Silvestre Varela feston golin e parë. Arsenali ishte mysafir i Portos në stadiumin Dragao për të zhvilluar ndeshjen e parë të 1/8 së finales të Ligës së Kampionëve, takimi i cili përfundoi me fitoren e portugezve me rezultat 2-1.
Vendasit kaluan të parët në epërsi, kur pas një goditje të Silvestre Varela, gaboi rëndë portieri Fabianski për t’ia dhuruar një gol skuadrës portugeze (11’).
Nga ana tjetër, i kthyeri te Arsenali, Sol Campbell, arriti që me kokë ta mposhtë portierin vendas (18’) për të baraspeshuar ndeshjen, ndërsa me rezultatin 1-1 përfundoi pjesa e parë.
Është interesante të thuhet se Cambell takimin e fundit në Ligën e Kampionëve e kishte luajtur në finalen e vitit 2006 kundër Barcelonës dhe kishte shënuar edhe në atë ndeshje, të cilën Arsenali e humbi 2-1.
Në pjesën e dytë, lojtarët vendas u treguan mjaft dinakë, dhe Falcao realizoi golin e dytë (51’), i cili rezultoi të ishte goli i fitores, pasi që deri në fund të takimit Topçinjtë nuk arritën të barazojnë shifrat.
Sido që të jetë, ndeshja kthyese do të zhvillohet në Emirates dhe Arsenali do ta ketë mundësinë që ta përmbysë këtë disavantazh.
Njëri nga lojtarët më të mirë në ndeshje, Arjen Robben. Bayern Munichu dhe Fiorentina janë takuar në Allianz Arena për të zhvilluar përballjen e parë të të tetës së finales të Ligës së Kampionëve, ndërsa më të suksesshëm nga ky takim dolën lojtarët vendas të cilët fituan me rezultat 2-1.
Pjesa e parë e takimit ishte sadopak e baraspeshuar, sidomos minutat e para të saj, mirëpo vendasit dalëngadalë shtuan presionin ndaj portës së Sebastian Freit.
Një aksion i bukur i Robben, Gomez dhe Ribbery rezultoi me penallti në favor të bavarezëve, pas ndërhyrjes në anësorin francez.
Ndërsa nga pika e bardhë i pagabueshëm ishte Arjen Robben (45’+3), i cili vendosi rezultatin përfundimtar të pjesës së parë.
Në pjesën e dytë, Fiorentina reagoi për të barazuar rezultatin. Pas një goditje nga këndi të Marco Marchionnit më së miri brenda gjashtëmbëdhjetëmetërshit u gjet Per Billeskov Kroldrup, i cili barazoi shifrat (50’).
Nga minuta e 73-të gjërat u vështirësuan për skuadrën mysafire, pasi që Massimo Gobbi u përjashtua me karton të kuq pas një ndërhyrjeje në Arjen Robben.
Goli i fitores për bavaraezët erdhi nga pozita jashtë loje, kur Miroslav Klose shënoi me kokë në portën e Frei (89’).
Ky rezultat lë gjithçka të hapur, duke qenë se ndeshja kthyese zhvillohet në Artemio Franchi, ndërsa Fiorentina ka shënuar një gol në terren mysafir.
Anësori i Bayern Munichut, Franck Ribery, thotë se suksesi i bavarezëve në Ligën e Kampionëve do të jetë vendimtar për të ardhmen e tij.
Mesfushori francez kërkohet nga shumë skuadra evropiane, përfshirë Real Madridin, Barcelonën, Chelsean dhe Manchester Unitedin, ndërsa Bayerni nuk dëshiron të lejojë largimin e tij, së paku deri sa kontrata e tij është valide (2011).
“Rezultatet tona në Ligën e Kampionëve, patjetër që do të ndikojnë në vendimin tim. Për mua potenciali futbollistik është gjëja më e rëndësishme. Kur shoh se si luan skuadra, besoj se kemi gjasa reale”.
“Ndoshta nuk kemi skuadër të fortë si Barcelona dhe Real Madridi, por nëse të gjithë janë në formë, kemi skuadër e cila mund të luajë në nivele të larta”, ka thënë francezi për Sport Bild.
Mesfushori i Manchester Unitedit, Michael Carrick, thotë se Djajtë e Kuq janë favoritë për t’u kualifikuar në çerekfinale të Ligës së Kampionëve, pas fitores prej 3-2 në San Siro kundër Milanit.
“Padyshim që ne konsiderohemi si favoritë për të vazhduar tutje, por ne e dimë se sa i rëndësishëm është fillimi i ndeshjes kthyese”.
“Nëse mund të shënojmë golin e radhës, atëherë do të jemi në pozitë të mirë, por siç po qëndrojnë gjërat aktualisht, ende është një lloj baraspeshe”, ka thënë Carrick por faqen zyrtare të FIFA-s.
Mesfushori anglez ka folur edhe për formën e jashtëzakonshme të Wayne Rooneyt duke e konsideruar ‘fenomenal’ në ndeshjen kundër Rossonerëve.
Sulmuesi i Flamengos, Adriano, ka thënë se në të ardhmen e afërt mund të kthehet në Serie A për të luajtur te Roma.
Në një intervistë për Sky TG 24, braziliani ka shpjeguar se nuk ka qenë Jose Mourinho arsyeja e largimi të tij nga Inter.
“Kur e shoh Interin duke luajtur unë bëj tifo për ta. Nuk kam pasur probleme me Mourinhon. Ai më ka ndihmuar shumë. Ai më ka trajtuar mirë dhe nganjëherë keq, nëse donte të më stimulojë”.
“A kam dashur t’i bashkëngjitëm Romës? Po, kam biseduar me ta, por tash për tash po mendoj vetëm për Flamengon dhe Kampionatin Botëror”.
“Por, pastaj mund të kthehem në Itali. Sinqerisht, Roma është një qytet i bukur me një skuadër të shkëlqyer. Do të më pëlqente të luaja me Tottin”, ka thënë 28-vjeçari.
Real Madridi u mposht me rezultat 1-0 nga Lyoni në ndeshjen e parë të fazës së eliminimit direkt të Ligës së Kampionëve, ndërsa portieri Iker Casillas thotë se Los Blancos janë të shqetësuar për paraqitjen e dobët që bënë në Stade de Gerland.
“Është hera e tretë që po shkojmë atje dhe nuk kemi arritur të nxjerrim rezultat pozitiv”.
“Rezultati është shqetësues, sepse nuk pritnim që të humbim. Shpresuam që të nxjerrim një rezultat shumë pozitiv”, citohet portieri spanjoll nga AS.
Megjithatë, Casillas është shprehur optimist për ndeshjen e kthimit duke qenë se Los Blancos do të kenë edhe mbështetjen e fansave.
Wayne Rooney është sikurse superylli i Real Madridit, Cristiano Ronaldo dhe asi i Barcelonës, Lionel Messi- thotë trajneri i Manchester Unitedit, Sir Alex Ferguson.
Sulmuesi anglez është në top-formë këtë sezon, ndërsa mbrëmë siguroi fitoren e Djajve të Kuq në San Siro kundër Milanit, dhe Fergie nuk ka hezituar ta përfshijë atë në kategorinë e lojtarëve më të mirë në botë.
“Rooney doemos duhet të krahasohet me Messin dhe Cristiano Ronaldon, sepse ai ka kualitete të mëdha dhe e dëshmoi këtë kundër Milanit. Kjo është arsyeja që ai është në nivel të njëjtë me këta lojtarë”, ka thënë Fergie për TVI24.
Sulmuesi i Interit, Samuel Eto’o, thotë se i mungon klubi i mëparshëm, Barcelona, por shpreson ta përsërisë suksesin e atjeshëm edhe me zikaltrit.
Kamerunasi iu bashkëngjit Nerazzurrëve verën që shkoi si pjesë e marrëveshjes për transferimin e Zlatan Ibrahimovicit në drejtim të kundërt, ndërsa këtë sezon ka arritur të shënojë 10 gola.
“Ishte vështirë (të largohesha) pas 13 vitesh në Spanjë dhe më mungon jeta që kam pasur te Barcelona”
“Por përkundër këtyre vështirësive, po mundohem të adaptohem me realitetin në Milano. Qëllimi im është që të fitoj me Interin të njëjtat trofe që i kam fituar me Barcelonën”, ka thënë Eto’o për World Soccer.
Menaxheri i Arsenalit, Arsene Wenger, pret që të tria skuadrat angleze të kualifikohen në çerekfinale të Ligës së Kampionëve.
Manchester Unitedi mposhti Milanin në San Siro me rezultat 3-2 në ndeshjen e parë të 1/8 së finales, Arsenali sonte ndeshet me Porton, ndërsa Chelsea ka për kundërshtar Interin, me të cilin do të përballet javën që vjen.
“Pres që të tria skuadrat angleze të vazhdojnë tutje... (Por) e di se do të jetë vështirë për të tria ekipet”.
“Ndoshta Man United ka një avantazh të vogël ndaj Milanit, por në dy ndeshjet tjera do të jetë shumë vështirë”, ka thënë Wenger për faqen zyrtare të tij.
Federata Turke e Futbollit ka pohuar se Guus Hiddink do ta drejtojë kombëtaren në dy vitet e ardhshme, ku përfshihen kualifikimet për në Euro 2012.
Holandezi vendosi ta pranojë ofertën e Turqisë, pasi u bë e qartë se ai nuk do ta vazhdojë marrëveshjen me kombëtaren e Rusisë.
“Holandezi Guus Hiddink, ka pranuar ta marrë kreun e kombëtares së Turqisë deri në gusht 2012, pasi bëri të ditur se nuk do ta vazhdojë marrëveshjen me Federatën e Futbollit të Rusisë, që do të përfundojë më 30 qershor”, thuhet në deklaratën e FFT.
“Strategu 63-vjeçar është pajtuar të nënshkruajë marrëveshje dyvjeçare me opsion që kjo të vazhdohet edhe për dy vite të tjera”, thuhet më tej në deklaratë.
Ky do të jetë qëndrimi i dytë i Hiddink në Turqi, pasi strategu holandez kishte drejtuar ekipin e Fenerbahce në sezonin 1990-91.
Kampioni i Spanjës, Evropës dhe Botës, Barcelona, raportohet se është e gatshme ta shesë sulmuesin Thierry Henry në fund të sezonit.
Sportivja spanjolle Marca shkruan se derisa trajneri Pep Guardiola ka respekt të madh për legjendën e Arsenalit, por ai nuk e sheh sulmuesin francezi si pjesë të ekipit të parë.
Henry nuk ka luajtur në tre ndeshjet e fundit në La Liga dhe ka shënuar vetëm dy herë këtë sezon.
Thiago Silva - Milan Mbrojtësi i Milanit, Thiago Silva, thotë se ata duhej ta kishim vrarë Manchester United që në pjesën e parë të takimit të mbrëmshëm.
“Mendoj se ekipi ia doli mirë në pjesën e parë, ne mund të kishim shënuar më shumë gola, por futbolli është i pabesueshëm. Shpresojmë ta ndryshojmë këtë në ndeshjen e kthimit në Old Trafford”.
“Ne duhet të besojmë pasi ende nuk ka përfunduar, një ekip që ka pesë shanse dhe shënon tre herë siç bëri Manchester United sonte, nuk është vështirë të mposhtet. Milani luajti shumë më mirë se Djajtë e Kuq dhe duhet të shkojmë në Manchester ta përsërisim këtë”, ka thënë Silva.
Ylli i Real Madridit, Cristiano Ronaldo, thotë se nuk ka nevojë për shqetësim pas humbjes në takimin e parë të 1/8 së finales së Ligës së Kampionëve në fushë të Lyonit.
Ronaldo vazhdon të jetë pozitiv edhe pas ndeshjes, pavarësisht humbjes minimale, 1-0.
“Nuk ka nevojë të shqetësohemi, humbjet ndodhin në futboll. Ne do të vazhdojmë të besojmë se mund të fitojmë në ndeshjen e dytë dhe të kualifikohemi. Kemi mjaft përvojë. Reali ka humbur në këtë stad në pesë sezonet e kaluara, por kjo do të ndryshojë”, ka thënë Ronaldo.
Trajneri i Milanit, Leonardo, thotë se rosonerët ende kanë gjasa për të kaluar në rundin e ardhshëm të Ligës së Kampionëve, pavarësisht humbjes prej 3-2 në shtëpi ndaj Manchester United.
“Nuk ka përfunduar ende. Ne treguam se mund ta luajmë lojën tonë, ne i shkaktuam Manchester United shumë probleme. Kishte disa momente në ndeshje kur dështuam dhe ata shënuan dy gola”, ka thënë Leonardo.
“Pjesa e parë mund të kishte përfunduar me lehtësi 3-0 për Milanin. Ne pranuam një gol të parë qesharak nga Paul Scholes, në momentin kur Luca Antonini ishte jashtë fushe i lënduar”.
“Ishim më superior në pjesën më të madhe të ndeshjes, por kur ndaluam të marrim ajër, Manchester United arriti të bëjë punën e vet. Kur ata luajnë mirë, ata i shfrytëzojnë shanset, derisa ne krijuam aq shumë dhe shënuam vetëm dy herë”, ka shtuar braziliani.
Mesfushori i Arsenalit, Samir Nasri, ka frikë se topçinjtë kanë ekip shumë të ri për të fituar trofe këtë sezon.
Nasri është pesimist për sukseset këtë sezon dhe mendon se Arsenali ka mungesë të përvojës për të luftuar për trofe.
“Këtë sezon kemi pasur rezultate të këqija në ndeshjet e mëdha. Na mungon përvoja në nivelin më të lartë. Ekipet si United dhe Chelsea kanë më shumë përvojë dhe mund t’ia dalim në këto ndeshje”, ka thënë francezi.
Heroi i Manchester United, Wayne Rooney, thotë se ai ishte humbur gjatë pjesës së parë të fitores së mbrëmshme prej 3-2 ndaj Milanit.
Rooney shënoi dy gola, që të dyja në pjesën e dytë të ndeshjes, të cilët edhe ia siguruan fitoren Manchester United.
“Ishte një fillim zhgënjyes, edhe pse pas kësaj ia dolëm mirë të kthehemi në ndeshje. Është shumë vështirë të vish këtu dhe në pjesën e dytë dolëm dhe merituam ta fitojmë ndeshjen. Me një fjalë, ekipi më i mirë meritoi të fitojë”, ka thënë Rooney.
Por anglezi thotë se ai ishte frustruar nga dominimi i madh i Milanit në pjesën e parë dhe ka thënë se ishte i pakënaqur me arbitrin e ndeshjes.
“Çfarë më ka irrituar? Shumë gjëra. Nuk dua ta them, por disa njerëz nuk e bënin punën e tyre në mënyrën e duhur. Çdokush u irritua, por mora karton të verdhë dhe pastaj mësova nga kjo, dhe ia dola të ndihmoj ekipin të fitojë ndeshje dhe jam i ngazëllyer për këtë”, ka thënë Rooney.
Menaxheri i Manchester United, Sir Alex Ferguson, ka lavdëruar autorin e dy golave Wayne Rooney pas fitores së mbrëmshme ndaj Milanit.
Dy golat e Rooneyt në pjesën e dytë të ndeshjes ishin edhe golat e tij të parë në garën evropiane, që e çon në 25 numrin e golave të shënuara nga anglezi këtë sezon në të gjitha garat.
“Paraqitja e tij në pjesën e dytë ishte forma që Wayne e ka treguar së fundi. Ai është në një formë të tmerrshme. Ata nuk mund ta ndalonin atë. Ata thjesht nuk mund ta ndalonin në pjesën e dytë. Mendoj se ai ishte mahnitës”, ka thënë Ferguson.
Menaxheri i Arsenalit, Arsene Wenger, ka thënë se ai është një fans i madh i sulmuesit të Portos, Hulk.
Krahas Manchester United, edhe Arsenal është lidhur me një transferim të sulmuesit brazilian, pavarësisht faktit se ai aktualisht është duke një suspendim gjashtë mujor në ligën vendore, pasi kishte sulmuar një kamerier dhjetorin e kaluar.
Arsenali sonte udhëton në fushë të Portos në kuadër të rundit të parë eliminator të Ligës së Kampionëve, dhe Wenger paralajmëron se kërcënimi nga kundërshtari vjen pikërisht prej Hulk.
“Hulk është një djalosh i fuqishëm dhe e di se ai ka qenë i suspenduar në ligën portugeze për gjashtë muaj. Por ai ka një rritëm dhe fuqi të llahtarshme, andaj do të duhet ta heshtim atë”, ka thënë Wenger.
Trajneri i Chelseat, Carlo Ancelotti, thotë se ekipi i tij i Chelseat është shumë në ndryshe se modeli i Jose Mourinhos.
Blutë do të përballen me Interin në kuadër të Ligës së Kampionëve në javën e ardhshme, me Carlo Ancelottin që rikthehet te kundërshtari i tij i vjetër, dhe me Mourinhon që pret ish-lojtarët e tij në Giuseppe Meazza.
Duke folur për La Stampa, Ancelotti thotë se blutë kanë ndryshuar, madje edhe nga ekipi i vjetshëm që drejtohej nga Guus Hiddink.
“Ka më shumë stuhi, ne luajmë me më shumë lëvizje tash”, ka thënë Ancelotti, duke e përshkruar Nicolas Anelkan si lojtarin e tij kyç.