Festa e lojtarëve të Fiorentinës pas golit të shënuar nga Gilardino Milan ka shënuar fitore shumë të rëndësishmë në Artemio Franchi kundër Fiorentinës 1-2.
Alberto Gilardino shënon në minutën e 14 për ta dërguar në epërsi Fiorentinën.
Barazpeshon gjithqka holandezi Klas Jaan Huntelaar në minutën e 81. Heroi i ndeshjes ishte padyshim Alexandre Pato i cili ia dhuroi fitoren Milanit duke shënuar gol në minutën e 90.
Me këtë fitore Milan rikthehet në vendin e dytë me 51 pikë të tubuara, 4 pikë më pak se Inter që është në vendin e parë.
Interi do të duhet të eliminojë Chelsean për të mbajtur gjallë ëndrrën për ta fituar Ligën e Kampionëve, ndërsa ish-trajneri i Milanit dhe Italisë, Arrigo Sacchi, thotë se ka ardhur koha që zikaltrit të dëshmojnë se janë fuqi në arenën evropiane.
“Të zgjedhurit e Mourinhos duken të gatshëm për t’u bërë protagonistë në Evropë, pas mungesës së suksesit për vite të tëra”.
“Progresi i lojës së tyre dhe njohurisë kolektive është i qartë- disa solo-lojtarë janë bërë një ekip i organizuar, nganjëherë harmonik”.
“Sot, Interi jo vetëm se është një forcë fizike aksioni, por ka edhe karakter dhe organizim në lojën e vet”, ka thënë Sacchi për La Gazzetta dello Sport.
Manchester Unitedi është duke përgatitur një ofertë për sulmuesin e Valencias, David Villa, të cilin dëshiron ta transferojë gjatë afatit kalimtar veror.
The Daily Mirror njofton se Sir Alex Ferguson e ka dërguar vëllanë e tij Martin për ta përcjellë sulmuesin spanjoll.
Djajtë e Kuq kanë nevojë për një sulmues duke qenë se Dimitar Berbatov nuk po gjen formën e tij te kampioni i Anglisë, ndërsa Villa mund të largohet nga Valencia nëse Los Che nuk sigurojnë Ligën e Kampionëve për sezonin e ardhshëm.
Sipas të dhënave të UEFA-s për gjendjen financiare të klubeve evropiane, klubet nga Liga Premier kanë më shumë borxhe sesa komplet klubet tjera evropiane. Ndërsa njëkohësisht vlera e klubeve angleze është afërisht sa gjysma e vlerës së të gjitha klubeve tjera evropiane.
Sipas mediave angleze, në bazë të një studimi të fundit nga UEFA, klubet angleze kanë borxh prej 3.8 miliardë eurosh që është 56% e borxhit total të klubeve nga kontinenti i vjetër.
Ajo që është shqetësues në Angli është se vlera e klubeve është e përafërt me borxhin tyre.
Vendin e dytë e zënë klubet nga La Liga, të cilat kanë 978 milionë euro borxh, ndërsa vlejnë 2.8 miliardë euro, që do të thotë se vlera ndaj borxhit është 3:1.
Në Itali, borxhi i klubeve është afër 503 milionë euro, ndërsa vlera e tyre llogaritet 1.5 miliard euro.
Giorgio Chiellini ka njoftuar se Juventusi ka për qëllim ta fitojë trofeun e Europa League këtë sezon.
Bardhezinjtë fituan si mysafirë të Ajaxit në ndeshjen e parë me rezultat 2-1, prandaj kanë gjasa të mira që të vazhdojnë garën në fazat e mëtutjeshme të këtij kompeticioni.
“Objektivi ynë (kryesor) është që të zëmë vendin e tretë (në tabelën e Serie A) dhe të kualifikohemi në Ligën e Kampionëve”.
“Sa i përket Europa League, të gjithë jemi të fokusuar për nesër, po ashtu edhe për ndeshjet e radhës, sepse gjithçka mund të dështojë nëse bëjmë një gabim të vetëm”, ka thënë Chiellini në një konferencë për shtyp.
Për dallim nga trajneri i Milanit, Leonardo, trajneri i Juventusit, Alberto Zaccheroni, thotë se do të jetë tifoz i Interit në takimin e të mërkurës mbrëma në Ligën e Kampionëve kundër Chelseat.
Leonardo ka deklaruar se sonte do ta mbështesë ekipin e ish-trajnerit të Milanit, Carlo Ancelotti, ndërsa përkundër rivalitetit me Interin, Zaccheroni thotë se do ta mbështesë ekipin e Jose Mourinhos.
“Unë gjithmonë i mbështes ekipet italiane. Mendoj se është një obligim për italianët që t’i mbështesin ekipet italiane, edhe pse në anën tjetër, Ancelotti është një mik i imi. Shpresoj që ai ta fitojë Ligën Premier”, është shprehur trajneri bardhezi.
Ish-trajneri i Real Madridit, Bernd Schuster, thotë se gjatë kohës së tij në Bernabeu, kishte lojtarë të Los Blancos që nuk e dëshironin angazhimin e David Villas nga Mbretërit.
Sulmuesi i Valencias një kohë të gjatë ka qenë shënjestër e Realit, ndërsa Schuster provoi ta transferonte spanjollin te klubi mbretëror, kurse të njëjtën gjë tentoi ta bënte edhe presidenti aktual i Los Merengues, Florentino Perez.
Sido që të jetë, përkundër spekulimeve se Villa ishte pranë kalimit në Bernabeu, Reali u tërhoq nga marrëveshja në momentin e fundit me arsyetimin se Valencia kërkonte shumë para.
“Unë dëshiroja ta angazhoj David Villan. Por kishte shumë njerëz që nuk dëshironin që ai të vinte, duke filluar nga skuadra e deri te udhëheqësia”, ka thënë Schuster, i cili ka shtuar se e përcjell Realin vetëm kur luan Ronaldo, sepse pa të loja e Realit “është e mërzitshme”.
Trajneri i Romës, Claudio Ranieri, ka kërkuar përqendrim maksimal për ndeshjen e të enjtes mbrëma kundër Panathinaikosit, pasi që ai dëshiron ta fitojë trofeun e Europa League.
Në takimin e parë të zhvilluar në Athinë, Roma u mposht me rezultat 3-2, prandaj në ndeshjen e kthimit do të ketë punë të vështirë për ta përmbysur këtë epërsi të grekëve.
“Dua të fitoj një trofe evropian për Romën pas 50 vitesh (në vitin 1961 Roma ka fituar trofeun e fundit evropian), nuk do të jetë lehtë, por ajo që vlen janë faktet dhe e di se nesër do të jetë shumë vështirë”.
“Kemi gjasa 50-50 që të vazhdojmë tutje. E dimë se Pana është mirë i organizuar dhe ne doemos duhet të luajmë një ndeshje të mirë, dhe jemi përgatitur për këtë”, ka thënë Ranieri në një konferencë për shtyp.
Trajneri i Interit, Jose Mourinho, ka zbuluar se ai ka qenë afër për të pranuar postin e trajnerit të kombëtares së Anglisë.
Portugezi është pyetur për vendimin e Fabio Capello ta shkarkojë John Terryn nga detyra e kapitenit pas spekulimeve të fundit për jetën e tij private.
“Ai ishte një lojtar dhe kapiten fantastik me mua, por nuk do ta komentoj vendimin e menaxherit të Anglisë ose pronarit të Chelseat. Nuk jam menaxher i Anglisë, edhe pse mund të isha, dhe nuk jam pronar i Cheleseat, që kurrë nuk do të mund të isha”.
“Po, kam mundur të jem menaxher i Anglisë. Isha shumë i nderuar kur më është kërkuar dhe në një anë doja ta bëja, por në tjetrën jo, pasi më pëlqen të stërvitem çdo ditë. Andaj thash jo. Pastaj Anglia bëri mirë që angazhoi menaxherin që ka tash”, ka thënë Mourinho.
Mesfushori Yaya Toure ka hedhur poshtë spekulimet se ai dëshiron të largohet nga Barcelona.
Përfaqësuesi i kombëtares së Bregut të Fildishtë është lidhur me një kalim te Arsenal dhe Manchester City, pasi ka humbur vendin në formacionin e parë të Barcelonës.
“Nuk ka klub më të mirë për të luajtur se Barca. Jam i lumtur këtu dhe nuk mendoj të largohem. Duhet t’i respektojmë vendimet e Guardiolas. Ai ka qenë një lojtar i madh, ai e din planin e ndeshjes në mënyrë të përkryer”, ka thënë Toure.
Mesfushori mbrëmë u aktivizua në barazimin 1-1 të Barcelonës në fushë të Sttutgart.
Menaxheri i Liverpoolit, Rafa Benitez, nuk është i interesuar të braktisë ekipin anglez për të kaluar te Real Madridi.
Sport shkruan se Benitez është zgjidhja e parë për presidentin e Realit, Florentino Perez, për të pasuar trajnerin aktual Manuel Pellegrini në fund të sezonit.
Por, Benitez nuk do të mendojë të zhvendoset në Santiago Bernabeu, ku e di se nuk do të ketë kontroll në politikën e transferimeve dhe në zhvillimin e të rinjve, të cilin e ka në Liverpool.
Spanjolli luftoi me ngulm sezonin e kaluar për të pasur një ndikim më të madh në stafin e Liverpoolit dhe nuk do të heqë dorë nga kjo për ta filluar nga e para nën drejtimin e Perez dhe drejtorit gjeneral Jorge Valdano.
Mesfushori i Chelseat, Frank Lampard, thotë se ai ka qenë shumë afër t’i bashkohet kundërshtarit të sotëm, Interit.
Mesfushori anglez ka pasur një raport të afërt me trajnerin Jose Mourinho dhe kishte dashur t’i bashkohej portugezit në Inter 18 muaj më parë.
Por Lampard më pas nënshkroi marrëveshje pesëvjeçare të vlefshme 150 mijë funte në javë në Stamford Bridge.
“Në atë kohë, të jem i sinqertë, mendoja të shkoja në Inter. Ishin momente të vështira në jetën time, më ndodhnin gjëra personalisht dhe çdokush e di se si ndjehesha për Jose Mourinhon”, ka thënë Lampard.
“Interi është një klub fantastik me një menaxher të shkëlqyeshëm, por nuk është Chelsea dhe tash ndjehem se Chelsea është pjesë e imja”, ka shtuar anglezi.
Kobe Bryant është rikthyer në fushë në mënyrë spektakolare, duke shënuar tre pikët që i dhanë fitoren 99-98 Los Angeles Lakers në takimin ndaj Memphis Grizzlies.
Bryant shënoi 32 pikë, shtatë kërcime dhe gjashtë asistime, në paraqitjen e tij të parë qëkur mungoi në pesë ndeshje për shkak të lëndimit në gju.
Tre pikët vendimtare erdhën kur kishin mbetur edhe 4.3 sekonda deri në fund të ndeshjes, pasi ai kishte shënuar edhe një tropikësh tjetër 54 sekonda para fundit.
Grizzlies patën një shans të fundit për të fituar ndeshjen, por roja O.J. Mayo huqi një tentim për shënim.
Kjo ishte fitorja e pestë në gjashtë ndeshje për Los Angeles (43 fitore dhe 14 humbje).
Sulmuesi i Real Madridit, Gonzalo Higuain, thotë se ai nuk është i shqetësuar për bisedimet rreth kontratës së re me Real Madridin.
Negociatat e argjentinasit me klubin spanjoll janë shtyrë për muajin e ardhshëm, por kjo nuk është shqetësim për lojtarin.
“Kjo nuk më shqetëson mua pasi jam i bindur se rinovimi i kontratës time me Realin do të zgjidhet. Gjithë për çfarë duhet të sigurohem është të jap maksimumin në fushë, gjithçka tjetër do të arrihet spontanisht”, ka thënë Higuain.
Mbrojtësi i Sevillas, Adriano, thotë se ekipi i tij ka një avantazh të madh nga rivalit të sotëm të Ligës së Kampionëve, CSKA Moska.
Adriano është i bindur se ndeshja e parë në Moskë është shans i mirë për të vazhduar më tej garën në Ligën e Kampionëve, veçanërisht me CSKA që në këtë periudhë (tashmë dy muaj e gjysmë) nuk është e angazhuar në ndeshje garuese.
“Nuk mund të dështojmë tash. Jemi të gjithë të fokusuar. Ndeshja është e rëndësishme për lojtarët, pasi secili dëshiron të luajë në Ligën e Kampionëve, por kjo është po aq e rëndësishme edhe për klubin dhe fansat”.
“Sevilla është zhvilluar jashtëzakonisht viteve të fundit, është një ekip i fuqishëm dhe me prani ndërkombëtare dhe prania në Ligën e Kampionëve sigurisht se e fuqizon pozitën e klubit”, thotë Adriano.
Trajneri i Milanit, Leonardo, thotë se ai do ta mbështesë Chelsean në takimin e sotëm kundër Interit në kuadër të Ligës së Kampionëve.
Leonardo thotë se raporti i tij me Carlo Ancelottin do të thotë se ai do të jetë tifoz i bluve për derbin e sotëm.
“Jam shumë i lidhur me Ancelottin. Kam qenë një prej ''partnerëve të tij në krim' për një kohë të gjatë. E përkrah Carlon, por asgjë më shumë”.
“Nëse ndonjë ekip italian do të kalojë më tej, do të ishim të gjithë të lumtur. Por mund të jetë Fiorentina, së bashku me ne... Nuk ka diçka të veçantë kundër Interit. Nuk është kundër”, ka thënë Leonardo.
Valon Behrami ka lavdëruar bashkëlojtarin e tij Julien Faubert për formën e treguar këtë sezon me West Ham United.
Kosovari ishte në listën e golashënuesve së bashku me Faubert në fitoren e vikendit ndaj Hull Cityt, edhe pse ata u mposhtën mbrëmë nga kampioni në fuqi i Ligës Premier, Manchester United.
“Jam shumë i lumtur. Ai ka bërë një punë të shkëlqyeshme në disa muajt e fundit. Ai është një lojtar shumë i mirë dhe shpresoj, me paraqitjet e tij, të udhëtojë në Kupën Botërore me Francën”, ka thënë Behrami.
Kapiteni i Chelseat, John Terry, ka thënë se ai është në mision të dyfishtë, të fitojë dy trofe me Chelsean dhe Kupën Botërore me kombëtaren Angleze.
Blutë sot do të përballen me Interin në Giuseppe Meazza, dhe Terry është i bindur se ekipi i tij do të nxjerrë rezultat pozitiv nga kjo ndeshje.
“Tash jam në mision dhe asgjë nuk do të më hutojë. Dua të fitoj Ligën e Kampionëve dhe Ligën Premier me Chelsean dhe t’i ndihmoj Anglisë në Kupën Botërore”.
“Nuk jam i turpëruar ta them, nuk do të jem John Terry nëse do të ndjehesha më ndryshe. Luaj me zemër, jemi ende pastër në krye të tabelës dhe dua të udhëheq ekipin të shkëlqejë në San Siro”, ka thënë Terry.
Mbrojtësi i Barcelonës, Daniel Alves, ka mirëpritur interesimin nga Chelsea.
Braziliani ka edhe dy vjet e gjysmë kontratë me klubin nga Nou Camp, por një zhvendosje e tij në kampionatin anglez, te Chelsea apo Manchester City, që po ashtu është i interesuar për të, do të mund ta rritë pagën e tij aktuale prej 60,000 funte në javë.
“Chelsea është klub i madh. Të flitet për ta dhe të jesh në planet e tyre është privilegj. Për momentin jam i lumtur në Barcelona dhe synoj ta mbyll kontratën këtu. Interesimi nga Chelsea më jep një kënaqësi të veçantë, duke e ditur se ata janë një prej ekipeve më të mëdha në botën e futbollit”, ka thënë Alves për Globoesporte.