Presidenti i Milanit, Silvio Berlusconi, është i kënaqur që skuadra e tij e ka ngushtuar diferencën me Interin në krye të tabelës- thotë zëvendëspresidenti i Rossonerëve, Adriano Galliani.
“Ai më thirri dhe më tha se gjithçka po shkon mirë, dhe se ai është i kënaqur me skuadrën”, u ka thënë Galliani gazetarëve.
Kuqezinjtë kanë fituar nëntë pikë në tri ndeshjet e fundit dhe tash janë vetëm katër pikë prapa liderit Inter.
Këtë fundjavë, Milani do të ndeshet me Atalantan, ndërsa Interi do ta ketë kundërshtar Udinesen.
Mediat spanjolle njoftojnë se kapiteni i Arsenalit, Cesc Fabregas, dëshiron ta zgjidhë të ardhmen e tij para fillimit të Kampionatit Botëror.
Barcelona është skuadra e cila interesohet seriozisht për shërbimet e mesfushorit spanjoll, ndërsa njëherit edhe Arsenali dëshiron ta mbajë yllin e vet.
AS shkruan se Fabregas dëshiron ta zgjidhë situatën e tij, ashtu që trajneri i Spanjës, Vicente del Bosque, të mos ketë asnjë dyshim në lidhje me përqendrimin e lojtarit.
Sidoqoftë, gjasat janë më të mëdha që edhe sezonin e ardhshëm Cesc të bartë fanellën e Topçinjve, por gjithmonë ekziston mundësia që Barcelona ta rikthejë atë në skuadër.
Marek Hamsik u ka thënë skuadrave të interesuara për të, Interit dhe Chelseat, se do të nënshkruajë kontratë të re me Napolin.
Mesfushori sllovak nuk planifikon të pranojë ofertat e Jose Mourinhos apo Carlo Ancelottit, porse dëshiron të vazhdojë të luajë me skuadrën aktuale.
“Interi dhe Chelsea po interesohen për mua? E pashë ndeshjen ndërmjet tyre dhe më pëlqeu, ndërsa sa i përket zërave të merkatos, janë të këndshëm”.
“Mirëpo unë jam i qetë, sepse do të takohem me drejtuesit e Napolit javën tjetër për rinovimin e kontratës, dhe mezi pres të nënshkruaj kontratën e re”, u ka thënë Hamsik gazetarëve.
Portieri holandez Edwin van der Sar të premten ka nënshkruar kontratë të re me Manchester Unitedin, e cila do ta mbajë në Old Trafford deri në verën e vitit 2011.
Këtë sezon 39-vjeçari pati disa probleme personale ku veç lëndimeve të tij, gruaja e tij pati hemorragji cerebrale, me ç’rast u spekulua se Va nder Sar mund ta përfundonte karrierën.
Mirëpo, tani gjërat janë përmirësuar dhe holandezi vendosi ta zgjaste qëndrimin te Djajtë e Kuq.
“Ende po ndihem mirë dhe po kënaqem me futbollin... Planifikoj të fitoj më shumë trofe me këtë skuadër të madhe”, ka thënë Van der Sar.
Mbrojtësi i djathtë i Barcelonës, Daniel Alves, thotë se ai është shumë i lumtur në Camp Nou dhe se është i gatshëm ta vazhdojë besimin nëse këtë e dëshiron udhëheqja e klubit.
Braziliani ka marrëveshje me Barcelonën deri në vitin 2012 dhe në mungesë të negociatave për vazhdim e saj, mediat spekuluan se ai mund të kalojë në Ligën Premier. Por braziliani e mohon këtë.
“Drejtuesit e klubit e dinë se unë dhe familja ime jemi të lumtur këtu. Shpresoj të jem këtu sa më gjatë. Zgjidhja ime e parë gjithmonë do të jetë Barcelona”.
“Nëse jam i shqetësuar që lojtarë të tjerë i kanë rinovuar marrëveshjet? Jo kjo është diçka që nuk më shqetëson. Kur kam ardhur kam nënshkruar një marrëveshje që vlen ende. Jam i lumtur në Barcelona dhe ndjehem komfort këtu”, ka thënë Alves.
Ekipi i Arsenalit ka bërë të ditur se ka nxjerrë përfitim prej 35.2 milionë funtesh dhe ulje të dukshme të borxhit në gjashtë muajt e fundit.
Raporti gjysmëvjetor i Arsenalit ka treguar se borxhi prej 332.8 milionë funtesh është zvogëluar në 203.6 milionë, respektivisht për 129,2 milionë funte më pak.
Rezultatet e tilla pozitive në masë më të madhe janë falë shitjes së 261 apartamenteve në Highbury Square, ish-fushën e klubit në Londrën Veriore. Edhe Arsene Wenger do të ketë një shumë të theksuar të parave për të investuar në ekip.
“Si do ta shfrytëzojmë këtë tepricë të mjeteve ende nuk është vendosur, por krahas investimeve në klub, do të shihet edhe mundësia për të investuar projekte të klubit si dhe në infrastrukturë në Emirates”, ka thënë drejtori ekzekutiv, Peter Hill Wood.
Kapiteni i Liverpoolit, Steven Gerrard, ka riafirmuar ambicien e tij për të fituar Ligën e Evropës.
Të kuqtë do të vazhdojnë më tej garën në Europa League pas fitores së mbrëmshme ndaj Unirea.
“Çdo garë është shumë e rëndësishme për këtë klub futbolli, veçanërisht kur jeni jashtë turneve tjera. Ky është shansi ynë i fundit për të fituar medalje dhe do të jetë tmerr nëse nuk arrijmë në finale për fansat të cilat na kanë përkrahur këtë sezon”, ka thënë Gerrard.
Cristiano Ronaldo - Real Madrid Ylli i Real Madridit, Cristiano Ronaldo, ka mohuar kualitetet e rivalit të tij të Barcelonës, Lionel Messi.
Ish-lojtari i Manchester United, nuk e vlerëson Lojtarin më të Mirë të Vitit në mesin e top tre lojtarëve favorit të tij.
“Kaka, Rooney dhe Drogba janë lojtarët më të mirë në botë”, ka thënë Ronaldo për Corriere dello Sport.
I pyetur për kryesimin e Barcelonës, Ronaldo ka shtuar: “Barcelona duhet të vijë dhe të luajë në Bernabeu, dhe ne jemi të bindur se do t’i ndalojmë”.
Mbrojtësi Gerard Pique ka arritur pajtim me drejtuesit e Barcelonës rreth marrëveshjes së tij të re.
Marca shkruan se ish-lojtari i Manchester United është lidhur me klubin katalanas deri në vitin 2015.
Marrëveshja e kaluar e Pique ishte deri në vitin 2012 dhe vazhdimi trevjeçar i saj ka përfshirë edhe rritje të klauzulës blerëse, që thuhet të jetë afro 100 milionë euro.
Sulmuesi i Manchester Cityt, Emmanuel Adebayor është suspenduar për katër ndeshje pas kartonit të kuq të marrë kundër Stoke Cityt.
Manchester City ka pranuar kartonin e kuq dhe nuk është ankuar, për të tentuar të zvogëlojë numrin e ndeshjeve të suspenduara.
Adebayor u dërgua jashtë loje pasi goditi në fytyrë lojtarin e Stoke, Ryan Shawcross, gjatë ndeshjes së Kupës FA gjatë të mërkurës.
Dhe City ka vendosur të pranojë suspendimin prej katër ndeshjeve, në vend se të rrezikojë edhe me një ndeshje të pestë, nëse kërkesa e tyre do të ishte e pavlerë.
Sulmuesi i Manchester Cityt, Carlos Tevez, do të jetë në Londër për takimin e nesërm në Ligës Premier kundër Chelseat.
Daily Mail shkruan se Tevez ka fluturuar në Angli nga Argjentina, pasi vizitoi gruan e tij pas lindjes së parakohshme të vajzës së tyre të dytë.
Sulmuesi i Manchester Cityt, ka qenë për 10 ditë larg klubit të tij, por është duke synuar të rikthehet ndaj Chelseat.
“Kur keni një rast familjar, futbollin e vendosni në rend të dytë. Unë kam qenë në spital pesë herë në ditë për ta ushqyer vajzën e vogël. Vetëm vija dhe shkoja, nuk mund të shikoja futboll”, ka thënë Tevez.
Menaxheri i Liverpoolit, Rafa Benitez, ka qenë i ngazëllyer me paraqitjen dhe golin e shënuar nga Ryan Babel në fitoren e mbrëmshme ndaj Unirea.
Babel tha para fitores në Europa League se ai ka pasur biseda me Benitez rreth rolit të tij.
“Ryan është duke punuar shumë dhe ia ka dalë mirë në stërvitje, andaj kjo është mënyra se si duhet të jenë lojtarët nëse dëshirojnë të luajnë. Ata do të kenë më shumë opsione dhe ai po ia del mirë dhe mund të luajë më shumë ndeshje”, ka thënë Benitez.
Petr Cech u lëndua në ndeshjen të cilën Chelsea e humbi kundër Interit, me rezultat 2-1. Chelsea ka konfirmuar se portieri numër një i tyre do të jetë jashtë aksionit për të paktën një muaj për shkak ndrydhjes së muskulit.
Pas skanimeve që kanë bërë blutë e Londrës, kanë konstatuar se portieri i tyre nuk do të mund të jetë në fushat e blerta për tri ose katër javë.
Cech papritmas u rrëzua në tokë në ndeshjen me Interin në Ligën e Kampionëve meqë rast u largua nga fusha për tu zëvëndësuar nga Hilario.
Ancelotti është i bindur se Cech do të jetë i gatshëm për ndeshjen e dytë ndaj Interit, por sipas informacioneve ekskluzive nga Anglia mësojmë se Cech nuk do të jetë i gatshëm për ndeshjen kthyese ndaj Interit në Stamford Bridge.
Zëvëndësues i Petr Cech është Hilario, që nuk ka formë konstante.