Realizuesi i dyfishtë, Diego Forlan Derbi kryesor i Primera Divisionit spanjoll në javën e 24, është zhvilluar në Vicente Calderon, ndërmjet Atletico Madridit dhe Valencias. Madrilenët kanë shënuar fitore prej 4-1, kundër nëntë lojtarëve të Los Che.
Të parët kaluan në epërsi mysafirët me anë të David Silvas (21’), mirëpo përjashtimi i Marchenas me karton të kuq (28’) ndryshoi kahun e ndeshjes.
Fillimisht, Diego Forlan barazoi rezultatin nga pika e bardhë (30’), ndërsa Sergio Aguero kaloi vendasit në epërsi (78’).
Në minutën e 82-të, u përjashtua nga loja edhe Miguel, ndërsa tepricën e lojtarëve në fushë e shfrytëzuan vendasit të cilët realizuan golin e tretë, ndërsa realizues ishte sërish Forlan (86’).
Atletico nuk u ndal me kaq, në minutat shtesë, Jurado realizoi edhe golin e katërt për të vendosur rezultatin përfundimtar prej 4-1.
Ndeshja kryesore e javës së 26-të në Serie A është zhvilluar në Stadiumin Olimpik të Torinos, ndërmjet Juventusit dhe Palermos, ndërsa ishin lojtarët mysafirë ata që arkëtuan tri pikë nga ky takim.
Sicilianët kanë shënuar fitore prej 2-0 përballë Zonjës së Vjetër, duke turpëruar bardhezinjtë para tifozëve të vet.
Juventusi dominoi në pjesën e parë duke treguar një lojë të bukur, mirëpo mungonte konkretizimi.
Në fraksionin e dytë të lojës, Palermo dalëngadalë mori zemër dhe u bë skuadër gjithnjë e më e rrezikshme.
Ishte ish-sulmuesi i Juventusit, Fabricio Miccoli, lojtari i cili shokoi portierin Alex Manninger me një supergoditje nga jashtë gjashtëmbëdhjetëmetërshit (60’).
Një gabim të mbrojtjes vendase e shfrytëzoi i porsainkuadruari në lojë, Igor Budan, i cili dyfishoi epërsinë e mysafirëve (82’), për t’i dhënë fund dyshimit për fituesin në këtë përballje.
Me këtë fitore, Palermo merr pozitën e katërt në tabelë duke e zhvendosur Juventusin në vendin e pestë.
Golashënuesi i vetëm, Franck Ribery. Bayern Munichu ka fituar derbin e javës së 24 në Bundesliga për të marrë kreun e Kampionatit gjerman.
Takimi i zhvilluar të dielën në Allianz Arena ndërmjet, Bayernit dhe Hamburgut, ka përfunduar me fitoren e bavarezëve me rezultat 1-0.
Heroi i vendasve në këtë takim ishte anësori francez Franck Ribery, i cili shënoi golin me vlerën e tre pikëve (78’).
Pas kësaj fitoreje Bayerni merr kreun e tabelës me dy pikë më shumë se Bayer Leverkusen që barazoi të shtunën kundër Kylnit.
Fitore identike prej 1-0, ka shënuar edhe kampioni në fuqi i Gjermanisë, Wolfsburgu, si mysafir i Hannoverit.
Fernando Torres (në mes) shënoi golin e fitores. Liverpooli ka shënuar fitore me rezultat 2-1 kundër Blackburn Rovers për të mbajtur gjallë shpresat për një vend që dërgon në Ligën e Kampionëve.
Të Kuqtë kaluan në epërsi me anë të simbolit Steven Gerrard (20’), mirëpo mysafirët arritën deri te goli i barazimit, kur nga penalltia realizoi Keith Andrews (40’).
Tre pikë nga ky takim Liverpoolit ia siguroi sulmuesi i kthyer nga lëndimi, Fernando Torres, i cili shënoi golin e fitores (43’).
Wayne Rooney shënoi golin e fitores. Aston Villa dhe Manchester United janë takuar të dielën për të zhvilluar finalen e Carling Cup në stadiumin Wembley.
Të parët kaluan në epërsi lojtarët e Aston Villas. James Milner krijoi epërsi të hershme (5’) për ekipin nga Villa Park, mirëpo kjo epërsi zgjati shumë shkurtë.
Michael Owen, i cili në këtë ndeshje u inkuadrua nga minuta e parë, reagoi shumë shpejtë (12’) për ta barazuar rezultatin. Megjithatë, për fatin e keq të tij, sulmuesi anglez u desh ta largohej nga ndeshja për shkak të lëndimit (42’).
Sidoqoftë, inkuadrimi i sulmuesit në top-formë, Wayne Rooney, është rrezik për çdo kundërshtar, dhe ishte pikërisht Rooney lojtari që shënoi golin e fitores dhe ia siguroi skuadrës së tij trofeun e League Cup.
Marek Hamsik shënoi golin e barazimit. Një gol i shënuar në fund të ndeshjes nga pika e bardhë, ia ka mohuar Romës fitoren kundër Napolit, në takimin e zhvilluar në San Paolo.
Giallorossët krijuan avantazh të dyfishtë, me anë të Julio Baptistas nga pika e bardhë (59’) dhe Mirko Vucinic (65’), mirëpo nuk arritën ta ruajnë avantazhin deri në fund të ndeshjes.
Pesëmbëdhjetë minuta pa përfunduar koha e rregullt, German Gustavo Denis ngushtoi rezultatin në 2-1, ndërsa në minutën e fundit Marek Hamsik barazoi nga pika e bardhë.
Dy nga golashënuesit, Balotelli dhe Diego Milito. Zikaltrit kanë arritur të arkëtojnë tre pikë të plota në ndeshjen e zhvilluar si mysafirë të Udineses, edhe pse gjysma e dytë e lojës u zhvillua kryesisht në fushën e tyre.
Vendasit krijuan epërsi të hershme me anë të Simone Pepe (2’), mirëpo shpejtë reagoi Mario Balotelli për të barazuar rezultatin (6’).
Pa përfunduar pjesa e parë, Interi shënoi edhe dy herë, me anë të Maicon (21’) dhe Diego Milito (45’), për të ngritur epërsinë në 3-1.
Gjysma e dytë e takimit i takoi kryesisht Udineses, mirëpo vendasit nuk patën fatin ta barazonin rezultatin, por arritën vetëm ta ngushtojnë atë, pas golit të Antonio Di Natales nga pika e bardhë (52’).
Golashënuesi i dyfishtë, Alexandre Pato. Atalanta ishte viktima e radhës e Milanit. Në ndeshjen e zhvilluar të dielën në San Siro, Rossonerët kanë shënuar fitore me rezultat 3-1 përballë bergamasve.
Alexandre Pato krijoi epërsi të dyfishtë në pjesën e parë (30’ dhe 41’) dhe me këtë rezultat skuadrat shkuan në pushim.
Në pjesën e dytë (56’), mysafirët ngushtuan rezultatin në 2-1 me golin e shënuar nga Valdes.
Në minutën e 61-të u akordua penallti në favor të Milanit, ndërsa goditjen e Ronaldinhos e mbrojti portieri Consigli, por aty ishte Marco Borriello për të vendosur rezultatin përfundimtar, 3-1.
Federata braziliane e futbollit është duke e monitoruar nga afër përparimin e trajnerit të Milanit, Leonardo, ndërsa njoftohet se ai është zgjidhja e parë për ta udhëhequr Brazilin në Kampionatin Botëror 2014.
Leonardo dalëngadalë ka ndërtuar një imazh të mirë të trajnerit falë disa sukseseve taktike te Milani duke e kthyer në garë për titull pas një fillimi zhgënjyes të sezonit.
Braziliani e ka bërë të qartë se nuk planifikon të largohet nga Rossonerët në një të ardhme të afërt, mirëpo Federata braziliane e futbollit planifikon ta angazhojë atë në mënyrë që njëherit të mund ta mbajë edhe punën te Milani.
Emmanuel Adebayor Sulmuesi i Manchester Cityt, Emmanuel Adebayor, ka deklaruar se ai asnjëherë nuk ka dashur të largohet nga Arsenali dhe se largimi i tij ka ardhur pasi që trajneri Arsene Wenger e ka detyruar të largohet.
“Ndodhi sepse Arsene nuk më dëshironte më. Nëse Arsene ka një zemër të madhe, ne mund të shkojmë në një shou televiziv të bëjmë një debat dhe ai nuk do të mund të thotë se unë i kam thënë që dua të largohem”.
“Ai kurrë nuk do ta thotë këtë. Ai e di shumë mirë. Unë e respektoj atë shumë dhe ai e di këtë, por gjëja që më pengon më së shumti për gjithë këtë tregim është kur njerëzit thonë se unë kam dashur të largohem për shkak të parave”.
“Nëse vërtet i kam dashur paratë, do të largohesha dy vite më parë dhe do të shkoja te Milani ose Barcelona”, ka thënë 26-vjeçari.
(Nga e majta) Katrin Mattscherodt, Anni Friesinger-Postma, Stephanie Beckert dhe Daniela Anschutz- Thoms festojnë medaljen e artë. Në ditën e parafundit të garave në Lojërat Olimpike Dimërore, Vancouver 2010, sportistët gjermanë morën dy medalje të tjera.
Patinatoret gjermane në patinazh të shpejtë morën medalje ari në ndjekjen në skuadër. Katrin Mattscherodt, Daniela Anschütz-Thoms dhe Stephanie Beckert triumfuan në finale ndaj ekipit japonez. Medalja e bronztë në këtë garë u fitua nga polaket.
Andre Lange, në përfundim të karrierës së tij, mori medaljen e argjendtë në bob-katërsh. Medalja e artë në këtë kompeticion u fitua nga grupi i amerikanit Steven Holcomb, ajo e bronzit nga grupi i kanadezit Lyndon Rush.
Hokeistët e të Finlandës kanë fituar medaljen e bronztë në Lojërat Olimpike Dimërore, Vancouver 2010, duke shënuar fitore prej 5-3 kundër Sllovakisë.
Përfaqësuesja e Finlandës është e vetmja skuadër e cila në pesë turnetë e fundit olimpikë ka fituar katër medalje.
Finalja zhvillohet të dielën mbrëma ndërmjet Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Kanadasë.
Menaxheri i Manchester Unitedit, Sir Alex Ferguson, është i kënaqur me kontributin e Michael Owenit këtë sezon dhe thotë se sulmuesi anglez do të vazhdojë të bartë fanellën e Djajve të Kuq.
Ferguson thotë se përkundër paraqitjeve të kufizuara, Owen është i lumtur në Old Trafford edhe akoma vazhdon të përmirësohet si lojtar.
“Ai ka bërë mirë këtu, ai ka qenë një sukses. Ai është një profesionist i madh. Ai nuk ka munguar as në një seancë të vetme stërvitore. Performancat e tija në stërvitje kanë qenë shumë të mira dhe mendoj se ai është përmirësuar si futbollist gjatë kohës sa ka qëndruar këtu”.
“Mendoj se atij i pëlqen që është pjesë e klubit dhe ai do të qëndrojë këtu sezonin e ardhshëm, sepse unë nuk kam për qëllim që ta lejoj të largohet”, ka thënë Ferguson.
Trajneri i Juventusit, Alberto Zaccheroni, nuk do ta ketë në dispozicion mesfushorin Mauro Camoranesi, në ndeshjen e të dielës mbrëma kundër Palermos.
Italiani nuk është përfshirë në skuadrën që do të ndeshet me Palermon, si pasojë e një lëndimi të radhës që pësoi në ndeshjen kundër Ajazxit, në Europa League.
‘Camo’ sapo u kthye në aksion javën e kaluar, pasi kishte qëndruar dy muaj jashtë fushe, ndërsa ky lëndim është një lajm i keq për 33-vjeçarin.
Lojtarët e Juventusit që janë në dispozicion kundër Palermos:
Chiellini, Felipe Melo, Cannavaro, Grosso, Salihamidzic, Del Piero, Manninger, Zebina, Trezeguet, Grygera, Sissoko, Candreva, Paolucci, Diego, De Ceglie, Legrottaglie, Marrone, Immobile, Pinsoglio.
Sulmuesi i Udineses, Antonio Di Natale, është i gatshëm që t’i shkaktojë probleme Interit në ndeshjen e të dielës.
Këtë sezon, frulianët rrezikohet që të bien në Serie B, ashtu që kanë nevojë të madhe për sa më shumë pikë.
Ndërkohë, Interi nuk do ta ketë trajnerin e suspenduar Jose Mourinho, ndërsa i nevojitet një fitore pas dy barazimeve radhazi në Serie A.
“Gjysma e Italisë do të bëjë tifo për ne... Do të jap maksimumin nga vetja për ta mposhtur Interin dhe të shënoj më shumë gola se Milito”, ka thënë ‘Toto’ për La Gazzetta dello Sport.
Di Natale aktualisht është golashënuesi më i mirë në Serie A- me 18 gola, ndërsa sulmuesi i Interit, Diego Milito, zë vendin e dytë me 14 gola të shënuar.
Portieri i Milanit, Christian Abbiati, beson se skuadra e tij ka gjithçka që është e nevojshme për ta fituar titullin e Serie A këtë sezon.
“Jam i sigurt se Milani do ta fitojë Scudetton. Ky sezon më përkujton sezonin kur e fituam titullin në vitin 1999, derisa Zaccheroni ishte trajneri ynë”, tha Abbiati për Tuttosport.
Aktualisht Milani gjendet katër pikë prapa liderit Inter dhe ekzistojnë mundësi reale që Rossonerët të jenë konkurrentë seriozë për të fituar titullin e 18-të në Kampionatit italian.
Barcelona ka fituar me vështirësi kundër Malagas, ndërsa mesfushori Andres Iniesta është shprehur mjaft i kënaqur me këtë fitore.
“Ishte një ndeshje mjaft e tendosur dhe e vështirë, por ne nxorëm rezultat mjaft të rëndësishëm”.
“Luajtëm shumë mirë. Këto ndeshje të japin vetëbesim dhe shtytje morale”, është shprehur spanjolli për AS.
Real Madridi ka regjistruar sërish një fitore të lartë, këtë radhë kundër Tenerifes, ndërsa mbrojtësi Raul Albiol është shprehur krenar me këtë fitore.
“Fitoret si mysafirë janë përherë të rëndësishme. Ishte e vështirë derisa shënuam. Ne luajtëm më mirë qëkur gjetëm hapësirë”.
“Duhet ta luajmë edhe ndeshjen tjetër në të njëjtën mënyrë”, ka thënë Albiol në një intervistë për AS.
Në javën e ardhshme, Reali është nikoqir i Sevillas në Bernabeu.
Barcelona ka shënuar fitore të vështirë ndaj Malagës në Camp Nou me rezultat 2-1.
Barcelona që nga sekonda e parë deri në atë të fundit kishte posedim mbi 70% të kohës në top. Rastet ishin të panumërta, por paaftësia e një Ibrahimovici që kushtoi mëse 70 milion euro është vërtetë në këtë rast e paakceptueshme.
Pjesa e dytë ishte me ritmin e njejtë blaugran, por me ndryshim dramatik në rezultat.
Është Pedro Rodriguez ai që në minutën e 69 kalon në epërsi të merituar Barcelonën. Pedro luajti në këtë takim shumë më mirë sesa Ibrahimovic, që në ca raste u tregua amater i vërtetë.
Dushi i ftohtë dhe gëzimi i tifozëve të Realit vjen në minutën e 81 kur Valdo shënon për qetësinë e mëse 120 mijë spektaktorëve në Camp Nou.
Mirëpo, se pse duhet ta kesh një Messi në skuadër tregon minuta e 84. Argjentinasi shënoi tre minuta pas golit të barazimit për t’ua salduar gjuhën të gjithë kritikëve dhe tifozëve madrilen natyrisht që shpresonin ta shihnin skuadrën e tyre në piedestal.
Ibrahimovicit, lojtarit më të keq të ndeshjes nuk ju pranua një gol në minutën e fundit.
Sidoqoftë, Malaga nuk e meritoi barazimin dhe kështu mbetet në pozitën e 12.
Barcelona mban pozitën e parë me 61 pikë, dy më shumë se Real Madridi në pozitën e 2 me 59 pikë.