Interi nuk ka arritur të nxjerrë pikë të plota nga ndeshja e javës së 22-të, të cilën e ka zhvilluar të mërkurën mbrëma kundër Parmës.Takimi i zhvilluar në Stadio Tardini përfundoi me rezultat të barabartë, 1-1.
Valeri Bojinov kaloi vendasit në epërsi (55’), ndërsa Mario Balotelli barazoi për mysafirët (60’), për të vendosur rezultatin përfundimtar të ndeshjes.
Në minutën e 73-të, Parma mbeti me një lojtar më pak në fushë pas përjashtmit të Francesco Valianit me kartonin e dytë të verdhë, mirëpo arriti që ta ruajë rezultatin deri në fund të ndeshjes.
Lideri i tabelës në Ligën Premier, Chelsea, ka pësuar humbje si mysafir i Evertonit.Ndeshja e zhvilluar në Goodison Park, ka përfunduar me rezultat 2-1 në favor të vendasve.
Të parët në epërsi kaluan Blutë në minutën e 17-të, ndërsa realizues ishte Florent Malouda.
Njeriu i ndeshjes, Luis Saha barazoi rezultatin në minutën e 33-të, ndërsa dështoi të krijonte epërsi nga pika e bardhë në fund të pjesës së parë.
Mirëpo, Saha e përmirësoi gabimin e tij në pjesën e dytë, kur arriti ta shënonte golin e epërsisë dhe të fitores për Evertonin.
Kampioni në fuqi i Ligës Premier, Manchester United, nuk ka arritur të nxjerrë më shumë se një pikë në udhëtimin e vështirë të Aston Villa.Takimi i zhvilluar të mërkurën mbrëma në Villa Park përfundoi me rezultat 1-1.
Të parët kaluan në epërsi vendasit me anë të Carlos Javier Cuellar (19’), mirëpo nuk kaloi shumë kohë dhe Djajtë e Kuq e barazuan rezultatin me anë të një autogoli të James Collins (23’).
Duhet përmendur se nga minuta e 29-të, United luajti me dhjetë lojtarë, pasi që portugezi Nani u përjashtua me karton të kuq.
Manchesteri e humbi shansin që ta merrte kreun e tabelës, pasi që Chelsea është mposhtur nga Evertoni, megjithatë e ka ngushtuar diferencën në vetëm një pikë.
Topçinjtë kanë dalë fitues të kryendeshjes së xhiros së 26-të të Ligës Premier.Takimi i zhvilluar të mërkurën mbrëma në Emirates, ndërmjet Arsenalit dhe Liverpoolit, ka përfunduar me fitoren minimale prej 1-0 në favor të vendasve.
Arsenali ishte skuadër dominuese gjatë gjithë takimit dhe me plot meritë arriti deri te goli i fitores.
Goli i vetëm në ndeshje erdhi kur pas një krosimi të Rosickyt, Vassiriki Diaby shënoi në portën e Pepe Reinas (72’).
Pas goli të pësuar, Të Kuqtë sulmuan me të gjitha forcat deri në fund të takimit, mirëpo nuk arritën ta barazojnë rezultatin.
Janë këto tri pikë shumë të rëndësishme për Arsenalin që e kthejnë në garën për titull, duke qenë se Manchester Unitedi barazoi, ndërsa Chelsea pësoi humbje.
Kështu, Topçinjtë ngushtojnë diferencën në gjashtë pikë ndaj liderit Chelsea, ndërsa mbeten pesë pikë prapa kampionit në fuqi.
Sulmuesi i Valencias, David Villa, thotë se nuk do të flasë për të ardhmen e tij derisa të përfundojë Kampionati Botëror 2010.Spanjolli po kërkohet nga shumë skuadra evropiane, siç janë Barcelona, Real Madridi dhe Chelsea, mirëpo sezonin e kaluar Valencia arriti që ta bindë që të mos largohet nga Mestalla.
“Unë nuk do t’u përgjigjem pyetjeve të gazetarëve të cilat nuk kanë të bëjnë me futbollin”.
“Unë po mendoj vetëm për Kampionatin Botëror të qershorit. Vitin e kaluar unë nuk isha i përfshirë në bisedimet për transferim, ndërsa këtë vit dua të flas sa më pak për këtë punë”, ka thënë Villa.
Giorgio Chiellini thotë se lojtarët e Juventusit duhet të punojnë shumë për të dalë nga ky moment negativ i skuadrës bardhezi.“Janë shumë faktorë të cilët përcaktojnë situatën aktuale në të cilën gjendemi, por për të dalë nga kjo duhet të japim 110%, sikurse po mundohemi tash”, ka thënë mbrojtësi bardhezi.
Të dielën, Juventusi është nikoqir i Genoas dhe i gjithë stafi i Zonjës së Vjetër shpreson në fitore.
Mesfushori i Real Madridit, Rafael Van der Vaart, gjatë një konference për shtyp ka thënë se këtë fundjavë do të jetë tifoz i rivalit të qytetit, Atletico Madrid, për të shpresuar që të shënojë fitore kundër liderit të La Ligas, Barcelona.“Fillimisht ne duhet ta mposhtim Xerezin, dhe pasi të fitojmë, do të bëhem tifoz i Atleticos”, ka thënë holandezi.
Van der Vaart shpreson se nëse kjo ndodh, atëherë do të ngushtohet në dy diferenca e pikëve me kampionin në fuqi.
Veç tjerash, mesfushori ka shprehur edhe dëshirën e tij personale që të aktivizohet në ndeshjen kundër Xerezit dhe të shënojë gol, që do të ishte dhurata më e mirë për ditëlindje (të enjten, Van Der Vaart mbush 27 vjet).
Në faqen zyrtare të saj, Barca ka njoftuar se në ndeshjen e fundjavës kundër kryeqytetasve, Guardiola nuk do të mund të llogarisë as në shërbimet e ukrainasit Dmytro Chygrynskiy, i cili është lënduar në stërvitje dhe duhet të pushojë për një javë.
Pique, Marquez, Alves, Abidal dhe Toure nuk janë në dispozicion të trajnerit si pasojë e lëndimeve dhe suspendimeve, ndërsa të vetmit lojtarë defensivë që janë të aftë të luajnë, janë Puyol, Milito dhe Maxwell.
Barcelona ka lëshuar një komunikatë në faqen zyrtare duke mohuar spekulime se ka arritur marrëveshje verbale për transferimin e kapitenit të Arsenalit, Cesc Fabregas, në fund të sezonit aktual.Në 24 orët e fundit, në mediat spanjollë u përhap lajmi, sipas të cilit Barca ka arritur marrëveshje me spanjollin që në fund të sezonit do të luajë në Camp Nou.
Sipas spekulimeve, Fabregas do të nënshkruajë kontratë pesëvjeçare me Blaugranët, ndërsa gjithçka pritet të vendoset ndërmjet të dyja klubeve.
Mirëpo, duke qenë se klubet e kanë të ndaluar të kontaktojnë me lojtarët pa lejet e klubeve të tyre, Barcelona është detyruar të lëshojë komunikatë ku mohon gjithçka që thuhet në media.
Mesfushori i Real Madridit, Guti, ka ripërsëritur dëshirën e tij për t’iu bashkëngjitur Interit, sidomos për faktin që atje luajnë dy nga miqtë e tij, Samuel Eto’o dhe Wesley Sneijder, mirëpo ai është i vendosur që t’i japë fund karrierës në Santiago Bernabeu.“E kam thënë (që dua të luaj tek Inter), sepse Interi është një skuadër e madhe të cilën e përcjell rregullisht me dashuri. Dy nga miqtë e mi më të mirë, Sneijder dhe Eto’o, luajnë atje.
“Samu dhe unë filluam para shumë vitesh kur ishim fëmijë në skuadrën e Capellos. Rrugët tona të futbollit u ndanë, por miqësia mbeti e njëjtë”.
“Sa i përket Wesleyt, po të kisha qenë një drejtor ose trajner i Realit, asnjëherë nuk do ta kisha shitur. Mirëpo skuadra kishte nevoja të ndryshme ekonomike dhe ndodhi ajo që ndodhi”, ka thënë spanjolli për La Gazzetta dello Sport, megjithatë ai nuk mendon se do largohet ndonjëherë nga Los Blancos pasi i ka kaluar 24 vite te ky klub.
“Asnjëherë nuk jam larguar nga Reali dhe mendoj se do ta përfundoj këtu karrierën time në vitin 2011”, ka përfunduar Guti.
Menaxheri i Arsenalit, Arsene Wenger, thotë se nuk është i shqetësuar për spekulimet e fundit të cilat e lidhin kapitenin e këtij ekipi, Casc Fabregas, me një largim drejt Barcelonës.Katalanasit tashmë një kohë janë duke bërë presion në Arsenalin për të lejuar largimin e Cesc Fabregas dhe asnjëra palë, as Barcelona dhe as lojtari, nuk e kanë fshehur dëshirën për t’u ribashkuar.
Mbrëmë mediat spanjolle spekuluan se në mes të Barcelonës dhe Fabregas ekziston një marrëveshje verbale që lojtari të transferohet në Camp Nou në fund të sezonit, por Wenger thotë se nuk është duke u preokupuar me këtë gjë.
“Kjo absolutisht nuk më shqetëson. Ajo që më shqetëson më shumë është se ne përpiqemi në çdo mënyrë të fitojmë diçka. Por, nuk e dimë se çfarë do të ndodhë pas gjashtë muajsh, dy vitesh ose pesë vitesh”, ka thënë Wenger.
Jose Mourinho është duke u përgatitur të përballet me ish-klubin e tij Chelsea dhe ish-rivalin e tij të Milanit, Carlo Ancelotti, dhe thotë se blutë janë po thuajse i njëjti ekip të cilin ai e ka lënë.“Herën e fundit kur isha atje, e përcolla secilin me vëmendje. Madje edhe nxehja para takimit është e njëjtë si në kohën time. Mënyra në të cilën ata mbrohen është e njëjta. Mënyra se si renditen kur ka gjuajtje të lirë është e njëjta. Edhe sistemi i lojës 4-4-2 dhe ndonjëherë 4-3-3 është i njëjti të cilin e kam praktikuar unë”.
“Mendoj se kualiteti i një trajneri të mirë, dhe Ancelotti është trajner i mirë, është të kuptojë lojtarët se në cilin pozicion ndjehen më mirë. Dhe në vend se të bëjë ndryshime të çmendura, duhet shumë pak ta ndryshojë stilin e tashëm, që mjafton për ta ruajtur strukturën fitimtare”, ka thënë Mourinho.
Kapiteni i Manchester United, Gary Neville, beson se Nani mund të ndjekë hapat e Cristiano Ronaldos.Nani nuk e filloi mirë karrierën e tij në Manchester United, ku kaloi dy vite e gjysmë mjaft turbulente. Por në disa takimet e fundit Nani ka treguar një formë të shkëlqyeshme.
“Paraqitjet e Nanit kundër Hull Cityt, Manchester Cityt dhe Arsenalit, ishin fantastike. Ai ka mundësi të pabesueshme dhe kur luan siç luajti kundër Arsenalit, ai është i pandalshëm”
“Njerëzit presin shumë nga futbollistët e ri, por ata kanë nevojë për kohë. Edhe Cristiano Ronaldo pati nevojë për t’u përshtatur në United”, ka thënë Neville.
Lazio ka pohuar se trajneri Davide Ballardini është zëvendësuar me ish-strategun e Napolit, Edy Reja.Ballardini u gjend nën presion të madh pas humbjes minimale 1-0 nga Cattania, pas të cilës Lazio u gjend në zonën e rrezikut, dhe drejtori sportiv Igli Tare që dje e ka informuar atë për shkarkim.
Mëngjesin e sotëm biankocelestët pohuar edhe zyrtarisht se kanë shkarkuar atë dhe në pozitën e tij tash do të jetë Edy Reja.
“Ekipi i Lazios dëshiron të informojë se e ka shkarkuar trajnerin Davide Ballardini dhe personelin e tij. Trajneri Edy Reja e ka marrë nën drejtim ekipin”, thuhet në deklaratën e klubit romak.
Reja ka nënshkruar marrëveshje deri në vitin 2011 me Lazion, ndërsa ndeshja e parë për të do të jetë takimi me Parmën të dielën.
Ish-presidenti i Real Madridit, Ramon Calderon, thotë se Cristiano Ronaldo kishte hedhur poshtë ofertën e Barcelonës për të kaluar në Santiago Bernabeu.Calderon, i cili u largua nga stoli i presidentit të klubit në fillim të vitit të kaluar, ka thënë se Madrid do të kishte dështuar të transferojë Ronaldon nëse lojtari nuk do të kishte dëshirën e flaktë për të luajtur në Bernabeu.
“Cristiano Ronaldo ka arritur marrëveshje që në 8 dhjetor të vitit 2008 me Manchester United për t’u transferuar në Real Madrid. Nuk kishte negociata për këtë, nënshkrimi ishte bërë. Unë e kam bërë pjesën time”, ka thënë ish-presidenti i Realit për Eurosport.
“Barcelona dhe Interi u përpoqën të nënshkruajnë me të. Dihet se Alex Ferguson nuk është një mik i Real Madridit, pasi ata janë rivalë sportiv në trofe dhe në garën evropiane”.
“Nëse ai do të kishte shkuar te Barcelona, do të ishte më mirë për ta pasi do ta zgjidhnin këtë problem dhe do të kishin marrë një lojtar të shkëlqyeshëm nga Real Madridi. Por ishte vendimi i lojtarit që të mos shkojë në një klub tjetër që nuk ishte Real Madrid. Ai i refuzoi ata dhe kjo është e sigurt”, ka shtuar Calderon.
Mesfushori i West Ham United, Valon Behrami, thotë se ndeshja e sotme ndaj Birmingham Cityt është si një finale e Kupës.Kosovari me nënshtetësi zvicerane kërkon nga fansat të krijojnë një atmosferë e cila do t’i stimulojë lojtarët të japin maksimumin në fushë.
“Shpresoj që tifozët do të na japin një ndihmë të madhe, pasi kemi nevojë për ta ndeshjet në shtëpi për të krijuar presion ndaj ekipeve tjera. Kemi nevojë për këtë për momentin, pasi nuk kemi atmosferë të mirë në dhomën e veshjeve pas rezultatit të së shtunës, andaj na duhet mbështetja e publikut”.
“Jemi në një pozitë shumë, shumë të vështirë dhe duhet të luajmë në ndeshjen e të mërkurës si në finale. Duhet të luajmë për 90 minuta, që nga fillimi deri në fund, siç e bëmë në minutat e fundit në Burnley. Kemi nevojë çdo ndeshje ta trajtojmë si finale, pasi situata ka filluar të jetë e rrezikshme”, ka thënë Behrami për faqen zyrtare të klubit
Carmelo Anthony dhe Chauncey Billups janë rikthyer në ekip për të ndihmuar Denver Nuggets të shënojë fitore bindëse ndaj Dallas Mavericks me rezultat 127-91.Te lideri i Divizionit Veriperëndimor, Denver Nuggets, shtatë lojtarë shënuan pikë dy shifrore. Anthony shënoi 19 pikë pasi mungoi tetë ndeshje radhazi për shkak të lëndimit në gju, derisa Billups shënoi 16 pas një ndeshje mungesë. Kjo ishte fitorja e 35-të e sezonit për Denver, që ka 17 humbje.
Humbja ishte e 20-ta për liderin e Divizionit Jugperëndimor, Dallas Mavericks, që mbeten në kuotën e 32 fitoreve. Dirk Nowitzki ishte më i sakti te humbësit, me 17 pikë.
Mesfushori francez Patrick Vieira thotë se ai do t’i ndihmojë Manchester Cityt të përfundojë sezonin në top katërsh.Vieira u angazhua për Cityn në fitoren e mbrëmshme prej 2-0 ndaj Boltonit, fitore kjo që i ndihmoi këtij ekipi të prekë pozitën e katërt, me pikë të barabarta me Liverpoolin.
“Top katërshi është caku ynë dhe vërtet besoj se jemi mjaft të fuqishëm për të përfunduar atje. Ka edhe shumë për t’u luajtur dhe disa ndeshje të mëdha vijnë, por ne vetëm duhet të vazhdojmë të fitojmë dhe të arrijmë në Ligën e Kampionëve”.
“Është hera e parë që kam luajtur 90 minuta për tashmë një kohë. Por kisha kënaqësinë dhe, kur luani me lojtarë kualitativ, është shumë më e lehtë. Ishte e rëndësishme të shënojmë fitore pas humbjes ndaj Hull”, ka thënë Vieira.
Menaxheri i Chelseat, Carlo Ancelotti, thotë se ai dëshiron të përsërisë suksesin e Milanit në Stamford Bridge.Italiani është i gatshëm të zgjerojë dominimin e tij në Evropë, pasi tashmë është lider në Ligën Premier.
“Konkurrenca në Ligën Premier është shumë e fuqishme dhe nuk do të jetë e lehtë. Do ta krahasoja Manchester United me Interin, Arsenalin me Romën dhe Manchester Cityn me Fiorentinën”.
“Por dua ta krahasoj Chelsean me klubin tim të vjetër, Milanin. Nëse mund të arrijmë ndonjë prej arritjeve të kaluara të Milanit, nuk do të ishte aq keq”, ka thënë ish-trajneri i rosonerëve.
Mbrojtësi i Barcelonës, Maxwell, ka thënë se përkundër mungesave të shumta të Blaugranëve në mbrojtje, ata kanë lojtarë për të mbuluar të gjitha pozicionet.“Humbja e lojtarëve është gjithmonë e vështire, sepse humbim kualitetin dhe ritmin, por kemi një skuadër të madhe dhe jemi të përgatitur për këto sfida”.
“Duam të fitojmë një ndeshje tjetër, që do të ishte shumë e rëndësishme. Ne gjithmonë luajmë me qëllimin për të fituar dhe do të ishte një rezultat shumë i mirë (fitorja) me gjithë këto lëndime dhe suspendime”, ka thënë ish-lojtari i Interit për Marca.
















