Real Madridi ka shënuar fitore bindëse në ndeshjen kryesore të javës së 23-të në La Liga, kundër Villarrealit.Takimi i zhvilluar në Santiago Bernabeu ka përfunduar me fitoren e Mbretërve me rezultat 6-2.
Cristiano Ronaldo hapi serinë e golave në minutën e 18-të me një supergol nga gjuajtja e lirë, ndërsa Ricardo Kaka dyfishoi nga pika e bardhë (21’).
Marcos Senna u përkujdes për rezultatin përfundimtar të pjesës së parë duke ngushtuar epërsinë në 2-1 (31’).
Në pjesën e dytë, ishin sërish Los Blancos në aksion. Ishte radha e argjentinasit Gonzalo Higuan, i cili ngriti epërsinë në 3-1 (54’).
Megjithatë, Nëndetësja e Verdhë reagoi sërish duke ngushtuar epërsinë në 3-2 (66’).
Mirëpo, kjo veç sa i nevrikosi vendasit të cilët shënuan edhe tre gola të tjerë.
Higuain dhe Kaka shënuan golat e dytë respektivë në ndeshje (71’ dhe 79’), ndërsa rezultatin përfundimtar të ndeshjes e vendosi Xabi Alonso nga penalltia (87’).
Milani ka shënuar fitore prej 2-0 në ndeshjen e zhvilluar të dielën mbrëma në Stadio San Nicola kundër Barit.Rossonerët kaluan në epërsi kur Ronaldinho pasoi te Marco Borriello, ndërsa sulmuesi i kthyer nga lëndimi shënoi në portën vendase (43’).
Mysafirët shënuan edhe në pjesën e dytë (69’), me anë të brazilianit Alexandre Pato.
Në minutat e fundit të kohës së rregullt, pas një ndërhyrjeje të Patos ndaj Salvatore Masiellos brenda gjashtëmbëdhjetëmetërshit, u akordua penallti në favor të Barit, mirëpo goditjen e Barretos e mbrojti portieri Abbiati (89’).
Me këtë fitore, Milani ngjitet në kuotën e 48-pikëve, dy më pak se Roma që mban vednin e dytë, dhe shtatë më pak se lideri Inter.
Manchester City dhe Liverpooli janë takuar në Stadiumin e Qytetit të Mançesterit për të zhvilluar ndeshjen e javës së 27-të në Ligën Premier.Takimi ka përfunduar me rezultatin e fillimit të ndeshjes, 0-0, dhe të dyja skuadrat kanë grumbulluar nga një pikë.
Nga ndeshjet tjera, Aston Villa ka shënuar fitore të lartë prej 5-2 kundër Burnleyt, ndërsa fitore kanë shënuar edhe Blackburni dhe Fulhami, kundër Boltonit, respektivisht, Birminghamit.
Duket se Juventusi ka lënë pas vetes rezultatet e dobëta. Të dielën bardhezinjtë e kanë mposhtur Bolognan me rezultat 2-1 në takimin e zhvilluar në Stadio Dall’Ara.Diego shënoi golin e parë për mysafirët në fillim të ndeshjes (5’) për të vendosur rezultatin përfundimtar të pjesës së parë.
Me të filluar pjesa e dytë (50’), vendasit barazuan rezultatin me anë të Antonio Busce.
Për fitoren e Juventusit u përkujdes zëvendësuesi i Diegos, Antonio Candreva, kur kapiteni Alessandro Del Piero nxori nga loja tre lojtarë për të pasuar te bashkëlojtari i tij që shënoi golin e avantazhit (66’), që rezultoi të ishte i fitores.
Pas kësaj fitoreje Juvetusi ngjitet në pozitën e pestë me pikë të barabarta me Cagliarin që mban vendin e katërt.
Giallorossët kanë shënuar fitore me rezultat prej 1-0 në ndeshjen e zhvilluar të dielën kundër Catanias.Malazezi Mirko Vucinic ishte heroi i vendasve në takimin e zhvilluar në Stadio Olimpico, duke shënuar golin e vetëm në ndeshje (18’).
Me këtë fitore, Roma ka ngushtuar edhe më shumë diferencën e pikëve me liderin Inter, duke qenë se Nerazzurët barazuan në takimin e të shtunës mbrëma.
Ish-lojtari i Milanit, Zvonimir Boban, është pesimist për gjasat e Rossonerëve për t’u kualifikuar në çerekfinale të Ligës së Kampionëve, pas humbjes prej 3-2 nga Manchester Unitedi, në takimin e parë të 1/8 së finales të zhvilluar në San Siro.“Atyre do t’u nevojitet një mrekulli për të vazhduar aventurën në këtë garë”, ka thënë kroati për Gazzetta dello Sport.
Boban ka thënë se Milani ka gjasa të vogla duke llogaritur lojën që treguan kuqezinjtë në San Siro, por me kusht që të mos i huqin rastet që do t’u jepen në Old Trafford, ashtu siç bënë në stadiumin e vet.
Edhe pse Milani rrezikon eliminimin, Boban ka lëvduar punën e trajnerit Leonardo duke thënë se ai i ka dhënë kësaj skuadre identitet taktik.
Vazhdojnë spekulimet në lidhje me postin e trajnerit të Real Madridit, sipas të cilave Manuel Pellegrini do të shkarkohet nëse nuk arrin ta dërgojë skuadrën në çerekfinale të Ligës së Kampionëve.Sipas Daily Mail, nëse Reali nuk e përmbys epërsinë prej 1-0 të Lyonit në ndeshjen kthyese, atëherë Los Blancos do të kërkojnë një trajner tjetër.
Ditëve të fundit spekulohet se trajneri i Interit, Jose Mourinho, i prin listës së Mbretërve, mirëpo nëse kjo tentativë dështon, atëherë gjiganti spanjoll do të riktheje interesimin për trajnerin e Arsenalit, Arsene Wenger.
Wenger ishte shënjestër e Florentino Perezit në verën që shkoi, mirëpo trajneri francez preferoi të qëndronte në Emirates.
Trajneri i Milanit, Leonardo, ka reaguar ndaj një deklarate të presidentit Silvio Berlusconi duke thënë se është i gatshëm të braktisë Rossonerët nëse këtë e dëshiron presidenti.Të mërkurën, gjatë një konference për shtyp, Berlusconi tha se Milani do të ishte shumë më i mirë nëse përgjegjësit do ta lejonin skuadrën të luajë.
“Unë nuk kam asnjë problem. Nëse presidenti mendon se unë duhet të largohem, atëherë ai duhet të thotë vetëm një fjalë”.
“Ai e di se nëse kjo përfundon, atëherë unë do të vazhdoj të ec përpara. Unë jam i qetë, jo i shqetësuar”.
“Të gjithë e dinë si kam arritur deri këtu, por krejt çka më nevojitet është një fjalë nga presidenti dhe do të vije një trajner i ri”, u ka thënë Leonardo gazetarëve.
Mbrojtësi i Arsenalit, Thomas Vermaelen, beson se Topçinjtë do ta përmbysin rezultatin e Portos në ndeshjen kthyese në Emirates Stadium.Në ndeshjen e parë të 1/8 së finales të Ligës së Kampionëve, Arsenali u mposht me rezultat 2-1 si mysafir i Portos, ndërsa Vermalen mendon se në ndeshjen e kthimit ekipi i tij do të shfaqë shpirtin luftarak para tifozëve të vet.
“Duhet ta fitojmë ndeshjen në shtëpi dhe jam i sigurt se do të kualifikohemi. Mendoj se kemi kualitet për ta bërë këtë”, citohet Vermalen nga The Mirror.
Trajneri i Chelseat, Carlo Ancelotti, thotë se gara për titullin e Ligës Premier vazhdon të jetë e hapur, përkundër se Blutë u distancuan katër pikë nga Manchester Unitedi.Chelsea fitoi me rezultat 2-0 kundër Wolverhamptonit, ndërsa Unitedi u mposht 3-1 nga Evertoni, kështu që lideri u përforcua edhe më shumë në krye të tabelës.
“Hyjmë në ndeshje duke e ditur se kishim mundësi të përmirësojmë pozitën tonë pas rezultatit të Manchester Unitedit. Lojtarët ishin të vetëdijshëm se United ka humbur dhe ne arritëm të shfrytëzojmë këtë situatë”.
“Mirëpo, do të ketë shumë ndeshje prej tash e deri në fund të sezonit dhe asgjë nuk është vendosur në këtë moment. Ende ka shumë pikë në lojë”, ka thënë Ancelotti për Press Association Sport.
Kërcyesi me ski nga Zvicra, Simon Amman, fitoi medaljen e tij të dytë të artë, gjatë Lojërave Olimpike Dimërore në Kanada, Vancouver 2010. Amman është kështu fitues i katërfishtë olimpik në garën e kërcimit me ski.Medaljen e argjendtë dhe të bronztë i fituan polaku Adam Malysz dhe austriaku Gregor Schlierenzauer.
Ndërkohë, sportistët gjermanë kanë marrë përsëri medalje. Në garën e ndjekjes me ski 2 herë nga 15 kilometra, Thomas Angerer fitoi medaljen e argjendtë.
Medalja e artë dhe e bronztë në këtë garë, shkuan në Suedi te Marcus Helner dhe Johann Olsson.
Sipas spekulimeve më të reja, Manchester City do të ofrojë 140 milionë funte për të siguruar shërbimet e dyshes së Liverpoolit, Steven Gerrard dhe Fernando Torres.Çështjet financiare të Redsave vazhdojnë të jenë shqetësuese, ndërsa nëse nuk sigurojnë kualifikimin për Ligën e e Kampionëve në sezonin e ardhshëm, të kuqtë do të detyrohen të shesin disa nga lojtarët kryesorë të skuadrës.
Ndërkohë mediat britanike raportojnë për një shumë të majme parash që ofrojnë ‘pasanikët’ për të rrëmbyer dy lojtarët kryesorë të Liverpoolit, ndërsa veç tjerash edhe lojtarët mund të joshen nga pagat e larta që është i gatshëm të paguajë City.
Edhe pse dy sulmuesit Didier Drogba dhe Nicolas Anelka janë në formë të mirë, Chelsea nuk heq dorë nga ideja e transferimit të sulmuesit të Valencias, David Villa.Deri më tani dyshja sulmuese e Bluve së bashku kanë shënuar 37 gola, mirëpo News of the World njofton se Blutë dëshirojnë edhe më shumë forcë në sulm.
Vlera e sulmuesit spanjoll llogaritet të jetë rreth 30 milionë funte, ndërsa Chelsea do ta ketë konkurrent Real Madridin për sulmuesin 28-vjeçar.
Villa vazhdon të jetë në formë të mirë edhe këtë sezon, ai ka arritur të shënojë 15 gola në 21 paraqitje në La Liga dhe i rivalizon superyllit të Barcelonës, Leo Messi, për golashënuesin më të mirë.
Portieri veteran i Manchester Unitedit, Edwin van der Sar, ka zgjatur qëndrimin e tij në Old Trafford edhe për një vit më shumë.Holandezi, i cili në tetor mbush 40 vjet, ka nënshkruar edhe për një vit me Djajtë e Kuq, duke qenë se gjendja e tij fizike ia mundëson të jetë në formë të mirë.
“Do të më pëlqente të vazhdoja të luaj, kështu që vendosa të nënshkruaj një kontratë të re”, ka thënë portieri për News of the World.
Milani dëshiron të transferojë mbrojtësin e Arsenalit, Gael Clichy, ndërsa siç njoftohet menaxheri i Topçinjve, Arsene Wenger, është pro këtij transferimi.Sipas News of the World, mbrojtësi i krahut të majtë është njëri nga lojtarët që pëlqejnë Rossosnerët dhe konsiderohet si zëvendësues i Paolo Maldinit të larguar.
Sezonin e kaluar, Real Madridi ofroi 16 milionë funte për Clichy, ndërsa nëse Milani pajtohet të paguajë këtë shumë parash, atëherë Wenger mund t’i përdorte këto fonde për përforcimin e skuadrës.
Kampioni në fuqi i Serie A, Interi, ka arritur të ruajë portën e paprekur për të nxjerrë një barazim pa gola në ndeshjen si vendas i Sampdorias, edhe pse luajti pjesën më të madhe me dy lojtarë më pak.Walter Samuel u përjashtua nga loja me karton të kuq pas 32 minutash lojë për të lënë nerazurët me 10 lojtarë, ndërsa gjashtë minuta më pas me kartonin e dytë të verdhë u përjashtua edhe Ivan Cordoba dhe nerazurët mbetën me vetëm nëntë lojtarë.
Në një ndeshje që shpesh prodhoi tensione në mes dy palëve dhe reagime ndaj arbitrit nga lojtarët dhe trajneri i Interit, Sampdoria nuk arriti të shfrytëzojë epërsinë numerike dhe nuk kërcënoi asnjëherë seriozisht portën e Julio Cesar, edhe pse pati posedimin më të madh të topit.
Edhe Mysafirët e përfunduan ndeshjen me një lojtar më pak, pasi Giampaulo Pazzini u përjashtua me kartonin e dytë të verdhë 15 minuta pa përfunduar ndeshja.
Në takimin tjetër të sotëm Genoa ka shënuar fitore 3-0 ndaj Udineses.
Interi vazhdon kryesimin në tabelë me 55 pikë, tetë më shumë se Roma, që nesër mund ta ngushtojë atë në pesë nëse shënon fitore si vendas i Cattanias.
















