Cristiano Ronaldo shënoi dygolëshViktima e radhës e madrilenëve ishte Xerez.
Real Madridi ka shënuar fitore prej 0-3 kundër klubit të fundit në tabelë Xerez.
Xerez u mbajt mirë në pjesën e parë duke mos pranuar asnjë gol, por në pjesën e dytë kapituloi duke pranuar tre gola për 7 minuta.
Në minutën e 64 Alvaro Arbeloa e kalon Realin në epërsi. Më pas erdhi një dygolësh i Cristiano Ronaldos (69 dhe 71).
Me këtë fitore Reali mbetet në vendin e dytë me 53 pikë të tubuara, dy më pak se Barcelona që është në vendin e parë dhe që nesër e zhvillon ndeshjen kundër Atletico Madridit.
Mario GomezBayern Munchen nuk ka të ndalur. Viktima e radhës ishte Borussia Dortmund që u mposht në duelin e javës në Bundesligë me rezultat 3-1.
Dortmund filloi mirë takimin, por në fraksionin e dytë pësoi fiasko.
Mohammed Zidan në minutën e 5 shënoi për 1-0 nga një pozitë tejet e vështirë pasi kali Van Buytenin.
Pas 21 minutash lojë, Van Bommel u tregua i pamëshirshëm për 1-1.
Në pjesën e dytë Bayerni u tregua energjik dhe fatal për mysafirët.
Arjen Robben vazhdon me shkëlqimet e tij, pasi që shënoi në minutën e 50 për 2-1.
Super sulmuesi gjerman Mario Gomez përfundoi dilemën e takimit kur shënon për 3-1.
Bayern Munchen ka pikë të njëjta me Leverkusenin në tabelë, dhe të dyja skuadrat janë në pozitën e parë me nga 48 pikë.
Autori i dy golave për Romën, Matteo Brighi Roma ka shënuar fitore të lartë me rezultat 4-1 ndaj Palermos në Olimpico, për të rimarrë pozitën e dytë të tabelës së Serie A.
Të zgjedhurit e trajnerit Claudio Ranieri kaluan në epërsi që në pjesën e parë me anë të golit të Matteo Brighi pas 33 minutash lojë. Julio Baptista dyfishoi rezultatin për vendasit në minutën e 53-të, nëntë minuta para se Brighi të shënojë edhe golin e tij të dytë (62’).
Mysafirët e ngushtuan disavantazhin falë penaltisë së shndërruar në gol nga kapiteni Fabrizio Miccoli, por romakët shënuan edhe një herë me anë të John Arne Riise.
Me tre pikët e reja Roma ngjitet në pozitën e dytë me 47 pikë, dy më shumë se Milani që ndodhet në pozitën e tretë me një ndeshje më pak.
Autori i golit të parë, Stefan Reinartz Bayer Leverkusen ka krijuar tre pikë epërsi ndaj Bayern Munich në krye të tabelës së Bundesligës gjermane, pasi shënoi fitore me rezultat 2-1 ndaj kampionit në fuqi, Wolfsburg.
Pas pjesës së parë pa gola, lideri i tabelës kaloi në epërsi përmes Stefan Reinartz me të filluar pjesa e dytë (48’), për të dyfishuar epërsinë 20 minuta më pas me anë të Andre Lenz (68’).
Edin Dzeko shënoi për Wolfsburg 11 minuta para fundit të kohës së rregullt, por kjo nuk mjaftoi për tu sjellë kampionëve ndonjë pikë.
Ekipi i trajnerit Jupp Heyncke, që mbetet i vetmi ekip i pamposhtur në Bundesliga, tash mbledh 48 pikë, tre më shumë se Bayern Munich, që më vonë pret në shtëpi Borussia Dortmund.
Një takim tjetër interesant në Bundesliga, ishte fitorja 5-1 e Werder Bremen në udhëtim te Hanover 96.
Ruud van Nisterlooy - Hamburg Ish-sulmuesi i Real Madridit, Ruud van Nistelrooy ka gjetur portën dy herë për të ndihmuar ekipin e tij të ri, Hamburg, të shënojë fitore me rezultat 3-1 në fushë të Stuttgart.
Holandezi, i cili debutoi për Hamburgun vetëm disa minuta në ndeshjen e kaluar kundër Koln, u fut në lojë si zëvendësues në pjesën e dytë të takimit të sotëm dhe shpërtheu duke shënuar dy gola (75’ dhe 77’) të shpejt që i dhanë edhe fitoren ekipit të tij në derbin e Bundesligës.
Hamburg kishte kaluar në epërsi që në pjesë të parë me golin e Marcus Berg, ndërsa vendasit e Stuttgart barazuan 10 minuta në pjesë të dytë me anë të Christian Trasch (55’), para se Nistelrooy të shënonte dy golat e fitores.
Nistelrooy është golashënuesi i dytë më i mirë në Ligën e Kampionëve, ndërsa ka qenë golashënues më i mirë në tre kampionate të ndryshme, holandez, anglez dhe spanjoll.
Autori i golit të parë, Didier Drogba Chelsea ka arritur të kualifikohet në çerekfinale të Kupës FA pasi ka mposhtur Cardiff Cityn me rezultat 4-1 në Stamford Bridge.
Nuk kaluan as dy minuta lojë dhe Didier Drogba hapi serinë e golave për blutë, por mysafirët nga Cardiff nuk u dorëzuan dhe kjo iu shpërblye kur barazuan në minutën e 34-të me anë të Michael Chopra.
Chelsea riktheu epërsinë në pjesën e dytë me anë të Michael Ballack (51’), para se Daniel Sturridge ta ngrejë atë në 3-1 (69’). Rezultatin e vulosi një gol i vonshëm i shënuar nga zëvendësuesi Salomon Kalou (86’).
Biletën për në tetëshen e fundit të Kupës e ka siguruar edhe Portsmouth që ka mposhtur në fushë mysafire ekipin e Southampton.
Mesfushori i Juventusit, Diego, thotë se biankonerët së shpejti do të përmirësojnë lojën e tyre, por kanë nevojë për kohë për t’iu përshtatur sistemit të trajnerit të ri.
Edhe largimi i Ciro Ferraras dhe ardhja e Alberto Zaccheronit nuk ka sjellë rezultate të mira për Juventusin, por Diego thotë se lojtarët janë duke iu përshtatur stilit të ri të lojës.
“Ekipi ka kaluar nëpër disa ndryshime dhe ne jemi duke u përshtatur në këtë stil të ri. Kjo do të jetë ndeshja e tretë me trajnerin e ri, e dyta në fushë vendore, dhe kemi punuar shumë për të rikthyer ekipin në rrugë të duhur. Jam i bindur se do të fillojmë një rrugë të re të suksesshme për Juventusin”, ka shkruar Diego në faqen e tij zyrtare.
Trajneri i Milanit, Leonardo, është i ngazëllyer me fitoren e mbrëmshme prej 3-2 ndaj Udineses në kuadër të Serie A.
Alexandre Pato u rikthye duke shënuar një gol, ndërsa edhe Klaas-Jan Huntelaar shkëlqeu duke shënuar dy gola për rosonerët, të cilët të martën do të kenë një përballje të vështirë në Ligën e Kampionëve përballë Manchester United.
“Ka shumë gjëra pozitive, para së gjithash fitorja. Me kalimin e kohës fitoret vijnë më lehtë. Ishte shumë e rëndësishme të shohësh urinë për fitore, edhe kur kishte pengesa, si goli që pranuam para pauzës”.
“Alessandro Nesta ka bërë një paraqitje të shkëlqyeshme dhe Alexandre Pato është rikthyer nga lëndimi i gjatë, pa humbur asnjë prej aftësive dhe ritmit të tij. Ka shumë për të qenë të lumtur”, ka thënë Leonardo.
Ylli i Real Madridit, Cristiano Ronaldo, nuk ka dyshime se bashkëlojtari i tij Kaka do të dëshmojë vlerat e tij te klubi spanjoll.
Ndryshe nga ish-ylli i Manchester United, Kaka ka dështuar të tregojë formën e tij që kur arriti në Madrid nga Milani gjatë verës.
“Disa lojtarë kanë më shumë nevojë për kohë për t’u adoptuar. Mendoj në Benzema, për shembull. Por në rastin e Kaka ka qenë më shumë problemi i hernies se sa ankthi që e ka ndaluar atë”.
“Kemi filluar të shohim talentin e tij, tash që problemet fizike janë tejkaluar dhe ai ndjehet shumë më mirë. Kaka do t’ia dalë mirë këtu, pasi ai është një lojtar i jashtëzakonshëm, një person i shkëlqyeshëm dhe pasi kualitetet nuk humben brenda një muaji”, ka thënë Ronaldo.
Guus Hiddink ka pohuar në një intervistë për De Teelgraaf se ai nuk do të jetë përzgjedhës i Rusisë pasi marrëveshja e tij do të skadojë më 30 qershor.
Hiddink e udhëhoqi Rusinë në Euro 2008, por dështoi të sigurojë vend në Kupën Botërore, Afrika e Jugut 2010.
“Vendosëm të largohem nga përzgjedhësja e Rusisë kur marrëveshja ime të skadojë më 30 qershor. Për këtë kemi vendosur që tash, me qëllim që t’i japim kohë të mjaftueshme federatës të gjejë një zëvendësim të përshtatshëm për mua”, ka thënë Hiddink për Telegrafin holandez.
Mediat spekulojnë se Manchester City, Liverpooli, Juventusi, përzgjedhësja e Turqisë dhe Nigerisë janë të interesuar për shërbimet e Hiddink.
Lojërat Olimpike - Lojerat Olimpike Lojërat Olimpike Dimërore Vankuveri 2010 kanë filluar mbrëmë nën hijen e vdekjes tragjike të sportistit gjeorgjian, Nodar Kumaritashvili.
Ceremonia madhështore e hapjes së Olimpiadës së 21-të dimërore u zhvilluara para 55 mijë të pranishmëve në stadiumin BC Place në Vancouver, edhe pse e gjithë mbrëmja ka kaluar me atmosferë emocionuese.
Mbrëmja nuk la shumë hapësirë për festë, pasi 22-vjeçari Nodar Kumaritashvili dje humbi jetën tragjikisht gjatë provave me sajë.
Në mesin e afro 2500 sportistëve që parakaluan në stadium, ishin edhe ata të përfaqësueses së Gjeorgjisë, të cilët dolën para publikut me shirita të zeza në krahë, ndërsa për herë të parë në historinë e hapjes së lojërave olimpike, flamuri është ngritur në gjysmështizë.
Lojërat olimpike i shpalli të hapura Guvernatorja Gjenerale e Kanadasë, Michaelle Jean, ndërsa zjarrin e kanë ndezur katër sportistë kanadez, që u shoqërua edhe me probleme teknike, kur njëri nga katër pishtarët nuk u ndez.
Sulmuesi i Chelseat, Didier Drogba, është i vendosur ta mposhtë sulmuesin e Manchester United, Wayne Rooney, për çmimin Këpuca e Artë e këtij sezoni.
Rooney ka shënuar 23 gola në krahasim me Drogba që ka shënuar 22 në të gjitha garat. Në Premier, Rooney ka 21 gola, ndërsa Drogba 17.
“Gara në mes meje dhe Rooneyt do të jetë e bukur dhe është objektiv i imi të arrij të përfundoj i pari. Nuk mendoj për numrin e saktë të golave të cilët më duhen. Por do të jetë e patjetërsueshme për mua të kaloj 30-shin nëse dua të jem numër 1, dhe kjo është e mundshme”, ka thënë Drogba.
Sulmuesi i Bordeaux, Marouane Chamakh, raportohet se ka nënshkruar një para-kontratë me Arsenalin.
The Sun shkruan se Chamakh do të jetë lojtar i Arsenalit këtë verë, pasi i ka thënë po kontratës katërvjeçare të vlefshme 10.4 milionë funte.
Kjo do të thotë që Arsene Wenger të harxhojë 50 mijë funte në javë për lojtarin për të cilin beson se mund të jetë ‘Emmanuel Adebayor i ri’.
Ylli i Bordeaux do të jetë lojtar i lirë në fund të sezonit, dhe ka refuzuar ofertë më të madhe nga Liverpooli për të nënshkruar marrëveshjen me topçinjtë. Liverpooli i kishte ofruar 10 mijë funte më shumë në javë 26-vjeçarit.
Menaxheri i Tottenhamit, Harry Redknapp, thotë se triumfi në Kupën FA këtë sezon është prioritet.
Redknapp nuk është duke e marrë lehtë ndeshjen e radhës të Kupës FA në udhëtim te Bolton Wanderers. Pas eliminimit të Manchester United, Arsenal dhe Liverpool, kupa paraqet në mundësi shumë të mirë për Spurs.
“Është një prioritet i madh për ne. Ne dëshirojmë të jemi në Wembley këtë vit, andaj kjo është një ndeshje e madhe. Ne ende jemi në garë për pozitën e katërt, por dëshirojmë të jemi në Kupë. Është një mundësi e madhe për ne”, ka thënë Redknapp.
Ish-kapiteni i Arsenalit, Patrick Vieira Mesfushori i Manchester Cityt, Patrick Vieira, thotë se titulli është në duart e Chelseat.
Ish-kapiteni i Arsenalit, i cili është huazuar te City deri në fund të sezonit nga Inter, i vlerëson blutë si më të kompletuarit në Ligën Premier.
“Chelsea mbetet favorit për titullin. Është ekipi më i kompletuar taktikisht dhe fizikisht. Dhe, si ekip, edhe nëse Arsenali luan në formën më të mirë, Chelsea dhe Manchester United janë para tyre”, ka thënë francezi.
Sergio Canales Real Madridi ka njoftuar zyrtarisht se ka nënshkruar me mesfushorin ofensiv Sergio Canales nga Racing Santander.
Mediat spanjolle kanë spekuluar më herët për këtë transferim, mirëpo disa detaje kanë shtyrë nënshkrimin zyrtar të kontratës.
“Real Madridi dhe Racing Santanderi kanë arritur marrëveshje për transferimin e Sergio Canales Madrazo. Kontrata e cila do ta lidhë lojtarin me Real Madridin për gjashtë sezonet e ardhshme, do të vijë në fuqi nga 1 korriku 2010”, shkruan në deklaratën zyrtare të klubit madrilen.
Sipas të përditshmes Marca, Reali do të paguajë 5 milionë euro për Canales, ndërsa në sezonin e ardhshëm do ta huazojë sërish te Santander.
Nodar Kumaritashvili Ende pa filluar zyrtarisht Olimpiada Dimërore, Vancouver 2010, ka ndodhur një incident tragjik. Atleti gjeorgjian Nodar Kumaritashvili ka humbur jetën gjatë provave, pasi ka dalë nga pista dhe ka goditur një shtyllë.
Stafi mjekësor i pranishëm ka reaguar menjëherë, ndërsa më pas sportisti është dërguar në spital ku ka vdekur.
Pas tri ndeshjeve pa fitore, Rossonerët kanë arritur të arkëtojnë tre pikë të plota në përballjen kundër Udines.
Takimi i parë i javës së 24 në Serie A, i zhvilluar në San Siro ndërmjet Milanit dhe Udineses, ka përfunduar me rezultat 3-2 në favor të vendasve.
Klaas-Jan Huntelaar kaloi kuqezinjtë në epërsi pas një krosimi të Ronaldinhos (7’), ndërsa i rikthyeri nga lëndimi, Alexandre Pato dyfishoi rezultatin (39’), ndërsa ishte sërish Dinho asistues.
Pa përfunduar pjesa e parë (45’+1), Antonio Floro Flores ngushtoi epërsinë pas një harkimi të Antonio Di Natales.
Huntelaar u shënua në listën e golashënuesve edhe në pjesën e dytë (57’) duke shënuar golin e tretë të Milanit, pas një topi të kthyer dobët nga Coda, pas goditjes së Ronaldinhos nga gjuajtja e lirë.
Krejt çka bënë mysafirët deri në fund të ndeshjes, ishte një gol i shënuar nga Toto Di Natale (87’) për ta ngushtuar epërsinë në 3-2.
Nurnbergu ka pësuar humbje si mysafir i Monchengladbachut me rezultat 2-1.
Vendasit krijuan epërsi në minutën e 27-të, ndërsa me të filluar pjesa e dytë (47’), shqiptari me pasaportë zvicerane, Albert Bunjaku, barazoi rezultatin.
Megjithatë, ky gol nuk mjaftoi për të nxjerrë rezultat pozitiv nga ky takim, sepse Monchengladbachu shënoi edhe njëherë (74’) për të fituar ndeshjen.
Këtë vikend Real Madridi do të luajë kundër Xerezit (La Liga), ndërsa në mesjavë kundër Lyonit (Liga e Kampionëve), kurse trajneri Manuel Pellegrini dëshiron t’i merr gjërat një nga një.
“Vëmendja e skuadrës është njëherë te Xerezi, e pastaj te Lyoni. Është shumë me rëndësi të mbetemi të fokusuar te Xerezi, për faktin se gjendet në fund të tabelës”, ka thënë Pellegrini.
Kiliani shpreson që rikthimi i Cristiano Ronaldos t’i shërbejë skuadrës, dhe pret nga ai që të luajë sikurse para suspendimit.
Mesfushori i Arsenalit, Andrei Arshavin, do të mungojë në ndeshjen e Ligës së Kampionëve kundër Portos.
Lojtari rus ka probleme me tendinin e gjurit, si pasojë e një lëndimi që pësoi në ndeshjen kundër Liverpoolit.
Ndërsa, edhe pse ekzaminimet mjekësore kanë treguar se lëndimi nuk është aq serioz, megjithatë pritet që Arshavin të mos luajë kundër skuadrës portugeze.
“Nëse gjithçka shkon mirë do të kthehem në fushë që në ndeshjen e Ligës Premier kundër Sunderlandit”.
“Megjithatë, do të mungoj në takimin kundër Portos në Ligën e Kampionëve”, ka thënë Arshavin për Sport Express.
Trajneri i Fiorentinas, Cesare Prandelli, ka thënë se ende nuk është koha që të flasë për të ardhmen e tij, dhe se këtë do ta bëjë pasi të bisedojë me drejtuesit e skuadrës vjollce në pranverë.
Thashethemet vazhdojnë të flasin për largimin e Prandellit nga Viola në fund të sezonit aktual, ndërsa sipas spekulimeve më të reja, ai mund ta drejtojë Juventusin nga sezoni i ardhshëm.
“E ardhmja ime? Me klubin jemi marrë vesh që të ulemi në një takim në pranverë dhe do të shohim se çfarë do të ndodhë. Tash për tash nuk është e drejtë dhe e përshtatshme që të flasim për gjëra të tilla”, ka thënë strategu në një konferencë për shtyp.