Superylli i Real Madridit, Cristiano Ronaldo, e ka paralajmëruar Lyonin se në Santiago Bernabeu, Mbretërit do të flasin ndryshe.
“Duhet të tregojmë se në Bernabeu, ne jemi ‘bosët’. Tashmë e njohim Lyonin- një skuadër e fortë- por tash ne do të luajmë në shtëpi dhe unë jam i bindur se ne do të vazhdojmë tutje. Do të ishte një zhgënjim i madh po të mos vazhdonim”,
“Do të dalim në fushë me mentalitet fituesi dhe me qëllimin për të shënuar gola. Nëse mesfusha jonë është më ofensive, atëherë do të jetë edhe më mirë. Por vendimin (për taktikën e lojës) e merr Pellegrini”, ka thënë portugezi për Marca.
Në takimin e parë të zhvilluar në Stade de Gerland, Lyoni shënoi fitore me rezultat 1-0.
Alexandre Pato dhe Clarence Seedorf janë në listën e lojtarëve të Milanit që do të jenë të pranishëm në Old Trafford për ta zhvilluar ndeshjen vendimtare të Ligës së Kampionëve.
Sulmuesi brazilian ka qenë në dyshim për të luajtur të mërkurën mbrëma, si pasojë e një lëndimi. Mirëpo, sipas mediave italiane, stafi mjekësor i Rossonerëve ka dhënë dritën e gjelbër që Pato të udhëtojë në Angli.
Megjithatë, mbetet të vendoset nëse 20-vjeçari do të luajë nga minuta e parë, apo do të qëndrojë në bankën rezervë.
Krahas Patos, në ekipin e Leonardos është përfshirë edhe Clarence Seedorf, i cili si pasojë e lëndimit ka munguar në ndeshjet e fundit.
Për t’u kualifikuar në çerekfinale, Milani duhet ta përmbysë rezultat prej 3-2 që e pësoi në San Siro nga Manchester United.
Portieri i Arsenalit, Manuel Almunia, është i bindur se Topçinjtë do të sigurojnë kualifikimin në çerekfinale të Ligës së Kampionëve, përkundër se lojtari kryesor, Cesc Fabregas, do të mungojë kundër Portos, si pasojë e lëndimit.
Në takimin e parë të zhvilluar në Estadio do Dragao, Arsenali u mposht me rezultat 2-1, ndërsa Almunia thotë se skuadra e tij ka forcë për ta përmbysur këtë rezultat në Emirates Stadium të martën mbrëma.
“Cesc është shpirti i skuadrës, ai është kapiteni ynë dhe një lojtar fantastik”.
“Kur ai nuk është në fushë ne e ndjejmë shumë mungesën e tij. (Por) të gjithë lojtarët janë të vendosur dhe janë qind për qind të përkushtuar për të vazhduar garën”, ka thënë Almunia.
Superylli i Real Madridit, Ricardo Kaka, ka ripërsëritur dashurinë e tij të vazhdueshme për Milanin, dhe ka thënë se nuk do t’i pëlqente të takohej me ish-skuadrën e tij në finale të Ligës së Kampionëve, pasi që do të ishte e dhimbshme nëse do ta mposhtte Milanin.
Përkundër kësaj, braziliani thotë se do t’i pëlqente që në finale të garës prestigjioze të futbollit evropian të takohej me rivalin e Kampionatit spanjoll, Barcelonën.
“Më shumë do të më pëlqente të luaja kundër një rivali sesa kundër një skuadre të cilën ende e dua, siç është Milani”.
“Nuk është lehtë të luash kundër një ish-skuadre. Tashmë kam luajtur dy herë kundër Milanit. Tash jam në një situatë të re dhe jam i lumtur në Madrid. Prandaj do të dëshiroja të luaj kundër rivalit të brendshëm”, ka thënë Kaka për UEFA.com.
Portieri zikaltër Julio Cesar shpreson që skuadra e tij të shfaqë lojë të matur në ndeshjen kthyese kundër Bluve të Londrës.
Interi e fitoi ndeshjen e parë në Giuseppe Meazza me rezultat 2-1, ndërsa portieri brazilian është i bindur se nerazurrët do të bëjnë ç’është e nevojshme për të kaluar në çerekfinale të Ligës së Kampionëve.
"Pranova një gol të çuditshëm në ndeshjen e parë, por unë do të mbroj gjithçka në Londër dhe ne do të kualifikohemi", ka thënë Cesar.
Kapiteni i Arsenalit, Cesc Fabregas, do të mungojë në ndeshjen e nesërme të Ligës së Kampionëve kundër Portos për shkak të lëndimit.
Paraqitja e Fabregas në takimin kundër Portos u vu në pyetje pasi spanjolli u zëvendësua në ndeshjen e fundit për shkak të lëndimit. Edhe pse Wenger tha se mund të rrezikojë duke e angazhuar Fabregas, ky i fundit sot mungoi në stërvitje dhe lajmi i fundit që vjen nga Emirates thotë se ai nuk do të luajë as në takimin e nesërm.
“Nuk do të mund të rrezikojmë me të, ashtu që ai nuk do të paraqitet në takimin e nesërm”, ka thënë Wenger.
Lajm i mirë për Arsenalit është rikthimi i Sol Campbell, i cili do të jetë i gatshëm për Porton dhe do të mund të luajë në ekipin e parë së bashku me Thomas Vermaelen. Arsenali nesër duhet patjetër të fitojë nëse dëshiron të kualifikohet më tej, pasi ndeshjen e parë e fitoi Porto me rezultat 2-1.
Trajneri i kombëtares së Argjentinës, Diego Maradona, e kishte përcjellë nga afër Real Madridin në fitoren ndaj Sevillas gjatë të shtunës.
Maradona u prit me fishkëllima nga fansat por nuk u shqetësua nga ato për të shijuar ndeshjen që solli plot pesë gola.
“Higuain ishte shumë i mirë. Ai mund të kishte shënuar madje në disa raste”, ka thënë më pas Maradona për reporterët.
Maradona ka qenë po ashtu i impresionuar nga anësori i Sevillas, Diego Perotti.
Rio Ferdinand thotë se për momentin ai nuk mendon për kampionatin botërore dhe se tash është i fokusuar vetëm te Manchester United.
Ferdinand së fundi është duke u përballur me lëndime, dhe u rikthye në fushë gjatë këtij vikendi kundër Wolves.
“Shpresoj se do të kem një seri të ndeshjeve dhe se do të kemi një fund të mirë të sezonit. Kam punuar me ngulm për të qenë i gatshëm në disa muajt e kaluara dhe në këtë lojë kjo është më e rëndësishme. Dua të luaj sa më shumë që mundem”.
“Për momentin nuk mendoj për Kupën Botërore. Mendoj vetëm për Manchester United. Tash jam në fushë dhe luaj, nëse këtë e bëj në vazhdimësi për Manchester United atëherë gjithçka do të vijë në vendin e vet”, ka thënë Ferdinand.
Trajneri i Milanit, Leonardo, beson se Ronaldinho pas pauzës prej disa vitesh, përsëri është rikthyer në formën e tij më të mirë.
Ish-lojtari më i mirë në botë po kalon një sezon të shkëlqyeshëm dhe ka krijuar 15 gola për bashkëlojtarët e tij.
“Dy-tre vite Ronaldinho ishte jashtë forme, por tash ai është futbollisti më i rëndësishëm në Milan, dhe Dunga duhet ta ftojë atë në përfaqësuese”, ka thënë Leonardo.
“Ronaldino pati një tregim të shkëlqyeshëm. Ai ishte më i miri. Por pastaj kishte disa probleme. Nuk stërvitej sa duhej dhe për dy-tre vite ishte në hije. Tash ai sërish stërvitet. Punon me ngulm dhe është i përqendruar. Ai është lider”, ka shtuar trajneri brazilian.
Pritet që Ronaldinho të jetë lider i ekipit edhe në ndeshjen e të mërkurës kundër Manchester United në kuadër të Ligës së Kampionëve.
Gjiganti i Bundesligës, Bayern Munich, raportohet se është duke përcjellë situatën e Bojan Krkic te Barcelona.
Spanjolli ka dështuar ta gjejë veten në formacionin startues të trajnerit Pep Guardiola, megjithatë thotë se është i lumtur në Nou Camp.
Bayern është i gatshëm të bëjë një hap drejt transferimit të Krkic në Gjermani, dhe mund t’i ofrojë të riut vend të rregullt në ekipin e parë dhe po ashtu edhe angazhim në Ligën e Kampionëve.
Vince Carter Orlando Magic ka shënuar fitore të ngushtë me rezultat 96-94 ndaj Los Angeles Lakers, me Kobe Bryant që humbi rastin për t’i dhënë fitoren ekipit të tij në sekondat e fundit të ndeshjes.
Në takimin në mes të dy finalistëve të vitit të kaluar, Vince Carter shënoi 25 pikë për Magic, ndërsa Bryant 34 për Lakers.
Bryant shënoi 18 vetëm në çerekun e katërt, kur Lakers u rikthyen nga 10 pikë disavantazh për të barazuar pikët.
Kjo është hera e parë që Lakers mposhten tre herë radhazi që nga janari i vitit 2008. Ekipi megjithatë mbetet lider i perëndimit me 46 fitore dhe 18 humbje.
Orlando shënoi fitoren e pestë radhazi dhe të 44-tën e sezonit, krahas 20 humbjeve.
Klubi i Ligës Premier, Chelsea, raportohet se është i interesuar të transferojë anësorin e Los Angeles Galaxy, Landon Donovan.
People shkruan se menaxheri i Chelseat, Carlo Ancelotti, e sheh lojtarin e kombëtares amerikane si zëvendësim të Joe Cole.
Anceloti ka qenë aq i impresionuar me paraqitjet e kapitenit të LA Galaxy gjatë disa muajve të kaluar te Evertoni, sa ka kërkuar nga drejtuesit e klubit të fillojnë bisedimet me klubin amerikan për të transferuar lojtarin.
Donovan, 28-vjeçar, pritet këto ditë të kthehet në kampionatin amerikan të futbollit, pasi dje zhvilloi takimin e fundit me Evertonin përballë Hull Cityt.
Mbrojtësi i Liveproolit, Jamie Carragher, thotë se Tottenhami është kërcënimi më i madh për të kuqtë në garën për të përfunduar në top katërshin më të mirë të Ligës Premier.
Liverpooli sonte përballet me Wigan Athletic, dhe do të ketë mundësinë të marrë pozitën e katërt nëse nxjerr pikë nga kjo ndeshje.
“Fitorja e Manchester Cityt ndaj Chelseat ishte shumë e madhe, por nuk mund të dini nëse kjo do t’i nxitë ata të shpërthejnë me rezultate. Tottenham është ai prej të cili kam frikë. Ata vazhdojnë të mbajnë portën e pastër dhe të shënojnë gola dhe kanë lojtarë fantastik”, ka thënë Carragher.
Mesfushori anglez David Beckham, thotë se ekipi i tij i ri Milan mund ta mposhtë kampionin e Ligës Premier, Manchester United.
Beckham do të rikthehet në Old Trafford të mërkurën me Milanin në kuadër të takimit të dytë të kthimit të 1/8 së finales së Ligës së Kampionëve, dhe është optimist se rosonerët mund ta përmbysin rezultatin e ndeshjes së parë, 3-2.
“Ne mund të fitojmë atje. Të shënojmë dy gola në Old Trafford do të jetë vështirë, por nuk është e pamundshme. Ne do të fokusohemi. Do të jetë një mbrëmje shumë emocionale për mua”, ka thënë Beckham.