më pëlqente çdo minutë atje. Gjithmonë kam dashur të jem pjesë e Manchester United, thjesht ishte në mua”.
“Kur u hodh shorti, ndjeva se është momenti i duhur për t’u rikthyer në Old Trafford. Rikthimi do të jetë i veçantë dhe shumë emocional”, ka shtuar anglezi.
Mesfushori i Chelseat, Frank Lampard, beson se Didier Drogba mund ta ndihmojë ekipin të arrijë te titulli i Ligës Premier.Sonte në takimin kundër Hull Cityt, Drogba do të rikthehet në ekipin e parë të Chelseat, pas pauzës për shkak të pjesëmarrjes në Kupën e Kombeve të Afrikës. Me tre pikë nga takimi i sotëm, Chelsea do të krijonte katër pikë epërsi ndaj Manchester United.
“Është një periudhë shumë e rëndësishme e sezonit. Ne jemi në një formë të mirë dhe është e rëndësishme të vazhdojmë. Tash Drogba dhe Kalou janë rikthyer në ekip. Ata janë dy futbollistë të shkëlqyeshëm, të cilët do ta forcojnë ekipin. Pa ta ne luajtëm mirë, tash me ta do të jemi edhe më të fuqishëm”, ka thënë Lampard.
Mesfushori i Manchester United, Park Ji-Sung, thotë se bashkëlojtari i tij Wayne Rooney është i pandashëm.Që të dy lojtarët ishin në listën e golashënuesve për Manchester United në fitoren 3-1 ndaj Arsenalit.
“Askush nuk mund ta ndalojë atë këto ditë. Ai është i jashtëzakonshëm. Ne e humbëm Cristiano Ronaldon, por Wayne ka shënuar shumë gola dhe i ka ndihmuar ekipit shumë. Është një sezon i shkëlqyeshëm për të”, ka thënë Ji-Sung.
Kapiteni i Sunderlandit, Lorik Cana, thotë se nuk duhet të bëhet panik për shkak të formës së dobët të cilën ekipi i tij po e kalon së fundi.Cana ka porositur fansat e se klubi edhe më tej do të luftojë për të qenë pjesë e më të mirëve të Ligës Premier.
“Synimi ynë është të përfundojmë në gjysmën e sipërme të tabelës dhe nuk jemi shumë larg. Por po ashtu nuk jemi larg as fundit. Për një ekip si ky i yni, që ende përpiqemi të ndërtojmë një ekip për të ardhmen, të humbësh tre, katër, dhe në një moment edhe tetë lojtarë është vërtet vështirë”.
“Nëse shikoni në 11-shen tonë të parë, jemi mjaft të mirë për të përfunduar në top 10. Por kur shihni prapa të themi 14 ose 15 lojtarëve, është vështirë ta mendoni këtë”, ka thënë kosovari.
Sunderlandi mbrëmë dështoi të nxjerrë pikë të plota në takimin përballë Stoke Cityt, me të cilin barazoi pa gola. Ekipi i Canës tash qëndron në pozitën e 13-të të tabelës me 24 pikë, vetëm katër sipër zonës së rrezikut.
Memphis Grizzlies i kanë bërë ballë paraqitjes së shkëlqyeshme të Kobe Bryant për të shënuar fitore ndaj Los Angeles Lakers me rezultat 95-93.Me 44 pikët e shënuara, Bryant tejkaloi Jerry West për t’u bërë shënuesi më i mirë i të gjitha kohërave te Lakers, por Rudy Gay prishi festën e tij duke shënuar trepikëshin vendimtar me 29 sekonda të mbetura.
Gay shënoi 25 pikë në ndeshjen e mbrëmshme, derisa Zach Randolph kontribuoi me 22 pikë dhe 17 kërcime për Memphis (26 fitore dhe 21 humbje).
Bryant kishte nevojë për 29 pikë për të tejkaluar West, dhe me pikët e sotme çoi në 25.208 numrin e pikëve në karrierën e tij.
Menaxheri i Chelseat, Carlo Ancelotti, ka qenë i lumtur që nuk ka bërë asnjë përforcim gjatë afatit kalimtar dimëror që u mbyll mbrëmë.Dhe, për faktin se Chelesa nuk ka bërë asnjë nënshkrim të ri, Ancelotti nuk ka ‘nevojë’ të ecë i zhveshur nëpër fushë, premtim të cilin e dha para se të hapej afati kalimtar.
“Jo, e kam fituar bastin sigurisht. Ne nuk kemi nevojë për asnjë lojtar të ri”, ka thënë Ancelotti.
Italiani po ashtu ka thënë se nëse Chelsea nxjerr gjashtë pikë nga dy ndeshjet e radhës, Arsenali praktikisht do të jetë jashtë garës për titull.
“Është diferencë shumë e madhe. Nëse ne fitojmë këtë ndeshje (sot kundër Hull Cityt), dhe të dielën, pastaj Arsenali duhet të luftojë për të ruajtur pozitën e tretë”, ka shtuar ish-trajneri i Milanit.
Sulmuesi anglez Wayne Rooney thotë se Manchester United është klubi më i mirë në botë.Rooney ka thënë se vitet e tij të para me Manchester United kanë qenë tronditëse, për shkak të dështimit për të fituar tituj, por tash është i bindur se është në klubin më të mirë në botë.
“Klubi ka fituar tre Kupa Evropiane dhe të fitosh pesë është diçka e arritshme, pasi ne jemi klubi më i mirë në botë”, ka thënë Rooney.
“Gjatë viteve të para në United, Chelsea dukej shumë i fuqishëm, i pamundshëm për t’u mposhtur vërtet, dhe mendova, ‘Por unë erdha këtu të fitoj... Nuk po fitoj asgjë’. E dinim se duhej të gjallërohemi, t’i sfidojmë ata”, ka shtuar anglezi.
Manchester United është i dyti në tabelën e Ligës Premier me 53 pikë, një më pak se Chelsea që ka edhe një ndeshje më pak të zhvilluar.
Menaxheri i Manchester United, Sir Alex Ferguson, thotë se mesfushori portugez Nani përfundimisht ka filluar të tregojë më shumë pjekuri.Pas fitore 3-1 ndaj Arsenalit, Ferguson beson se Nani është duke e gjetur veten te United. Portugezi tregoi mbase paraqitjen më të mirë për United në takimin në Emirates dhe Ferguson beson se ky sezon mund të jetë i veçantë për 23-vjeçarin
“Ai ka qenë shumë i papjekur që kur ka arritur në klub, por mund të shihni zhvillimin tash. Ai është një djalosh i turpshëm dhe shpresoni se ndeshjet si Arsenali do t’i japin atij vetëbesim të kuptojë se është lojtar i United”, ka thënë Ferguson.
Kapiteni i Arsenalit, Cesc Fabregas, thotë se ata duhet ta mposhtin Chelsean në Stamford Bridge për të mbajtur gjallë shpresat për titull.Topçinjtë u mposhtën me rezultat 3-1 në ndeshjen e të dielës në Emirates përballë rivalit tjetër për titull Manchester United, ndërsa të dielën udhëtojnë te lideri i tabelës, Chelsea.
“Duhet t’i mposhtim ata për të qëndruar në garë për titull. Është vështirë, por duhet të shpërthejmë sërish. Kemi ndeshje të mëdha kundër Chelseat dhe Liverpoolit. Është në duart tona të tregojmë se çfarë mund të bëjmë”.
“Duhet të jemi pozitiv. Është shumë lehtë të thuash ‘Humbëm nga Manchester United’ dhe ta qetësosh situatën. Kjo do të ishte çmenduri. Nëse nuk besoni, nuk i fitoni gjërat. Ne ende jemi aty. Ne duhet të jemi të fuqishëm, të jemi të bashkuar më shumë se kurrë dhe të japim më të mirën nga vetja deri në fund të sezonit”, ka thënë Cesc.
Kapiteni i Tottenham Hotspur, Robbie Keane, është transferuar te Celtic në formë huazimi gjashtëmujor.Që pas kthimit nga Liverpooli, sulmuesi irlandez nuk ka kaluar formë të mirë te Spursat, ashtu që trajneri Harry Redknapp vendosi ta huazonte.
“Është një transferim i mirë, Robbie ka nevojë për lojë”, është shprehur Redknapp për Sky Sports News, duke shtuar se e ka pasur të vështirë që t’i gjente vend në formacionin bazë.
Takimi i fundit i javës së 24 në Ligën Premier, i zhvilluar të hënën mbrëma nuk dha fitues.Sunderlandi dhe Stoke City janë ndeshur në Stadium of Light, në takimin që përfundoi me rezultat 0-0.
Ekipi i Lorik Canës pati më tepër nga loja, mirëpo nuk arriti të fitonte tre pikë të plota.
















