Liverpooli i është kthyer fitores në mënyrën më të mirë duke mposhtur Portsmouthin me rezultat 4-1.Ishte një mbrëmje e mbarë për sulmuesin Fernando Torres, i cili realizoi golin e parë (26’), asistoi për të dytin dhe realizoi golin e katërt të vendasve (77’).
Ndërkohë, dy golat tjerë të Redsave u shënuan nga Ryan Babel (28’) dhe Alberto Aquilani (32’).
Golin e nderit për mysafirët e shënoi Nadir Belhadj, një minutë pa përfunduar koha e rregull e takimit.
Pas kësaj fitoreje, Të Kuqtë ngritën në pozitën e pestë me një pikë më pak se Tottenhami që mban pozitën e katërt dhe një më shumë se Manchester City që mban vendin e gjashtë.
Mirëpo duhet përmendur se Spursat kanë një ndeshje më pak ta zhvilluar, ndërsa ‘Pasanikët’ kanë dy ndeshje më pak të zhvilluara se Liverpooli.
Johan Cruyff ia ka tërhequr vërejtjen futbollistëve të Barcelonës që të mos e fyejnë Real Madridin pas eliminimit të Los Blancos nga Liga e Kampionëve.“Festoni sukseset tuaja, por kujdes kur bëni gjykime për të tjerët, sepse një ditë e njëjta gjë mund t’iu ndodhë dhe juve”, tha Cruyff.
Ai shtoi gjithashtu se Guardiola dhe Frank Riijkard janë shembuj të cilët duhet t’i ndjekin lojtarët.
“Guardiola është miqësor me të gjithë, duke përfshirë edhe arbitrit. Me të është njëjtë si me Frank Riijkardin, ata janë njerëz të cilët kanë kaluar karrierën e tyre në mënyrë të mirë dhe duke u sjellë mirë, ata kurrë nuk janë ankuar për asgjë”, përfundoi legjenda e Barcelonës.
Menaxheri i Interit, Jose Mourinho, pohon se nuk ka se çfarë t’i dëshmojë Chelseat të martën mbrëma, kur skuadra e tij do të përballet me Blutë në ndeshjen kthyese të të tetës së finales të Ligës së Kampionëve në Stamford Bridge.“Pikësynimi i Chelseat nuk është pikësynimi im. Pikësynimi im është kualifikimi për çerekfinale nesër (të martën), dhe ai do të jetë moment me rëndësi për Interin, sidomos për një klub që nuk e ka fituar këtë titull që një kohë të gjatë”.
“Nuk kam se çfarë t’i dëshmoj Chelseat, lojtarëve të Chelseat, tifozëve apo drejtuesve të saj. Gjëja e vetme që unë mund të bëj nesër është që të luaj lojën time”.
“Më vjen keq për Petr Cech, ai është njëri prej portierëve më të mirë në botë. Nuk është hera e parë që Chelsea luan me portierin e tretë, por të them të drejtën, nuk e njoh portierin e tyre Ross Turnbull”, deklaroi Mourinho në konferencën për shtyp para takimit kundër Chelseat.
Portieri i Juventusit, Gianluigi Buffon, do të rikthehet në aksion në një të ardhme të afërt sipas agjentit të tij, pas lëndimit të marrë në kofshë.“Gigi do të rikthehet në fund të këtij muaji. Ai natyrisht se nuk do ta zgjasë shumë periudhën e rikuperimin, për shkak të lëndimit të Alex Manninger”, tha agjenti i portierit.
Për spekulimet rreth një kalimi të Buffon te Manchester City, agjenti Silvano Martina ishte rigoroz: “Buffon është i ofenduar, sepse ata janë të pafytyrë”.
Buffon është i pazëvendësueshëm në portën e Juventusit dhe të kombëtares italiane për Botërorin e ardhshëm, dhe natyrisht lajmi për rikthimin e tij, është i mirëseardhur.
Sipas raporteve nga mediumet spanjolle, Cristiano Ronaldo duket të ketë reaguar ashpër ndaj arbitrit në takimin me Valladolidin, kur futbollisti Nivaldo ndërhyri ashpër në CR9, dhe nuk u dënua.“Nuk e ke parë këtë? Nuk e ke parë këtë. Bir bushtre…”, janë fjalët të cilat citohet t’ia ketë thënë Ronaldo arbitrit të takimit Mejuto Gonzalez.
Ronaldo i nevrikosur u ankua edhe te trajneri i tij Manuel Pellegrini me fjalët: “Zotëri trajner, ata po vijnë nga çdo anë”.
Më pas, mësohet se Pellegrini e ka qetësuar lojtarin e tij, i cili nuk u përmbajt dhe pas ndeshjes para kamerave duke thënë: “A e keni parë të gjithë këtë? A e keni parë?”.
Nuk është hera e parë këtë sezon kur gjyqtarët morën vendime kontroverse ndaj Ronaldos. Muaj më parë Ronaldo u dënua në mënyrë kontroverse me tri ndeshje suspendim për shkak të një ndërhyrjeje me bërryl. Ai gjithashtu u lëndua nga agresioni i kundërshtarëve në start të sezonit.
Menaxheri i Aston Villas, Martin O'Neill, thotë se ata ende kanë gjasa për të përfunduar në top katërshin e tabelës.Me Tottenhamin që fitoi ndaj Blackburnit, Villa mbetet gjashtë pikë prapa në pozitën e shtatë, por me dy ndeshje më pak. O’Neill shpreson se ata do të mund t’i mposhtin rivalët si Spurs, Manchester City dhe Liverpool për pozitën e katërt.
“Shpresoj të mos kemi aq shumë javë të lira nga tash deri në fund të sezonit. Ne nuk kemi humbur asnjë ndeshje në Ligën Premier që nga Liverpooli katër ditë pas Krishtlindjeve dhe duhet vetëm të përpiqem t’i shndërrojmë barazimet në fitore”, ka thënë O’Neill.
Aston Villa po ashtu është në konkurrencë edhe për Kupën Carling.
Menaxheri i Liverpoolit, Rafa Benitez, në prag të ndeshjes së sotme përballë Portsmouth thotë se kjo javë do të jetë vendimtare për sezonin e Redsave.Liverpooli është katër pikë larg pozitës së katërt dhe ka të zhvilluara më shumë ndeshje se rivalët tjerë. Të kuqtë po ashtu duhet të përqendrohen në ndeshjen e kthimit të 1/8 së finales së Europa League, pasi u mposhtën në ndeshjen e parë me rezultat 1-0 nga francezët e Lille.
Për ta bërë më të ngarkuar javën, Liverpooli do të udhëtojë në Old Trafford të dielën për t’u përballur me rivalin e hidhur Manchester United.
“Është e rëndësishme të fitojmë. Nëse luani mirë, fitorja do të jetë më e lehtë. Por gjëja më e rëndësishme është të fitojmë. Çdo javë është e rëndësishme për një top ekip. Tash jemi në një pozitë ku duhet të mendojmë për Europa League, ose të luftojmë për top katërsh. Nëse jemi në një pozitë më të mirë do të jetë një javë e rëndësishme, nëse jemi në një pozitë më të vështirë, përsëri do të jetë javë e rëndësishme”, ka thënë Benitez.
Menaxheri i Sunderlandit, Steve Bruce, nuk ka dyshime se Manchester City do të jetë sfidues për titull sezonin e ardhshëm.Sunderland avancoi 1-0 deri në minutat e fundit të takimit përballë Cityt, por mysafirët arritën të nxjerrin një pikë.
“Nuk mendoj se dikush në Manchester United ka pritur që City t’i sfidojë ata në një të ardhme të afërt, por pastaj erdhën pronarët e rinj dhe përnjëherë gjithçka ndryshoi”, ka thënë Bruce.
“E them këtë duke supozuar se mund të thoni të njëjtën gjë për Chelsean. Ata kurrë nuk dukeshin se mund ta sfidonin Manchester United derisa Roman Abramovich solli para. Por City gjithmonë ka qenë një klub i madh dhe shumë i përkrahur”.
“City tash ka bërë edhe hapa të mëdha për një periudhë të shkurtër dhe sigurisht se do të jeni pretendues për titull sezonin e ardhshëm dhe më pas”, ka shtuar anglezi.
Menaxheri i Chelseat, Carlo Ancelotti, ka nxehur situatën në prag të ndeshjes së dytë të kthimit të Ligës së Kampionëve përballë Interit, duke thënë se blutë do të kualifikohen në çerekfinale.Ancelotti është kujdesur që të ngritë tensionet me trajnerin e Interit, Jose Mourinho, me deklaratën e tij.
“Ne do të jemi ekipi i tretë anglez në çerekfinale të Ligës së Kampionëve. Liga e Kampionëve është gara ime e preferuar, më e mira në botë. Kjo ndeshje është Chelsea-Inter dhe jo unë kundër Mourinhos”, ka thënë Ancelotti.
Lionel Messi mposhti të dielën mbrëma thuajse vet Valencian në Camp Nou me një het-trik fantastik, duke detyruar presidentin e klubit katalunas që ta quajë atë një gjeni, dhe njëkohësisht të thumbojë Real Madridin për eliminimin nga Lyoni.“Ishte e mrekullueshme, spektakolare. Sot (e diel) më duhet të lavdëroj ekipin për shkak se theu një ndeshje të mbyllur. Valencia luajti mirë, por më e keqja ishte se ne e kemi ekipin shumë të mirë”, tha presidenti blaugran.
Për emërimin e Messit si ambasador i UNICEF Laporta tha: “ Ky është vlerësim për ata lojtarë që janë gjenial. Messi është shembull për fëmijët, ai është shembull për të gjithë”.
“Jemi të detyruar të kemi respekt ndaj Stuttgartit. Pas atij eliminimi të Real Madridit nga Lyoni, Liga e Kampionëve është bërë më kompetitive. Duhet të jemi të kujdesshëm që kjo të mos na ndodhë neve”, tha pas ndeshjes i ngazëllyer Joan Laporta.
Juventusi e ka parë veten ‘të përmbytur’ pas një rikthimi sensacional të rezultatit nga Siena, pas epërsisë prej tre golave të krijuar në dhjetë minutat e parë të takimit.Juventusi nxori vetëm një pikë nga ky takim, për shkak të mbrojtjes katastrofale dhe reagimeve amatoreske në rastet e caktuara, përkundër se pati epërsinë e tre golave.
“Ndjenja ime është që dominuam nga fillimi i ndeshjes, duke krijuar shumë, dhe shënuar tre gola. Më pas patëm një rënie në lojë”.
“ Njerëzit bëjnë gabime, por ndoshta ne kemi shkuar disa hapa prapa sot. Ndoshta kishte një ‘errësim të plotë’”.
“Problemi erdhi nga avantazhi i hershëm i tre golave ose nga gabimi në golin e parë të shënuar nga Maccarone. Gjithsesi reagimi ynë duhet të jetë më i mirë”, deklaroi pas ndeshjes Alberto Zaccheroni.
















