Mesfushori i Real Madridit, Lassana Diarra, është i vendosur që Los Blancos do ta fitojnë Ligën e Kamionëve këtë sezon.
“Do ta fitojmë. Është një garë e madhe. Ndeshja kundër Lyonit do të jetë e vështirë, sepse atyre iu pëlqen të luajnë kundër skuadrave të mëdha”.
“Ne duhet të jemi të përgatitur që ta shfaqim futbollin tonë”, ka thënë Diarra për Marca.
Francezi ka folur edhe për bashkëlojtarin e tij Sergio Ramos, të cilin e konsideron njërin nga mbrojtësit më të mirë në botë.
“Ai është njëri nga më të mirët, këtë e kam kuptuar që në ditët e mia të para në Madrid. Më pëlqen të luaj krahas tij”, ka shtuar Diarra.
Barcelona do të ketë mungesë të madhe lojtarësh në ndeshjen kundër Atletico Madridit këtë fundjavë, mirëpo Andres Iniesta thotë se katalunasit do të luajnë me lojtarët që kanë në dispozicion.
“Është një situatë e vështirë, sepse kemi mungesa të shumta, mirëpo nganjëherë duhet të përballemi me situata të këtilla, dhe lëndimet janë po ashtu pjesë e futbollit”.
“Do të vazhdojmë tutje me lojtarët që kemi dhe lojtarët nga ekipi i të rinjve, dhe nuk do të mundohemi të nxjerrim arsyetime”, ka thënë mesfushori spanjoll për Sport.
Blaugranët do ta vizitojnë stadiumin Vicente Calderon me mungesa të tilla, si Pique, Chygrynskiy, Marquez, Alves, Abidal etj.
Trajneri i Chelseat, Carlo Ancelotti, nuk ndikohet nga vendimi i trajnerit të përfaqësueses së Anglisë, Fabio Capello, sa i përket çështjes së John Terryt për të qenë kapiten.
Capello ia mori shiritin kapitenit të Anglisë mbrojtësit të Bluve, si pasojë e problemeve në jetën personale të lojtarit, mirëpo Ancelotti është i vendosur që Terry të vazhdojë të udhëheqë Chelsean.
“Terry është një lider me kualitet të lartë, prandaj këto gjëra (çështjet personale) nuk më takojnë mua që t’i kem parasysh”.
“Ai është kapiteni ideal për këtë skuadër. Ai është rritur këtu dhe ka një histori këtu, dhe ai po tregohet i suksesshëm”, ka thënë Ancelotti për Sky Sport Italia.
Mesfushori i Real Madridit, Jose Maria Guti, nuk do të jetë në dispozicion të trajnerit Manuel Pellegrini këtë fundjavë, pas që është lënduar në fushën stërvitore.
Marca njofton se spanjolli ka lënduar nyjën e këmbës së djathtë, ndërsa nuk dihet nëse do të mungojë edhe në ndeshjen e Ligës së Kampionëve kundër Lyonit.
Do të ishte një hendikep i madh për Realin nëse Guti nuk luan kundër Lyonit, me qenë se në ndeshjet e fundit ka qenë në formë të jashtëzakonshme.
Sipas mediave italiane, Milani i ka vendosur ultimatum Ronaldinhos që të fillojë të luajë më mirë, ose përndryshe do të largohet nga Rossonerët.
29-vjeçarit i ka rënë sërish forma dhe për këtë arsye nuk u përfshi në skuadrën e Brazilit që do të zhvillojë ndeshjen miqësore kundër Irlandës, që njëherit lë të kuptohet se ish-lojtari më i mirë në botë do ta ketë shumë të vështirë që të udhëtojë në Afrikën e Jugut nëse luan kështu.
Të enjten, zëvendëspresidenti i Milanit, Adriano Galliani, është takuar me trajnerin Leonardo, të cilit ia ka bërë me dije se kuqezinjtë nuk mund ta tolerojnë një dështim tjetër.
Ndërsa Corriere dello Sport njofton se presidenti i Milanit, Silvio Berlusconi, e ka thirrur Ronaldinhon, nga i cili ka kërkuar që të luajë më mirë kundër Udineses dhe Manchester Unitedit.
Cristiano Ronaldo Cristiano Ronaldo thotë se Liga e Kampionëve është obsesion për Realin e Madridit dhe se mbretërit dëshirojnë që këtë sezon të arrijnë deri te titulli i më të mirit të Evropës.
Klubi mbretëror tashmë pesë sezone nuk arrin ta kalojë 1/8 e finales së garës evropiane, dhe Ronaldo shpreson se këtë vit do të jetë më ndryshe dhe se ata do të mund të luajnë në finalen që zhvillohet në Bernabeu.
“Liga e Kampionëve është obsesion për Realin e Madridit. Të luajmë para fansave tanë në finale do të jetë mrekulli. Por duhet të shkojmë hap pas hapi”, ka thënë Ronaldo.
“Të gjitha takimet janë të balancuara. Inter dhe Chelsea është një ndeshje shumë befasuese dhe të dyja kanë 50-50% gjasa për t’u kualifikuar më tej. Manchester United mund të jetë favorit ndaj Milanit, por rosonerët janë të aftë ta fitojnë gjithkënd. Gjithmonë është vështirë të mposhten ekipet italiane”, ka shtuar portugezi.
Menaxheri i Chelseat, Carlo Ancelotti, e llogarit Arsenalin si kandidat serioz për titullin e Ligës Premier.
Arsenali me fitore ndaj Liverpoolit u rikthye në garën për titullin e Ligës Premier, pasi më herët kishte humbur ndaj Chelseat dhe Manchester United.
“Gjërat shpejt ndryshojnë në futboll, andaj Arsenali kishte një rezultat shumë të mirë. Ata janë rikthyer. Gjashtë pikë nuk janë shumë dhe ata mund ta fitojnë titullin”, ka thënë Ancelotti për Sky Sports News.
Mediat në Angli shkruajnë se Fernando Torres do të mund të rikuperohet më shpejt se parashikimet dhe të rikthehet në fushë në kohë për takimin kundër rivalit për pozitën e katërt, Manchester Cityt.
Torres është jashtë fushe që nga 13 janari kur u lëndua në takimin e Kupës FA kundër Reading. Spanjolli më pas bëri një operacion në Barcelona dhe sipas parashikimeve të para ai duhej të mungonte për shtatë javë.
Por mediat angleze shkruajnë se sulmuesi tashmë ka filluar të vrapojë, me të cilën gjë rriten edhe shpresat që ai të mund të jetë i gatshëm për takimin e vikendit të ardhshëm kundër Cityt.
Torres ka luajtur vetëm 19 ndeshje në të gjitha garat këtë sezon, në të cilin vazhdimisht është shoqëruar nga lëndimet, por edhe më tej është shënuesi më i mirë i Liverpoolit, me 12 gola këtë sezon.
Antonio Valencia thotë se ndeshjet e ardhshme kundër Milanit do të jenë më të rëndësishmet në karrierën e tij.
Mesfushori i kombëtares së Ekuadorit është në pritje të takimit të javës së ardhshme të Ligës së Kampionëve kundër Milanit.
“Dy ndeshjet do të jenë më të mëdhatë në të cilat kam luajtur me klubin. Liga e Kampionëve është një garë e madhe dhe Milani është një prej klubeve më të mëdha. Ata kanë fituar shumë gjatë historisë e tyre dhe e kanë fituar Ligën e Kampionëve shumë herë, kjo do të jetë një test i mirë për ne”, ka thënë Valencia.
Drejtori i Interit, Lele Oriali, ka konfirmuar interesimin e nerazurëve në yllin e Napolit, Marek Hamsik.
Sllovaku tashmë një kohë është lidhur me një kalim te kampionët e Serie A, ndërsa edhe Jose Mourinho së fundi ka dhënë dritë të gjelbër për angazhim të tij.
“Hamsik është një lojtar i mirë dhe ai mund të jetë i dobishëm për ne. Ai nuk do të ishte i mirë vetëm për ne, por për çdo top klub. Ai është një i ri i talentuar, por ende nuk ka negociata”, ka thënë Oriali.
Legjenda e futbollit, Zinedine Zidane, thotë se ylli i Barcelnës, Lionel Messi, i meriton çmimet e fituara si lojtari më i mirë në botë.
Sulmuesi argjentinas fitoi dy çmimet prestigjioze Topi i Artë dhe Lojtari më i Mirë i Vitit në Botë gjatë vitit të kaluar.
“Messi është një lojtar i veçantë, i cili mund ta fitojë i vetëm ndeshjen. Ai e meritoi ta fitojë çmimin Topi i Artë”, ka thënë Zizou.
Trajneri i Interit, Jose Mourinho, thotë se rivali i radhës në Ligën e Kampionëve, Chelsea, mund të bëhet kampion i ri evropian këtë sezon.
Mourinho do të përballet me ish-ekipin e tij më 24 shkurt në kuadër të 1/8 së finales së Ligës së Kampionëve.
“A do të bëhet Chelsea kampion evropian? Sigurisht. Kur? Ata gati janë atje. Nëse jo këtë vit, atëherë tjetrin. Por unë jam në gjendje të bëj gjithçka për të mbrojtur klubin ku punoj. Në futboll ka vetëm një mundësi për të mbrosh veten – të fitosh. Dhe unë gjithmonë kam fituar”, ka thënë Mourinho në një intervistë të fundit.
Lëndimi në gju do ta mbajë yllin e Los Angeles Lakers, Kobe Bryant, jashtë takimit të së dielës NBA All-Star në Dallas Cowboys Stadium.
Roja e Philadelphia 76ers, Allen Iverson, po ashtu do të mungojë për ‘arsye personale’, thuhet në ueb faqen e NBA-së.
Bryant në ekipin e Perëndimit do të zëvendësohet nga roja e Dallas Mavericks, Jason Kidd, derisa David Lee nga New York Knicks do të marrë vendin e Iverson në Lindje.
Trajnerët e ndeshjes, George Karl për ekipin e Perëndimit dhe Stan Van Gundy për atë të Lindjes, do të përcaktojnë se cilët lojtarë do të jenë fillestarë në vend të Bryant dhe Iverson.
Kapiteni i Liverpoolit, Steven Gerrard, ndjen se ai po rikthehet në formën e tij më të mirë.
Forma e Gerrard, si edhe ajo e ekipit, ka qenë me ngritje dhe rënie këtë sezon, për shkak të lëndimeve të cilat e kanë parandaluar atë të bëjë paraqitjet inspiruese të cilat ia kanë dhënë reputacionin. Por ai ndjen se tash po i afrohet formës së tij më të mirë.
“Jam vërtet i lumtur me mënyrën me të cilën kam luajtur (në Arsenal), por nuk kam fituar asgjë nga ajo pasi u kthyem pa asgjë. Por forma ime po përmirësohet”, ka thënë 28-vjeçari.
Portieri i Arsenalit, Manuel Almunia, iu ka thënë fansave se ata mund të llogarisin në kapitenin Cesc Fabregas, pavarësisht spekulimeve të vazhdueshme të cilat e lidhin atë me një kalim në kampionatin spanjoll.
Emri i 21-vjeçarit vazhdimisht përmendet nga personat të cilët shpresojnë pozitën e presidentit të klubit të Barcelonës, zgjedhje këto që do të mbahen në verë. Megjithatë Almunia ka kritikuar këtë dukuri në vendlindjen e tij.
“Presidentët dhe njerëzit e klubit flasim tepër shumë. Ata janë në shtyp më shumë seç duhen të ishin. Në Angli, kurrë nuk kam parë drejtorë në shtyp dhe kjo është shumë e çuditshme për mua”, ka thënë Almunia.
Festa e kryeqytetasve Edhe pse ka pësuar humbje me rezultat 3-2 si mysafir i Racing Santanderit, Atletico Madridi është kualifikuar në finale të Copa del Rey, falë fitores së thellë në ndeshjen e parë gjysmëfinale.
Takimi i parë i zhvilluar në Vicente Calderon, përfundoi me rezultat 4-0 në favor të kryeqytetasve, që do të thotë se Atletico kualifikohet në finale me rezultat të përgjithshëm 6-3.
Santanderi arriti ta përmbyste rezultat prej 2-1 të mysafirëve, përkundër se nga minuta e 69-të luajti me një lojtar më pak në fushë, mirëpo kjo nuk mjaftoi për të siguruar finalen.
Finalisti tjetër i Kupës së Mbretit është Sevilla, pasi e ka eliminuar Getafen me rezultat të përgjithshëm 2-1 (2-0 dhe 0-1).
Mesfushori francez, Patrick Vieira, ka thënë se është dashur të luante për Real Madridin atëherë kur e ka pasur mundësinë.
Në një intervistë me So Foot Magazine, lojtari i Manchester Cityt ka thënë se e vetmja gjë që do ta ndryshonte në karrierën e tij është që të kishte luajtur për Los Blancos.
Vieira është kërkuar nga Reali në kohën kur po i skadonte qëndrimi tek Arsenali, ndërsa më pas ai iu bashkëngjit Juventusit.
Arsyeja që francezi refuzoi Mbretërit kishin qenë fjalët e Claude Makelele dhe frika se të gjithë do të ktheheshin kundër tij në Bernabeu.
Sipas njoftimeve më të reja nga kryeqyteti italian, kapiteni i Romës, Francesco Totti, mund të detyrohet t’i nënshtrohet operimit të gjurit.
Stafi mjekësor i Giallorossëve ka zbuluar një defekt në gjurin e 33-vjeçarit, ndërsa forzaroma.info njofton se ata po mundohen që ta trajtojnë këtë problem me anë të barnave anti-inflamatore.
Mirëpo, nëse problemi është serioz, siç mendon një pjesë e stafit mjekësor, atëherë sulmuesi italian do të ketë nevojë për ndërhyrje kirurgjike për ta trajtuar këtë problem.
Kjo do të thoshte se Totti do të duhej të qëndronte gjatë kohë jashtë fushe, ndërsa pjesëmarrja në Kampionatin Botëror do të ishte e pamundur.