Sulmuesi i Flamengos, Adriano, ka konfirmuar se ai ka zhvilluar negociata me Romën për një rikthim në kampionatin italian gjatë muajit të kaluar.
Sulmuesi brazilian i rikthyer në formë, thotë se ai tash është i fokusuar te ekipi i tij aktual, Flamengo, por se mund të rikthehet në Itali më vonë gjatë këtij viti.
“Po, kam biseduar me ta, por tash mendoj vetëm për Flamengo dhe për Kupën Botërore. Por pas kësaj, do të rikthehem në Itali. Sigurisht, Roma është një qytet dhe një ekip i shkëlqyeshëm, do të më pëlqente të luaj me Tottin”, ka thënë Adriano.
Sulmuesi brazilian Robinho do të preferonte më shumë të qëndrojë në Santos se sa të rikthehet në Manchester City.
Pasi dështoi të ketë ndikim në Eastlands pas transferimit rekord të Ligës Premier nga Real Madridi në vitin 2008, braziliani u rikthye në vendlindjen e tij në muajin e kaluar si huazim deri në fund të sezonit.
“Santos është shtëpia ime, ndjehem shkëlqyeshëm këtu. Më pëlqen të luaj për Santos. Jam në vendin tim dhe afër familjes time. Dua të qëndroj këtu për sa më shumë që mundem”, ka thënë Robinho.
“Nëse do të pyetesha unë, do të qëndroja këtu për gjithë karrierën time, por kam kontratë me Manchester City dhe nuk duhet të harroj se klubi është sjellë mirë me mua. Ata më kanë mirëpritur dhe ishte shumë më ndryshe se në Madrid. Ata dëshironin të blejnë lojtar tjetër, dëshironin Cristiano Ronaldon. Ata më trajtuan si asgjë. Isha shumë i lënduar”, ka shtuar braziliani.
Sulmuesi brazilian, Amauri, ka shënuar dy gola për t’i dhënë fitoren 2-1 Juventusit në udhëtim te holandezët e Ajax.
Ishin vendasit që kaluar të parët në epërsi pas 17 minutash lojë me anë të sulmuesit të kombëtares serbe, Miralem Sulejmani, por Amauri reagoi që në pjesën e parë për të barazuar rezultatin (32’).
Braziliani shënoi një gol të dytë pas më pak se një ore lojë (58’), për të vulosur kështu fitoren e biankonerëve në ndeshjen e parë të Ligës së Evropës. Në çastet e fundit të ndeshjes mysafirët mbeten me një lojtar më pak në fushë, pas eliminimit të Hasan Salihamidzic.
Ekipi tjetër holandez që garon në Europa League, Twente, ka shënuar fitore minimale në fushë të vet ndaj Werder Bremen, ndërsa me po të njëjtin rezultat fitore ka shënuar edhe Club Brugge si vendas i spanjollëve të Valencias.
Mesfushori i Barcelonës, Xavi Hernandez, disa herë gjatë karrierës së tij kishte menduar të largohet nga Nou Camp.
Spanjolli ka kaluar gjithë karrierën e tij futbollistike në Barcelona, duke arritur t’iu bëjë ballë edhe momenteve jo të këndshme.
“Shumë herë kam menduar të largohem nga Barcelona. Në vitet e hershme, kur zhvillohesha si lojtar dhe Pep ishte para meje, mendoja për këtë. Isha i ri në ekipin e parë në moshën 17 ose 18 vjeçare, dhe më lëndonin krahasimet me të”.
“Disa vite më herët, e mendova atë përsëri. Gjërat nuk funksiononin, ishte era e Rijkaard. Nuk e di nëse klubi ndonjëherë ka synuar të më shesë mua”, ka thënë Xavi.
Shpresa e Manchester Cityt, Carlos Tevez, do të jetë i gatshëm për derbin e të dielës kundër Liverpoolit.
Manchester Evening News shkruan se sulmuesi argjentinas mund të rikthehet të premten nga Buenos Aires, pasi kishte marrë pushimin e kërkuar për të qenë pranë vajzës së tij të porsalindur Katie, e cila erdhi në jetë më herët se që është pritur.
Trajneri i Cityt, Roberto Mancini, kishte shpresa se shënuesi lider i ekipit do të rikthehej të mërkurën, por duket se ai mund të vonohet deri të premten.
Tevez është stërvitur edhe gjatë qëndrimit të tij në Argjentinë, duke shfrytëzuar programin e këshilluar nga stafi i Cityt.
Sulmuesi i Milanit, Marco Borriello, është i gatshëm për të luajtur në ndeshjen e të dielës kundër Barit.
Për shkak të lëndimit, 27-vjeçari mungoi në takimin e Ligës së Kampionëve kundër Manchester United, të cilën ndeshje Milani e humbi me rezultat 3-2.
Por, sulmuesi, i cili ka shënuar shtatë gola në 14 ndeshje, do të rikthehet për takimin e radhës të rosonerëve.
“Do të rikthehem të dielën. Nuk është e zakonshme që futbollistët të kenë një lloj të tillë të problemit që e pata unë, por kjo më ndodhi mua”, ka thënë Borriello.
Kapiteni i Arsenalit, Cesc Fabregas, është i bindur se ata do ta tejkalojnë diferencën negative të golave nga ndeshja e parë me Porton dhe do të kualifikohen në çerekfinalen e Ligës së Kampionëve.
Topçinjtë u mposhtën me rezultat 2-1 në takimin e mbrëmshëm në udhëtim te ekipi portugez, por kjo nuk është arsye që Fabregas të jetë pesimist për garën evropiane.
“Do të jetë vështirë në ndeshjen e dytë, por besoj se topçinjtë janë të afta ta tejkalojnë këtë deficit dhe të plasohen në çerekfinale. Thjesht do të duhet të shohim se cili ekip është më i fuqishëm”, ka thënë Fabregas.
Yaya Toure dhe Dmytro Chygrynskiy iu janë kthyer stërvitjeve normale me Barcelonën, pasi që janë rikuperuar nga lëndimet e tyre.
Ky është lajm i mirë për trajnerin Pep Guardiola, i cili vazhdon të ketë të lënduar lojtarët, si Eric Abidal, Dani Alves, Xavi Hernandez dhe Seydou Keita.
Ndërkohë Marca njofton se edhe Xavi edhe Alves janë pranë rikthimit, ndërsa pritet të luajnë në ndeshjen e Ligës së Kampionëve kundër Stuttgartit.
Ish-bosi i Milanit, Cesare Maldini, beson se Rossonerët janë në gjendje ta përmbysin rezultatin prej 3-2 në ndeshjen kthyese kundër Manchester Unitedit në Old Trafford.
Milani u mposht në San Siro nga Djajtë e Kuq, ndërsa Maldini beson se asgjë nuk ka marrë fund dhe se kuqezinjtë mund ta eliminojnë Unitedin pas takimit të 10 marsit.
“Milani luajti shumë mirë në gjysmën e parë dhe Huntelaar pati dy raste për të dyfishuar epërsinë. Nuk mendoj se Manchesteri do të luante ashtu po të ishte në disavantazh prej 2-0”.
“Mirëpo, skuadra angleze luajti më mirë në pjesën e dytë falë disa përmirësimeve taktike”.
“Ferguson e ka bërë shumë mirë punën e tij, por jam i sigurt se po të kishte shënuar Milani golin e dytë do të shihnim një ndeshje krejtësisht ndryshe”, ka thënë Maldini për Radioincontro.it.
Superylli i Real Madridit, Cristiano Ronaldo, ka thënë se gjithmonë ka dashur të luajë për klubin mbretëror, për shkak të madhësisë dhe suksesit të Los Blancos.
Gjatë pjesëmarrjes në programin Casta de Campeones të Telemadrid, portugezi ka deklaruar se që në fëmijëri ka ëndërruar ta veshë fanellën e Realit.“Gjithmonë kam dashur të luaj te Real Madridi, për shkak të madhësisë dhe suksesit të klubit”.
“Nuk dija se çfarë të them gjatë prezantimit. Gjithçka shkoi mirë. Ndoshta nuk jam dukur i emocionuar, por unë isha shumë i emocionuar”.
“Këtu ndihem shumë komod dhe pikërisht për këtë erdha. Të luash në Bernabeu është diçka unike dhe e veçantë, por ende kam shumë gjëra për të arritur. Jam shumë i lumtur këtu”, ka thënë portugezi.
Mbrojtësi i Manchester Unitedit, John O’Shea, është në listën e transferimeve të Barcelonës për afatin kalimtar veror.
Sport njofton se kampionët e Evropës për klube planifikojnë të sjellin një lojtar, si mbulesë të Dani Alves, në rast se braziliani lëndohet.
Kështu irlandezi O’Shea është së bashku në listë me mbrojtësin e Osasunas, Cesar Azpilicueta.
Ndërkohë, O’Shea vazhdon të vuajë lëndimin që pësoi në ndeshjen e Irlandës kundër Francës, ashtu që ekziston mundësia që të mos paraqitet aspak këtë sezon për Djajtë e Kuq.
Të mërkurën mbrëma, Porto mposhti Arsenalin me rezultat 2-1, në takimin e parë të të tetës së finales së Ligës së Kampionëve, ndërsa realizuesi i golit të parë Silvestre Varela, thotë se portugezët merituan të fitonin përkundër golit të dytë kontrovers.
“Ishte një ndeshje e vështirë, por mendoj se luajtëm mirë dhe merituam të fitonim”.
“Kuptohet që më pëlqeu kur shënova golin, por nuk ka rëndësi si e tregova atë. Kjo është mënyra se si shkojnë gjërat në futboll nganjëherë”
“U ndeshëm me një kundërshtar të fortë dhe mendoj se ky rezultat nuk është i keq. Mendoj se Arsenali luajti shumë mirë, por ne arritëm t’ua mohonim mundësitë për të luajtur lojën e tyre”, ka thënë Varela për uefa.com.
Sulmuesi i Bayern Munichut, Miroslav Klose, ka pranuar se goli që ua siguroi fitoren bavarezëve në takimin e parë kundër Fiorentinas, ishte shënuar nga pozita jashtë lojë.
“Instinkti më tregoi se isha në pozitë jashtë loje, ndërsa kur i pashë pamjet televizive u vërtetova për këtë”, tha sulmuesi gjerman.
Viola luftoi me një lojtar më pak për të ruajtur barazimin 1-1, mirëpo u zhgënjye në minutën 89-të, kur gjyqtari ndeshjes, Tom Henning Ovrebo, vendosi ta pranonte golin e Kloses.
Sulmuesi i Manchester Unitedit, Wayne Rooney, është ndoshta në formën më të mirë të karrierës, mirëpo atij nuk i bëjnë përshtypje komplimentet dhe nuk lejon që të shpërqendrohet nga to.
“Nëse njerëzit thonë gjëra të mira për mua, kjo është mirë, por unë nuk jam duke i dëgjuar shumë”.
“Unë nuk jam i përqendruar shumë në gjëra të tilla. Unë e di se çfarë më duhet të bëj. Thjesht dua të vazhdoj të luaj mirë”, ka thënë anglezi për Press Association Sport.
Rooney ka marrë komplimente të mëdha, sidomos për performancën e tij të fundit kundër Milanit, që falë dy golave të tij Manchesteri fitoi me rezultat 3-2.
Kapiteni i Juventusit, Alessandro Del Piero, thotë se bardhezinjtë e kanë marrë me seriozitet garën e vetme që mund ta fitojnë- Europa League, duke filluar që nga ndeshja e të enjtes kundër Ajaxit.
“(Edhe nëse e fitojmë) nuk do të jemi kampionë të Evropës, por Europa League mund të na motivojë shumë”.
“Është fakt se nuk është Liga e Kampionëve, por këtu ka skuadra të nivelit të lartë, të cilat nuk e kanë gjetur formën më të mirë në fillim të sezonit”, ka thënë Del Piero për Tuttosport.
Ikona e Juventusit ka thënë se skuadra e tij nuk do ta nënvleftësojë Ajaxin, pasi që është një skuadër me histori të madhe.
Mesfushori i Firoentinas, Riccardo Montolivo, e ka fajësuar gjyqtarin Tom Henning Ovrebo, i cili “ia fali” fitoren Bayern Munichut.
Bavarezët arritën ta fitojnë ndeshjen me rezultat 2-1, ndërsa goli i fitores erdhi nga një pozitë jashtë loje e Miroslav Kloses.
“E luajtëm ndeshjen që donim ta luanim, por është pikëlluese kur gjëra të tilla ndodhin në këtë fazë të Ligës së Kampionëve”.
“Madje edhe unë e pashë pozitën jashtë loje nga banka e rezervistëve, dhe është frustruse që ‘u vodhëm’ kështu”.
“Ende kemi gjasa për kualifikim, por do të ishim në pozitë më të mirë po të mos gabonin gjyqtarët”, tha Montolivo për Rai Sport.
Mesfushori i Lyonit, Miralem Pjanic, beson se skuadra e tij mund ta eliminojë Real Madridin nga Liga e Kampionëve, duke qenë se ndeshjen e parë e fituan me rezultat 1-0.
“Reali nuk është i pathyeshëm. E pamë këtë të martën mbrëma dhe në disa ndeshje të Ligës spanjolle. Ne kemi kualitete për ta eliminuar nga Liga e Kampionëve”.
“Jam i sigurt se mund ta vazhdojmë garën, nëse në ndeshjen kthyese në Madrid, luajmë ashtu siç luajtëm në fushën tonë”, citohet boshnjaku nga Marca.
Si duket e ardhmja e Maicon te Inter është e dyshimtë.
Braziliani Douglas Maicon mund të largohet nga ekipi Italian Inter, pasi që për të janë të interesuar shumë klube.
Manchester City është i gatshëm të paguaj 45 milion euro për brazilianin, i cili konsiderohet si mbrojtësi më i mirë i krahut të djathë në botë.
“Maicon ka shumë oferta. Por nëse Maicon dëshiron të largohet nga Inter ateherë për këtë duhet të pajtohet edhe klubi. “ tha agjenti i Maicon për Calciomercatonews.com.
“Zgjidhja është e presidentit Moratti. Nëse ai pajtohet me largimin e Maicon atëherë kjo edhe do të ndodhë. “
Maicon mund të takohet prap me Mancinin nëse ai transferohet në City.
“Mancini ka shprehur disa herë dëshirën për të transferuar mbrojtësin e Interit. “
“Ne do të shohim se cilën zgjidhje do ta merr Interi në fund të sezonit. “