Sulmuesi i Werderit, Claudio Pizzaro, shënoi het-trik kundër Twentes. Skuadrat gjermane Wolfsburg dhe Werder Bremen kanë shënuar fitore me rezultate identike prej 4-1, kundër Villarrealit, respektivisht Twentes, për t’u kualifikuar në 1/8 e finales së Europa League.
Si mysafir i Villarrealit, kampioni i Gjermanisë barazoi me rezultat 2-2, kështu që pas ndeshjes kthyese fiton me rezultat të përgjithshëm 6-3.
Nga ana tjetër, Werderi u mposht në takimin e parë nga skuadra holandeze me rezultat minimal 1-0, ndërsa pas ndeshjes kthyese fiton me rezultat të përgjithshëm 4-2.
Në të tetën e finales, Wolfsburgu do të përballet me Rubin Kazanin që eliminoi Hapoel Tel Avivin, ndërsa Werderi do ta ketë kundërshtar fituesin nga përballja Valencia-Brugge.
Diego - Juventus Juventusi ka siguruar të tetën e finales së Europa League pasi ka fituar me rezultat të përgjithshëm 2-1 kundër Ajaxit.
Takimi i parë i zhvilluar në Amsterdam përfundoi me fitoren e Bianconerëve me rezultat 2-1, ndërsa ndeshja kthyese e zhvilluar në Torino përfundoi pa gola.
Në 1/8 e finales Juventusi do ta ketë kundërshtar Fulhamin që eliminoi Shakhtar Donetskun me rezultat të përgjithshëm 3-2.
Dy golashënuesit e Atleticos, Simao dhe Forlan. Atletico Madridi ka shënuar fitore me rezultat 2-1 si mysafir i Galatasarayt për të siguruar kualifikimin në të tetën e finales së Europa League.
Në ndeshjen e parë të zhvilluar në kryeqytetin spanjoll skuadrat barazuan 1-1, ndërsa në ndeshjen kthyse të zhvilluar në kryeqytetin turk, madrilenët u treguan më të suksesshëm duke fituar 2-1, kështu që Atletico kualifikohet me rezultat të përgjithshëm 3-2.
Sabrosa Simao shënoi golin e parë për mysafirët (63’), ndërsa tre minuta më vonë barazoi Kader Keita.
Për kualifikimin e Atleticos u kujdes sulmuesi uruguaian Diego Forlan, i cili shënoi në minutën e fundit të kohës së rregullt.
Javier Mascherano barazoi rezultatin. Liverpooli ka shënuar fitore me rezultat 3-1 dhe me rezultat përgjithshëm prej 4-1, kundër skuadrës rumune Unirea Urziceni, për t’u kualifikuar në 1/8 e finales së Europa League.
Takimi i parë i zhvilluar në Anfield përfundoi me rezultat 1-0 në favor të Të Kuqve, ndërsa në ndeshjen kthyese të zhvilluar në Bukuresht, Redsat fituan me rezultat 3-1.
Ishin rumunët ata që krijuan avantazh në minutën e 19-të, ndërsa njëmbëdhjetë minuta më vonë, Javier Mascherano barazoi rezultatin (30’).
Pa përfunduar pjesa e parë (41’), Ryan Babel krijoi epërsinë e parë për mysafirët, ndërsa kapiteni Steven Gerrard vendosi rezultatin përfundimtar (57’).
Golashënuesi i dyfishtë, Djibril Cisse. Roma është mposhtur edhe para tifozëve të vet nga Panathinaikosi dhe kështu është përshëndetur me ëndrrën për ta fituar Europa League.
Takimi i parë i zhvilluar në Athinë përfundoi me fitoren prej 3-2 të skuadrës greke, ndërsa edhe ndeshja kthyese e zhvilluar në Stadio Olimpico përfundoi me të njëjtin rezultat në favor të Panathinaikosit.
Vendasit kaluan të parët në epërsi me anë të John Arne Riise (12’), mirëpo deri në fund të pjesës së parë, mysafirët realizuan tri herë, me anë të Djibril Cisse (40’ dhe 45’+1) dhe Sotiris Ninis (43’).
Krejt çka bënë Giallorossët ishte një gol i shënuar nga Daniele De Rossi në pjesën e dytë (67’) për të ngushtuar epërsinë në 3-2.
Pas këtij takimi, Panathianikosi kualifikohet në 1/8 e finales së Europa League me fitore të përgjithshme prej 6-4.
Mesfushori i Juventusit, Diego, është i gatshëm të vazhdojë të përmirësohet me fanellën bardhezi dhe është i bindur se Zonja e Vjetër do të kualifikohet në garat e mëtutjeshme të Europa League.
“Do të jetë një ndeshje e vështirë (kundër Ajaxit), por ne kemi avantazhin pas fitores (prej 2-1) në Holandë”.
“Por prapëseprapë do të jetë një ndeshje e madhe, dhe për këtë jam i sigurt, sepse Ajaxi është një skuadër shumë e mirë”.
“Ne po përmirësohemi vazhdimisht dhe besimi po rritet. Kemi fituar tri ndeshjet e fundit, prandaj mund të luajmë me qetësi”, ka thënë braziliani.
Mediat spekulojnë se Real Madridi planifikon ta transferojë anësorin e Sevillas, Jesus Navas, gjatë afatit kalimtar veror, ndërsa Sergio Ramos mendon se bashkëlojtari i tij i dikurshëm është i gatshëm për ta bartur fanellën e Los Blancos.
“Besoj se ai është. Ai është një lojtar i jashtëzakonshëm, i cili po tregon se është i përgatitur të luajë këtu”.
“Ai është në nivel të njëjtë me disa nga lojtarët më të mirë në botë dhe do t’i ndihmonte shumë kësaj skuadre”, citohet spanjolli nga Marca.
Ronaldinho meriton më shumë lëvdata dhe më shumë vlerësim për atë që bën te Milani- thotë portieri i Rossonerëve, Christian Abbiati.
Abbiati dhe Dinho ishin lojtarët kryesorë fitoren prej 2-1 kundër Fiorentinas, me ç’rast Milani u ngrit në pozitën e dytë në tabelë dhe u rihap gara për titullin e Serie A.
“Unë do ta kisha vendosur Ronaldinhon në të gjitha faqet e para. Jam i lumtur për fitoren, sepse ishte e rëndësishme të merrnim maksimumin nga ajo ndeshje, edhe pse vuajtëm”, ka thënë Abbiati.
Mesfushori i PSG, Claude Makelele, ka deklaruar se në fund të këtij sezoni do t’i japë fund karrierës si futbollist aktiv.
“Ky është vërtet sezoni im i fundit”, ka thënë 37-vjeçari duke e lënë të haur mundësinë për të ndërruar mendje.
Makelele u transferua te PSG në vitin 2008, pas pesë sezoneve të suksesshme me Chelsean.
Gjatë qëndrimit në Angli, francezi ka fituar dy tituj të Ligës Premier, dy trofe të League Cup dhe një të FA Cup.
Gjatë karrierës së tij, Makelele ka fituar edhe tituj të Ligës franceze dhe asaj spanjolle, ndërsa në vitin 2002 ka fituar Ligën e Kampionëve me Real Madridin
Trajneri i Liverpoolit, Rafael Benitez, ka bërë të ditur se Fernando Torres nuk do të fillojë nga minuta e parë në ndeshjen kthyese të Europa League kundër Unirea Urzicenit.
“Ai ende nuk është i gatshëm. Ai ka nevojë për kondicion loje dhe duhet të luajë dhe të stërvitet, dhe do të shohim më vonë se si do të përshtatet”.
“Ai ka bërë punë të mirë me ftiziatrit dhe trajnerin e fitnesit. Ai është vërtet e lumtur”.
“Duhet të kemi kujdes sepse ka kaluar kohë e gjatë. Nuk guxojmë t’i shkaktojmë shumë presion, sepse mund ta humbim (sërish) pa pasur nevojë”, ka thënë trajneri spanjoll në një konferencë për shtyp.
Në fund Benitez e ka bërë të qartë se Torres nuk do të luajë nga fillimi, por mund të inkuadrohet nga banka rezervë.
Trajneri i Ajaxit, Martin Jol, thotë se skuadra e tij mund ta përmbysë avantazhin prej 2-1 të Juventusit në ndeshjen kthyese të Europa League, e cila zhvillohet të enjten mbrëma në Torino.
“Ne gjithmonë kemi besim, se përndryshe do të kishim qëndruar në shtëpi”.
“Juve padyshim se do ta ketë avantazhin dhe do të jetë vështirë për të shënuar dy gola, por unë do t’i mbaj lojtarët të motivuar, sepse kjo skuadër mund ta bëjë këtë”, ka thënë Jol për tuttomercatoweb.
Anësori i djathtë i Sevillas, Jesus Navas, është emri i fundit që lidhet me një kalim në Real Madrid.
Spanjolli është edhe një produkt i shkëlqyeshëm i shkollës së të rinjve të Sevillas dhe ka qenë në një formë impresive gjatë 12 muajve të fundit, ndërsa paraqitjet e tij nuk kanë kaluar të pavërejtura as nga përzgjedhësi i kombëtares së Spanjës, Vicente del Bosque.
Por paraqitjet e mira kanë tërhequr edhe vëmendjen e disa klubeve, dhe spekulimet e fundit në mediat spanjolle thonë për të është i interesuar Real Madrid. Marca shkruan se Jesus Navas është pjesë e dëshirave të Realit për të përforcuar krahun, pas fundit të sezonit.
Emri më i madh është Frank Ribery nga Bayern Munich, por francezi ende nuk dihet nëse do të largohet nga klubi gjerman në fund të sezonit dhe për të ka një varg klubesh tjera të interesuara.
Sulmuesi i Real Madridit, Gonzalo Higuain, thotë se bashkëkombësi i tij, Lionel Messi është lojtari më i mirë në botë dhe se Barcelona është e para si skuadër.
“Njerëzve u pëlqen ai që u pëlqen, mirëpo për mua Messi është më i miri në botë”.
“Ai e ka fituar Topin e Artë dhe çmimin e lojtarit më të mirë nga FIFA, dhe tash për tash është më i miri në botë”.
“Edhe pse Madridi është skuadra më e mirë në histori, aktualisht Barcelona është skuadra më e mirë në botë. (Edhe pse) e kam të vështirë që ta them këtë”, ka thënë argjentinasi për AS.
Wayne Bridge ka bërë të ditur me anë të një deklarate për mediat se nuk do të jetë në dispozicion të kombëtares së Anglisë.
Mbrojtësi i majtë i Manchester Cityt, me anë të një deklarate të dhënë nga avokatët e tij, ka thënë se ai nuk do të jetë në dispozicion të kombëtares angleze, pasi mendon se sjell jostabilitet në mesin e lojtarëve.
“Kam menduar gjatë dhe pa ndërprerë për pozitën time në ekipin e Anglisë pas ndodhive në disa javët e fundit. Gjithmonë kam pasur nder të luaj për Anglinë. Por pasi kam menduar mirë, besoj se pozita ime në përbërje është e paqëndrueshme dhe mund të sjellë çarje të ekipit”, thuhet në deklaratë.
Me këtë hap të Birdge, Fabio Capello, ka mbetur pa dy zgjidhjet kryesore në krahun e majtë, pas edhe lëndimi të Ashley Cole.
Menaxheri i Chelseat, Carlo Ancelotti, thotë se rezultati i ndeshjes së fundit të Ligës së Kampionëve ndaj Interit nuk do të jetë pengesë e madhe për t’u tejkaluar.
Interi do të udhëtojë në Stamford Bridge pas dy javësh me një avantazh prej 2-1, por Ancelotti ka parë shumë gjëra pozitive në ndeshjen e mbrëmshme, për të qenë i sigurt për ndeshjen e kthimit.
“Mendoj se nga ajo që pamë sonte, kemi shanse për ta përmbysur. Mendoj se luajtëm mirë. Largohemi pa rezultat pozitiv, por jo edhe me një rezultat të keq. Do të luajmë të sulmojmë dhe të fitojmë ndeshjen e dytë, ashtu siç tentuam në këtë ndeshje. U përpoqëm të sulmojmë dhe të shënojmë që nga minuta e parë deri te ajo e fundit”, ka thënë ish-trajneri i Milanit.
Mbrojtësi i Milanit, Alessandro Nesta, ka lavdëruar bashkëlojtarin e tij Christian Abbiati pas një paraqitje të jashtëzakonshme në fitoren 2-1 ndaj Fiorentinas.
Abbiati bëri një paraqitje të shkëlqyeshme për të ndihmuar Milanin të shënojë fitore dhe të rimarrë pozitën e dytë të tabelës së Serie A.
“Dje ishte një ndeshje shumë e çuditshme. Ishim me fat të shënojmë dy gola. Në pjesën e dytë trajneri kërkoi të qëndrojmë më lart dhe të bëjmë presion në mbrojtjen e tyre”.
“Do t’i uroja Abbie-t, i cili ka bërë dy mbrojtje të jashtëzakonshme. Pas aq shumë kohe jashtë fushe, ai u rikthye të dielën kundër Barit dhe ka bërë dy paraqitje të shkëlqyeshme”, ka thënë Nesta.
Dirk Nowitzki ka shënuar 31 pikë për të udhëhequr ekipin e tij Dallas Mavericks drejt fitores 101-96 ndaj liderit të Konferencës Perëndimore, Los Angeles Lakers.
Gjermani përfundoi ndeshjen me 13 pikë të shënuara vetëm në çerekun e katërt, derisa jo larg tij ishte edhe Jason Terry që shënoi 30 pikë për Mavericks. Humbja e pestë radhazi e çon në 37 numrin e fitoreve të Dallas këtë sezon, krahas 21 humbjeve.
Bryant, i cili shënoi pikët vendimtare në fitoren e ndeshjes së kaluar, atë të kthimit pas një mungese prej pesë ndeshjesh, humbi një përpjekje të ngjashme që do të mund të kishte ngushtuar rezultatin, kur kishin mbetur 25 sekonda.
Bryant po ashtu nuk ishte i saktë në pesë tentimet e tij të para, dhe përfundoi ndeshjen me 9 shënime nga 24 tentimet, që i sollën 20 pikë.
Diego Milito ka dalë ‘në mbrojtje’ të bashkëlojtarit të tij te Interi, Samuel Eto'o, pas fitores së mbrëmshme ndaj Chelseat.
Milito shënoi golin e parë në fitoren e mbrëmshme prej 2-1, ndërsa Eto'o u kritikua për performancën e tij.
“Eto'o nuk luajti mirë? Jo, nuk mendoj kështu. Samuel bëri një punë të rëndësishme në mbrojtje, që ishte vendimtare për të gjithë ekipin, një punë defensive e cila na ka ndihmuar të fitojmë. Ai është i shkëlqyeshëm, ka bërë shumë sakrifica dhe edhe pse nuk shënoi, duhet ta respektojmë punën e tij për ekipin”, ka thënë Milito.
Forma e fundit e sulmuesit të Manchester United, Wayne Rooney, e ka lënë me sy të hapur menaxherin e kombëtares angleze, Fabio Capello.
Rooney ka shënuar 27 gola në të gjitha garat këtë sezon, duke e bërë italianin të lëshojë lëvdata në drejtim të tij.
“Wayne është i jashtëzakonshëm, ai është i talentuar dhe ka dëshirë për të mësuar. Ferguson e ka mësuar mirë, ndërsa mua më është dashur vetëm ta gdhend. I kam thënë atij se ai duhet të luajë brenda kuadratit dhe duhet të vazhdojë të shënojë gola”, ka thënë Capello.
Dhe Capello beson se largimi i ish-yllit të Manchester United, Cristiano Ronaldo, është rezultat i përmirësimit dhe qëndrueshmërisë së Rooneyt.
Bernd Schuster thotë se pa yllin Cristiano Ronaldo, Real Madridi do të ishte një zgjidhje e mirë për ata që nuk mund të flenë.
Ish-trajneri i Realit e ka krahasuar Ronaldon me ish-legjendën e këtij klubi, Zinedine Zidane.
“Ishte një kohë kur më pëlqente ta shikojë Zidane duke luajtur për Madrid. Tash e shoh Madridin kur luan portugezi. Nëse jo, do të ishte sikur të pish një bar për të fjetur. Pa të, lojtarët tjerë nuk mund të bëjnë shumë”, ka thënë Schuster.
Frank Lampard thotë se Chelsea ishte ekip më i mirë në ndeshjen e mbrëmshme të Ligës së Kampionëve kundër Interit.
Blutë u mposhtën me rezultat 2-1 në ndeshjen e zhvilluar në Giuseppe Meazza, por mesfushori anglez mendon se ata dominuan në fushë.
“Sa i takon posedimit dhe gjuajtjeve në cak, ne ishim më të fuqishëm. Jose Mourinho është shumë inteligjent në mënyrën se si të luajë dhe Inter shënoi një gol të hershëm. Por ne kemi një gol të shënuar në udhëtim dhe duhet të jemi pozitiv”, ka thënë Lampard.
Sulmuesi i Manchester United, Wayne Rooney, thotë se ai nuk ka caktuar një shifër të golave të cilën do të synojë ta arrijë këtë sezon.
Forma e Rooneyt është shumë e mirë dhe fansat anglez kanë filluar të shqetësohen se ai do të thahet derisa të arrijë Kupa Botërore në qershor.
“Përderisa vazhdoj të jem mirë dhe të luaj, jam i sigurt se do të jetë OK. Vetëm po kënaqem duke luajtur dhe duke shënuar gola. Shpresoj kjo të vazhdojë. Kurrë vërtet nuk kam vendosur një cak, por vetëm dua të vazhdoj të shënoj”, ka thënë Rooney.