Me anë të një deklarate zyrtare, skuadra e Parmës ka njoftuar se ka shfuqizuar kontratën e mbrojtësit italian Christian Panucci.
Të hënën mediat italiane njoftuan se ish-lojtari i Romës dëshiron t’i japë fund futbollit aktiv për arsye personale, ndërsa sot është zyrtarizuar prishja e kontratës me klubin e tij të fundit, ku ka qëndruar shtatë muaj.
Përveç deklaratës së Parmës, në faqen zyrtare të klubit ishte edhe deklarata e lojtarit, me anë të të cilës Panucci falënderoi klubin, presidentin, bashkëlojtarët dhe të gjithë tifozët.
Federata e Tenisit të Kosovës ka reaguar ndaj vendimit të Bordit Menaxhues të Tenisit Evropian për të mos e pranuar aplikacionin për anëtarësim të Kosovës.
Federata e Tenisit të Kosovës ka aplikuar më 14 janar 2010 për t’u anëtarësuar në Tenisin e Evropës.
Presidenti i Tenisit të Evropës, Jacques Dupre, në një letër dërguar presidentit të Tenisit të Kosovës, Shkelzen Domi, ka njoftuar se në takimin e javës së kaluar në Cyrih, Bordi Menaxhues ka vendosur të mos e mbështesë aplikacionin e Kosovës.
Lajmi është bërë i ditur nëpërmjet një komunikate të lëshuar nga Federata e Tenisit të Kosovës, e cila vendimin e fundit të Tenisit të Evropës e ka cilësuar si të padrejtë.
Pas fitores prej 6-2 kundër Villarrealit, Cristiano Ronaldo ka besim të plotë se Real Madridi do ta eliminojë Lyonin nga Liga e Kampionëve.
Portugezi ka dhënë një deklaratë për Marca ku thuhet: “Kjo është skuadra që po ju pret dhe do të bëjë gjithçka për t’ju mposhtur”.
Këtë fundjavë, Reali do të ndeshet me Tenerifen, ndërsa javën tjetër do ta ketë kundërshtar Sevillan para ndeshjes së 10 marsit kundër Lyonit në Santiago Bernabeu.
Mbretërit u mposhtën me rezultat 1-0 në ndeshjen e parë të zhvilluar në Stade Gerland, një rezultat mjaft i papërshtatshëm kur dihet që Lyoni nuk ka pranuar gol në terren vendas.
Claudia Nystad dhe Evi Sachenbacher-Stehle Skiatoret gjermane Evi Sachenbacher-Stehle dhe Claudia Nystad kanë fituar në Lojërat Olimpike në Vancouver të Kanadasë medaljen e artë.
Në të ashtuquajturin kërcim me ski si ekip dysh ato fituan para ekipit nga Suedia dhe Rusia.
Dyshja e skiatorëve gjermanë Axel Teichmann dhe Tim Tscharnke në garën sprint për meshkuj fituan medaljen e argjendtë, ku vendin e parë e zunë norvegjezët dhe në vend të tretë dolën rusët.
Në garën katërshe të kërcimit me ski ekipi gjerman i përbërë nga Neumayer, Wank, Schmitt dhe Uhrmann fitoi medaljen e argjendtë, pas fituesit Austrisë dhe Norvegjisë.
Jose Mourinho është dënuar me 40.000 euro dhe tri ndeshje moslojë për gjestin e tij ndaj gjyqtarit Paolo Tagliavento në ndeshjen kundër Sampdorias, ndërsa portugezi thotë se është keqkuptuar.
“Gjesti me ‘duart në pranga’ është keqinterpretuar. Nuk ka pasur asgjë të bëjë me gjyqtarin”.
“Ai ka dashur të thotë diçka tjetër: ‘Madje mund të më largosh dhe të më arrestosh, por skuadra ime është e fuqishme dhe do të fitojë pavarësisht nëse luajmë edhe me nëntë lojtarë’”, ka shpjeguar zëdhënësi i Mourinhos, Eladio Parames, për agjencinë e lajmeve ANSA.
Frank Lampard është i gatshëm dhe do të udhëtojë në Milano për të zhvilluar njërën nga ndeshjet më të rëndësishme të kësaj faze të Ligës së Kampionëve kundër Interit.
Mesfushori anglez mungoi në ndeshjen kundër Wolverhamptonit, si pasojë e një infeksioni me virus dhe ishte në dyshim për takimin kundër Nerazzurëve.
Mirëpo, njoftimet e fundit thonë se Lampard është i gatshëm të luajë kundër skuadrës së ish-trajnerit të tij Jose Mourinho.
Edhe mbrojtësit Alex dhe Beletti do të udhëtojnë për në Milano edhe pse për inkuadrimin e tyre do të vendoset në minutat e fundit.
Sulmuesi i Interit, Samuel Eto’o, beson se Chelsea nuk ka çfarë të fshehë në ndeshjen e të mërkurës mbrëma pasi trajneri i tij Jose Mourinho i di fshehtësitë e Bluve.
“Mourinho është i relaksuar dhe është normale se ai dëshiron të shohë më të mirën nga ne në duelin kundër Chelseat. Duhet të jeni të sigurt se ai do të na tregojë secilën fshehtësi të vijës së tyre të mbrojtjes”.
“Mendoj se do të jetë një takim mjaft taktik gjatë 180 minutave. Është e domosdoshme të kemi përgatitje sa më të qetë që mundemi. Shqetësimi është pikë negative, sepse në këtë kohë duhet të jemi të fortë”, ka thënë kamerunasi.
Juventusi është duke përgatitur një ofertë për mbrojtësin e Romës, Philippe Mexes.
Sportmediaset.it njofton se drejtorët e të dyja skuadrave tashmë janë takuar për fillimin e bisedimeve për mundësinë e transferimit të francezit gjatë afatit kalimtar veror.
Gjatë takimit, drejtuesit e Romës kanë thënë se nuk do të lejojnë largimin e lojtarët nën vlerën prej 16 milionë eurosh, mirëpo Bianconerët janë duke biseduar për zvogëlimin e kësaj shume.
Kontrata e Mexes me Romën skadon në vitin 2011, kështu që afati kalimtar veror do të jetë shansi i fundit i Giallorossëve për të përfituar nga shitja e francezit ose do të duhet t’i ofrojnë kontratë të re.
Trajneri i Italisë, Marcello Lippi, shpreson që mbrojtësi i Milanit, Alessandro Nesta, do të kthehet në përfaqësuese për Kampionatin Botëror 2010.
33-vjeçari u tërhoq nga përfaqësuesja në tetor të vitit 2006 pas një serie lëndimesh dhe që atëherë ka refuzuar të luajë për Azzurrët.
“Kombëtarja i ka borxh Nestas. Ai është lënduar në dy Kampionate Botërore (1998 dhe 2006). Kam biseduar me të dhe i kam treguar disa gjëra. Ndërsa do të flas sërish me të këtë javë”.
“A jam i bindur se do të kthehet? Mund të them se duke qenë se ka pasur shumë fat të keq, ai do të dëshirojë t’i hakmerret (fatit)...”, ka thënë Lippi për Corriere della Sera.
Mesfushori i Manchester Unitedit, Anderson, thotë se përkundër disa ofertave që i janë bërë, ai dëshiron ta vazhdojë karrierën në Old Trafford.
Muajt e fundit, braziliani ka pasur disa mosmarrëveshje me trajnerin Sir Alex Ferguson duke nxitur spekulime për mundësinë e largimit të tij nga Djajtë e Kuq.“Gjithmonë kam pasur raporte të mira me Ferguson. Ai kërkon të punojë më shumë dhe unë e kam pranuar këtë, por më nevojiten më shumë raste që të jem pjesë e ekipit të parë”.
“Disa ekipe evropiane janë të interesuara për mua, por sipas meje, e ardhmja ime qëndron te United”.
“Tregimi im këtu nuk ka përfunduar dhe unë jam i bindur se mund t’i ofroj më shumë skuadrës në momentet vendimtare të sezonit”, ka thënë 21-vjeçari.
Real Madridi dhe Barcelona janë duke përcjellë situatën për të bërë ofertë për mbrojtësin e Chelseat, Ashley Cole.
The Sun njofton se dy gjigantët spanjollë janë duke monitoruar nga pranë situatën e mbrojtësit të krahut dhe janë të gatshëm të paguajnë 25 milionë funte për shërbimet e tij.
Një burim i ka thënë tabloidit se Cole ka probleme personale dhe nëse ai shkurorëzohet nga gruaja Cheryl, ai do të largohet nga Anglia.
32 ekipet finaliste në kupën e botës Afrika e Jugut 2010 kanë nënshkruar një deklaratë të përbashkët kundër përdorimit të substancave narkotike nga futbollistët. Megjithatë, FIFA ka ngritur shqetësimin rreth përdorimit të bimëve mjekësore afrikane.
Kreu i komisionit mjekësor të FIFA-s tha se komisioni “ka pak njohuri rreth bimëve mjekësore afrikane, një pjesë e të cilave ndikojnë në përmirësimin e cilësive fizike”. Nga ana tjetër analizat mund të rezultojnë pozitive, në kohën që futbollisti nuk ka marrë substanca narkotike, por vetëm bimë mjekësore të traditës afrikane.
Aktualisht FIFA po zhvillon konferencën e tretë ndërkombëtare për mjekësinë dhe futbollin.
Trajneri i Chelseat, Carlo Ancelotti, ka deklaruar se të gjithë në Itali, përveç fansave të Interit, do ta mbështesin Chelsean në ndeshjen e të mërkurës mbrëma në Ligën e Kampionëve.
Ancelotti ka reaguar pas kritikave të trajnerit Jose Mourinho në lidhje me suksesin e italianit te Blutë.
“Është e vërtetë se askush pas tij nuk ka fituar asgjë për Chelsean, mirëpo shumëkush vlerëson punën e Grant, i cili u afrua shumë në finale të Ligës së Kampionëve”, ka thënë Ancelotti për Il Giornale.
Duke llogaritur reputacionin negativ që ka Mourinho në Itali, ish-trajneri i Milanit është i bindur se tifozët italianë do ta mbështesin Chelsean.
Superylli i Barcelonës, Lionel Messi, ka kërkuar nga bashkëlojtarët që të përqendrohen në ndeshjen e të martës mbrëma kundër Stuttgartit.
Kampioni në fuqi i Ligës së Kampionëve do të jetë mysafir i ekipit gjerman në Mercedes Benz Arena, ndërsa sulmuesi argjentinas thotë se katalunasit duhet të jenë të vëmendshëm në këtë ndeshje.
“Tash për tash asgjë nuk është e lehtë. Mund të eliminohesh edhe vetëm me një ndeshje, prandaj ne nuk guxojmë të bëjmë gabime, duhet të jemi të përqendruar”.
“Do të luajmë si zakonisht, duke e respektuar kundërshtarin, por ne do të luajmë për fitore. Ne e dimë se është ndeshja kthyese dhe nuk do të çmendemi. E rëndësishme është të fitojmë”, ka thënë Messi për AS.
Ronaldo Luís Nazário de Lima Sulmuesi i Corinthians, Ronaldo, ka zbuluar se ai e ka vazhduar marrëveshjen e tij me klubin deri në fund të vitit 2011, kur do të tërhiqet nga loja aktive e futbollit.
Ish-lojtari i PSV, Barcelonës, Interit, Real Madridit dhe Milanit, ka pohuar se ai e ka vazhduar marrëveshjen me Corinthians edhe për dy vite dhe kjo do të jetë e fundit e tij.
“E kam rinovuar marrëveshjen për edhe dy vite dhe kjo do të jetë marrëveshja ime e fundit. Do të luaj deri më 31 dhjetor 2011 dhe atëherë do të tërhiqem nga loja aktive”, ka thënë Ronaldo në një konferencë shtypi në Brazil.
“Dua ta jap maksimumin për Corinthians dhe të kem mundësi ta përfundoj karrierën duke fituar diçka shumë të rëndësishme për këtë fanellë”, ka shtuar ‘fenomeni’.