Mbrojtësi i Real Madridit, Raul Albiol, thotë se dëshpërimi është i madh pas eliminimit nga Liga e Kampionëve, mirëpo ka kërkuar nga Merengues që të përqendrohen në La Liga.
“E mërkura ishte e rëndë dhe nuk kam mundur të fle pas ndeshjes. Por duhet të përqendrohemi në ditën e ardhshme dhe të stërvitemi intensivisht për takimin e të dielës”.
“Nuk kemi zgjidhje, doemos duhet të përqendrohemi te La Liga. Kemi punuar intensivisht, duhet të japim gjithçka nga vetja të dielën. Tash po mendoj vetëm për ligën. Vetëm kjo na ka mbetur”, ka thënë Albiol.
Eliminimi i Real Madridit nga Liga e Kampionëve ka nxitur spekulime se drejtuesit e Los Blancos planifikojnë ta ndërrojnë trajnerin. Njëri nga emrat që qarkullojnë, është ai i trajnerit të Arsenalit, Arsene Wenger.
Mirëpo, trajneri francez ka kërkuar nga gazetarët ta lënë të qetë, sepse planifikon ta respektojë kontratën e tij me Arsenalin deri në vitin 2011.
“Më leni të qetë. Unë do ta përfundoj kontratën time deri në vitin 2011 dhe aty nuk ka se për çfarë të bisedohet”, citohet Wenger nga AS.
Trajneri ka thënë se ndoshta lojtarët e Arsenalit nuk janë aq magjepsës sa ata të Real Madridit, mirëpo “ata janë shumë më të rëndësishëm në jetën time tani”.
Presidenti i Juventusit, Jean-Claude Blanc, thotë se skuadra e tij nuk është takuar me trajnerin e Fiorentinas, Cesare Prandelli, mirëpo nuk e mohon mundësinë që italiani ta drejtojë Zonjën e Vjetër nga sezoni i ardhshëm.
“Prandelli? Ne për momentin jemi të përqendruar se si ta përfundojmë sezonin në mënyrën më të mirë të mundshme”.
“Për sezonin e ardhshëm do të mendojmë më vonë. Tash për tash nuk jemi në kontakt me Prandellin”, ka thënë presidenti i bardhezinjve.
Sulmuesi i Manchester Unitedit, Wayne Rooney, dëshiron të arrijë nivelin e David Beckhamit që ka pasur gjatë kohës sa ka qenë në Old trafford.
Këtë sezon, sulmuesi anglez është në formë jetësore, dhe thotë se dëshiron t’i shërbejë në mënyrën më të mirë të mundshme skuadrës së tij.
“David Beckham ka qenë një shërbyes i shkëlqyer i këtij klubi dhe të gjithë ishim të kënaqur me pranimin (që i bënë tifozët në ndeshjen kundër Milanit)”.
“Unë kam edhe shumë vite përpara meje, por nëse arrij të marr gjysmën e lëvdatave që ai ka, do të isha shumë i lumtur”, ka thënë Rooney për Sky Sports.
Anglezi është njëherit drejt thyerjes së rekordit të Cristiano Ronaldos, i cili ka shënuar 42 gola brenda një sezoni. Rooney deri më tani ka arritur të shënojë 30 gola në të gjitha garat ndërsa i nevojiten edhe 12 gola për të arritur këtë rekord.
Javën e ardhshme, trajneri i Interit, Jose Mourinho, do të shkojë për herë të parë në Stamford Bridge, që nga koha kur u largua nga posti i trajnerit të Chelseat, dhe është i bindur se ekipi i tij aktual do ta eliminojë skuadrën e dikurshme të tij.
“Do të jem atje me zemrën time të orientuar vetëm nga njëra anë. Këtë e bëjnë profesionistët. Megjithatë nuk mund të fsheh se Chelsea do të jetë gjithmonë pjesë e rëndësishme e jetës time”, ka thënë portugezi.
Mourinho ka arritur ta fitojë Ligën e Kampionëve me Porton në vitin 2004 dhe është i vetëdijshëm se çfarë është e nevojshme për të triumfuar në garën më prestigjioze të futbollit e evropian për klube.
“Ligën e Kampionëve mund ta fitojë vetëm një skuadër e mirë, ndërsa unë shoh shtatë, tetë, nëntë skuadra që mund të triumfojnë”.
“Ky është viti im i dytë tek Interi, vit pas viti, qëllimi ynë është që të përmirësohemi”, ka thënë Mourinho.
Nico Rosberg ka dalë më i shpejtë se Lewis Hamilton, Michael Schumacher dhe Jenson Button në rundin e dytë të provave të garës së parë të sezonit në Sakhir, Bahrejn.
Ishte hera e dytë në ditën e parë të hapjes së sezonit të ri të Formula 1, që kampioni i shtatëfishtë, Schumacher, u tejkalua në shpejtësi nga shoku i skuadrës Mercedes, Rosberg.
Megjithatë gjermanët nuk ishin edhe aq të shpejtë në provën e parë, duke u renditur i teti (Rosberg), respektivisht i dhjeti (Schumacher).
Si Schumacher, edhe Hamilton u gjend më mirë në provën e dytë. Anglezi, i cili përfundoi i gjashti herën e parë, në të dytën u rendit i dyti, me 0.05 sekonda më i shpejtë se gjermani. Shoku i skuadrës së tij te McLaren, kampioni në fuqi Button ishte në pozitën e katërt për 0.2 sekonda prapa Schumacher.
Dy ngasësit e Ferrarit, Felipe Massa dhe Fernando Alonso, që të dy zhgënjyen duke përfunduar në pozitën e shtatë, respektivisht të nëntë në provën e dytë. Në të parën spanjolli Alonso përfundoi i dyti, ndërsa braziliani Massa i katërti.
Gianluigi Buffon nuk do të largohet nga Juventusi në drejtim të Manchester Cityt gjatë afatit kalimtar veror- thotë agjenti i tij, Silvano Martina.
Sportmediaset.it spekuloi se Juventusi ka marrë një ofertë prej 35 milionë eurosh për të hequr dorë nga portieri italian, mirëpo Martina ka thënë për Goal.com, se Gigi do të qëndrojë te Zonja e Vjetër së paku deri në vitin 2013.
“Buffon te City? Nuk është e vërtetë. Nganjëherë njerëzit shkruajnë çfarëdolloj gjërash, por nuk është e vërtetë”.
“Ai ka një kontratë deri në vitin 2013 dhe ai do ta mbyllë karrierën këtu. Nuk e di se nga dolën këto lajme”, ka thënë agjenti.
Ekziston mundësia që Alessandro Nesta t’i nënshtrohet ndërhyrjes kirurgjike për ta trajtuar tendinin e gjurit, që do të thoshte se sezoni për të ka marrë fund.
Mbrojtësi i Milanit ka lënduar tendinin e gjurit të majtë, ndërsa pas konsultave mjekësore, bëhet e ditur se ekziston mundësia që ai të ketë nevojë për operacion.
Megjithatë, kjo nuk është konfirmuar ende dhe Nesta do të vazhdojë të trajtohet pa iu nënshtruar operacionit, ndërsa njëherit do të vazhdojë të takohet me një specialist para se të vendosë nëse do të operohet ose jo.
Sulmuesi italian Luca Toni premton se ai do të shënojë mjaft gola për ta bindur Romën ta blejë plotësisht marrëveshjen e tij nga Bayern Munich.
Pas pauzës për shkak të lëndimit, Toni është rikthyer në fushë në ndeshjen kundër Milanit dhe luajti pjesën e dytë. Ai pritet të jetë shartues në takimin kundër Livornos gjatë këtij vikendit, dhe tashmë ka shënuar shtatë gola kundër këtij ekipi gjatë karrierës së tij.
“Nëse dua të shkoj në Afrikën e Jugut do të duhet të shënoj gola për Romën. Shpresojmë se do ta fitojmë derbin, do të përfundojmë në top tre ekipet dhe do ta fitojmë Kupën e Italisë. Para së gjithash, shpresoj se Roma do të më blejë plotësisht nga Bayern Munich”, ka thënë Toni.
Presidenti i Barcelonës, Joan Laporta, thotë se ai nuk është gëzuar për eliminimin e Real Madridit nga Liga e Kampionëve dhe ka paralajmëruar se edhe katalanasit duhet të jenë të kujdesshëm.
Laporta ka dërguar një mesazh në drejtim të lojtarëve të Barcelonës, duke thënë se eliminimi i Real Madridit nga Liga e Kampionëve duhet t’u shërbejë atyre si shembull se nuk ka kundërshtar në Evropë.
“Është e nevojshme t’i mbajmë këmbët në tokë. Ajo që iu ka ndodhur të tjerëve duhet të na shërbejë si paralajmërim dhe është e nevojshme të jemi të kujdesshëm në ndeshjen kundër Stuttgart”, ka thënë Laporta.
“Liga e Kampionëve nuk është garë e lehtë. Asnjë ekip nuk ka fituar trofe dy herë radhazi. Kjo është një sfidë për ne, por ne e dimë se duhet të jemi të kujdesshëm dhe të mos mendojmë në titujt”, ka thënë Laporta.
Sipas mediave në Itali, ekipi i Juventusit e ka ringjallur interesimin për shërbimet e Royston Drenthe.
Holandezi ishte cak i Juventusit në kohën e Claudio Ranierit, por Zonja e Vjetër nuk mundi të arrijë marrëveshje me Real Madridin. Tuttosport thotë se biankonerët tash e kanë ringjallur interesimin dhe se do të përpiqen ta angazhojnë Drenthen pas fundit të sezonit.
Mbrojtësi i majtë, i cili mund të luajë edhe si anësor, nën drejtimin e trajnerit Manuel Pellegrini fiton shumë pak rast dhe kiliani ka më shumë besim te Arbeloa dhe Marcelo.
Tuttosport shton se klubi mbretëror është i gatshëm ta shesë holandezin për 7 milionë euro, edhe pse më herët për shërbimet e tij Reali kërkonte 12 milionë euro. Besohet se çmimi i ri i përgjigjet edhe Juventusit që është në kërkim të një lojtari të ri të anës së majtë.
Sulmuesi i Chelseat, Didier Drogba, është emëruar Futbollisti më i Mirë në Afrikë për vitin 2009 dhe ky është titulli i dytë në karrierën e tij.
Drogba, i cili fitoi këtë shpërblim edhe në vitin 2006, këtë vit doli para bashkë-lojtarit të tij të Chelseat, mesfushorit të kombëtares së Ganës, Michael Essien, dhe para kamerunasit të Interit, Samuel Eto’o.
Sulmuesi i Bregut të Fildishtë e fitoi këtë shpërblim për ditëlindjen e 32-të të tij, por nuk ishte i pranishëm në ceremoni. Drogba e pason sulmuesin e Manchester Cityt, Emmanuel Adebayor, i cili vitin e kaluar e fitoi këtë çmim.
Kryeministri italian Silvio Berlusconi thotë se ai ka qenë i befasuar me mënyrën se si Milani është mposhtur nga Manchester United.
Bosi i rosonerëve para ndeshjes ishte i bindur se ata kanë shanse ta tejkalojnë disavantazhin prej 3-2 nga ndeshja e parë. Por pas humbjes 4-0 Berlusconi ka mbetur më se i dëshpëruar.
“Po qaj... po lotoj për Milanin. Vërtet, nuk dua të flas për futboll për momentin”, raportohet të ketë thënë Berlusconi.
Orlando Magic ka shënuar fitoren e shtatë radhazi duke shkatërruar Chicago Bulls në Orlando me rezultat 111-82.
Vince Carter shënoi pikët më të larta të ekipit, 23, derisa edhe katër lojtarë të tjerë të Orlandos shënuan pikë dyshifrore. Fitorja është e 46-ta e sezonit për Magic (20 fitore) dhe e mban ekipin në krye të Divizionit Juglindor me katër ndeshje mbi Atlanta Hawks.
Për Bulls kjo ishte humbja e gjashtë radhazi dhe e 33-ta e sezonit (31 fitore). Goditje për mysafirët ishte edhe lëndimi i Derrick Rose në çerekun e parë.
Drejtori gjeneral i Real Madridit, Jorge Valdano, thotë se stoli i Manuel Pellegrinit është i sigurt, pavarësisht eliminimit të klubit nga Liga e Kampionëve.
“Ne do ta respektojmë atë pasi besojmë në punën e tij, edhe pse e dimë se trajneri i Madridit gjithmonë është i shoqëruar nga kundërthëniet. Ai ka kontratë deri në sezonin e ardhshëm dhe plani është që ai të vazhdojë të jetë trajner. Sezoni nuk ka përfunduar ende dhe ende ka gjëra për të luftuar”.
“Edhe unë kam vuajtur si të gjithë fansat e Madridit. Ne kemi pasur shumë shpresa, por nuk mundëm ta përmbysim kundërshtarin që e bëri ndeshjen të vështirë për ne”, ka thënë Valdano.
Menaxheri i Chelseat, Carlo Ancelotti, thotë se ish-klubi i tij Milan nuk ka nevojë për rindërtim.
Rosonerët u mposhtën me rezultat 4-0 nga Manchester United, duke u eliminuar kështu nga Liga e Kampionëve me rezultat të përgjithshëm 7-2.
“Milani u përball me Manchester United, një ekip me kualitete të shkëlqyeshme të cilët janë në një formë të jashtëzakonshme për momentin. Përveç kësaj, ata kishin mungesa të lojtarëve shumë të rëndësishëm si Alexandre Pato dhe Alessandro Nesta”, ka thënë Anceloti për Sky Italia.
“Nuk besoj se rosonerët kanë nevojë për revolucion. Në fakt ata po i ngrenë lojtarët si Luca Antonini, Pato, Thiago Silva dhe Ignazio Abate. Ndoshta kanë nevojë vetëm për pak rregullime”, ka shtuar italiani.
Portieri i Fulhamit, Mark Schwarzer thotë se gara në Europa League është ende e hapur pavarësisht humbjes prej 3-1 ndaj Juventusit.
Australiani beson se gjithçka do të vendoset në ndeshjen e kthimit në Craven Cottage në javën e ardhshme.
“Ne e shohim veten shumë të zhgënjyer me atë se si i pranuam golat. U rikthyem në ndeshje kur shënuam në 2-1 dhe për standardet tona goli i tretë ishte shumë trashanik.
“Unë mendoj se ne mund t’iu shkaktojmë më shumë probleme atyre në Cottage se sa që ju shkaktuam sonte. Cottage do të jetë një fushë e vështirë dhe ne nuk do t’iu japim hapësirë. Do të jetë një ndeshje më ndryshe”, ka thënë Schwarzer.
Pas eliminimit turpërues nga Liga e Kampionëve, tifozët e Real Madridit kanë shprehur dëshirat e tyre të preferuara në një sondazh të përditshmes madrilene Marca.

Spekulimet për transferimet e Riberys, Villas, Jesus Navasit dhe shumë të tjerëve janë përfolur shumë kohëve të fundit dhe tani duket se ekziston një pasqyrë e qartë.


Është befasues mos interesimi i tifozëve për David Villën apo Franck Riberyn, por në vend të tyre në krye janë Fabregas dhe David Silva i Barcelonës.


Rezultatet komplete të Marcas:

David Silva (Valencia): 26.6%
Cesc Fabregas (Arsenal): 21.8%
Wayne Rooney (Manchester United): 15.7%
Jesus Navas (Sevilla): 15.5%
David Villa (Valencia): 11.2%
Franck Ribery (Bayern Munich): 9.3%