Mesfushori i Manchester Unitedit, Anderson, është paraqitur vetëm në 13 ndeshje të Ligës Premier këtë sezon, mirëpo ai është i vendosur që të zë vend në formacionin bazë të Alex Ferguson.“Asnjë futbollist nuk është i lumtur kur është jashtë skuadrës. Nëse nuk shqetësohesh që je në bankën rezervë ose në tribuna, atëherë nuk do të jesh i suksesshëm, sidomos në një klub si United”.
“Do të më pëlqente të startoja në çdo ndeshje, por kur kjo nuk ndodh, unë i mbështes kolegët e mi, sepse ne jemi një skuadër dhe qëndrojmë pas njëri-tjetrit”, ka thënë braziliani për faqen zyrtare të United.
Mesfushori i Juventusit, Felipe Melo, planifikon të zë vend në skuadrën e Brazilit që do të udhëtojë në Afrikën e Jugut, mirëpo për ta arritur këtë qëllim duhet të luajë mirë te skuadra e tij.“Kupa e Botës është kulminacioni i karrierës së një lojtari. Depërtimi në skuadrën kombëtare është maksimumi- kryesorja që mund ta kërkojë një lojtar”.
“Unë mendoj për këtë edhe kur fle, dhe kuptohet kur jam zgjuar. Por gjatë kësaj kohe, po ashtu mendoj edhe për Juventusin, sepse në fund të fundit është skuadra që më siguron bukën e gojës”.
“Është shumë e thjeshtë, nëse luan mirë për klubin tënd, atëherë mund të përfshihesh në kombëtare. Këto dyja shkojnë bashkë”, ka thënë Melo për Globoesporte.
Menaxheri i Manchester Cityt, Roberto Mancini, e ka konsideruar shkurtin si muajin më të rëndësishëm për skuadrën e tij.“Shkurti, ky muaj, është një moment vendimtar me ndeshjet kundër Bolton, Stoke, Liverpool, Chelsea dhe Tottenham”.
Mancini i ka pasur të kufizuara zgjedhjet e lojtarëve, si pasojë e mungesave të shumta, si Vincent Kompany, Micah Richards, Wayne Bridge, Kolo Toure, Joleon Lescott etj., ndërsa shpreson që të rikuperohen këtë muaj.
“Kam shumë lojtarë të lënduar dhe është vështirë për mua. Nëse i kam gjithmonë tre, katër, pesë lojtar të lënduar, atëherë është një problem i madh, prandaj duam ta ndryshojmë situatën...”, është shprehur italiani.
Mbrojtja e Milanit mund të marrë frymë më mirë, pasi që është kthyer në stërvitje mbrojtësi kryesor Alessandro Nesta.Nesta i ka munguar Milanit, pasi muajin e kaluar u ankua për dhimbje të muskulit që fillimisht u mendua se nuk është asgjë serioze, mirëpo më pas është dashur kohë që të rikuperohet.
Sido që të jetë, mbrojtësi italian të hënën është kthyer në stërvitje të plota me pjesën tjetër të skuadrës, ndërsa sipas faqes zyrtare të Rossonerëve, Nesta është rikuperuar plotësisht nga lëndimi dhe do të jetë në dispozicion të Leonardos.
Për dallim nga Nesta, Alexandre Pato dhe Gianluca Zambrotta kanë vazhduar stërvitjet individuale ndaras nga skuadra.
Zlatan Ibrahimovic thotë se Barcelona ka dëshmuar se mund të fitohen trofe edhe me lojë të bukur, prandaj në të ardhmen të gjithë klubet do të mundohen t’i imitojnë Blaugranët.“Ndjehem mirë te Barcelona. Familja ime dhe unë jemi përshtatur mirë, jam i lumtur këtu, tashmë fituam tre tituj për gjashtë muaj, jemi të parët në tabelë dhe nuk kemi humbur në kampionatin vendas”.
“Skuadra ka fituar gjithçka dhe dëshiron të vazhdojë në të njëjtën mënyrë. Më vjen keq që u eliminuan nga Kupa mbretit, sepse Sevilla nuk luajti më mirë se ne. Mirëpo gjëra të tilla ndodhin në futboll”, ka thënë Ibracadabra.
Portieri i Chelseat, Petr Cech, beson se humbja që ia shkaktuan Arsenalit, i ka nxjerrë Topçinjtë nga gara për titull të Ligës Premier.“Më mirë nuk kishte si të ndodhte. Erdhëm deri te një fitore e rëndësishme. I ndihmova skuadrës me disa mbrojtje. Ishte paraqitja ime e 100-të në Ligë pa gol të pranuar”.
“Mendoj se me këtë fitore e nxorëm Arsenalin nga gara, do ta kenë shumë të vështirë të arrijnë diferencën prej nëntë pikësh në këtë pjesë të sezonit, sidomos për faktin se kanë edhe shumë ndeshje të vështira”.
“Kjo fitore ishte po ashtu e rëndësishme, sepse iu përgjigjëm edhe fitores së United. E dinim se nëse luanim baras kundër Arsenalit, United do të mbetej në krye të tabelës me golaverazh më të mirë”, ka thënë portieri çek.
Diego mendon se një fitore e vetme do t’i kthente gjërat në drejtim të duhur te Juventusi.Edhe pas ardhjes së trajnerit të ri, bardhezinjtë nuk po i përmirësojnë rezultatet, ndërsa mesfushori brazilian mendon se pasi të shënojnë fitore, suksesi i Bianconerëve do të marrë kah tjetër. “Jam optimist. Duhet të jemi. Po shoh shenja të përmirësimit. Sikurse edhe të tjerët, nuk po arrij të shënoj gol. Por ndjehem mirë. Lëviz mirë me edhe pa topin, ekzekutoj gjuajtje të lirë, krosoj. Kjo është puna ime, të asistoj për kolegët e mi dhe të luaj për skuadrën”.
“Duhet të vazhdojmë të bëjmë atë që e kemi bërë edhe javën e kaluar, të punojmë intensivisht me buzëqeshje në fytyrë. Psikikisht duhet të jemi të fortë”, ka thënë Diego.
Reali i Madridit shpreson që gjatë kësaj jave të mbyllë negociatat me Gonzalo Higuain rreth marrëveshjes së re.AS shkruan se Real Madridi është në negociata me përfaqësuesit e sulmuesit tashmë disa muaj për marrëveshjen e re, dhe ditët në vazhdim do të jenë vendimtare.
Pasi ka mposhtur konkurrentin e tij Karim Benzema në pjesën e parë të sezonit, Higuain tash pret një rritje të pagës për t’u barazuar me francezin. Reali javën e kaluar vazhdoi marrëveshjen me Marcelon.
Mediat angleze bëjnë të ditur se Juventusi është duke kërkuar mbrojtësin e Liverpoolit, Martin Skrtel.News of the World shkruan se biankonerët janë duke përgatitur ofertë të vlefshme 8 milionë euro për sllovakun para afatit kalimtar të verës.
Drejtuesit e Juventusit e shohin Skrtel si një pasardhës natyral të Fabio Cannavaro, pasi veterani pritet të varë këpucët në sezonin e ardhshëm.
Trajneri i Real Madridit, Manuel Pellegrini, është i bindur se fansat së shpejti do të shohin Kaka në formën më të mirë.Braziliani ishte në listën e golashënuesve në fitoren 3-0 të Realit ndaj Espanyolit, duke heshtur përkohësisht kritikët.
“Pas një qëndrimi aq të gjatë jashtë fushe, është vështirë të kërkosh një paraqitje më të mirë. Ai ka dhënë pasime të mira në ndeshjet e fundit, përfshirë një për Guti në golin kundër La Coruna, ndërsa dje shënoi”.
“Kaka është një lojtar shumë i rëndësishëm për ne dhe së shpejti do të shohim lojtarin të cilin gjithkush e ka pritur aq shumë”, ka thënë Pellegrini.
Trajneri i Romës, Claudio Ranieri, ka përjashtuar ekipin e tij nga gara për të fituar skudeton, pavarësisht fitores së mbrëmshme ndaj Fiorentinës.Një gol i vonshëm i shënuar Mirko Vucinic iu dha mysafirëve fitoren e radhës si dhe e ngriti Romën në pozitën e dytë të tabelës së Serie A.
“Nuk ka asnjë ekip anti-Inter këtë sezon. Aty është Interi dhe kaq. Ata janë shumë të fuqishëm dhe nuk mund të arrihen. Ne treguam se dimë si t’i mbijetojmë presionit dhe të dalim të padëmtuar”.
“Julio Sergio ishte i jashtëzakonshëm. Po ashtu të përmend paraqitjet e Daniele De Rossi, Mirko Vucinic dhe secilit. Të gjithë treguan uri për fitore. Fiorentina luajti mirë dhe ishin ca të pafat, andaj kjo gjithmonë ndihmon”, ka thënë Ranieri.
Ekipi i futbollit amerikan, New Orleans Saints, ka dalë fitues me rezultat 31-17 ndaj Indianapolis Colts në Super Bowl për të fituar titullin e parë në NFL, Ligën Kombëtare të Futbollit amerikan.Drew Brees doli fitimtar në duel me rivalin e Colts, Peyton Mannging, pasi ndihmoi Saints të rikthehen nga disavantazhi prej 10 pikësh në çerekun e parë të ndeshjes, për të fituar në fund.
“Ne besuam në veten tonë. E dinim se kishim të gjithë qytetin, ndoshta të gjithë vendin prapa. Ndjemë se ishte shkruar të ndodhte kështu. Ky ishte fati ynë”, ka thënë Brees, i cili ishte emëruar MVP (Lojtarë më i Vlefshëm).
Lojtarët e Orlando Magic kanë dominuar në çerekun e tretë të ndeshjes për të shënuar fitore 96-89 ndaj rivalit të Konferencës Lindore, Boston Celtics.Vince Carter shënoi pikët më të larta të ekipit, 20, ndërsa Dwight Howard kontribuoi me 16 pikë dhe 13 kërcime, për të udhëhequr Magic, të cilët patën një seri 19-0 në çerekun e tretë, që iu ndihmoi të rikthejnë ndeshjen në favor të tyre.
Rajon Rondo ishte më i mirë te Celtics me 17 pikë, nëntë asistime dhe tetë kërcime. Paul Pierce është rikthyer nga mungesa prej dy ndeshjeve për të shënuar 13 pikë.
Magic çojnë në 34 numrin e fitoreve, derisa me humbje janë baras me Boston Celtics, 17, të cilët kanë 32 fitore këtë sezon.
Fabio Cannavaro thotë se pa marrë parasysh se çfarë bëjnë biankonerët për momentin, asgjë nuk shkon në të mirë të tyre.Mbrojtësi pësoi lëndim të kofshës në barazimin 1-1 kundër Livornos gjatë të shtunës, dhe thotë se Juventusi thjesht është i pafat.
“Sistemi gjithmonë varet nga ajo se si ju i drejtoheni ndeshjes dhe nga shpirti me të cilin luani. Ne u përpoqën me këtë taktikë për të parën herë. Kishte aspekte pozitive dhe negative. Kjo është vetëm një prej gjërave negative dhe duket se ne nuk mund të fitojmë për momentin. Këtë e kemi pasur në dhjetë ndeshjet e fundit”.
“Është turp pasi dhamë gjithçka gjatë javës. Gjithmonë kam thënë se e vetmja zgjidhje është puna e palodhshme. Po ashtu shpresojmë të rikthehen disa lojtarë, pasi vërtet mungojnë shumë”, ka thënë Cannavaro.
Kapiteni i Chelseat, John Terry, është mjaft i kënaqur nga publiku në Stamford Bridge për mikpritjen e tyre në fitoren e mbrëmshme kundër Arsenalit.Në fund të ndeshjes, Terry i emocionuar hodhi fanellën e tij në turmën e fansave të Chelseat, para se t’i japë Ancelottit një përqafim.
“Isha duke thënë faleminderit për paraqitjen. Do ta përqafoja çdo lojtarë të ekipit pas kësaj ndeshje, nëse do të mundja”, ka thënë Ancelotti rreth përqafimit me Terryn.
Në anën tjetër edhe menaxheri i Arsenalit, Arsene Wenger, ka vetëm fjalë të mira për paraqitjen e John Terryt.
“John Terry është lojtar i cili gjithmonë dëshiron të fitojë dhe ai është mjaft i fuqishëm për të ndarë atë që është jashtë fushe dhe atë që është në fushë”, ka thënë Wenger.
Terry së fundi ka qenë në qendër të kritikave për shkak të aferës me ish-partneren e ish-shokut të skuadrës, Wayne Bridge, ndërsa javën e kaluar humbi edhe shiritin e kapitenit të kombëtares.
Sulmuesi i Manchester United, Wayne Rooney, thotë se ai është në formën më të mirë në karrierën e tij.Rooney u shkrua në listën e golashënuesve edhe në ndeshjen e fundit të cilën United e fitoi me rezultat të thellë prej 5-0 ndaj Portmsouth.
“Mbase po luaj në formën më të mirë të karrierës time. Por po ashtu vërtet po kënaqem në futboll, pasi po shkon mirë edhe për mua e edhe për ekipin”.
“Shpresoj se mund të kryej punën në ballë të golit edhe për pjesën e mbetur të sezonit. Vërtet nuk kam vendosur ndonjë cak, vetëm dua të përpiqem dhe të shënoj kur luaj. Nëse ia dal do të jetë mrekulli, por nëse jo, shpresoj ekipi të fitojë”, ka thënë anglezi.
Rooney aktualisht është golashënuesi më i mirë në Ligën Premier, me 21 gola të shënuar këtë sezon.
Dirk Kuyt është i ngazëllyer që goli i tij i 50-të në fanellën e Liverpoolit ishte ai që ia solli ekipit edhe fitoren ndaj rivalit lokal, Evertonit.“Është një ndjenjë e shkëlqyeshme dhe vërtet jam i lumtur që kam shënuar 50 gola për klubin, veçanërisht në një ndeshje si kjo. Por nuk mendoj se është me rëndësi kush shënoi, me rëndësi është që fituam”, ka thënë Kuyt.
“Mendoj se treguam besim kur kishim 10 lojtarë dhe kjo erdhi nga besimi që kemi ndërtuar gjatë disa ndeshjeve të fundit. Duhej të besonim se mund ta fitonim ndeshjen dhe e bëmë këtë”.
“Nga shtatë ndeshjet e fundit kemi marrë 17 pikë dhe e kemi portën e paprekur në gjashtë ndeshje, andaj mund të shihni nga rezultatet se luajmë më mirë dhe vetëbesimi jonë është ngritur. Tash duhet të vazhdojmë dhe të sigurohemi se jemi të gatshëm për ndeshjen e ardhshme kundër Arsenalit”, ka shtuar holandezi.
Menxheri i Arsenalit, Arsene Wenger, thotë se ai është i kënaqur me paraqitjen e lojtarëve të tij pavarësisht humbjes 2-0 nga Chelsea në ndeshjen e mbrëmshme në Stamford Bridge.“Jam tërësisht i kënaqur me paraqitjen dhe shpirtin që treguam. Për mua, derisa nuk ia dolëm kundër Manchester Untied, sot treguam paraqitjen e duhur. Megjithatë ishim ca të pasigurt në fillim të ndeshjes”.
“Gjithmonë mendova se mund të rikthehemi, gjithmonë e kisha atë ndjenjë. Por duhet t’u jepni meritat atyre, ata u mbrojtën mirë, ata janë shumë me përvojë në mbrojtje. Ata bëjnë faull në momentin e duhur dhe janë të mirë në kundërsulme”, ka thënë Wenger.
Milani nuk pati fati në takimin e të dielës kundër Bolognas, ndërsa mesfushori Andrea Pirlo është shprehur i pakënaqur me rastet e humbura.“Në bazë të mënyrës si luajtëm sot, është dashur ta fitojmë me lehtësi ndeshjen”.
“Topi nuk donte të hynte (në portë) sot dhe mendoj se nuk kishim fat në shumë raste”.
“Duke vlerësuar mënyrën se si menaxhuam posedimin e topit dhe angazhimin me të cilin luajtëm në fushë, mendoj se vërtet e ‘falëm’ një fitore”, ka thënë italiani për SkySport.
Ndeshja kryesore e javës së 23-të në Serie A, është zhvilluar në Artemio Franchi ndërmjet Fiorentinas dhe Romës.Giallorossët kanë shënuar fitore minimale prej 1-0 në takimin e të dielës mbrëma të cilin e zhvilluan si mysafirë të Violas.
Të vetmin gol në ndeshje e shënoi malazezi Mirko Vucinic (82’), për t’ia siguruar skuadrës mysafire tre pikë të plota nga ky takim.
Pas kësaj fitoreje, Roma pozicionohet në vend të dytë në tabelë, me dy pikë më shumë se Milani që mban pozitën e tretë.
















