Të shtunën zhvillohet derbi i qytetit të Liverpulit, ndërmjet Evertonit dhe Liverpoolit, ndërsa menaxheri i Redsave, Rafael Benitez, ka kërkuar nga lojtarët e tij që të jenë të përqendruar për këtë takim.
“Evertoni është në formë të mirë, ne jemi në formë të mirë. Do të jetë vështirë për të dyja skuadrat. Por nëse ne fitojmë, atëherë do të jemi më pranë top-katërshit. Kjo është e vetmja gjë që mund të bëjmë tani”.
“Kjo është një periudhë e ngarkuar. Duhet të fitojmë ndeshje kundër skuadrave që janë pranë nesh (në tabelë). Secila fitore veç e veç shton më shumë vetëbesimin e skuadrës”, ka thënë Rafa në një konferencë për shtyp.
Trajneri spanjoll ka përmendur emrat e Manchester Cityt, Aston Villas dhe Tottenhamit, si skuadra të cilat do të garojnë me Liverpoolin për një vend në katër pozitat e para.
Kampioni i Italisë, Inter, është përfshirë në garë për të fituar shërbimet e mesfushorit të Arsenalit, Cesc Fabregas.
Skuadra më e interesuar për kapitenin e Topçinjve është Barcelona, ndërsa pritet që gjatë afatit kalimtar veror, katalunasit të bëjnë një ofertë zyrtare për ta rikthyer spanjollin në Camp Nou.Mirëpo, Blaugranët nuk do ta kenë të lehtë transferimin e Fabregas, pasi që shumë skuadra të tjera dëshirojnë shërbimet e tij.
Sipas burimeve të Gazzetta dello Sport, edhe Nerazzurët janë të interesuar për të transferuar Fabregasin, dhe gjithmonë sipas këtyre burimeve, Interi do të ofrojë shifër më të madhe parash për “t’ia rrëmbyer nga duart” Barcës mesfushorin spanjoll.
Olivier Janneaux, agjenti i mbrojtësit të Romës, Philippe Mexes, ka mohuar spekulimet kinse Juventusi interesohet për shërbimet e klienti të tij.
“Për mua, kjo nuk është e vërtetë. Janë pjesë e fantazive të disa gazetarëve”, ka shpjeguar Janneaux për laroma24.it duke iu referuar spekulimeve.
Përveç Juventusit, është spekuluar edhe për skuadra të tjera të cilat interesohen për shërbimet e Mexes, mirëpo sipas agjentit të tij, mbrojtësi francez planifikon ta rinovojë kontratën me Romën.
Përzgjedhësi i përfaqësueses së Anglisë, Fabio Capello, ka pohuar se John Terry nuk do të jetë më kapiten i Tre Luanëve.
Mbrojtësi i Chelseat ka kryesuar titujt e mediave angleze, si pasojë e spekulimeve se ka qenë në lidhje me ish-të dashurën e bashkëkombësit të tij Wayne Bridge.
Ndërsa pas një takimi që ka mbajtur Capello me lojtarin e tij, vendosi që t’ia marrë shiritin kapitenit.
“Pas një mendimi të gjatë, vendosa se më mirë për mua do të ishte që t’ia marr shiritin e kapitenit John Terryt”, ka deklaruar Capello.
Andrei Arshavin mendon se nuk shfrytëzohen si duhet aftësitë e tij tek Arsenali, pasi që trajneri Arsene Wenger e detyron atë të luajë si sulmues.
“Nëse Arsenali dëshiron të bëhet kampion, si mund ta vendosë Arshavinin si qendërsulmues?”, citohet rusi nga Daily Mail.
Arshavin e kupton arsyen pse luan si sulmues, duke qenë se Robin van Persie është i lënduar, mirëpo ai thotë se duhet të luajë prapa dy sulmuesve, nëse kërkohet nga ai që të shfaqë lojë të mirë.
Sipas, Arshavin vetëm në këtë mënyrë Topçinjtë mund të jenë të suksesshëm, pasi që pozita e sulmuesit është frustuese për të.
Jean-Claude Blanc ka shprehur kënaqësinë për mënyrën e stërvitjes së Bianconerëve, por ai dëshiron të shohë rezultate në fushë.
“Kam parë një punë intensive dhe vëmendja e skuadrës është shumë e lartë. Do të shohim se çfarë do të ndodhë kundër Livornos”, u ka thënë Blanc gazetarëve.
Më herët trajneri i bardhezinjve, Alberto Zaccheroni, u shpreh se dëshiron fitore në takimin e radhës, ndërsa i këtij mendimi është edhe presidenti i Juves.
Mesfushori i Arsenalit, Samir Nasri, beson se Topçinjtë ende kanë gjasa që të garojnë për titullin e Ligës Premier.
Të dielën, Arsenali zhvillon derbin kundër liderit të Kampionatit anglez, Chelsea, ndërsa shumëkush mendon se me humbje eventuale, Topçinjtë do të jenë thuajse jashtë garës.
Humbja nga Manchester Unitedi në terren vendas i kushtoi shumë Arsenalit, prandaj nuk guxon ta humbë edhe këtë ndeshje.
Sido që të jetë, Nasri beson se skuadra e tij mund të nxjerrë rezultat të mirë kundër Bluve në Stamford Bridge dhe të mbetet në garë për titull.
Mesfushori i Romës, Rodrigo Taddei, ka kërkuar nga bashkëlojtarët që të vazhdojnë me formën e qëndrueshme për arritjen e qëllimeve të tyre.
Fitorja e të enjtes kundër Udineses, jo vetëm që ishte një hap drejt finales së Kupës së Italisë, por njëherit ishte ndeshja e 18-të e Romës pa humbje.
“Kemi përparuar shumë pas një fillimi të vështirë dhe po angazhohemi që të vazhdojmë në këtë rrugë”.
“Po i marrim gjërat një nga një, ndeshje pas ndeshjeje. Jemi një grup i bashkuar dhe po mundohemi të japim më të mirën që t’i bëjmë tifozët të lumtur”, ka thënë Taddei për Sky Sport Italia.
Trajneri i Real Madridit, Manuel Pellegrini, thotë se qëllimi i Mbretërve në çdo ndeshje është që të fitojnë tre pikët, dhe shton se ata nuk mendojnë aspak se çfarë bën Barcelona.
“Kemi përbërje të shkëlqyer me lojtarë të mëdhenj. Jam i kënaqur me mënyrën si luajmë, pikët që i fitojmë, si edhe për golat që i kemi dhënë dhe i kemi pranuar”.
“Është me rëndësi të fitohen sa më shumë pikë, sepse çdo pikë e humbur, na vështirëson realizimin e detyrave”.
“Luajmë për të fituar ndeshjet. Nuk shqetësohemi port Barcelonën. Çdo pikë është e rëndësishme. Nuk ndjejmë presion nga Barcelona, dhe nuk është e vërtetë se çdo ndeshje është sikur një finale”, ka thënë Pellegrini.
Trajneri i porsaemëruar i Juventusit, Alberto Zaccheroni, ka thënë se po mundohet të gjejë formulën më të mirë që t’i kthejë Bianconerët drejt suksesit.
“Jemi duke punuar në dy fronte, sepse skuadra duhet të dijë si të ndryshojë qëndrimin edhe gjatë sezonit”.
“Kam lexuar shumë gjëra, por unë preferoj të flas për mesfushën me tre lojtarë. Po mundohem t’ua jap informacionin më korrekt lojtarëve të mi, sikur kjo të na ndihmojë të fitojmë”.
“Unë e njoh sistemin 4-3-1-2 më mirë se 3-4-1-2. do të mundohem ta shfrytëzoj këtë për ndeshjen e nesërme kundër Livornos”.
“Duhet të mundohemi të gjejmë rrugën më të shpejtë dhe më të mirë dhe duhet të jemi të mirë për të vazhduar. Unë e di se ku dua të arrij dhe do të përpiqem”, u ka thënë Zaccheroni gazetarëve.
Sir Alex Ferguson ka zbuluar se për pak nuk ka hequr dorë nga futbolli gjatë karrierës së tij si futbollist dhe ka qenë afër emigrimit në Kanada.
Ndoshta Ferguson ka një sukses të jashtëzakonshëm në karrierën e tij si menaxher, por në vitet e 60-ta ai është munduar shumë për të depërtuar si sulmues nën fanellën e St. Johnstone.
“Kam luajtur për ekipin rezervë dhe në një ndeshje kundër Airdrie pësova lëndim në fytyrë dhe isha jashtë fushe për disa muaj. Më vendosën një maskë të madhe në fytyrë”.
“Pasi u ktheva nga lëndimi luajta disa ndeshje për rezervat. Humbëm 8-1, 7-0 dhe 9-2. Andaj thash ‘kaq nga unë – përfundova’. Fillova të nxjerr dokumente për të emigruar në Kanada”, ka thënë Ferguson.
Kapiteni i Arsenalit, Cesc Fabregas thotë se ai kurrë nuk e ka fshehur dëshirën për t’u rikthyer në Barcelona, por thotë se nuk e di se kur do të ndodhë kjo.
Fabregas rrjedh nga shkolla e të rinjve të Barcelonës, por në moshën 16-vjeçare e lëshoi klubin për të kaluar në Arsenal, ku nën drejtimin e Wenger është shndërruar në një prej mesfushorëve më të mirë në botë.
Mediat në Spanjë shkruajnë se Fabregas në fund të sezonit do të rikthehet në Camp Nou, ndërsa presidenti i Barcelonës, Joan Laporta, është i gatshëm të ndajë 50 milionë euro për të.
“A dua të rikthehem në Barcelona? Kurrë nuk e kam fshehur dëshirën që një ditë të rikthehem. Që kur kisha nëntë muaj, gjyshi im më dërgonte në Camp Nou. Të gjithë jetën e kam kaluar duke i mbajtur ngjyrat blaugranë”, ka thënë Fabregas.
Sipas mediave në Angli, ekipi i Milanit është i gatshëm të ofrojë para dhe shërbimet e sulmuesit Klaas-Jan Huntelaar për të arritur deri te nënshkrimi i Nemanja Vidic.
Mediat tashmë një kohë spekulojnë se serbi është cak i disa klubeve në Evropë, mes tjerash edhe Real Madridit që është i gatshëm të ndajë 20 milionë funte për të. Por për të është i interesuar edhe Milani.
Mediat në ishull shkruajnë se me angazhimin e Chris Smalling, United përgatitet të shkëputet nga Vidic për të cilin do të kërkojë 25 milionë funte.
Milani është i gatshëm të ofrojë para dhe sulmuesin Huntelaar, të cilin Sir Alex Ferguson raportohet se e ka përcjellë edhe më herët, para se ta angazhonte Tevez.
Mesfushori i Liverpoolit, Albert Riera, beson se fansat do të kenë një rol kyç në ndeshjen e vikendit kundër rivalit të qytetit, Evertonit.
“Ju mund ta ndjeni se sa ndeshje e veçantë është kjo për tifozët. Kur jeni në rrugë dhe madje edhe në supermarket, njerëzit vijnë te ju të ngazëllyer dhe flasin për ndeshjen”.
“Më pëlqen atmosfera e derbit. Është më ndryshe nga ndeshjet tjera të cilat i kam luajtur më parë dhe e dimë se fansat mund të na ndihmojnë të fitojmë këtë ndeshje”, ka thënë spanjolli.
Cleveland Cavaliers ka vazhduar serinë e fitoreve duke mposhtur Miami Heat me rezultat 102-86.
Me Mo Williams dhe Delonte West jashtë fushe për shkak të lëndimit, LeBron James pati detyrën më të madhe te Cavaliers, dhe shënoi 36 pikë. Fitorja është e 10-ta radhazi për Cleveland dhe e 40-ta këtë sezon krahas 11 humbjeve.
Dwayne Wade shënoi 18 pikë për Miami që pësoi humbjen e katërt radhazi dhe të 26-tën këtë sezon (24 fitore).
Sulmuesi francez Louis Saha ka nënshkruar marrëveshje të re me Evertonin.
Daily Star shkruan se Saha i ka thënë fund paqartësive rreth të ardhmes së tij dhe ka zgjidhur gjithçka para derbit të qytetit përballë Liverpoolit, duke nënshkruar marrëveshje të re dyvjeçare.
Marrëveshja aktuale e Saha skadonte në fund të sezonit dhe statusi i tij ‘i lirë’ kishte tërhequr interesimin e klubeve si Bordeaux, Besiktas dhe Roma.
Evertoni megjithatë ka lëvizur shpejt për të larguar interesimin e tyre dhe, edhe pse negociatat e zgjatën për shkak se agjenti i Saha kërkonte 60 mijë funte në javë, marrëveshja tashmë është arritur.
Agjenti i anësorit të Bayern Munich, Franck Ribery, thotë se dyert e Manchester United mbeten të hapura.
Alain Migliaccio thotë se një numër klubesh e kanë bërë të ditur interesimin e tyre dhe se Ribery nuk ka përjashtuar asnjërin prej tyre në këtë moment.
“Nuk ka asnjë derë të mbyllur, as e Real Madrid, ose Barcelonës, ose Manchester United. Në fillim të muajit mars do të marrim vendimin dhe do të shohim”, ka thënë Migliaccio.
Menaxheri i Arsenalit, Arsene Wenger, thotë se Robin van Persie, nuk pritet të rikthehet deri në prill.
Pas raporteve se Van Persie do të rikthehet në mars, Wenger mbrëmë konfirmoi se në fakt ai nuk pritet të rikthehet nga lëndimi i tij deri në muajin prill.
“Për Robin, rehabilitimi po shkon mirë, por gjithçka para prillit do të ishte një veprim i papjekur”, ka thënë Wenger.
Dy nga golashënuesit, Simao dhe Reyes. Atletico Madridi ka shënuar fitore të lartë prej 4-0 kundër Racing Santanderit, në ndeshjen e parë gjysmëfinale të vlefshme për Copa del Rey.
Sabrosa Simao kaloi vendasit në epërsi (9’), ndërsa Jose Antonio Reyes dyfishoi rezultatin (40’), dhe me rezultat 2-0 përfundoi pjesa e parë.
Nën pjesën e dytë, me dy gola të shënuar nga pika e bardhë (63’ dhe 72’), Diego Forlan vendosi rezultatin përfundimtar të takimit.
Ndeshja kthyese zhvillohet të mërkurën e ardhshme (10 shkurt), ku Atletico do të jetë mysafir, por është thuajse e pamundur që Santanderi ta përmbysë epërsinë prej 4-0.
Roma ka nxjerrë rezultat të mirë në ndeshjen e parë gjysmëfinale të vlefshme për Kupën e Italisë.
Takimi i zhvilluar të enjten mbrëma në Stadio Olimpico, ndërmjet Romës dhe Udineses, përfundoi me rezultat prej 2-0 në favor të vendasve.
Sulmuesi malazez Mirko Vucinic shënoi golin e parë në ndeshje (12’), ndërsa mbrojtësi francez Philippe Mexes dyfishoi epërsinë (40’) dhe vendosi rezultatin përfundimtar të takimit.
Giallorossët do ta zhvillojnë ndeshjen kthyese me epërsinë prej dy golash, dhe njëherit duhet llogaritur që nuk kanë pranuar gol në terren vendas, prandaj gjasat janë të mëdha për të luajtur në finale të Coppa Italia.
Mesfushori i Juventusit, Mohamed Sissoko, u ka thënë tifozëve bardhezi se ata do të shohin një skuadër më të fortë në ndeshjen e të shtunës mbrëma kundër Livornos.
“Është e vërtetë se kur erdhi Zaccheroni, ai gjeti një skuadër koka e të cilës nuk ishte në vend të duhur, por jam i sigurt se po e tejkalojmë këtë krizë dhe kundër Livornos do ta dëshmojmë këtë”.
“Ne e dëshirojmë Ligën e Kampionëve, prandaj doemos duhet të kthehemi në pozitat e para”, ka thënë Sissoko për faqen zyrtare të Juves.
Zonja e Vjetër barazoi në ndeshjen e parë nën drejtimin e Alberto Zaccheronit kundër Lazios, ndërsa kartoni i verdhë në atë ndeshje, ia pamundëson Sissokos të luajë lundër Livornos.
Raportohet se trajneri i Girondins de Bordeaux, Laurent Blanc, ka arritur marrëveshje me Federatën Franceze të Futbollit (FFF- Federation Francaise de Football) që të bëhet trajneri i ardhshëm i Francës.
Kontrata e trajnerit aktual Raymond Domenech është e vlefshme deri pas Kampionatit Botëror 2010,dhe sipas të gjitha gjasave ai do të largohet nga posti i tij, pasi që tifozët francezë nuk e dëshirojnë në krye të përfaqësueses së tyre.
Presidenti i FFF-së, Jean-Pierre Escalettes, ka përmendur katër emra, të cilët mund ta pasojnë Domenechun: Laurent Blanc, Didier Deschamps, Alain Boghossian dhe Jean Tigana, mirëpo Le Parisien njofton se Blanc tashmë është marrë vesh me drejtuesit e Federatës që të jetë trajner i Les Bleus pas largimit të trajnerit aktual.
Gjykata Evropiane e Arbitrimit për Sport (CAS) e ka “shpallur të pafajshëm” klubin e Chelseat për akuzën kinse ka nxitur mesfushorin e Racing Club de Lens, Gael Kakuta, që të largohet nga skuadra. Kështu që, rreziku për të mos transferuar lojtarë në dy afate kalimtare, tashmë nuk ekziston.
Sipas CAS, kontrata ndërmjet lojtarit dhe Lensit nuk kishte qenë valide, ashtu që Chelsea nuk mund të jetë fajtor për prishjen e një kontrate, që në fakt nuk ka qenë e vlefshme.
Për këtë arsye, sanksionimet e parapara nga FIFA ndaj Chelseat dhe lojtarit Gael Kakuta tërhiqen.
Trajneri i Real Madridit, Manuel Pellegrini, duhet të marrë një vendim të vështirë për ndeshjen e të shtunës kundër Espanyolit- ai duhet të vendosë se kë do ta inkuadrojë nga minuta e parë, Raulin apo Gonzalo Higuain.
AS ka njoftuar se Higuain është rikuperuar nga lëndimi i muskulit të këmbës së majtë dhe është i gatshëm që të luajë në fundjavë. Mirëpo duke qenë se afrohen ndeshjet e Ligës së Kampionëve, trajneri kilian ka frikës se mos lëndohet sërish argjentinasi.
Kështu që, edhe pse Higuain është favorit për ta shoqëruar Karim Benzeman në sulm, Pellegrini është duke shqyrtuar mundësinë që ta inkuadrojë kapitenin Raul nga minuta e parë.
Ndeshja kundër Deportivo La Corunas, ishte e para për Raulin që luajti nga fillimi pas dhjetë ndeshjesh radhazi në bankën rezervë. Ndërsa edhe pse zhvilloi ndeshje të mirë, legjenda e Realit nuk pati fatin të shënonte në atë përballje.
Mesfushori i Chelseat, Deco, ka deklaruar se do të tërhiqet nga përfaqësuesja e Portugalisë pas Kampionatit të ardhshëm Botëror.
“Do ta përfundoj ciklin tim me përfaqësuesen pas Kampionatit Botëror”.
“Për shkak të moshës time dhe lodhjes, do t’i them lamtumirë ekipit kombëtar pas Kampionatit Botëror”, ka thënë 32-vjeçari për Radio Globo.
Deco është i lindur në Brazil, por është lojtar i përfaqësueses portugeze që nga viti 2002, me të cilën ka arritur në finale të Euro 2004 dhe në gjysmëfinale të KB 2006.
Mesfushori i Arsenalit, Tomas Rosicky, i cili së fundmi është kthyer në skuadër pas problemeve që pati me lëndime, ka shprehur entuziazmin e tij për nënshkrimin e kontratës së re me Topçinjtë.
Në një intervistë për deniksport.cz, mesfushori çek ka mohuar spekulimet kinse Arsenali i ka ofruar një kontratë “do të paguhesh si të luash”, për të përcjellë nëse Rosicky do të jetë në gjendje të luajë apo do të lëndohet sërish, dhe më pastaj të vendosë për vazhdimin e e mëtutjeshëm të kontratës.
Lojtari ka thënë se tek Arsenali gjithçka është e hapur dhe gjëra të tilla nuk fshihen, prandaj ai kishte vendosur të nënshkruajë për këtë skuadër para se t’i skadonte kontrata e mëparshme.
“Arsenali ka qenë gjithmonë prioriteti im dhe për këtë arsye nuk dëshiroja të nxis asnjë spekulim”, ka thënë Rosicky.
Mbrojtësi i Bayern Munichut, Daniel Van Buyten, ka nënshkruar kontratë të re, e cila do ta mbajë në Allianz Arena deri në vitin 2012.
Kontrata e deritanishme e belgut përfundonte në qershor të këtij viti, ndërsa bavarezët nuk dëshironin largimin e mbrojtësit të tyre
“Ne kemi një skuadër të shkëlqyer me një trajner shumë të mirë dhe të mençur, jam shumë i lumtur te Bayerni dhe jam absolutisht i entuziazmuar me vazhdimin e kontratës”, ka thënë Van Buyten për faqen zyrtare të Bayernit.