Legjenda franceze Zinedine Zidane thotë se kritikët duhet t’i japin kohë brazilianit Kaka që të përshtatet te Los Blancos, dhe pastaj ai do të shkëlqejë me këtë fanellë.
Zizu e ka krahasuar situatën brazilianit me muajt e tij të parë në Bernabeu, ndërsa ka refuzuar të bëjë krahasimin, Kaka-Ronaldo.“Unë më shumë e vështroj lojtarin Kaka, sesa të bëj krahasime Kaka-Ronaldo”.
“Përshtatja është një proces që iu ndodh të gjithëve, ngjashëm sikurse më ndodhi edhe mua”.
“Unë e kam pasur të njëjtën rrugë si Kaka. Ndoshta ai ka një periudhë paksa më të vështirë, por Kaka do të ketë sukses me fanellën e real Madridit. Unë jam i bindur në këtë”, ka thënë Zidane.
Mesfushori i Real Madridit, Royston Drenthe, do të mungojë dy ose tre javë, si pasojë e një lëndimi të këmbës së majtë.
Marca njofton se holandezi nuk ka mundur të stërvitet normalisht që nga kthimi prej Lyonit, ndërsa pas stërvitjeve të të premtes, mjekët kanë bërë një seri testesh dhe kanë përcaktuar shkallën e lëndimit.
Nëse Drenthe nuk rikuperohet deri në ndeshjen kthyese kundër Lyonit, Manuel Pellegrini do të ketë kokëçarje të vërtetë, sepse vetëm Alvaro Arbeloa është në dispozicion në krahun e majtë, duke qenë se Marcelo është i suspenduar.
Mesfushori iu bashkohet të lënduarve, si Pepe, Christoph Metzelder dhe Guti, ndërsa Pellegrini do të ketë në dispozicion të rikuperuarit Jerzy Dudek dhe Rafael van der Vaart për ndeshjen e të dielës kundër Villarrealit.
Zëvendëspresidenti i Milanit, Adriano Galliani, ka reaguar ndaj spekulimeve kinse ai planifikon të largohet nga Rossonerët për t’u zhvendosur në udhëheqësinë e Juventusit.
Të premten mediat italiane kanë spekuluar se raportet e Gallianit dhe presidentit Silvio Berlusconi nuk janë të mira dhe për këtë arsye, zëvendëspresidenti i skuadrës kuqezi dëshiron ta braktisë San Siron.
Mirëpo, Galliani ka reaguar me anë të një komunikate në faqen zyrtare të Milanit ku mohon këto thashetheme.
“Unë kategorikisht i mohoj njoftimet që sot u paraqitën në Riformista dhe të cilat thoshin që unë do të transferohem te Juventusi apo Real Madridi”.
“Po ashtu i mohoj fuqishëm spekulimet e mediave se raporti im me Silvio Berlusconin është prishur. Kam lidhje të forta dhe sentimentale me presidentin e klubit të cilat datojnë që para 30 vitesh”, ka thënë Galliani.
Ish-vështruesi i transferimeve të Chelseat, Carlo Iacomuzzi, thotë se Blutë do të bëjnë ofertë zyrtare për mesfushorin e Napolit, Marek Hamsik.
Duke folur për Radio Kiss Kiss, Iacomuzzi ka thënë se presidenti i Chelseat, Roman Abramovich, tashmë e ka autorizuar këtë transferim dhe pritet që skuadra angleze të ofrojë 30 milionë euro për lojtarin sllovak.
Sipas Iacomuzzit, përcjellësit e lojtarëve tashmë janë duke e përcjellë Hamsikun dhe pritet që gjatë afatit kalimtar veror të arrijë oferta në tryezën e Napolin.
Menaxheri i Arsenalit, Arsene Wenger, thotë se ka besim të plotë te portieri Lukasz Fabianski, përkundër gabimeve të mëdha që bëri në ndeshjen kundër Portos.
Portieri 24-vjeçar ishte zgjidhja e Wenger si pasojë e lëndimit të Manuel Almunias, ndërsa edhe pse bëri disa intervenime të mira, Fabianski bëri edhe disa lëshime katastrofale që u kushtuan Topçinjve me gol.
“Ne jetojmë me kritikat e njerëzve dhe secili mund ta thotë atë që mendon. Por unë kam besim te portierët e mi”.
“Duhet që t’i tregojmë mbështetje dhe të solidarizohemi me të- është e nevojshme të tregojmë se jemi ekip i veçantë në të cilin ka afërsi, fitojmë dhe humbim si skuadër”, ka thënë trajneri francez.
Mbrojtësi i Barcelonës, Gerard Pique, ka shprehur admirimin e tij për sulmuesin e Manchester Unitedit, Wayne Rooney, dhe ka shprehur dëshirën që anglezi t’i bashkëngjitet Barcelonës në të ardhmen.
“Kam pasur kënaqësinë të luaj me Wayne Rooneyn. Mendoj se ai është një lojtar shumë i mirë, njëri nga pesë më të mirët në Evropë dhe në botë, dhe shpresoj që të fitojë tituj me United”.
“Nëse në të ardhmen dëshiron të largohet, nuk i di mendimet e tij, por do të ishte kënaqësi e madhe, dhe shpresoj që ai të vijë këtu te Barcelona”, ka thënë spanjolli në një konferencë për shtyp.
Sipas mediave italiane, zëvendëspresidenti i Milanit, Adriano Galliani, është duke shqyrtuar mundësinë për të kaluar te Juventusi.
Njoftohet se raportet ndërmjet Gallianit dhe presidentit Silvio Berlusconi janë duke u përkeqësuar, ndërsa Galliani është i dëshpëruar pas reagimeve të Berlusconit si pasojë e humbjes nga Manchester United.
Sipas Il Riformista, Galliani gjithnjë e më shumë po mendon për t’u larguar nga San Siro, ndërsa destinacioni i ardhshëm është Juventusi.
Zonja e Vjetër pritet të bëjë ndryshime në udhëheqësi, duke qenë se drejtuesit bardhezi gjithnjë e më shumë po kritikohen për veprimet e tyre.
Sipas mediave spanjolle dhe angleze, ekipi i Real Madridit dhe Manchester Cityt, pas fundit të sezonit do të futen në garë për të angazhuar trajnerin e Interit, Jose Mourinho.
Mourinho ende ka edhe tre vite nga kontrata e tij me kampionin e Italisë, por mediat shkruajnë se ai lehtësisht mund të largohet nga Interi përmes klauzulës për prishje të marrëveshjes.
Marca shkruan se përfaqësues të Real Madridit tashmë kanë kontaktuar me agjentin e Mourinhos. Gazeta shkruan se pas humbjes nga Lyon në Ligën e Kampionëve, presioni mbi Manuel Pellegrinin është rritur dhe mbretërit mendojnë për të zëvendësuar atë, ndërsa kanë marrë edhe shenja pozitive nga agjenti i portugezit.
Reali nuk është i vetmi klub që interesohet për Mourinhon. Manchester City po ashtu thuhet se dëshiron ta angazhojë atë dhe mund të bëjë një hap nëse Roberto Mancini dështon ta dërgojë ekipin anglez në Ligën e Kampionëve.
Carmelo Anthony ka bërë një kërcim të kontestuar kur kishin mbetur edhe 1.9 sekonda në kohën shtesë për të ndihmuar ekipin e tij Denver Nuggets t’i japë fund 13 fitoreve radhazi të Cleveland Cavaliers duke e mposhtur me rezultat 118-116.
Anthony shënoi 40 pikë përfshirë edhe pikët e fitores, për të dalë fitues ndaj rivalit të tij LeBron James, i cili shënoi triple-double, me 43 pikë, 15 asistime dhe 13 kërcime.
Për Nuggets, të cilën luajtën ndeshjen e parë që nga pauza All-Star, kjo ishte fitorja e 36-të e sezonit, krahas 18 humbjeve. Ndërsa për Cleveland, që kanë 43 fitore dhe 12 humbje, disfata ishte e para që nga 14 janari.
Gjermania Maria Riesch ka fituar medaljen e artë në garën e skijimit të kombinuar në Lojërat Olimpike Dimërore Vancouver 2010, pasi rivalja kryesore e saj, amerikania Lindsey Vonn, dështoi në përpjekjen e saj të dytë.
Julia Mancuso, e cila të mërkurën fitoi medaljen e argjendtë në lëshim që u fitua nga Vonn, u rendit e dyta me 0.94 sekonda vonesë, ndërsa suedezja Anja Paerson, e cila vendosi të garojë në minutën e fundit pas rrëzimit një ditë më herët, arriti të fitojë medaljen e bronztë.
Paerson tash ka barazuar rekordin e kroates Janica Kostelic me gjashtë medalje olimpike të fituara në skijim alpin, derisa Mancuso tash barazohet me Bode Miller si amerikania me më së shumti medalje.
Vonn ishte më e shpejta në lëshimin e mëngjesit, por ajo dështoi të arrijë në cak duke humbur një ski dhe përfundoi duke goditur borën nga zemërimi.
Lorik Cana - Sunderland Kapiteni i Sunderlandit, Lorik Cana, thotë se ata janë shumë të mirë për tu eliminuar nga Liga Premier.
Synimet për të siguruar vend për në kualifikimet evropiane kanë marrë një goditje për Sunderlandin, pasi klubi tash ndodhet vetëm tre pikë mbi zonën e rrezikut. Por Cana thotë se nuk ka arsye për panik.
“Kur kaloni disa muaj pa fitore, e dini se jeni në betejë për të rënë. Tabela është e ngushtë dhe disa klube të tjera kanë fituar pikë. Por ne nuk do të mendojmë shumë për betejën në fund të tabelës, jemi të përqendruar për të fituar dhe për pasur një fund të fuqishëm të sezonit”, ka thënë Cana për Sunderland Echo.
“Mendoj se ekipi ka mjaft kualitete për të qenë më lart në tabelë, por tashmë dy muaj e gjysmë kemi pasur shumë probleme me lëndimet ose lojtarët të cilët janë kthyer nga lëndimi nuk kanë dhënë më të mirën. Në Premier nuk mund ta lejoni këtë”, ka shtuar kosovari.
Sunderlandi nesër ka një punë të vështirë pasi do të përballet me Arsenalin në Emirates Stadium.
Reali i Madridit raportohet se dëshiron të sjellë në stolin drejtues të klubit trajnerin e Liverpoolit, Rafael Benitez.
Sport shkruan se presidenti Florentino Perez ka humbur besimin në trajnerin Manuel Pellegrini pas humbjes në Ligën e Kampionëve nga Lyoni dhe tash është përqendruar në gjetjen e zëvendësimit të tij për sezonin e ardhshëm.
Në fakt, planet për nënshkrime të reja janë lënë në pritje për menaxherin gjeneral Jorge Valdano, me Perez që thotë se ata së pari duhet të zgjidhin pozitën e trajnerit.
Benitez ishte kontaktuar menjëherë pas humbjes turpëruese të Realit në Kupën e Spanjës nga Alcorcon më herët gjatë sezonit dhe linja e komunikimit sërish është rihapur pas humbjes nga Lyoni.
Kapiteni i Liverpoolit, Steven Gerrard, thotë se Europa League është një trofe i cili ia vlen të fitohet.
Eliminimi nga Liga e Kampionëve e ka goditur reputacionin e Liverpoolit, por Gerrard thotë se triumfi në Ligën e Evropës do të ndihmojë për të rikthyer imazhin e klubin.
“Ky sezon ka qenë i paqëndrueshëm dhe nuk ka shkuar sipas planit. Por, për mua si kapiten dhe për ekipin, ne duhet ta fitojmë edhe një trofe. Andaj do të japim gjithçka”.
“Çdokush i cili e nënvlerëson Ligën e Evropës nuk është për mua, pasi e kam ngritur trofeun e Kupës UEFA më herët. Është një trofe i veçantë dhe ishte një finale e shkëlqyeshme. Shpresoj se ne mund të përjetojmë të njëjtën gjë këtë sezon”, ka thënë Gerrard.
Trajneri i Barcelonës, Pep Guardiola, thotë se ai ka ambicie për të marrë nën drejtim kombëtaren e Spanjës.
Guardiola është një ambasador zyrtar për tentimin për të realizuar Kupën Botërore 2022 në Katar (Emiratet e Bashkuara Arabe), dhe thotë se ai mund të jetë nën drejtimin e Spanjës në kohën kur do të zhvillohet ky turne.
“Në vitin 2022 kush e di se ku do të jemi? Nuk kam pranuar ende asnjë propozim. Por shpresoj në ardhmen. Synoj të drejtoj ekipin kombëtar kur të jem lodhur nga drejtimi i përditshëm në klub”, ka thënë Guardiola.
Menaxheri i Liverpoolit, Rafa Benitez, thotë se ai do të dëshironte që ekipi i tij të kishte shënuar më shumë gola në fitoren e mbrëmshme prej 1-0 në Europa League ndaj Unirea.
Goli i David Ngog nëntë minuta para fundit të ndeshjes i dha epërsinë ekipit anglez si dhe një frymëmarrje më të lirshme para ndeshjes së kthimit që zhvillohet javën e ardhshme.
“Mendoj se ne kemi mundur të shënojmë një ose dy gola më shumë, por kështu është futbolli. Ekipi ia doli mirë në mbrojtje, 1-0 dhe porta e pastër nuk është rezultat i keq”, ka thënë Benitez.
Menaxheri i Tottenhamit, Harry Redknapp, thotë se atij i mungon një mesfushor golashënues i stilit të Frank Lampard.
Spurs janë duke u mbështetur në Jermaine Defoe, pasi anglezi po kalon një sezon të shkëlqyeshëm me 21 gola të shënuar deri tash. Mesfusha e Tottenham nuk po shënon gola sa duhet, dhe Redknapp merr si shembull Chelsean.
“Kjo është pjesa ku Frank Lampard ose ndonjë tjetër është i paçmueshëm. Ai shënon 20 gola në vit nga mesfusha, që është një kontribut i shkëlqyeshëm për ekipin”.
“Golat kanë qenë problem për ne në ndeshjet e fundit. Kemi pasur një seri të mirë ku kemi shënuar gola çdo javë dhe pastaj menjëherë u thamë. Nëse Defoe nuk shënon për momentin, kemi nevojë të shënojnë të tjetër”, ka thënë Redknapp.
Dy klubet angleze Arsenal dhe Liverpool raportohet se kanë kthyer vëmendjen kah sulmuesi i Lazios, Mauro Zarate.
Menaxheri i ri i klubit romak, Edy Reja, tha së fundi se 22-vjeçari është vetjak dhe ‘nuk e pason topin shumë dhe duhet të punojë për ekipin’.
Por kjo deklaratë e trajnerit nxiti reagime nga ana e lojtarit, me vëllain e tij, i cili është edhe agjent, i cili tha se nëse trajneri nuk e dëshiron lojtarin ai mund të largohet nga klubi.
Edhe nëse Zarate rregullon raportet me trajnerin, ai megjithatë pritet të largohet gjatë verës nga Lazio me aq shumë klube të interesuara për të. Daily Mail shkruan se në mesin e të interesuarve për argjentinasin janë edhe Arsenal dhe Liverpool.
Lorik Cana - Sunderland Në prag të takimit të vikendit kundër Arsenalit, kapiteni i Sunderlandit, Lorik Cana, ka konfirmuar se ai ka mundur të luajë për Topçinjtë.
“Jam ftuar nga Arsenali për prova kur kam pasur 16 vjet, por nuk mund të vija për shkak të problemeve me vizën”.
“Nuk kam mundur t’i kompletoj letrat e duhura. Kur jeni refugjat në një vend, nuk mund të largoheni nga ai”.
“Shkova në ambasadë dhe kërkova viza, por ishte e pamundur. Por fati i secilit është i ndryshëm, i imi ishte të shkoj dhe të luaj në Francë, dhe isha i lumtur që e bëra këtë”, ka thënë Cana.
Xabi Alonso dhe Marcelo ishin ndëshkuar me kartona të verdhë në ndeshjen me Lyon, por edhe Pellegrini është pranë kartonit të dytë të verdhë nëse Real Madrid eliminohet, njofton AS.
Pas humbjes turpëruese ndaj Lyonit në Stade de Gerland, Pellegrini ka marrur dhe vërejtjen e dytë, e para pas katastrofës ndaj Alcorcon, në atë që AS e quan karton të verdhë, dhe ai mund të shoh shpejtë dhe kartonin e dytë të verdhë, më saktësisht kartonin e kuq nëse Real Madrid eliminohet më 10 Mars nga Chamions League.
Florentino Perez, Jorge Valdano, Emilio Butragueno, Miguel Pardeza dhe Zinedine Zidane ishin mbledhur në një takim urgjent, në të cilin u diskutua loja e Realit, dhe asnjëri prej tyre nuk e ka këtë vizion në lojën e Realit.
Sidoqoftë, një gjë dihet. Nëse Real Madrid eliminohet nga gara më e madhe europiane, atëherë Pellegrini do të shkarkohet.